Prishtinë, 4 maj 2018
Me rekomandim të Kryetarit të Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiut Naim Tërnava, sot në të gjitha xhamitë e Kosovës, imamët ligjëruan në hytbe për temën “VETËVRASJA DHE FAJDEJA SI DY DUKURI QË PO KËRCËNOJNË SHOQËRINË TONË”
Tema e hytbesë së kësaj jave në fokus ka dy dukuri negative, rritja e të cilave ka filluar të na shqetësojë shumë. Fjala është për dukuritë e vetëvrasjes dhe fajdesë. Sipas statistikave, në Kosovë, ndërmjet viteve 2001-2017, janë vetëvrarë 921 veta derisa 3417 të tjerë kanë tentuar ta bëjnë një gjë të tillë. Ajo që e bën këtë shifër edhe më alarmante është fakti se ajo prek kryesisht shtresat e reja. Shumica e viktimave të kësaj dukurie janë nën moshën 35-vjeçare. Si dukuri është pasojë e një sërë dukurish të tjera, duke filluar nga depresioni, varësia nga lëndët narkotike, fajdeja, edukimi jo i duhur dhe problemet familjare. Shprehur me fjalor fetar, vetëvrasja është pasojë e ikjes nga feja. Njerëzit që kanë motiv fetar të dobësuar dhe që nuk arrijnë dot ta menaxhojnë drejt aspektin shpirtëror janë viktimat kryesore të kësaj dukurie. Të tillët, sikur ta kuptonin se vetëvrasja është mëkat i madh dhe absolutisht vendim i padrejtë, sigurisht se nuk do ta bënin një gjë të tillë. Allahu ka thënë: “…dhe mos vritni vetveten! Allahu, me të vërtetë, është mëshirues për ju.” (En-Nisa,29) Njeriu që mbyt vetveten nuk ka gjetur zgjidhjen, ai vetëm sa ia ka komplikuar vetes punët, sepse dënimi për këtë mëkat është vërtet i rëndë. Pejgamberi Muhammed a.s. ka thënë: “Kush mbyt veten duke i zënë frymën (duke u varur), do të qëndrojë ashtu, me frymën zënë, në Xhehenem. Kush mbyt veten duke e goditur (shpuar), do të qëndrojë ashtu duke shpuar veten në Xhehenem.” (Transmeton Buhariu)

Fajdeja është dukuri që na rrezikon, andaj detyrimisht duhet të merremi me të. Mënyra më e mirë e trajtimit të saj është vetëdijesimi karshi rrezikut që paraqet.

1) Duke qenë se bie ndesh me atë që Zoti e ka lënë të natyrshme ndërmjet njerëzve, shitblerjen, dhe për pasojë shkatërron raportet shoqërore, Zoti e ka konsideruar këtë veprim si një lloj lufte të hapur ndaj Tij dhe ndaj Pejgamberit të Tij [El Bekare: 278; 279].

Pejgamberi Muhammed e ka klasifikuar si një ndër shtatë mëkatet shkatërruese [Buhariu dhe Muslimi].

2) Duhet punuar në kultivimin e vlerave dhe virtyteve, si: dhënia e lëmoshës, ndihma ndaj nevojtarëve, të zhyturve në borxhe, etj.

3) U duhet bërë presion autoriteteve tona që fajdenë ta sanksionojnë me ligje dhe të dënojnë rëndë ushtruesit e saj.
Të dashur besimtarë! Vetëvrasja, vëllavrasja, fajdeja, dhe të gjitha dukuritë e tjera devijante në shoqëri janë edhe për shkak të mungesës së edukimit të mirëfilltë fetar. Andaj, duke përfituar nga rasti, për të mirën e vendit dhe popullit tonë, u drejtohemi autoriteteve shtetërore që kërkesën tonë për përfshirjen e edukimit fetar në sistemin arsimor ta miratojnë sa më parë që të jetë e mundur.

Vetëm kështu mund ta tejkalojmë këtë krizë të rënduar shoqërore.

Shfaq më shumë në Lajme

Shfleto

U mbajt ligjëratë kushtuar dijetarit, prijësit dhe udhërrëfyesit Vehbi ef. Dibra nga Besnik Mustafaj

Prishtinë, më 25 prill 2024 Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës ka organizuar sot ligjë…