Prishtinë, 28 maj 2018
Në kuadër të aktiviteteve të Kryesisë së Bashkësisë Islame të Republikës së Kosovës në muajin e Ramazanit 2018, ekipi i Ramazanit qëndroi në rajonin e Gjilanit, ku u shtrua iftar tradicional për administratën dhe imamët e këshillave të Gjilanit, Kamenicës, Preshevës dhe të Bujanocit.
Para të pranishmëve një fjalë rasti mbajti Myftiu Naim Tërnava duke lutur Zotin për pranim të agjërimit e të ibdeteve të tjera dhe për mirëqenie të përgjithshme të popullit.
Në vazhdim, ai përgëzoi imamët për punën që janë duke bërë nëpër këshillat e BI-së, potencoi edhe rolin që duhet ta luajë vazhdimisht imami në shërbim të fesë dhe të kombit duke ditur se ky është një amanet që e kemi para Zotit dhe kombit.“Në këtë muaj të lexojmë sa më shumë Kuran, të jemi më dorëlirë, të sakrifikojmë nga vetja për atë që ka nevojë shoqëria, të varfrit, nevojtarët dhe vendi ynë, ku Zoti na ka krijuar dhe t’i dalim zot këtij vendi. Në këtë muaj më së miri korrespondon shpirtërorja me materialen dhe në këtë muaj edhe më shpirtërorja fuqizon lëndoren dhe e fut në funksion që edhe të tjerët të shohin se vërtet besimtari është shembull i mirë për shoqërinë”,- shtoi Myftiu Tërnava.
Pas iftarit, ekipi i Ramazanit u shpërnda nëpër xhamitë e rajonit të Gjilanit për të ligjëruar nëpër xhami dhe për namazin e teravive.