Në mediat arabe: Debati rreth ferexhes

Ka disa ditë që në mediat arabe   po zhvillohet një debat i nxehtë ndërmjet  dijetarëve më eminentë islam  lidhur me atë që në botën arabe dhe islame njihet me emrin e “en-nikab”, që në shqip mund t’i përshtatet fjala “ferexhe”. “Nikabi” dallon nga “hixhabi”, (mbulesa e zakonshme e gruas myslimane), për të cilën të gjithë dijetarët myslimanë janë të një mendimi  se është obligim fetar, kurse  “nikabi” përfshin mbulimin e fytyrës dhe të duarve, të cilat sipas së dytës përjashtohen.

Çështja e “nikabit” (ferexhes), ka kohë që është objekt debati në botën arabe dhe islame, por kësaj radhe ajo  mori përmasa më të mëdha, sepse kundër saj u prononcuan dy personalitete më të larta të Egjiptit, ministri i arsimit të lartë dhe hulumtimit shkencor, Dr. Hani Hilal dhe shejhi i El-Az-harit , Dr. Sejid Tantavi, njeriu në postin  më të lartë të  universitetit më të vjetër dhe  me reputacionin më të lartë  në  Botën Islame.
Si duket vendimi i ministrit të arsimit të lartë të Egjiptit kishte  rastisur me  vizitën  e shejhit të  El-Az-harit, dr. Sejid Tantavit, njërën prej shkollave të El-Az-harit, i cili ishte befasuar kur kishte parë një   vajzë të  re, të  veshur me  “nikab” (ferexhe). Ky gjest e kishte bërë njeriun e parë të Universitetit të El-Az-harit të  reagojë, duke iu  drejtuar vajzës  me këto fjalë: “Nikabi (ferexhja) është adet ( traditë) e nuk është ibadet (adhurim),   dhe se ajo nuk ka të bëjë fare me islamin”. Ai, kishte vazhduar,  se “ai din për fe më shumë  se ajo si dhe prindërit e saj”, për të shtuar: “Nuk do të lejohet bartja e “nikabit” në  shkollat e El-Az-harit, duke i bërë me dije  asaj  “se  shumë shpejt do të nxjerr një vendim  me anë të cilit do t’u ndalohet  vajzave të mbuluara me “nikab”  hyrja  në   të  mesme dhe fakultete të  El-Az-harit”. Vendimi u  muar nga Këshilli i Lartë i El-Az-harit, i kryesuar nga vet  Dr. Sejid  Tantavi. Sipas vendimit në fjalë u ndalohet mbajtja e “nikabit” studenteve dhe mësueseve  në klasët  e mësimit, ku mësojnë vetëm vajzat, qofshin ato në ciklin fillor,  të mesëm, apo në fakultete.
 Kjo bëhej me qëllim të forcimit të besimit, sigurisë dhe kuptimit të shëndosh të fesë në mesin e vajzave.
Këshilli i Lartë i El-Az-harit në këtë vendimpërfshiu ndalimin  e “nikabit”  në konviktet e studenteve, në shenjë të sigurisë dhe qetësisë së tyre. Në vendim thuhet: “Studentet, të cilat dëshirojnë të bartin “nikabin”, mund ta bëjnë atë   në shtëpitë e tyre, në rrugë, në oborrin e shkollave ku  ato mësojnë, por ndalohet mbajtja e “nikabit” brenda në klasë, në shkollat, të cilat janë të dedikuara  vetëm për vajza dhe ku ligjërojnë vetëm femrat”.
Këtë vendim e  përkrahu Myftiu i Egjipti, Dr. Ali Xhuma, Ministri i Vakufeve,  Dr. Hamdi Zakzuk si dhe një numër i konsiderushëm i dijetarëve islamë. Ky i fundit në nëj artikull të botuar në të përditshmën autoritative të Kajros “Al-Ahram’ të datës, 21 tetor 2009, kundërshtarët e Sejjid Tantavit i sulmoi shumë ashpër, ku përveç tjerash tha: “Në kohën kur nga shtypi i përdishëm mësojmë se në mesin  e fituesve të çmimit Nobel për Mjekësi, Kimi dhe Ekonomi, janë katër zonja nga Amerika, Gjermania dhe Izraeli, ne dhe mediat tona merremi me një debat të nxehtë lidhur me “nikabin”. Thuajse tërë Islamin  e kemi reduktuar  në një copë pëlhure, e cila mbulon fytyrën e gruas. Me këtë,  ne po  zhvlerësojmë   pesonalitetin e gruas, duke ia ndërprerë asaj të gjitha lidhjet me  shoqërinë. Me një veprim të këtillë,  ne po bëjmë padrejtësi ndaj  Islamit si edhe ndaj  gruas, duke e kthyer atë në kohën  e injorancës.” Ndër kohë, që Ministria e  Vakufeve ka botuar një broshurë, autor i së cilës është vet ministri,  që mban titullin: “Nikabi adet e jo ibadet”.

Në mesin e të parëve iu kundërvuan  shejhit të  El-Az-harit ishin  “Vllëzërit mysliman”, të cilët edhepse në Parlamentin egjiptian janë të përfaqësuar me 88 deputetë, ata janë së deputetë të pavarur, sepse qeveria egjiptiane, nuk i pranon si parti politike, për atë si të tillë  i  konsiderohen ilegalë. Ata u zotuan se këtë  çështje do ta ngrisin për diskutim në parlamentin egjiptian si përpjekëje për  “perëndimorizimin e shoqërisë, cënim i të drejtave të njeriut dhe lirisë personale”.

Ndër kohë që analisti egjiptian, Ali Abdul Al, në një artikull  rreth kësaj teme me titull: “Katastrofa e El-Az-harit dhe shejhi i së keqës” e sulmoi shumë ashpër të parin e universiteit të El-Az-harit Dr.  Sejid Tantavin.
Cështja e “nikabit” shumë shpejt kaloi kufijtë e Egjiptit dhe mori  përmasa edhe në mediat tjera arabe. Në emisionin e njohur  “Drejtimi i kundërt” i kanalit televiziv “Al-xhazira” i emituar më 20 tetor 2009, sipas një ankete të votuar nga shikuesi, shihej se  84%  të atyre që kishin marrë pjesë në votim ishin kundër,  kurse 16% ishin pro “nikabit” në shoqërinë arabe.

Shfaq më shumë në Shkrime

Shfleto

Argumentet për vlerën e natës së 15 të muajit shaban

Një ndër muajt e preferuar, të cilët i ka veçuar Allahu i Madhëruar dhe që i ka dhënë një …