Një ndër muajt e preferuar, të cilët i ka veçuar Allahu i Madhëruar dhe që i ka dhënë një status të veçantë është muaji shaban. Ai e dalloi atë me një pozitë të nderuar dhe të madhe.
Pejgamberi, paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të, i veçoi ditët e tij me agjërim, sepse në ato ditë bëhet ngritja e punëve të robit tek Allahu.
Transmetohet nga Usame bin Zejdi r.a., se ka thënë: “O i Dërguari i Allahut, nuk të kam parë të agjërosh në ndonjë prej muajve, ashtu siç agjëron në muajin shaban.” Pejgamberi a.s. i tha: “Ky është një muaj ndërmjet rexhebit dhe ramazanit, të cilin njerëzit e shpërfillin. Në këtë muaj veprat i dorëzohen Zotit të botëve. Unë do të doja që të më ngrihen veprat e mia duke qenë agjërueshëm.”
- Transmetuar nga Ibën ebi Shejbe dhe El Baghaui në “El Musned”, El Nesai në “El Sunen el Sugra”.
Vlera e mesnatës së muajit shaban
Zoti i Madhëruar e veçoi natën e mesme të tij dhe ditën e saj, i preferoi ato mbi ditët dhe netët e tjera, duke preferuar gjallërimin e asaj nate, për të përfituar të mirat e saj me adhurim (vullnetar) gjatë natës dhe agjërim gjatë ditës, në përpjekje për ta arritur shpërblimin e saj, si dhe të mirat dhe bekimet që zbresin në të.
Kjo është vërtetuar me argumente nga Kurani, Suneti i Pejgamberit a.s., thëniet e sahabëve, tabiinëve dhe nga ata që erdhën pas tyre.
Dëshmi nga Kurani për vlerën e mesnatës së shabanit
“Atë natë vendoset në mënyrë të prerë çdo çështje.” (Ed Duhan, 4).
Është nata e mesit të shabanit. Në të vendoset çështja e vitit, të gjallët ndahen nga të vdekurit, regjistrohet shkuarsi në haxh. Askush nuk u shtohet atyre dhe askush nuk u mungon atyre.
- Këtë e ka transmetuar edhe Imam El Taberiu në “Xhami el Bejan”, Ibën ebi Hatimi në “Tefsir el Kuran el Adhim”, Imam el Qushajri në “Latif al Isharat”, Imam el Kirmani në “Gharaib el Tefsir”, Imam el Baghaviu në “Malim al Tanziel”.
Dëshmi nga Suneti për vlerën e mesnatës së shabanit
Sa i përket Sunetit të Pejgamberit a.s., transmetohet nga udhëheqësi i besimtarëve, Ali bin ebi Talibi r.a., se Pejgamberi a.s. ka thënë: “Nëse është nata e mesit të shabanit, atëherë gjallëroni natën e saj dhe agjëroni ditën e saj, sepse Allahu i Madhëruar zbret aty (zbret mëshira, falja dhe pranimi i lutjeve nga Zoti) me perëndimin e diellit në qiellin e kësaj dynjaje dhe thotë: “A nuk ka njeri që kërkon faljen Time që unë ta falë atë? A nuk kërkon dikush furnizim që ta furnizojë atë? A nuk ka të sprovuar që ta shërojë atë? A nuk ka kështu, a nuk ka ashtu…, derisa të vije agimi.”
- Transmetuar nga Ibën Maxhe në “El Sunen”. Gjithashtu e ka transmetuar edhe El Fakihi në “Akhbar Mecca”, pastaj Ibën Bishrani në “Amalijah” dhe El Bejhakiu në “Shuab el Iman”.
Transmetohet nga nëna e besimtarëve, Aisheja r.a., se Pejgamberi a.s. ka thënë: “Vërtet Zoti i Madhëruar zbret (zbret mëshira, falja dhe pranimi i lutjeve nga Zoti) natën e mesit të shabanit në qiellin e dynjasë dhe falë më shumë se sa flokët e bagëtisë të fisit Kelb.”
- Transmeton Ibën Rahavejhi dhe Ahmedi në Musned. Pastaj Termidhiu dhe Ibën Maxheh në “El Sunen” dhe El Bejhakiu në “Shuab el Iman”.
Gjithashtu, nga Aisheja r.a. transmetohet të ketë thënë: “E kam dëgjuar Pejgamberin a.s., duke thënë: “Zoti e hap mirësinë në katër net, në natën e Kurban Bajramit, të Fitër Bajramit, në natën e mesit të Shabanit dhe në natën e Arafatit deri në ezan. Në të, natën e shabanit janë ndarë exhelet e vdekjes dhe furnizimet, në të është shkruar shkuarsi në haxh.”
- Transmetohet nga El Darakutni në “Gharaib Malik”, El Khatib në “El Ravat”, Ibën el Xheuzi në “Muthir al Azm” dhe El Dailami në “El Firdaus”.
Thëniet e sahabëve për vlerën e mesnatës së shabanit
Sa u përket thënieve të sahabëve, Allahu qoftë i kënaqur me ta, transmetohet nga udhëheqësi i besimtarëve, Ali ibën Ebi Talibi, të ketë thënë: “Më pëlqen që njeriu mund të lirohet (për adhurim dhe lutje) në katër net: nata e Fitrit, nata e Kurbanit, nata e mesit të shabanit, dhe nata e parë e rexhebit.”
- Kështu e përcolli El Hafiz ibën el Xheuzi në “El Tabsirah”.
Transmetohet nga Abdullah ibën Omeri r.a., të ketë thënë: “Janë pesë net në të cilat lutja nuk refuzohet: nata e xhumasë, nata e parë e rexhebit, nata e mesit të shabanit dhe dy netët e dy bajrameve.”
- Transmeton Abdurrezaku në “Musanef” dhe El Bejhakiu në “Shuab el Iman”.
Transmetimet e tabiinëve për vlerën e mesnatës së shabanit
Omer bin Abdulazizi i shkroi Adij bin Artatit, i cili ishte guvernator në Basra, duke i thënë: “Ti je i obliguar për katër net të vitit, sepse Zoti zbraz mëshirën e tij në to plotësisht: Nata e parë e muajit rexheb, nata e mesit të shabanit, nata e Fitrit, dhe nata e Kurbanit.”
- Kështu e përcolli dijetari Kavam el Suneh në “El Terghib ve al Terhib” dhe El Hafiz ibën el Xheuzi në “El Tabsirah”.
Nga Halid bin Madani, transmetohet të ketë thënë: “Pesë net në vit kushdo që i ndjek rregullisht, duke shpresuar në shpërblimin e tyre dhe duke besuar në premtimin e tyre, Allahu do ta futë atë në Xhenet, e ato janë: Natën e parë të rexhebit. Adhuroni natën e saj dhe agjëroni ditën e saj. Natën e mesit të shabanit, adhuroni natën e saj dhe agjëroni ditën e saj, Natën e Fitër Bajramit, adhuroni natën e saj dhe agjëroni ditën e saj. Natën e Kurban Bajramit, adhuroni natën e saj dhe agjëroni ditën e saj, dhe natën e Ashures, adhuroni natën e saj dhe agjëroni ditën e saj.”
- Kështu e përcolli Ebu Bekër al Hallal në “Virtytet e muajit rexheb”.
Nga Ata ibën Jasari, transmetohet të ketë thënë: “Nuk ka natë pas natës së Kadrit që është më e mirë se ajo – që do të thotë nata e mesit të shabanit. Në të zbret (zbret mëshira, falja dhe pranimi i lutjeve nga Zoti) në qiellin e kësaj bote dhe falë, përveç një mushriku ose të grindurve mes veti, ose shkëputësit të lidhjeve farefisnore.
- Kjo është përmendur nga Al Allamah el Lalika në “Shpjegimin e bazave të besimit të sunitëve”.
Akademia për Fetva në Egjipt
Kajro, 13 mars 2022
Përktheu nga gjuha arabe:
Mr. Ragmi Destani