Prishtinë, 10 tetor 2013
Myftiu i Kosovës, Mr. Naim Tërnava priti sot në takim njohës koordinatorin e ri në Kosovës të Agjencisë Turke për Zhvillim (TIKA), z. Ejup Javuz Umutlu, me ç’rast myftiu fillimisht e falënderoi ish-koordinatorin, z. Adem Urfan për angazhimin dhe kontributin gjatë mandatit të tij si koordinator i TIKA-së në Kosovë, si dhe i shprehu mirëseardhje koordinatorit të ri duke i uruar punë të mbarë e të suksesshme.
Koordinatori Ejup Javuz Umutlu e njohu Myftiun me planet e TIKA-së në fushën e restaurimit të monumenteve të trashëgimisë islame në Kosovë, si dhe me ecurinë e punëve në finalizimin e projekteve në rregullimin e oborrit të xhamisë së Sinan Pashës në Prizren dhe të oborrit të Xhamisë “Sulltan Mehmet – Fatih” në Prishtinë.
“Së shpejti TIKA do të filloj restaurimin e xhamisë “Sulltan Murat” në Janjevë dhe xhaminë “Jashar Pasha” në Prishtinë” -tha koordinatori Umutlu.
Myftiu vlerësoi TIKA-n për punën që po bënë në Kosovë në fushën e kulturës e sidomos në restaurimin e monumenteve të trashëgimisë tonë. “Ju me këtë punë po i zgjatni jetën objekteve tona që t’i përballojnë shekujve dhe po i përcjellim ato te brezat tonë sikur na kanë lënë amanet të parët tonë”- tha mes tjerash Myftiu.
Myftiu tha po ashtu se BIK do e rris bashkëpunimin me TIKA-në.