Falënderimet dhe lavdërimet i takojnë Allahut të Gjithëmëshirshëm. Salavatet dhe selamet qofshin për Muhamedin a.s., familjen e tij fisnike, dhe për ata që ndoqën dhe vazhdojnë të ndjekin rrugën e tij të ndritshme.
Të nderuar besimtarë!
Vëllezër dhe motra!
Të nderuar qytetarë!
Falënderojmë Zotin e Madhëruar që, sot, bashkërisht po e falim namazin e Kurban-Bajramit, pas të cilit do të kremtojmë dhe festojmë me familjet tona, komunitetin dhe shoqërinë në përgjithësi.
Festa e Kurban-Bajramit është një ndër momentet më të rëndësishme për besimtarët myslimanë, sepse vjen pas përfundimit të haxhit në vendet e bekuara dhe therjes së kurbanit.
Haxhi është ndër kushtet themelore të fesë islame, i cili kryhet në kohë të caktuar, në vend të bekuar me kushte të veçanta, ku në mënyrën më të mirë manifestohet barazia, drejtësia, uniteti, pendimi e reflektimi për punë e vepra të mira. Qëndrimi në Arafat shënon një ndër momentet më të veçanta për besimtarët myslimanë, ngase në atë vend, kuptimi i lutjes dhe ibadetit ka vlerë dhe peshë të veçantë.
Tavafi së bashku me Arafatin, Muzdelife me sa’jin, përveç anës shpirtërore, në praktikë manifestojnë më së miri barazinë mes besimtarëve ngado qofshin ata, të çfarëdo moshe apo gjinie, të çfarëdo etnie apo statusi shoqërorë, që të gjithë të veshur me petka të bardha kërkojnë mëshirën e Krijuesit, qetësinë shpirtërore dhe dashurinë për pejgamberët, sepse ata që kryejnë haxhin në mënyrën më të mirë kujtojnë Ibrahimin a.s. dhe kujtojnë devotshmërinë, sabrin dhe lutjet e tij, si dhe qojmë në vend urdhrin e të Madhit Zot xh.sh. i cili thotë: “Vërtet namazi im, sakrifica ime, jeta dhe vdekja ime janë vetëm për Allahun – Zotin e botëve.”
Në Arafat, të gjithë besimtarët me përkushtim e devocion kujtojnë porositë që dha pikërisht në këtë vend pejgamberi ynë Muhamedi a.s. në hytben e lamtumirës.
Fatkeqësisht, edhe këtë vit, për shkak të gjendjes pandemike nuk na është mundësuar që të udhëtojmë drejt vendeve të bekuara të Mekës e Medinës, mirëpo shpirtërisht e ndiejmë aromën e atyre vendeve dhe mbetemi me shpresë që vitin tjetër të jemi atje për t’ju lutur Krijuesit të gjithësisë.
Prerja e kurbanit nuk është thjesht derdhje gjaku, por mbi të gjitha është përkushtim, është bindje e sakrificë dhe dëshmi e devotshmërisë së besimtarit, sepse Allahu xh.sh. në Kuran thotë: “Nuk është as mishi e as gjaku i kurbaneve që arrin tek Allahu, por është përkushtimi dhe devotshmëria juaj që arrin tek Ai …”
Pra, prerja e kurbanit është obligim-vaxhib për të gjithë ata që kanë mundësi, në shenjë afrie dhe devotshmërie për Krijuesin, dhe për të rikujtuar Ibrahimin a.s., i cili ishte në gjendje të sakrifikojë edhe birin e tij – Ismailin për hir të Zotit xh.sh..
Të nderuar besimtarë!
Begati e rëndësishme e kësaj feste është edhe sofra e Bajramit, e cila na bashkon me më të dashurit tanë, na bën të reflektojmë për familjen e të afërmit tanë, dhe na ndërgjegjëson për ata që kanë nevojë për kujdesin dhe përkrahjen tonë.
T’i shijojmë mirësitë e sofrës së Bajramit me dashuri e respekt, pranë familjeve tona, pranë farefisit tonë, sepse s’ka gjë më të rëndësishme në këtë botë sesa ruajtja e familjes dhe edukimi i drejtë i saj.
E kemi për obligim fetar, por edhe traditë kombëtare që ta ruajmë familjen, ta kultivojmë, kujdesemi, ta mbrojmë e të sakrifikojmë për të.
Për ne familja është e shenjtë, prej së cilës varet edhe vazhdimësia e jetës dhe e llojit njerëzor mbi tokë.
Familje ose fole familjare është vetëm ajo e cila është ngritur nga martesa e një burri dhe një gruaje, dhe kjo përbën një prej shtyllave më të rëndësishme të shoqërisë së shëndoshë islame dhe humane.
Fortësia dhe qëndrueshmëria e saj është edhe fortësia dhe qëndrueshmëria e kombit dhe e shtetit.
Nismat dhe qëndrimet për ta goditur familjen, janë në kundërshtim të plotë më misionin e njeriut në këtë botë, janë kundër vullnetit të Krijuesit të gjithësisë dhe kundër natyrshmërisë së njeriut.
Ne duhet të kemi babë e nënë biologjike ashtu siç na ka krijuar Zoti, të kemi gjysh e gjyshe, axhë e dajë, halle e teze, farefis e miqësi, fqinjë e shoqëri për të krijuar familje e shoqëri të shëndoshë, në përputhje me misionin që na ka caktuar Krijuesi i Gjithësisë, i cili e ka krijuar njeriun në formën më të mirë dhe me mision të qartë si mëkëmbës në Tokë.
Si shoqëri kemi traditën shumë shekullore në kultivimin dhe ruajtjen e vlerave familjare që e kemi të trasuar nga të parët tanë. Mbështetja në familje na ka bërë të mundur që të përballemi me stuhi nga më të ndryshmet por ja kemi dalë gjithherë faqebardhë.
Andaj, në këto kohë, nuk duhet tunduar pas nismave gjoja moderne për të dëmtuar familjen, aq më tepër kur gjatë historisë është dëshmuar se shoqëria jonë nuk është shoqëri diskriminuese. Por, kur bëhet fjalë për të ardhmen e brezave, për familjen dhe për natyrshmërinë e njeriut, nuk mund të heshtim e të tregohemi indiferent ndaj diçkaje që shkon kundër thelbit të jetës sonë dhe kundër vullnetit të Zotit.
Në këtë ditë të madhe kujtojmë sakrificën e nënave dhe baballarëve tanë që kanë bërë për ruajtjen e familjes së shëndoshë. Çdo pretendim për të cenuar familjen është në kundërshtim me natyrën e njeriut, në kundërshtim me mësimet hyjnore dhe traditën pozitive të popullit tonë. Familja është e shenjtë dhe si të tillë duhet ta ruajmë atë.
Zoti xh.sh. në Kuranin fisnik thotë: “O ju që keni besuar, ruajeni veten dhe familjen tuaj prej një zjarri, lëndë djegëse e të cilit janë njerëzit dhe gurët …”.
Vëllezër dhe motra!
Ju ftoj të gjithëve që ta festojmë Bajramin, t’i shijojmë begatitë e kësaj feste, të përfitojmë nga porositë e haxhit dhe kurbanit, të jemi pranë njëri-tjetrit në të mirë e në vështirësi, t’i kujtojmë ata që kanë kaluar në Ahiret, të kujdesemi për ta ruajtur shëndetin publik, sepse virusi Covid-19 është ende në mesin tonë.
Të nderuar besimtarë!
Më lejoni që nga ky vend, në këtë ditë të madhe të gjithëve kudo që jeni, që në emër të Bashkësisë Islame të Kosovës dhe institucioneve të saja t’ju uroj festën e Kurban-Bajramit, duke lutur Zotin e Madhërishëm që ta ruaj atdheun tonë, ta bashkojë kombin tonë dhe ta udhëzojë e ta edukojë rininë tonë.
Me fat ju qoftë Kurban Bajrami!
Prishtinë, 20 korrik 2021
Myftiu i Kosovës,
Naim ef. Tërnava