04-06. 05. 2018, Frauenfeld –Zvicër
Më 05 maj 2018 në qytetin Frauenfeld të kantonit Thurgau, Xhamia “Mesxhidi Nur” në Zvicër zhvilloi manifestimet solemne me rastin e përurimit të xhamisë së re. Delegacioni i Kryesisë së Bashkësisë Islame të Kosovës, i udhëhequr nga kryeimami i Bashkësisë Islame të Kosovës Sabri ef. Bajgora dhe drejtori për Diasporë i BIK-ut Ekrem ef.Simnica morën pjesë në inaugurimin e xhamisë “Mesxhidi Nur” në Frauenfeld në Zvicër, si dhe kryetari i Këshillit të Bashkësisë Islame të Peshevës Sevdail ef. Xhemaili.
Në këtë ceremoni mori pjesë edhe delegacion nga BFI-ja, në përbërje të: dr. Selver Xhemaili, përgjegjës për diasporë në BFI, Myftiu i Shkupit mr. Qenan ef. Ismaili, Myftiu i Tetovës, prof. dr. Qani ef. Nesimi, si dhe Myftiu i Gostivarit mr. Shaqir ef. Fetahu. Po ashtu, i ftuar nga Maqedonia në këtë manifestim fetar ishte edhe kryeparlamentari z. Talat Xhaferi.
Morën pjesë edhe kryetari i Unionit të Bashkësive Islame Shqiptare në Zvicër, hfz.Mehas ef. Alija, nënkryetari i Komunitetit Musliman të Shqipërisë z. Lauren Luli, nënkryetari i Unionit të Bashkësive Islame Shqiptare të Gjermanisë Rexhep ef. Sulejmani, kryetari i organizatës DIGO, Bekim Alimi, lexuesi i mirënjohur i Kuranit fisnik Xhelal ef. Kaloshi e shumë të tjerë.
Në një atmosferë impozante dhe festive, të shtunën në mesditë, është realizuar ceremonia zyrtare e hapjes së xhamisë së re, në qytetin Frauenfeld, Kantoni Thurgau, para një publiku në numër të madh, të ardhur nga të gjitha anët e Zvicrës, madje edhe nga Austria, Gjermania, Italia e vendlindja.
Më 05 maj në një atmosferë impozante dhe krejtësisht në ndjenja festive dhe të gëzimit u realizua ceremonia zyrtare dhe qendrore e hapjes së xhamisë së re, në një ambient të hapur pranë objektit të Xhamisë së re, e cila shkëlqente me bukurinë e saj, para një numri të madh të besimtarëve myslimanë shqiptarë të Zvicrës, të atyre që kishin udhëtuar nga vendlindja enkas për këtë manifestim si dhe të atyre që kishin ardhur nga të gjitha anët e mërgatës si Austria, Gjermania, Italia dhe nga qytetet e ndryshme të Zvicrës.
Pjesëmarrja e autoriteteve shtetërore, politike zvicerane, qofshin ato lokale apo kantonale si dhe e autoriteteve të kishave të ndryshme vendore, këtë manifestim e shndërronin në një tubim multikulturor e multikonfesional.
Personalitetet e ftuara në këtë manifestim të pranishmëve iu drejtuan me mesazhe dhe porosi për ruajtjen e vlerave njerëzore që janë të përbashkëta për të gjitha shoqëritë siç janë respekti reciprok, bashkëjetesa ndërmjet komuniteteve të ndryshme, toleranca, liria e shprehjes, dialogu ndër fetar etj.
Me fjalë përshëndetëse u paraqitën kryetari i xhamisë Xhelil Ramadani, i cili foli rreth historikut të ndërtimit të kësaj xhamie, që nga projekti si ide e deri në përurim, ndërsa mirëseardhje mysafirëve u dëshiroi edhe imami i xhamisë, Sami ef. Misini, përfaqësuesit e bashkësive islame të vendlindjes (Kosovë, Maqedoni, Shqipëri e Luginë) si dhe kryetarët e unioneve të bashkësive nga diaspora: Mehaz ef. Alija, kryetari i Unionit të Bashkësive Islame Shqiptarë në Zvicër, Rexhep ef. Sylejmani, përfaqësues i Unionit të Bashkësive Shqiptare në Gjermani, kryetari i DIGO-së, Bekim Alimi, kryetari i Këshillit të Bashkësisë Islame të Peshevës, Sevdail ef. Xhemaili, kryetari i Parlamentit të Republikës së Maqedonisë, z. Talat Xhaferi, lexuesi i mirënjohur i Kuranit fisnik, Xhelal ef. Kaloshi etj.

Nga autoritet zvicerane të pranishmëve iu drejtua përfaqësuesi i Qeverisë së Kantonit për integrim Markus Kutter, i cili përshëndeti të pranishmit me përshëndetjen origjinale islame “Selamun Alejkum” dhe pastaj vazhdoi fjalën e tij rreth bashkëjetesës, dialogut ndërshoqëror, respektit reciprok, integrimit, mirëkuptimit dhe lirisë së shprehjes, të cilat sipas tij janë vlera jetike të shoqërisë zvicerane. Në këtë manifestim fjalë përshëndetëse mbajtën edhe kryetari i qytetit të Fraunfeldit Anders Stokholm, Susanne Hartmann prift i Kishës Katolike të qytetit të Fraunfeldit, Lukas Leutenegger përfaqësuesi i kishës katolike të qytetit, Frauenfeld Heinz Stubi dhe shumë personalitete të tjera.
Këtë manifestim e bën edhe më madhështorë prania e përfaqësuesve të lartë të bashkësive Islame nga vendlindja: Kosova, Maqedonia e Shqipëria. Kryeimami i Bashkësisë Islame të Kosovës, Sabri ef. Bajgora, në fjalimin e tij, pasi që i përshëndeti të pranishmit në emër të Bashkësisë Islame të Kosovës dhe organeve të saj udhëheqëse dhe në emrin e Myftiut Naim ef. Ternava dhe të gjithë imamëve në Kosovë, luti të Madhin Zot që t’i shpërblejë të gjithë ata që kontribuuan në ndërtimin e kësaj xhamie dhe shprehu besimin se nga kjo xhami gjithmonë do të reflektojnë vetëm mesazhe drite, paqeje, bashkëpunimi e bashkëjetese të komuniteteve në mes vete. Sabri ef. e shprehu urimet e tij shpirtërore duke e lutur Allahun xh.sh. për një mirëqenie sa më të mirë të mbarë njerëzisë kudo jetojnë dhe veprojnë.
Drejtori për Diasporë në Bashkësinë Islame të Kosovës, Ekrem ef. Simnica në emrin e BIK-ut, në emrin e Myftiut Naim ef. Ternava, xhamisë së re “Mesxhidi Nur” në Frauenfeld – Zvicër i dhuroi “Emblemën e BIK-ut” në shenjë respekti dhe bashkëpunimi, njëherit drejtori për Diasporë Ekrem ef. Simnica pranoi dhuratën nga xhamia në fjalë për BIK-un.
I gjithë manifestimi u zbukurua me programin e shkëlqyer me ilahi dhe recitale të ndryshme islame e kombëtare, të kënduar nga hfz. Asgin Musa, hfz. Xhelal Kaloshi, Enis Alili dhe kori i nxënësve të xhamisë. Një pjesë tjetër argëtuese u paraqit nga Grupi i Ansamblit nga Kreuzlingeni. Moderatorë të programit ishin Vullnet Pishtari dhe Xharie Shala.
Pas përfundimit të të gjithë fjalimeve, pasoi hapja zyrtare e xhamisë së re, nën zërin e tekbireve edhe simbolikisht u pre shiriti dhe u hapën dyert e xhamisë së re në në Frauenfeld – Zvicër .

Shfaq më shumë në Diaspora

Shfleto

Myftiu Tërnava priti në takim veprimtarin Selatin Novosella

Prishtinë, më 4 nëntor 2024Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim ef. Tërnav…