Fjala e Myftiu të Kosovës, Naim ef. Tërnava, e mbajtur në Malishevë në manifestimin kulturoro-fetar për nder të festës së 28 Nëntorit

Të nderuar të pranishëm,
Më 28 nëntor të vitit 1912, Ismail Qemali, i shoqëruar nga delegatë nga të gjitha trevat shqiptare, ngriti flamurin kombëtar në Vlorë dhe shpalli pavarësinë e Shqipërisë. Kjo ditë dhe datë na shtyn të mendojmë edhe më shumë për fatet historike të kombit shqiptar, për vlerat që përmban e rrezaton flamuri shqiptar, e me të cilat lidhen në mënyrë të përhershme edhe festat e çdo shqiptari.
28 Nëntori është festë e cila bashkon të gjithë shqiptarët anembanë botës, festë e cila shqiptarët i bënë të ndihen si një trup duke kujtuar veprat e personaliteteve të shumta që kontribuuan dhe mundësuan shpalljen e pavarësisë, por edhe të gjithë atyre që u flijuan për këtë ditë, ditë e cila bëri që shqiptarët ta gëzojnë flamurin, gjuhën, shtetin dhe identitetin e tyre.
Kjo ditë i parapriu edhe përpjekjeve dhe ditës së shpalljes së pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt të vitit 2008 nga Kuvendi i Republikës së Kosovës në Prishtinë, në një mbledhje të jashtëzakonshme, në të cilën merrnin pjesë 109 nga gjithsej 120 delegatë. Në këtë mbledhje njëzëri nga të gjithë delegatët e pranishëm, Kosova u shpall shtet sovran e i pavarur.
Edhe për shpalljen e pavarësisë së Kosovës u sakrifikua dhe u derdh gjak i shumtë, u flijuan qindra mijëra vëllezër e motra tanë, u zhvilluan luftëra të shumta, ranë shumë dëshmorë, u burgosën, u maltretuan dhe u ekzekutuan me qindra mijëra shqiptarë. Lufta e lavdishme e UÇK-së, e përkrahur nga aleatët tanë të shumtë, solli edhe lirinë e vendit tonë. Edhe me këtë rast, me krenarinë më të madhe përkujtojmë të gjithë shehidët – dëshmorët e Kosovës, që ranë në altarin e lirisë për çlirimin e vendit tonë nga okupimi klasik i Serbisë.
Me theks të veçantë e me krenari, duhet në vazhdimësi ta freskojmë memorien tonë e të përkujtojmë sakrificën dhe flijimin e familjes Jashari, e cila pas një lufte tre ditore me ushtrinë, policinë dhe paramilitarët serb, qëndroi, luftoi dhe u flijua për të mbetur shembull deri në Kiamet se si mbrohet pragu i shtëpisë, nderi i familjes e i kombit, atdheu dhe flamuri. Zoti i pastë mëshiruar me mëshirën e Tij të pakufishme!
Komandanti legjendar Adem Jashari, Hamëz Jashari e baca Shaban, për heroizmin e tyre të treguar dhe dashurinë për atdheun ku lindën dhe jetuan, do të mbeten në kujtesën dhe memorien e çdo shqiptari deri në amshim.
Pra, atdheu është vendi në të cilin kemi lindur dhe në të cilin jetojmë. Atdheu është toka në të cilën morëm frymën e parë, në të cilën jetojmë dhe në të cilën do të kalojmë pjesën tjetër të jetës, andaj duhet ta duam atë. Besoni me zemër të hapur, se vërtet atdheu ynë është më i miri dhe më i bukuri.
Të nderuar vëllezër e motra,
Atdheu im ka një diell të ngrohtë, ajër të pastër, ujë të freskët, shira të mrekullueshëm, përmban peizazhe të ndryshme natyrore të maleve, luginave, lumenjve, dhe pamjeve të tjera natyrore që rrisin lidhjen tonë me të. Dashuria jonë për të na shtyn drejt mbrojtjes, ruajtjes dhe konsiderimit të tij si një nga thesaret e botës së pashtershme.
Të nderuar të pranishëm, më i bukur se atdheu është vetëm atdheu im.
Prandaj të dua o Atdhe, dhe krenohem me lavdinë dhe trashëgiminë tënde o Kosova ime, ngase ti je jeta dhe pa ty nuk ka jetë. Atdheu është në juridiksionin e zemrës, emocionit, mendjes dhe shpirtit. Atdheu asnjëherë dhe në asnjë mënyrë nuk është i negociueshëm, ngase është tokë e të parëve dhe tokë e nipërve dhe mbesave tanë, është kujtimi dhe identiteti ynë, dhe është pjesa më e bukur e tokës që shohin sytë tanë.
Atdheu përkufizohet si vendi ku individi ka lindur e është rritur, ndihet i mishëruar me të dhe i përket atij. Dashuria për atdheun konsiderohet si një nga karakteristikat më të rëndësishme të një qytetari të mirë. Dashuria për të sjell edhe ndjenjën e individit që të jetë krenar për atdheun e tij. I lidhur me atdheun, njeriu ndjen mbështetje dhe solidaritet reciprok me anëtarët e shoqërisë që jetojnë me të në të njëjtin vend.
Atdheu i jep secilit individ liri absolute për të praktikuar fenë dhe besimin e tij pa frikë dhe ndrojtje. Çdo person që jeton në atdheun tonë mund të praktikojë lirisht fenë e tij dhe ka të drejtë të praktikojë ritualet që lidhen me fenë që ndjek, qoftë feja islame, apo fetë e tjera.
Atdheu është kujtim i gjallë njerëzor. Në atdhe përjetohen të gjitha kujtimet e bukura të fëmijërisë, ditët më të bukura të rinisë, ku ndërtuam shpresat dhe ambiciet tona të mëdha për një të ardhme sa më të mirë.
Dashuria për atdheun është një instinkt i lindur njerëzor. Zoti i Madhëruar e vendosi instinktin për ta dashur atdheun dhe për t’i përkitur atij në mënyrë të lindur që në momentin e parë të ekzistencës sonë në këtë jetë, dhe për këtë ne shohim se çdo njeri duhet ta dojë dhe çmoj atdheun e tij.
Kur themi “atdhe”, në sytë tanë vizatohet një imazh i heronjve sypatrembur, prej të cilëve mësuam dashurinë dhe kuptimin e drejt të sakrificës e flijimit; prej të cilëve mësuam durimin në fatkeqësi, mësuam burrëri dhe mençuri. Ata, jetën e tyre, ia kushtuan ndërtimit të një vendi të fortë si një kështjellë e paepur, në të cilën janë të disponueshme të gjitha mjetet e prosperitetit dhe të jetesës së denjë. E kemi dashur, e duam akoma dhe do të vazhdojmë ta duam deri në frymën e fundit, sepse është gjëja më e shtrenjtë që kemi.
Dashuria për kombin dhe përkatësia ndaj tij i shtyn individët në rritjen e aftësisë dhe vetëdijes së tyre për t’u përballur me sulmet dhe sfidat; i shtyn ata drejt rekrutimit për të ruajtur kombin e atdheun e tyre, për ta mbrojtur atë në luftëra dhe për të sakrifikuar dhe jetën e tyre në mbrojtje të vatanit të tyre. Ky atdhe meriton të mbrohet me gjithë dijen dhe forcën e çdonjërit edhe nëse i kushton me jetën e tij. Duhet të formohet bindja dhe të ngritët vetëdija se mbrojtja e atdheut duhet bërë nga mbarë populli, ngase interesi i atdheut duhet të jetë para çdo interesi të ngushtë të kësaj jete. Pra duhet kohezioni i anëtarëve të komunitetit, respekti i tyre për njëri-tjetrin dhe puna e përbashkët për të ruajtur shoqërinë dhe pronën e tij, për t’u përballur me armiqtë e tij dhe për ta mbrojtur atë.
Dashuria për atdheun është e çmuar, atdheu është i shtrenjtë, atdheu është i lartë, atdheu është i palëkundur, sepse atdheu është vetvetja jonë, është prioriteti ynë i parë, që nuk mund të barazohet e as të krahasohet me asgjë.
Prandaj nuk ka alternativë apo kompensim të barabartë me dashurinë ndaj dheut të kësaj toke. Le t’u përmbahemi parimeve tona dhe ta mbrojmë tokën tonë, të cilën e kemi trashëguar nga të parët tanë dhe në të cilën u krijuam dhe u rritëm! Atdheu është një përkatësi dhe një identitet, dhe kush nuk ka identitet, sikur nuk ekziston, ngase atdheu ka rrënjë dhe autenticitet.
A e di, vendi im i dashur, se për ne nuk je vetëm një copë toke e bekuar, por ne kemi atë ndjenjë sigurie të rrënjosur thellë brenda nesh, brenda shpirtit e zemrës sonë mbështetur në mirësitë të cilat na i siguron ti.
Dashuria për atdheun është një natyrë e lindur brenda njeriut, zemra e tij rrah dhe rrjedh gjak me të. Atdheu përmban kujtime të paharrueshme, përfshirë fëmijët, prindërit, gjyshërit, familjen, të dashurit dhe miqtë. Dashuria për atdheun është një instinkt i rrënjosur në shpirtra, i cili e bën njeriun të ndihet rehat duke qëndruar në të. Përmallohu për të nëse të mungon, mbroje nëse sulmohet dhe lufto për të nëse rrezikohet.
Pra Islami e ka bërë pjesë të besimit dashurinë për atdheun dhe përkatësinë e tij, si dhe e ka bërë detyrë të shenjtë mbrojtjen e tokës së atdheut. Biografia e nderuar e Pejgamberit a.s. na jep shembuj të mrekullueshëm që mishëron statusin e atdheut në Islam.
Ai thekson se përkatësia ndaj atdheut apo Islamit nuk është vetëm shprehje formale, por është përgjegjësi. Kushdo që pretendon se i përket dhe e do atdheun e tij duhet të bëjë mirë për të, të përpiqet të punojë për ta stabilizuar atë dhe të bashkëpunojë me anëtarët e saj, cilado qoftë feja e tyre, përderisa ata nuk janë armiqësorë apo nuk luftojnë kundër interesave të vatanit.
Natën e shpërnguljes së Muhamedit a.s., për në Medine, ai u ndal në periferi të Mekës dhe u kthye me fytyrë nga ajo, e shikonte atë duke kujtuar situata dhe kujtime – edhe nëse këto kujtime ishin të përziera me dhimbje – dhe iu drejtuar me fjalët që zbuluan dashuri të thellë, lidhje me shtëpinë e fëmijërisë dhe adoleshencës, shtëpitë e familjes dhe miqve, si dhe shtëpinë e Shenjtë të Zotit -Qabenë, duke thënë: “Pasha Zotin, e di se t’i je më e mira tokë e Zotit dhe më e dashura te Zoti, e sikur populli im mos të më dëbonte nga këtu, nuk do të largohesha.”
Islami ka kërkuar mbrojtjen e atdheut dhe ka ligjësuar përpjekjet për hir të Zotit, në mbrojtje të tij, fesë, tokës dhe nderit, dhe kushdo që vritet në mbrojtje të atdheut të tij është dëshmor për hir të Zotit. Mbrojtja e atdheut nuk kufizohet vetëm në përballje me armikun, por me të gjithë ata që kërkojnë t’i bëjnë dëm atdheut në çfarëdo mënyre qoftë ajo.
Feja e vërtetë islame nuk bie ndesh me vlerat e saj në raport me natyrën njerëzore dhe ndjenjat emocionale. Të duash atdheun dhe t’i takosh atij është një çështje instinktive. Kur njeriu lind në një vend, rritet në të, pi ujin e tij dhe thith ajrin e tij, nuk ka dyshim se natyra e tij do ta dojë atë dhe ai do të ndjejë atë.
Është e detyrueshme që të gjithë ta rindërtojnë dhe ta mbrojnë atë. Islami e ka lartësuar rëndësinë e atdheut si një vlerë kulmore. Dashuria, përkatësia dhe besnikëria ndaj atdheut janë detyrime të shenjta, dhe kushdo që manipulon këto koncepte konsiderohet tradhtar.
Dashuria për atdheun është një natyrë njerëzore e miratuar edhe nga Islami, duke e bërë atë një nga themelet e ndërtimit të shoqërive dhe një rrugë drejt tolerancës, mirëbesimit e emancipimit brenda kornizave hyjnore. Dashuria për atdheun nuk duhet të ndalet në ndjenja dhe emocione, por duhet të përkthehet në sjellje të mirë dhe të dobishme për individin dhe shoqërinë.
Atdheu është vendi të cilit ne i përkasim, që përfaqëson për ne sigurinë, ndershmërinë dhe përkatësinë. Ai përbënë një pjesë integrale të identitetit, kulturës dhe historisë sonë, përfaqëson një burim krenarie dhe nderi. Atdheu përfaqëson një vend të dashur që i motivon qytetarët të punojnë shumë dhe të sakrifikojnë për të.
Atdheu është vendi në të cilin jetojmë dhe rritemi, dhe përmes marrëdhënieve tona me atdheun, ne ndjejmë një ndjenjë përkatësie dhe kohezion shoqëror dhe kemi përgjegjësi ta ruajmë vendin tonë dhe të punojmë për të arritur aspiratat dhe ëndrrat tona.
Në përgjithësi, mund të thuhet se atdheu është vendi që na bashkon të gjithëve dhe përfaqëson për ne një burim dashurie, përkatësie dhe besnikërie. Të gjithë duhet të punojmë për të ruajtur unitetin tonë dhe për të promovuar vlerat e respektit, tolerancës, besnikërisë e bashkëpunimit për të ndërtuar një shoqëri të fortë dhe të begatë në atdheun tonë të dashur.
Atdheu është gjëja më e çmuar që njeriu ka, sepse është djepi i rinisë së tij, guri i hapave të parë të tij, vatra e fëmijërisë, streha e pleqërisë, burimi i kujtimeve, drita e jetës së tij, shtëpia e baballarëve dhe gjyshërve të tij dhe streha e fëmijëve dhe nipërve të tij.
Dashuria e vërtetë për atdheun është ndjenjë përgjegjësie ndaj atdheut tonë të dashur dhe punë e palodhur dhe këmbëngulëse për ngritjen e nivelit të vendit tonë në të gjitha fushat, ekonomike, kulturore, sociale, fetare dhe shëndetësore, me zell dhe këmbëngulje në kërkimin e dijes, duke punuar me sinqeritet dhe përkushtim në punën tonë dhe përpjekje për të arritur arritje që i sjellin lavdi dhe krenari atdheut dhe kënaqin Zotin xh.sh..
Dashuria për atdheun është një dashuri e lindur, e thirrur nga besimi, e mbështetur nga Syneti dhe e inkurajuar nga morali i mirë. Prandaj konstatojmë se myslimani i vërtetë është më së shumti i dashur për atdheun e tij, besnik deri në maksimum, i gatshëm të ofrojë çdo gjë të çmuar për hir të përparimit dhe prosperitetit të kombit e atdheut të tij.
Dashuria për atdheun merr dimension besimi. Rruga drejt Zotit mund të jetë vetëm përmes atdheut. Kur Zoti i Plotfuqishëm na krijoi, Ai edhe zgjodhi vendin tonë të lindjes, ndaj të jetojmë në atdheun tonë, në tokën tonë e të mos emigrojmë.
Myftiu Naim ef. Tërnava
Malishevë, më 24 nëntor 2023

Shfaq më shumë në Aktuale

Shfleto

U mbajt ligjëratë kushtuar dijetarit, prijësit dhe udhërrëfyesit Vehbi ef. Dibra nga Besnik Mustafaj

Prishtinë, më 25 prill 2024 Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës ka organizuar sot ligjë…