Prishtinë, më 8 prill 2022

Kryeimami i Bashkësisë Islame të Kosovës, Vedat ef. Sahiti, së bashku me drejtorin e Financave, Islam Hasani, drejtorin për Kulturë dhe Veprimtari Botuese, Ramadan Shkodrën dhe zv/drejtorin e “Bereqetit”, Xheladin Fazliu, vizituan xhamitë e fshatrave të Komunës së Medvegjës të banuar me shqiptarë.

Në këtë vizitë, ky delegacion i lartë i Bashkësisë Islame të Kosovës i udhëhequr nga kryeimami Sahiti panë për së afërmi mbarëvajtjen dhe organizmin e jetës fetare në këtë pjesë, si dhe shfrytëzuan rastin për t’ua uruar muajin Ramazan besimtarëve të kësaj pjese.

Fillimisht delegacioni i Kryesisë së Bashkësisë Islame të Kosovës vizituan xhaminë e fshatit Kapit, ku u mirëpritën nga imami veteran mulla Ajeti, ku falën së bashku namazin e Ikindisë.

Kryeimami Sahiti dhe zv/ drejtori i “Bereqetit” Xheladin Fazliu vizituan disa familje shqiptare me gjendje të rënduar ekonomike, ku u dhuruan pako me produkte esenciale ushqimore, duke shfrytëzuar njëkohësisht rastin për t’ua uruar muajin Ramazan.

Vizita më pas vazhdoi në xhaminë e fshatit Siarinë, ku u shtrua iftar i përbashkët për besimtarët e fshatrave të Medvegjës dhe vendeve të tjera.

Kryeimami i Bashkësisë Islame të Kosovës mbajti një ligjëratë kushtuar rëndësisë së muajit Ramazan, për t’i prirë më pas namazit të teravive. Sahiti çmoi dhe vlerësoi lart kontributin e imamëve dhe besimtarëve që kanë shërbyer dhe vazhdojnë të shërbejnë përkundër vështirësive dhe sfidave me të cilat përballën.

“Më lejoni fillimisht që t’ua uroj muajin Ramazan, duke lutur Zotin që tek të gjithë besimtarët të ketë paqe dhe mëshirë. Para jush paraqes përkushtimin e Bashkësisë Islame të Kosovës, që do të keni mbështetjen tonë për xhamitë e fshatrave të Medvegjës. Duhet të falënderojmë mulla Ajetin, si imam veteran që ka shërbyer për dekada të gjata në këtë vend dhe imamit Ilham Hasanin, i cili tash e 15 vjet po shërben në këtë xhami, duke qenë çdo herë në shërbim të besimtarëve”, tha Sahiti.

Vizita e tillë nga Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës, u çmua dhe u vlerësua edhe nga imami i xhamisë së fshatit Siarinë dhe imamëve të tjerë nga Kosova.

“Bashkësia Islame e Kosovës gjithmonë ka qenë në mbështetje të xhamive në komunën tonë, jo vetëm këtu, por edhe në komunat e Preshevës dhe Bujanocit, shpresojmë që ky iftar të shndërrohet iftar tradicional dhe të kemi Bashkësinë Islame edhe më shumë në këto troje”, tha ai.

Shfaq më shumë në Lajme

Shfleto

Myftiu Tërnava priti në takim një delegacion nga Fondacioni “Shejh Zajed”

Prishtinë, më 8 nëntor 2024 Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim ef. Tërna…