(Shkruan: Prim.dr.med.sc. Ali F. Iljazi)
Allahu i Madhërishëm në Kuranin fisnik urdhëron e thotë:
“O ju që besuat, agjërimi u është bërë obligim sikurse që ishte obligim edhe i atyre që ishin para jush, kështu që të bëheni të devotshëm. (Jeni të obliguar për) Ditë të caktuara, e kush është i sëmurë prej jush ose është në udhëtim (e nuk agjëroi), atëherë ai (le të agjërojë) më vonë aq ditë. E ata që i rëndon ai (nuk mund të agjërojnë), janë të obliguar për kompensim, ushqim (ditor), i një të varfëri, ai që nga vullneti jep më tepër, ajo është aq më mirë për të. Mirëpo, po që se e dini, agjërimi është më i mirë për ju. (Ato ditë të numëruara janë) Muaji Ramazan, që në të (filloi të) shpallet Kurani, që është udhërrëfyes për njerëz dhe sqarues i rrugës së drejtë dhe dallues (i së vërtetës nga gënjeshtra). E kush e përjeton prej jush këtë muaj le të agjërojë, ndërsa kush është i sëmurë ose në udhëtim, le të agjërojë aq ditë nga ditët e mëvonshme. Allahu me këtë dëshiron lehtësim për ju, e nuk dëshiron vështirësim për ju. (Të agjëroni ditët e lëshuara më vonë) Që të plotësoni numrin, ta madhëroni Allahun për atë se u udhëzoi dhe që të falënderoni.” (El-Bekare, 183-185).
Kur njeriu kryen një punë, ose viziton një vend të caktuar, apo takohet me një person të dashur dhe me këtë rast mendon që nuk do të ketë rastin tjetër, kjo i fuqizon ndjenjat që këtë rast ta shfrytëzojë sa më mirë, ngase nuk përsëritet më. Kur sahabët dëgjonin këshillat e Pejgamberit a.s., sytë u lotonin, zemrat u dridheshin, dhe thoshin: “Sikur kjo është këshilla e fundit, e lamtumirës që nuk kthehet më!?” (Tirmidhiu)
Në haxhin lamtumirës, Pejgamberi a.s., para turmës së mbledhur u drejtoi fjalët e udhëzimet dhe këshillat që ishin përmbledhje e pejgamberisë shumëvjeçare. Një fshehtësi e këshillës së tij drejtuar një sahabiu ishte: “Kur ngrihesh për të falur namazin, fale sikur me qenë i fundit në jetë!” (Ibën Maxheh)
Imagjinoni njeriun i cili falet me sinqeritet duke ditur se është namazi i fundit i tij, sa do të mundohej ta kryejë me përkushtim, me përulësi, i sinqertë në lutjet e tij!? Pejgamberi a.s., na udhëzon dhe këshillon si të lirohemi nga kurthet e transformimit të ibadetit në adet – imitim.
Përse edhe ne nuk përpiqemi që ibadetet tona t’i bëjmë me përkushtim, sikur me qenë të fundit?! Gjithsesi jemi në udhëtim pa fund. Namazet tona nuk janë të vetmit që janë të ekspozuar rrezikut që të transformohen nga ibadeti në adet.
Ramazani është mysafiri ynë më i dashur. Ai do të na fisnikërojë nëse ndaj tij jemi fisnik. Me ardhjen e tij, përjetojmë ardhjen e bereqetit dhe mirësive të panumërta. Ai është mysafir që duhet pritur bukur. Ndoshta dikush prej nesh do ta pret për herë të fundit. Andaj, ta gostitim bukur mysafirin e dashur! T’i shfrytëzojmë momentet që t’i kalojmë me të!
Besimtarë të nderuar, ejani që bashkërisht të arrijmë ndjenjat të cilat i ka dikush kur me një të dashur ndahet përgjithmonë, ta forcojmë besimin tonë duke kaluar këtë muaj të bekuar në shkallën më të lartë të vëmendjes dhe brengës, sikurse me qenë i fundit në jetë, duke shpresuar fuqishëm në shpërblimin dhe faljen e Allahut ndaj mëkateve tona të cilat janë të shumta.
Le të përpiqemi që këtë Ramazan ta studiojmë Kuranin fisnik duke medituar thellë për versetet e tij.
Përveç ushqimit trupor, le të pasurohemi me ushqim shpirtëror, të mundohemi t’i gëzojmë familjet tona, farefisin tonë dhe besimtarët e tjerë.
Le të përpiqemi të bëjmë sa më shumë vepra të mira.
Këtë vit le të përpiqemi që në vetmi të bëjmë llogari me vetveten.
Afrohu në safë me ata që nuk i njeh! Renditi rreshtat pas imamit me qëllim të bashkimit të zemrave në rrugën e vërtetë.
Edhe unë edhe ti kemi armiq. Të mbrohemi nga ata me lutje.
Për çdo vit dëgjojmë për vlerat e mëdha të këtij muaji të bekuar. Mundohu këtë vit që brenga jote kryesore të jetë shfrytëzimi i të gjitha begative të këtij muaji.
Vlera kulmore e Ramazanit arrin në natën e Kadrit. A ke menduar ndoshta viteve të kaluara dhe ke lëshuar rastin e këtyre vlerave? Shfrytëzoje këtë vit që sa më shumë të kalosh në ibadet, dhikër, mirësi, sepse ndoshta nuk do ta përjetosh më këtë!
Sill vendim të fuqishëm për fillim të ri me pendim të sinqertë dhe kthim kah Allahu i Madhërishëm.
Zot i dashur, na beko në këtë muaj! Na ndihmo të agjërojmë në mënyrë të drejtë dhe na bëj prej atyre që u ke pranuar agjërimin dhe na bëj prej të devotshmëve!