Prishtinë, më 9 tetor 2023

Për nder të muajit të Mevludit, Këshilli i Bashkësisë Islame në Ferizaj, organizoi manifestim për më të dashurin tonë, Muhamed Mustafanë, alejhi selam.

Në këtë manifestim ligjëratën kryesore e mbajti Myftiu Naim ef. Tërnava, ndërsa mysafir special ishte reisi i Bashkësisë Fetare Islame, Shaqir ef. Fetahu.

Programi filloi me leximin e disa pjesëve nga Kurani fisnik, të cilat i këndoi Armend ef. Beqiri.

Më pas një fjalë përshëndetëse para të pranishmëve e mbajti kryetari i Këshillit të BI-së së Ferizajt, Nexhmedin ef. Bajrami.

Këtë manifestim e përshëndeti edhe reisi i Bashkësisë Fetare Islame të Maqedonisë së Veriut, hfz. Shaqir ef. Fetahu, i cili tha se kujtimi i personalitetit të Muhamedit a.s. është tejet i nevojshëm për çdo kohë dhe çdo vend. Ai tha se Muhamedi a.s. është shembulli më i mirë që duhet ndjekur dhe kjo është dëshmuar edhe nga bota mbarë.

Në ligjëratën e tij kushtuar Pejgamberit Muhamed a.s., Myftiu Tërnava, ndër të tjera veçoi domosdoshmërinë e kujtimit të lindjes dhe jetës së Pejgamberit a.s. për besimtarët e këtyre trojeve. “Ne si myslimanë duhet të jemi shumë krenarë që i përkasim kësaj feje, e cila është e plotë dhe e përsosur.”

Ai tha se personaliteti i tij rrezaton mbi globin duke i udhëzuar njerëzit drejt rrugës së drejtë. “Muhamedi a.s. është një shembull që ne asnjëherë nuk duhet t’i largohemi mësimeve të tij, ai na ka mësuar se si të sillemi me familjen dhe me shoqërinë në përgjithësi. Ardhjen e tij, Allahu xh.sh. e kishte paralajmëruar edhe në librat e tjerë të zbritur te pejgamberët e tjerë.”

Myftiu Tërnava duke folur për dërgimin e Pejgamberit a.s. nga ana e Zotit, tha se ai ishte dhe mbetet mëshirë për të gjitha botët dhe për mbarë krijesat. “Zoti xh.sh. na porositë që të marrim çdo gjë që na jep Pejgamberi a.s. dhe të ndalohemi nga çdo gjë që na e ndalon ai.”

Më pas programi vazhdoi me këndimin e disa pjesëve nga Kurani nga hafëzi Mujdin ef. Limani, me këndimin e disa pjesëve nga Mevludi, të kënduara nga imami Adem ef. Hoxha, si dhe me këndimin e ilahive nga Armend Beqiri, Miraxh Islami dhe Artiol Behluli.

Shfaq më shumë në Lajme

Shfleto

Drejtori Simnica takoi nënkryetarin e xhamisë  “Mesxhid Nur” në Frauenfeld të Zvicrës, Xhabir Shala

Drejtori i Diasporës në Kryesinë e Bashkësisë Islame të Kosovës, Ekrem ef. Simnica, ka pri…