Islami dhe Perëndimi, në nj formë apo tjetër, në shumë vende të botës, janë në konflikt. Ajo që preokupon shumicën e dijetarëve, si të Lindjes ashtu edhe të Perëndimit, është si të tejkalohet kjo gjendje konfliktuoze në mes botës myslimane dhe asaj perëndimore. Për këtë qëllim deri më tash janë organizuar me dhjetëra konferenca shkencore, simpoziume e tryeza të rrumbullëkta me qëllim të daljes nga kjo gjendje, e cila popujve të këtyre vendeve po u sjellë vetëm dëme.
Kjo temë ishte objekt diskutimi në takimin e katërt të diplomuarve të Universitetit të Al-Az-harit, i cili temë bosht pati: “Al-Az-hari dhe Perëndimi … rregullat e dialogut “. Rëndësia e konferencës në fjalë, qëndron në faktin se Al- Az’hari është institucioni më i vjetër islam, i cili i bëri rezistencë historisë për më shumë se një mijë vjet, si dhe konsiderohet institucioni më kompetent i Islamit me programin e tij të moderuar, i mbështetur në tolerancë dhe dialog.
Pjesëmarrësit në konferencë u pajtuan se “diversiteti në mes njerëzve në besime dhe mendime është ligj i natyrshëm dhe vullnet i Zotit, të cilin në mënyrë të qartë e pohon Kur’ani, kur thotë: ” Sikur të dëshironte Zoti yt, do t’i bënte njerëzit të një feje. Ata vazhdimisht janë në kundërshtime”. (Kaptina Hudë:118). Ky diversitet, nëse përdoret ashtu si duhet, mund të shndërrohet në një thesar të çmueshëm, ku popujt e feve të ndryshme mund ta plotësojnë njëri tjetrin dhe do jetë impuls i mirë për zhvillimin dhe përparimin e civilizimeve”.
Komunikata e konferencës u bëri thirrje prijësve fetarë të të gjitha besimeve ” të jenë në nivel të përgjegjësisë në nxjerrjen e shoqërive njerëzore nga gremina e fanatizmit dhe egoizmit, të jenë bartës të sinqertë dhe besnik të amanetit qiellor në përhapjen e shpirtit të dashurisë dhe vëllazërimit ndërnjerëzor”.
Komunikata përfundimtare poashtu e bëri të qartë se, “thirrjet për dialog në mes civilizimeve ende kanë mbetur vetëm parulla që po përsëriten në konferenca dhe kongrese ndërkombëtare, por pa efekte të duhura, sepse ende nuk janë kthyer në një program shkencor që mund të çojë deri te një afrim i vërtetë”.
Pjesëmarrësit në takim, kërkuan hartimin e një konvente për dialog, e cila do të kishte për bazë njohjen reciproke të feve monoteiste, kërkimin e elementeve të përbashkëta dhe pikave të pajtimit për afrimin në mes popujve të besimeve të ndryshme. Ata insistuan në vendosjen e rregullave të kornizës së dialogut: përqendrimi në pikat e përbashkëta, që forcojnë idenë e besimit, ku takohen të gjitha fetë.
Sipas pjesëmarrësve, pengesa më e madhe e përparimit të dialogut në mes civilizimeve është politika e padrejtë dhe mizore që Perëndimi po praktikon ndaj shoqërive myslimane. Kjo obligon prijësit e bashkësive të krishtera në Perëndim të kërkojnë nga lideshipi i tyre politik për eliminimin dhe ndërprerjen e këtyre mizorive dhe të punohet për realizmin e drejtësisë, e cila paraqet shpirtin e besimit në mesazhet e feve qiellore”.
Në anën tjetër, dr. Amed Tajib, rektor i Universitetit të Al-Az’harit dhe kryetar i Forumit të diplomuarve të Al-Az’ahrit kërkoi që “Perëndimi t’i jep fund politikës së kuteve të dyfishta, të respektoj principet themelore të myslimanëve, të ndërpres fushatën propaganduese ndaj Islamit. Ne jemi dëshmitarë, se mjetet e informimit të Perëndimit vazhdimisht paraqesin pamje sterotipe për Islamin dhe myslimanët duke i paraqitur ata si terrorist, prej të cilëve duhet të kemi frikë”.
Në ndërkohë, eksperti amerikan për çështje islame, Xhon Espozito, prof. i Studimeve islame dhe feve në Universitetin Xhorxh Taun në Uashington dhe autor i librit “Kush po flet në emër të Islamit?”, bashkautor me Dalja Muxhahid, këshilltare e presidentit Obama për çështje islame, potencon nevojën e dialogut të vazhdusheshëm në mes kulturave dhe civilizimeve, duke eliminuar çdo ide jo të natyrshme për konfliktin në mes civilizimeve.
Ai potencon interesimin e madh që po mbretëron në SHBA për studimin e Islamit, duke u nisur nga aspekti se ai themeloi një civilizim madhështor në historinë e njerëzimit dhe sot ka një numër shumë të madh aderuesish. Në këtë aspekt, ai përmend Qendrën e Mirëkuptimit islamo-krishter në Universitetin e Xhorxh Tauni, ka ai punon.
Profesori Xhon Espozito potencoi, se konflikti në mes Perëndimit dhe Botës Islame nuk është i pa shmangshëm. Ky konflikt është i sendërtuar në baza politike më tepër se sa që është i mbështetur në parime, në mizori politike dhe në frikë më shumë se sa në fe, konflikt të civilizimeve dhe kulturave. Për të përfunduar se “konflikti i aktual në mes botës islame dhe Perëndimit nuk ka të bëj me mospajtime dogmatike apo civilizuese, mirëpo për shkak të përdorimit të arshinëve të dyfishta të Perëndimit ndaj shteteve islame.”
Prof. Espozito vazhdon në domosdoshmërinë e vendosjes së respektit të ndërsjellë në mes Islamit dhe Perëndimit në përgjithësi dhe SHBA-së në mënyrë të veçantë. Kjo kërkon ndërtimin besimit, ndërmarrjen e hapave të parë që kanë të bëjnë me politikën e përgjithshme, në këtë aspekt diplomacia duhet ta ketë rolin kryesor, përfundon eksperti amerikan për çështje islame.