Fjala e Myftiut të Kosovës, Naim ef. Tërnava, e mbajtur në Konferencën Shkencore “Xhamia te shqiptarët – histori, mision, identitet”, organizuar nga Instituti i Hulumtimeve dhe Studimeve Islame, Prishtinë, më 9-10 dhjetor 2023.

Zoti xh.sh. thotë: “Se vërtet xhamitë janë të Zotit, në to nuk meriton të adhurohet askush tjetër pos Zotit (Një – të Vetëm).” (El Xhinn, 18).

Të nderuar të pranishëm,

Zonja dhe zotërinj!

Kam nderin e veçantë që sot jam në mesin tuaj, në këtë Konferencë, e cila i kushtohet rolit të xhamisë te populli ynë dhe në trojet tona. Ndjehem shumë i lumtur që Instituti për Hulumtime dhe Studime Islame, me të drejtë e ka parë të arsyeshme që në kuadër të veprimtarisë së tij, të trajtojë temën e xhamisë te shqiptarët, sepse ne, prej shekujsh jetojmë me xhaminë, i lutemi Zotit brenda saj, aty gjejmë prehjen tonë shpirtërore, edukohemi e këshillohemi që të jemi qytetarë sa më të mirë në jetën tonë të përditshme, me një fjalë, xhamitë paraqesin vlera të trashëgimisë sonë dhe rëndësia e tyre është shumëdimensionale. Xhamia si institucion nuk është trajtuar më herët te ne në këtë format, në këtë mënyrë dhe nga këto këndvështrime, ku me kontributet e studiuesve që sot janë të pranishëm, do të hapim një faqe të re për njohjen e rolit, funksionit dhe kontributit të xhamisë te ne përgjatë historisë.

Të nderuar të pranishëm,

Duke marrë shkas nga titulli i gjetur i Këshillit Organizativ për emërtimin e kësaj Konference, edhe unë i kam mbetur besnik këtij titulli, prandaj edhe fjalën time e kam konceptuar të ndarë në komponentët, xhamia si histori, xhamia si mision dhe xhamia si identitet yni dhe i hapësirave tona, ndonëse për këtë, më me kompetencë dhe në mënyrë më të hollësishme, do të flasin studiuesit në pjesën shkencore të Konferencës. Siç dihet, fetë e besimet, përveç të tjerash dallohen e identifikohen edhe me faltore, ku njerëzit, sipas besimeve, kryejnë edhe ritualet e tyre, dhe se historikisht nuk mbahet mend që të ketë një komunitet a një popull e që të mos kenë vendet e caktuara për adhurim, por edhe faltoret e tyre. Besimi ynë, feja jonë islame, identifikohet dhe e ka xhaminë vend adhurimi e vend faljeje. Xhamia apo shtëpia e parë e Zotit mbi sipërfaqen e Tokës në shenjë adhurimi është ajo në Mekë, e cila e shoqëroi edhe njeriun e parë, Ademin a.s.. Zoti xh.sh. thotë: “Shtëpia (xhamia) e parë e ndërtuar për njerëz, është ajo në Bekë (Meka), e dobishme udhërrëfyese për mbarë njerëzimin.” (Ali Imran, 96). Në të vërtetë, se sa është e rëndësishme që një komunitet të ketë faltoren e tij, më së miri e tregon edhe shembulli i Pejgamberit, Muhamedit a.s., i cili kur e bëri hixhretin, ende pa u vendosur mirë në Medinë, kërkoi nga besimtarët që të nisnin themelet për ndërtimin e xhamisë, kërkesë kjo që u konkretizua shumë shpejt nga besimtarët, dhe kjo ishte xhamia e Kubasë, xhamia e parë për të cilën punoi edhe vetë Pejgamberi a.s., dhe me ndërtimin e kësaj xhamie, filloi një periudhë e re në historinë e fesë, qytetërimit islam dhe qytetërimit botëror. Xhamia përveç rolit të saj parësor, atë të faljes e adhurimit ndaj Krijuesit të gjithësisë, ku besimtari i kushtohet me tërë qenien e tij adhurimit të Zotit xh.sh., ajo konsiderohet edhe institucioni më i madh islam, i cili ka luajtur një rol serioz dhe madhor në historinë islame, ngase është qendra e adhurimit islam. Besimtari me të hyrë në xhami, furnizohet me një energji të madhe adhurimi, e i cili, këtë energji adhurimi e investon në jetën e tij të përditshme. Xhamia luan rolin e përkujdesjes së vazhdueshme ndaj shoqërisë, ngase ajo rrezaton dobi e mirësi për komunitetin e besimit islam, por jo vetëm, ajo ruan kohezionin e komunitetit, kontribuon në ruajtjen e familjes, rritjen e solidaritetit, ruajtjen dhe kultivimin e unitetit, harmonisë, gjuhës, unifikimin e fjalës, forcimin e lidhjeve mes njerëzve dhe bashkësisë etj.. Xhamitë, si në të kaluarën, edhe tash, mbesin fanarë që ndriçojnë rrugën, që reformojnë shoqërinë, e në të cilat sigurohet ushqimi shpirtëror dhe morali i lartë njerëzor, duke e larguar individin dhe shoqërinë nga urrejtja dhe mos durimi me njëri-tjetrin. Xhamia e parë e ndërtuar në Islam, njëherësh është edhe institucioni i parë rreth të cilit u bashkuan medinasit e kohës, të cilët po shënonin historinë e hershme të shfaqjes së shpalljes së re, të një organizimi shoqëror të ngritur në kondita tashmë të reja dhe të një shoqërie me vlera e me kulturë të re. Xhamia e parë në Medinë, me rolin e saj të shumanshëm, u bë jo vetëm simbol, por edhe model i ndërtimit të xhamive, të cilat, si rezultat i shtimit dhe fuqizimit të besimit dhe si nevojë e besimtarëve për të pasur një vend të caktuar për t’iu lutur Allahut xh.sh., do të ndërtoheshin njëra pas tjetrës në të gjitha ato vende ku ka mbërritur feja islame dhe ku ka besimtarë myslimanë, gjithnjë duke u pasuruar, duke u begatuar e duke ruajtur tiparet e arkitekturës vendore ku ndërtoheshin dhe ndërtohen ato. Sot në botë kemi me miliona xhamia, të cilat përveç që shërbejnë si vend falje e adhurimi, ato shprehin në mënyrën më të mirë vlerat kulturore, artistike, arkitektonike e socio-kulturore të popujve, vendeve, kulturave e qytetërimeve të ndryshme.

Të nderuar të pranishëm,

Duke u mbështetur në porositë e Pejgamberit tonë, Muhamedit a.s., i cili ka thënë: “Kush ndërton një xhami në këtë botë, Allahu do t’ia ndërtojë atij një shtëpi në Xhenet” dhe duke synuar shpërblimin e Zotit xh.sh. për këtë vepër, edhe shqiptarët, që herët, me pranimin e fesë islame, ndërtuan xhami për të falënderuar, madhëruar dhe për të adhuruar Zotin e tyre, ngase ndërtimi i xhamive është urdhër i Zotit xh.sh.. Kështu që, xhamia edhe te ne shqiptarët ka historinë e saj, madje shekullore, e cila u bë pjesë e jona që në fillet e pranimit të fesë islame nga paraardhësit tanë. Xhamia u bë pjesë e jona dhe luajti rolin e saj, ajo pati të njëjtin fat mu ashtu siç patën edhe besimtarët e saj. Prandaj, xhamia ka hisen e saj të padiskutueshme në krijimin e identitetit, kulturës, arsimit, edukimit, zgjimit të vetëdijes kombëtare, të kultivimit dhe të ruajtjes së saj, të organizimit dhe të përkrahjes së rezistencës ndaj atyre që rrezikonin popullin tonë, në fitimin e lirisë dhe pavarësisë dhe në ndërtimin e shtetit dhe vendit tonë. Për këtë arsye, pavarësisht se xhamitë e para në trojet tona i hasim pas depërtimit të osmanëve në viset tona, ato shumë shpejtë filluan të ndërtoheshin nga vakëflënës fisnikë dhe bujarë shqiptarë, të cilët me pranimin e fesë islame, bëhen edhe bartësit kryesorë jo vetëm të përhapjes së fesë islame, por me ndërtimet dhe vakëfet e tyre, ata u bënë edhe bartësit kryesorë të ndërtimit të objekteve të ndryshme fetare dhe publike, përfshirë edhe xhamitë, të cilat ndonëse sot paraqesin një numër fare të vogël nga ato që kanë ekzistuar dikur, janë monumente të trashëgimisë sonë, por edhe të trashëgimisë botërore në përgjithësi, siç është xhamia e Mirahorit në Korçë, xhamia Muradije në Vlorë, xhamia e Koxha Sinan Pashës në Kaçanik, xhamia e Hadum Agës në Gjakovë, xhamia e Sofi Sinan Pashës në Prizren, xhamia e Mehmet Pashës po në Prizren, xhamia e Jashar Pashë Gjinollit në Prishtinë, xhamia e Larme në Tetovë, xhamia e Et’hem beut në Tiranë, xhamia e Plumbit në Shkodër dhe shumë të tjera pothuajse nëpër të gjitha qytetet tona, të cilat duke pasur tipare të arkitekturës dhe elemente artistike vendore, kanë pamje dhe vlerë të veçantë dhe dalluese nga xhamitë e vendeve të tjera. Disa prej këtyre xhamive, kanë shënuar dhe kanë shërbyer edhe si bërthamë e si qendër e krijimit dhe shtrirjes së disa qyteteve apo kasabave të kohës, të themeluara mbi baza vakëfi, siç është Gjakova, Korça, Tirana, Kavaja, Kaçaniku etj.. Xhamia te ne ka luajtur rol të veçantë edhe në emancipimin, edukimin dhe ngritjen e inteligjencies dhe elitës sonë intelektuale nëpër kohë, sepse pranë një xhamie gjithmonë ka ekzistuar një mejtep, një medrese a një bibliotekë. Ndërsa është e tepërt këtu të theksohet edhe roli i xhamisë te ne si vend i rëndësishëm social dhe edukativ. Vetë mënyra e hyrjes në xhami dhe kryerja e adhurimeve në të është edukatë dhe kulturë në vetvete, kurse qëndrimi në të është kalitje, përsosje dhe edukim shpirtëror. Xhamia pra ka qenë dhe është vendi që bashkon të gjitha kategoritë ë shoqërisë, një institucion, i cili ka ruajtur vlerat gjuhësore e kulturore të besimtarëve tanë. Në ambientet e këtyre shtëpive të Zotit, zunë fill dhe u zhvilluan edhe shumë ngjarje me rëndësi jetike për popullin dhe vendin tonë, duke u vënë kështu në shërbim të çështjes kombëtare. Xhamitë tona u shndërruan në shkolla e kuvende burrash, nga aty dolën dhe i prinë popullit ulema e atdhetarë tanë të spikatur, që u vunë në ballë të proceseve të rëndësishme historike, politike e kombëtare, ku vlen të përmendet se në xhaminë “Bajrakli” të Prizrenit u mbajt edhe Lidhja Shqiptare e Prizrenit, e deri te lufta e fundit, ku xhamitë tona u shndërruan në qendra të rezistencës e të mbijetesës sonë. Le të më lejohet këtu ta kujtoj Haxhi Ymer Prizrenin, Haxhi Zekën, Sylejman Vokshin, Vehbi ef. Dibrën, Hoxhë Kadri Prishtinën, Mulla Idriz Gjilanin, Iljaz ef. Brojën e shumë të tjerë që u shquan në këtë drejtim. Roli i xhamive shqiptare ishte i madh, sidomos midis dy luftërave botërore dhe në veçanti gjatë sistemit monist-ateist. Në to u kultivua dhe u trasua trinomi Fe-Komb-Atdhe, i cili vazhdon të kultivohet edhe sot e kësaj dite. Nisur nga viti 1989, kur u suprimua me dhunë nga ana e Serbisë edhe ajo autonomi e brishtë që kishte Kosova, pasoi mbyllja e shkollave të mesme dhe fakulteteve, Universitetit të Prishtinës, dhe që nga ajo ditë e mbylljes së godinave të arsimit shqip, të gjitha xhamitë e Kosovës u vunë në shërbim të popullit – të nxënësve tanë, ku nëpër këto xhami, nxënës e studentë, për shumë vite ndoqën mësimet e tyre. Kjo bëri që forcat ushtarake serbe gjatë luftës 1998-1999 të djegin e të rrënojnë 218 xhami dhe selinë e Bashkësisë Islame, ngase këto ishin në shërbim të popullit dhe kauzës kombëtare. Meqenëse për rolin e xhamisë në rrjedhat e historisë do të flasin referuesit e tjerë, atëherë më lejoni që në fund të konstatojë një gjë, me të cilën besoj se edhe ju do të pajtoheni, se historia jonë nuk do të mund të shkruhet kurrë si e plotë pa u vlerësuar në mënyrë meritore edhe kontributi shumëdimensional i xhamive dhe i prijësve të tyre. Në fund, duke uruar edhe një herë këtë organizim dhe këtë pjesëmarrje, duke e lutur në vazhdimësi Zotin Një që xhamia shqiptare të vazhdojë të jetë në shërbim të besimtarëve, të popullit dhe atdheut tonë, ju përshëndes me selame dhe ju falënderoj për durim e vëmendje.

Shfaq më shumë në Aktuale

Shfleto

Myftiu Tërnava takoi kryetarët e këshillave të BI-së

Prishtinë, më 29 shkurt 2024 Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim ef. Tërn…