(Editoriali, “Edukata Islame” nr. 130/2023)

Muaji hënor Rebiul Evel është muaji që në vitin tashmë të largët 571, në Mekën e bekuar, lindi i Dërguari i Zotit, pejgamberi i fundit, hazreti Muhamed Mustafaja, alejhi selam. Pejgamberi, a.s., përveçqë lindi në Mekë, aty e kaloi edhe rininë e tij, dhe pikërisht aty, në Mekën e bekuar, Zoti i Gjithëdijshëm e shpalli pejgamber dhe ia dha misionin për besimin e drejtë, të cilin Muhamedi, a.s., e shpërfaqi për njerëzimin për 23 vjet rresht.

Misioni që Krijuesi i gjithësisë ia ngarkoi Muhamedit, a.s., që t’ia komunikonte njëzimit, ishte plot mësime, kondita e parime për dynja e ahiret, prandaj edhe Muhamedi, a.s. përveçqë ishte i zgjedhur e i nderuar prej Zotit, xh.sh., që të ishte resulullah, ai u bë edhe i dashur, i nderuar, i respektuar, i çmuar e i vlerësuar ndër besimtarët myslimanë, po edhe te të tjerët, të cilët megjithëqë nuk e pranuan për pejgamber, e çmuan për ndikimin që pati ai dhe misioni i tij në historinë, kulturën e qytetërimin njerëzor.

Duke pasur parasysh këto fakte, besimtarët e devotshëm, me dëlirësi e sinqeritet të madh, kanë praktikuar udhëzimet, thëniet, veprat, pëlqimet dhe punët e Pejgamberit, a.s., duke e pasur atë prore model e udhëzues për veprat dhe jetën e tyre.

Kështu, besimtarët myslimanë, me devocion e përkushtim, nga dashuria e madhe për Muhamed Mustafanë, me shumë të drejtë e kanë kujtuar dhe vazhdojnë ta kujtojnë e ta shënojnë ditëlindjen e tij, datën 12 të muajit Rebiul Evel, po edhe gjithë muajin në vazhdim, aq sa ky muaj mori edhe epitetin Muaji i Mevludit, dhe kështu u njoh dhe njihet në mbarë botën myslimane, sepse vërtet në këtë muaj lindi njeriu më i mirë, lindi pejgamberi ynë i fundit, Muhamedi, a.s.

Dhe, ndërsa vitet rrjedhin dhe koha ecën, dashuria për Muhamed Mustafanë gjithnjë e më shumë rritet e shtohet, e me të edhe format dhe mënyrat e kujtimit dhe të shënimit të ditëlindjes së Tij ndër besimtarët e vendeve, të trevave, rrethanave e hapësirave të ndryshme, dhe në vartësi të rrethanave shoqërore, kulturore e arsimore. Mirëpo, gjithnjë duke e kujtuar ditëlindjen e tij, a.s., me po atë ndjesi të veçantë, sikur të kishin qenë që në kohën e tij dhe bashkë me të.

Nëse e shohim, e vështrojmë dhe e analizojmë me qetësinë e mendjes e me kritere objektive e shkencore, na rezulton se nuk ka një personalitet të dytë, që biografia, veprimtaria, misioni dhe ndikimi i tij të ketë pasur trajtim, e të jetë shqyrtuar më shumë prej kronistëve, historianëve, teologëve kulturologë e studiues të fushave e të disiplinave të ndryshme, tash e kaq shekuj, më shumë sesa Pejgamberi, a.s.

Në këtë rrafsh bën pjesë edhe trashëgimia shkrimore, e cila është krijuar për jetën e Pejgamberit, a.s., që nga poezia, proza, odet, kasidet, gazelet, mevludet, e deri tek monografitë e ndryshme, pothuajse në të gjitha gjuhët e besimtarëve myslimanë, anekënd botës.

Gjithsesi se është për t’u theksuar se historikisht besimtarët myslimanë nëpër botë, me përkushtimin më të madh e për çdo vit, në ambientet familjare, po edhe nëpër xhami e institucione, e kujtojnë në formën më të mirë ditëlindjen e Pejgamberit të tyre, Muhamed Mustafasë. E, kujtimi i ditëlindjes së Pejgamberit, a.s., përtej dashurisë është edhe zotim e besatim për t’i ndjekur mësimet dhe porositë e Pejgamberit, a.s., si dhe është besnikëri ndaj rrugës dhe misionit të tij.

Shënimit të ditëlindjes së Pejgamberit, a.s., dhe manifestimit të muajit të mevludit, si shumë popuj të tjerë myslimanë, i kushtuan rëndësi dhe i dhanë specifika e tipare të veçanta e autoktone edhe shqiptarët, qysh se u bënë pjesë e fesë islame. Kësisoj, shënimi i manifestimit të kësaj ngjarjeje ndër ne ka një të kaluar të begatë dhe të shtrirë në kohë dhe në hapësirë, që në mënyrën më të mirë tregon për respektin dhe dashurinë tonë për Pejgamberin – Muhamedin, a.s. Kjo traditë e mishëruar thellë në kujtesën e popullit tonë vazhdon ende, dhe duhet të kultivohet edhe në ditët tona, e deri sa të jemi në këtë jetë.

Shqiptarët myslimanë jo vetëm se e kanë shënuar e manifestuar ditëlindjen e Pejgamberit, a.s., por shtresa intelektuale ka shkruar e hartuar edhe vepra të veçanta në formë të prozës e poezisë – rrëfenja e mevlude, ku me motive të thela islame e në mënyrë artistike i kanë përshkruar momentet më të rëndësishme të jetës, të veprës, të mrekullive dhe të misionit të Pejgamberit, a.s.

Kështu kanë lindur edhe mevludet e para, si krijimtari artistike letrare te shqiptarët, e ndër të parët, për aq sa dihet deri më sot, konsiderohet Mevludi i rilindësit tonë të shquar Hasan Zyko Kamberi, në shek. XVIII, për t’u pasuar prej shumë autorëve të tjerë, aq sa sot njihen mbi 30 mevlude të shkruara vetëm prej personaliteteve të njohura në fusha të ndryshme të fesë dhe të letërsisë, e të cilët, me mjeshtërinë e tyre dhe në mënyrë artistike e shembullore, thurën lavde e konsiderata, si për askënd tjetër, për të Dërguarin e Allahut, xh.sh., Muhamedin, a.s. Ndër më të njohurit janë: Hasan Zyko Kamberi, Muhamed Çami, Ismail Floqi, Hfz. Ali ef. Ulqinaku, Tahir ef. Popova, Hfz. Ali ef. Korça, Hfz. Ibrahim ef. Dalliu, Abdullah ef. Zëmblaku, Sheh Ahmet Shkodra, Hfz. Islam Nekovci, Mehmet ef. Salihu-Opoja, Ferit Vokopola, Idriz Lamaj, Fahrudin Osmani, e shumë të tjerë. Secili nga këto mevlude ka pasur shtrirje dhe ndikim më të madh në trevat ku janë hartuar, po edhe më gjerë. Mevludi i Tahir efendiut, nga fshati Popovë i Vushtrrisë së Kosovës, ka pasur dhe ka shtrirje dhe ndikim të madh në përgjithësi në territorin e Kosovës, po edhe në një pjesë të mirë të Maqedonisë së sotme. E meqë jemi te ky Mevlud, – i cili është hartuar sikurse edhe mevludet e tjera, sipas modelit të mevludit “Vesîletu n-Nexhât”, i shkruar më 1409, prej autorit turk Sylejman Çelebiut, quhet “Vargje në gjuhën shqipe mbi lindjen e Qenies më të vlefshme (Mevludi)” “Manzûmetu ‘l-mevlûd fî efdali ‘l-mevxhûd bi lisâni ‘l-Arnaûd”, – duhet përmendur se Tahir efendiu e Mevludi i tij e ka shkruar me shkronja arabe, po me fjalë në gjuhën shqipe e të renditura në bejte, duke respektuar rimën dhe metrikën e kësaj gjinie, dhe se falë stilit të tij të lehtë e të kuptueshëm ky mevlud, ndër besimtarët tanë, është mësuar përmendsh, aq sa mund të thuhet me siguri se ishin të paktë ata që nuk dinin përmendsh pjesë të këtij mevludit. Kjo flet vetvetiu se sa i pranishëm dhe sa i mishëruar ishe mevludi në masën e gjerë!

Mënyra e manifestim të Mevludit në Kosovë natyrisht se ka njohur ndryshime ndër vite, disa të kuptueshme, e disa, për arsyet që do t’i përmendim më poshtë, fare të paarsyeshme e madje edhe joqëllimmira. Manifestimi i Mevludit në Kosovë, fjala vjen, gjatë viteve 1950-1990, e gjejmë të organizuar në dy rrafshe: atë institucional dhe atë në ambiente familjare.

Bashkësia Islame manifestimin e mevludit e organizonte në xhamitë e qendrave kryesore, ku merrnin pjesë imamët që kishin zërin më të mirë për ta kënduar mevludin, ndërsa besimtarët e shumtë që kishin ardhur aty e dëgjonin me vëmendje e disiplinë.

Zakonisht këto manifestime organizoheshin në natën e 12 të muajit Rebiul Evel, pas namazit të drekës apo edhe të iqindisë. Në këto manifestime, përveç këndimit të mevludit, ulematë mbanin edhe derse-ligjërata me tematikë nga jeta e Muhamedit, a.s., pastaj këndonin Kuran e ilahi të ndryshme, gjë që i jepte një atmosferë madhështore, me të gjitha elementet e kulturës e të traditës islame, që nga mënyra e mbajtjes së ligjëratave, këndimit të Mevludit, pastaj këndimit të ilahive, e deri te këndimi i Kuranit prej imamëve të përzgjedhur.

Edhe më madhështore kanë qenë manifestimet që organizoheshin në ambientet familjare, ku besimtarët, për ta kujtuar me dinjitet ditëlindjen e Pejgamberit, a.s., organizonin mevlud.

Madje, për të pasuar mundësi që të merrnin pjesë te njëri-tjetri, këtë manifestim e organizonin në ditë të ndryshme, aq sa i tërë muaji Rebiul Evel kalonte në këtë atmosferë festive.

Për manifestimin e mevludit, krahas hoxhallarëve që bënin këndimin e tij, ftoheshin edhe fisi, miqtë, fqinjët e dashamirët, të cili kur shkonin në mevlud, visheshin në rroba solemne, ngase ishin të bindur që po shkonin në një manifestim ku kujtohej i Dërguari i Allahu, xh.sh.

Në odën ku mbahej manifestimi i mevludit, hoxhallarët zinin vend në krye të konakut, dhe para këndimi të mevludit për të pranishmit mbanin ligjërata kushtuar jetës së Pejgamberit, a.s., duke nisur që nga prindërit e tij, a.s., e posaçërisht për jetën e të Dërguarit, që nga lindja, e deri në kalimin në ahiret, e pastaj flisnin për parimet e Islamit dhe çështjet e tjera që kishin të bënin me fenë.

Para se të niste këndimi i mevludit këndohej, të paktën, një pjesë-ashere nga ajetet e Kuranit, dhe kjo përsëritej edhe në gjysmë të mevludit dhe në fund të tij. Aty këndoheshin pareshtur, prej hoxhallarëve dhe xhematit bashkërisht, edhe salavatet, ndërsa në fund të faslit, kur paralajmërohej lindja e Pejgamberit, a.s., gjithë të pranishmit, në shenjë respekti, ngriheshin në këmbë, ktheheshin nga Kibla dhe këndonin salavate në kor.

Në fund të mevludit imami bënte dua, ndërsa pas duasë të pranishmit e uronin dhe luteshin për atë që ishte bërë sebep, si dhe për familjen dhe shtëpinë e tij.

Mevludi te ne është kënduar edhe në raste të gëzimeve, si me rastin e hyrjes në shtëpi të re, me rastin e lindjes së fëmijëve, po edhe për gëzime të tjera. Mevludi është kënduar edhe në ato raste kur besimtari ka pasuar ndonjë qeder dhe ka shpëtuar, si dhe në raste të vdekjeve në familje.

Mevludi në Kosovë ka qenë i përhapur si manifestim edhe gjatë muajit të madhëruar Ramazan, kur xhamatliu që e thërriste farefisin për iftar, organizonte dhe mevlud, e që këndohej pas faljes së namazit të iqindisë, dhe për këtë kishte një rend dhe garë midis xhematit.

Nga këto pak të dhënë që ofruam gjer këtu, mund të kuptohet se manifestimi i mevludit në Kosovë kishte një shtrirje të gjerë në masën e besimtarëve, madje ishte si një ndër manifestimet më popullore, dhe kjo për faktin se gati i tërë manifestimi mbahej në gjuhën shqipe, dhe kur kësaj i shtohet edhe se mesazhi i mevludit në përgjithësi ishte fisnikërimi i njeriut dhe njohja e tij me fenë islame, mund të merret me mend pse një manifest i tillë ishte aq i përhapu te ne.

Manifestim i Mevludit prej ulemave u shfrytëzua për shpjegimin e mësimeve islame, ngase në manifestim e mevludit xhemati kishte mundësi që të bashkëbisedonte me hoxhën për çështjet fetare, e që nuk mund t’i diskutonte në xhami.

Gjithashtu, mevludi si manifestim ka luajtur edhe rol mobilizues për mësimet dhe kulturën fetare te ne, megjithëqë popullata jonë pati fatin e keq të jetojë në sistemin socialist. Hartimi dhe manifestimi i mevludit ka luajtur një rol me rëndësi edhe për ruajtjen e identitetit tonë kombëtar, po edhe për ruajtjen dhe kultivimin e gjuhës shqipe. Kjo është një e dhënë e padiskutueshme dhe mjaft domethënëse. Në anën tjetër, autorët e mevludeve, duke qenë fetarë dhe atdhetarë të dëshmuar, kanë synuar që në bejtet e tyre, përveç frymëzimit fetar, ta ngjallin edhe vetëdijen kombëtare. Ja se si shkruan Hafëz Ali Korça i mirënjohur, ndër të tjerash, në Mevlduin e tij:

“Për udhërrfenjës mjaft kemi Kuranë

Po mbajtëm Kuranë mbajtëm lumturinë

Me të mund ta mbajmë din e kombësinë”.

Ose:

“Zot! Le të na rojë Atdhe’ Kombësija

Aqë sa të rrojë edhe gjithësia!”

Vlerat e mevludit bëhen gjithnjë e më të mëdha edhe për faktin se autorë të mevludeve kanë qenë njerëz të shquar në vendin tonë, ulema të ditur e vizionarë, të cilët jo vetëm se nuk kanë bërë ndonjë kritikë për këndimin e mevludit, por duke shkruar mevlude vetë, ata edhe janë bërë të njohur në këtë fushë. Sikundër që në atë kohë kanë jetuar edhe shumë ulema të tjerë të shquar, të cilët e kanë predikuar fenë tonë, dhe të cilët jo vetëm se nuk e kanë kundërshtuar këtë praktikë, por, përkundrazi, e kanë kënduar mevludin, ose kanë marrë pjesë në këto ceremoni. Dhe, kështu ka vazhduar deri para dy-tri dekadave, kur filloi një debat i kotë për Mevludin dhe manifestimin e tij në fenë islame, debat ky i iniciuar nga disa kuadro të diplomuar në botën arabe dhe të pavetëdijshëm, të painformuar dhe me dije të varfra për mevludin si përmbajtje, si manifestim dhe si krijimtari artistike letrare etj.

Hapja e këtij debati solli një konfuzion e huti në xhematin tonë, mirëpo te gjenerata e vjetër nuk pati ndonjë ndikim të madh; ndikimi negativ i këtij debati pati njëfarë efekti te gjenerata e re, të cilët, të ndikuar nga ky debat, sikur e lanë anash organizimin e manifestimit tradicional të mevludit. Fatmirësisht, zërat e tillë gjithnjë e më shumë po zbehen dhe po mbesin të vetmuar e të papëlqyer nga xhemati.

Një segment tjetër që ka pasur një ndikim në zbehjen e manifestimit të mevludit është edhe një tentim për ta bërë më bashkëkohore mënyrën e manifestimin e mevludit, sikurse, ffjala vjen, tendenca për organizimin e manifestimeve fetare, madje edhe të mevludit, jashtë xhamive dhe jashtë ambienteve familjare, si në salla sporti, amfiteatro etj., ku në emër të modernizimit të manifestimit të mevludit e humbin atmosferën dhe ndikimin tradicional islam.

Që mos t’u jepet hapësirë këtyre ndikimeve negative që po zbehin atmosferën dhe rolin e mevludit ndër ne, mendoj, sikurse e kam thënë edhe herë të tjera, se institucionet fetare te ne, e në këtë rast Bashkësia Islame e Kosovës, me të gjitha institucionet e veta, duhet të tregohen më rigoroze në ruajtjen e trashëgimisë pozitive islame, siç është edhe organizimi i manifestimit të mevludit nëpër xhamitë qendrore të qendrave kryesore. Le të ndalet debati i hoxhallarëve me xhematin për traditën pozitive dhe, nëse paraqitet nevoja për një debat të tillë, ai le të bëhet nga njerëzit kompetentë dhe të dëshmuar në fushat përkatëse. Në institucionet arsimore, në medrese dhe në Fakultetin e Studimeve Islame duhet t’i kushtohet rëndësi më e madhe lëndës së Qytetërimit Islam, në të cilën duhet të vihet theksi në trashëgiminë pozitive islame, siç janë personalitet e njohura të ulemave tanë, pastaj kultura materiale islame, me të gjitha vlerat e veta, si dhe trashëgimia kulturore e shkruar dhe ajo shpirtërore. Le të stimulohen dhe të motivohen talentet e reja për hartime të mevludeve të reja. Në periodikun e bashkësisë islame te ne, poedhe në trevat e tjera shqiptare, duhet t’i kushtohet më shumë hapësirë mevludeve si krijimtari artistike, letrare, pa harruar edhe vlerat fetare e kulturore.

Imamët duhet t’i kushtojnë më shumë rëndësi sensibilizimit të besimtarëve për organizimin dhe manifestimin e mevludeve. Gjithashtu duhet të ruhet edhe mënyra tradicionale e manifestimit dhe e këndimit të mevludit. Sepse, përmes manifestimit të mevludit, synohet nderimi ynë ndaj personalitet të Muhamedit, a.s., synohet dashuria ndaj tij dhe dashuria ndaj Pejgamberit, a.s., është përkushtim ndaj Allahut, xh.sh.; me të synohet mësimi i vlerave fetare, letrare, gjuhësore, historike, kulturore, gjuhësore dhe atdhetare të përmbajtjes, të formës e të ceremonialit të tij, si dhe synohet forcimi i frymës së bashkimit, mirëkuptimit, bashkëpunimit e tolerancës midis besimtarëve dhe midis njerëzve në përgjithësi, si krijesa të Allahut, xh.sh.

Allahu xh.sh., – përmes Xhibrilit – i kishte thënë Muhamedit, a.s., që t’u thoshte myslimanëve:

قُلْ إِن كُنتُمْ تُحِبُّونَ اللَّهَ فَاتَّبِعُونِي يُحْبِبْكُمُ اللَّهُ وَيَغْفِرْ لَكُمْ ذُنُوبَكُمْ

“Nëse e doni Allahun, atëherë ejani pas meje që Allahu t’ju dojë ju dhe t’ua falë mëkatet!” (Kuran, Ali Imran, 31)

إن الله وملائكته يصلون على النبي يا أيها الذين آمنوا صلوا عليه وسلموا تسليما

“Me të vërtetë Allahu dhe engjëjt e Tij e përshëndesin Pejgamberin, prandaj edhe ju, o besimtarë, përshëndetni atë me përshëndetje meritore!” (Kuran, Ahzab, 56)

Ramadan Shkodra -Editorial në Revistën “Edukata Islame” nr. 130/2023

Shfaq më shumë në Shkrime

Shfleto

Argumentet për vlerën e natës së 15 të muajit shaban

Një ndër muajt e preferuar, të cilët i ka veçuar Allahu i Madhëruar dhe që i ka dhënë një …