Vëllezër dhe motra,
Të dashur qytetarë!
Sot është dita e parë e Kurban Bajramit. Në këtë mëngjes të bukur e përplot me begati të dhuruara nga Zoti Fuqiplotë, myslimanët nga e mbarë bota ua kanë mësy xhamive për t’i kryer obligimet e tyre, për ta falur namazin e Bajramit dhe për t’iu drejtuar Zotit Krijues, me lutjet që të na dhurojë begati e të mira, e të na i falë mëkatet tona.
Sot, së bashku me miliona haxhilerë nga e mbarë bota, të cilët gjenden në Meken e shenjtë për ta kryer haxhin, janë edhe një numër i konsiderueshëm i vëllezërve dhe motrave tanë nga Kosova dhe vendet e tjera shqiptare, por edhe nga mërgata e largët, të cilët, bëjnë lutje për faljen e mëkateve dhe për begati nga Krijuesi Fuqiplotë. Ata bëjnë lutje edhe për dashurinë ndaj atdheut, e cila buron nga besimi i drejtë dhe sinqeriteti i thellë, luten për sigurinë e atdheut, me lutjen që e bëri Ibrahimi a.s., për Meken e bekuar.
Zoti xh.sh., thotë:
وَإِذۡ قَالَ إِبۡرَٰهِـۧمُ رَبِّ ٱجۡعَلۡ هَٰذَا بَلَدًا ءَامِنٗا وَٱرۡزُقۡ أَهۡلَهُۥ مِنَ ٱلثَّمَرَٰت
“Dhe kur Ibrahimi tha: “O Zoti im! Bëje këtë qytet të sigurt e të paqes dhe furnizoj banorët e tij me fruta të çdolloj!” (El Bekare, 126).
Shprehja e dashurisë për atdheun në lutjet e përditshme, është një ndjenjë e natyrshme, e lindur në brendësinë shpirtërore, dhe që rritet me rritën tonë. Ajo na jep ndjenjën se asgjë nuk krahasohet me ngrohtësinë e tokës ku jemi krijuar dhe ushqyer. Dashuria ndaj atdheut është një dhuratë e pashtershme, është simbol i identitetit, historisë, qytetërimit e krenarisë, prandaj themi se është detyrë jona që ta duam, ta ruajmë dhe ta mbrojmë vatanin tonë. Në këtë mënyrë bëhemi qytetarë të një vendi ku jetohet me dinjitet, e për t’u bërë të tillë, kërkohet që të jemi bashkë, t’i qëndrojmë besnikë atdheut, duke e promovuar atë në të gjitha fushat dhe në çdo vend, por edhe në Mekën e largët.
Kurban Bajrami është një rast i mirë për t’iu afruar edhe më shumë Zotit të Madhëruar me veprat tona të mira, për ta falënderuar Atë për bekimet e Tij dhe për ta pastruar shpirtin dhe zemrën prej mëkateve. Këtë e arrijmë duke e kryer haxhin, duke therur kurbanin, duke kryer vepra të mira, duke zgjatur dorën e ndihmës për të varfrit dhe nevojtarët, e duke mbështetur vlerat fisnike që thërrasin për dashuri reciproke, dhembshuri, lidhje familjare dhe konsolidim të vlerave të vëllazërisë, bashkëjetesës dhe solidaritetit ndërmjet njerëzve.
Festat tona fetare duhet të shfrytëzohen për të sjellë lumturi dhe gëzim në zemrat e atyre që kanë nevojë, duke trajtuar të sëmurët e vizituar të afërmit, duke shkëmbyer urime me miqtë dhe duke i mbjellë këto vlera në mendjet dhe zemrat e fëmijëve dhe të rinjve tanë.
Vetëm kështu forcojmë edhe më shumë trungun tonë familjar, e ushqejmë atë me vlerat fetare dhe kombëtare, dhe e ruajmë atë me një pastërti fisnike, ashtu siç e kemi amanet nga të parët tanë.
Të nderuar vëllezër dhe motra,
Bashkërisht duhet të bëjmë edhe më shumë në rritjen ekonomike, rritjen e standardit për një jetë edhe më të mirë në Kosovë, në mënyrë që të zvogëlojmë migrimin e popullatës tonë nëpër vende të ndryshme të botës.
Në anën tjetër shohim se nataliteti ka rënë, se Kosova dhe vendet e tjera shqiptare po zbrazen në përmasa të mëdha. Çiftet e reja hezitojnë të kenë më shumë se një apo dy fëmijë. Ftoj çiftet e martuara të kenë më shumë fëmijë, ngase edhe këtë ia kemi borxh Kosovës sonë, të mos frikohen çiftet e reja për riskun e familjes, ngase risku është kompetencë e Zotit xh.sh., të mos bëhemi shkaktarë për mbylljen e një numri të foshnjoreve, çerdheve, shkollave, xhamive, ngase do të na gjykojë e ardhmja e vendeve tona.
Të dashur qytetarë,
Zoti i Madhëruar i ka caktuar dy festa fetare për robërit e tij myslimanë, Fitër Bajramin dhe Kurban Bajramin. Ai i ka ligjësuar ato për vendime dhe kuptime të mëdha, përfshirë këtu edhe falënderimin dhe lavdërimin e Tij. Ne festojmë Kurban Bajramin dhe jemi të lumtur, falënderojmë Zotin e Madhëruar për gjithçka që na ka dhuruar dhe gjithçka që do të na dhurojë në të ardhmen.
Kryerja e haxhit dhe therja e kurbanit janë dy rituale kyçe, të cilat i japin domethënien dhe ia shtojnë vlerën festës së Kurban Bajramit. Haxhi është një ndër veprat më të mira te Zoti i Madhëruar pas besimit. Muhamedi a.s., ka thënë:
ﷺ: “الْحَجُّ الْمَبْرُورُ لَيْسَ لَهُ جَزَاءٌ إِلَّا الْجَنَّةَ
“Haxhi i pranuar nuk ka shpërblim përveç Xhenetit.”
Haxhi është një deklaratë praktike e parimit të barazisë dhe vëllazërisë ndërmjet njerëzve. Në haxh, shpirti i barazisë zbulohet në formën e tij më të lartë, e kuptimet e vëllazërisë theksohen në format më të mira. Destinacioni është një, qëllimi është një, veshja është një, thirrja është një, qëndrimi është një dhe pjesëmarrja e përbashkët në ritualin e njëjtë është një.
Pra, me një fjalë, barazia ndërmjet myslimanëve arrihet edhe praktikisht në haxh, pavarësisht dallimeve të tyre nga raca, gjuha, apo vendet e tyre nga vijnë. Aty, të gjithë janë të barabartë.
Prej sekreteve të thirrjes për në haxh, është se njerëzit do të vijnë nga të gjitha anët e botës, ashtu siç po ndodh edhe sot, e për të cilën jemi dëshmitarë edhe ne.
Për këtë, Zoti xh.sh., na bën me dije përmes thirrjes së Ibrahimit a.s., drejtuar njerëzimit për kryerjen e haxhit, kur thotë:
وَأَذِّن فِي ٱلنَّاسِ بِٱلۡحَجِّ يَأۡتُوكَ رِجَالٗا وَعَلَىٰ كُلِّ ضَامِرٖ يَأۡتِينَ مِن كُلِّ فَجٍّ عَمِيقٖ

“Thirri njerëzit për haxhillëk, ata do të vijnë në këmbë dhe me deve prej të gjitha viseve të largëta.” (El Haxh, 27).

Haxhi është edukim e përmendje e shpeshtë e Zotit xh.sh., është monolog lutjesh, e rikujtim i nisjes për në botën tjetër. Përsosmëria dhe kënaqësia më e madhe e njeriut qëndron në arritjen sa më të madhe të përkushtimit ndaj Zotit xh.sh.. Sa më shumë që besimtari ta arrijë atë përkushtim, aq më e madhe është përsosmëria dhe aq më e lartë është grada e tij.
Në haxh, ky kuptim bëhet jashtëzakonisht i qartë kur besimtari në tërësi i nënshtrohet dhe i dorëzohet Zotit.
Haxhiu sikur largohet nga streha e kësaj bote, duke migruar me tërë qenien e tij te Zoti i tij, duke lënë pasurinë, familjen, shoqërinë, i zhveshur nga rrobat e përditshme e i veshur me ihram.
Me përulje para Zotit të tij, lëviz mes ndjenjave me zemër të nënshtruar para Madhërisë së Tij, syve të përlotur dhe gjuhës që përmend Zotin pa ia nda, shpreson në mëshirën e Zotit, dhe është i gatshëm për amanetet e marra në mënyrë që të arrihet devotshmëria dhe bukuria e Islamit.
Ky është qëllimi i nënshtrimit dhe përkushtimit ndaj Zotit, këtu qëndron arsyeja e fshirjes së mëkateve dhe falja e tyre, duke hyrë kështu në një jetë të re e të mbushur me mirësi dhe lumturi.
Ky kuptim bëhet edhe më i dukshëm në haxh, pasi që, nuk është urdhëruar as tavafi – rrotullimi rreth Qabesë, as ecja mes Safasë dhe Merves, e as dalja në rrafshnaltën e Arafatit, përveçse për përmendjen e Zotit përmes këtyre adhurimeve dhe lutjeve.
Zoti xh.sh., thotë:
وَٱذۡكُرُواْ ٱللَّهَ فِيٓ أَيَّامٖ مَّعۡدُودَٰتٖۚ
“Dhe madhëroni Allahun në (tri) ditët e caktuara (të teshrikut)…” (El Bekare, 203).
Me të drejtë mund të themi se haxhi konsiderohet si një shtyllë e asaj mbi të cilën është ndërtuar feja islame. Ai është një edukatë e afërsisë së devotshmërisë dhe një lloj edukimi i sjelljes, që kombinon llojet e afërsisë me Zotin e Madhëruar.
Të nderuar vëllezër dhe motra,
Në këtë Bajram, myslimanët therin kurban në shenjë falënderimi për Zotin e Madhërishëm, për bekimet e shumta dhe të panumërta që Ai na i ka dhuruar.
Zoti xh.sh., thotë:
فَصَلِّ لِرَبِّكَ وَٱنۡحَرۡ
“Prandaj, falu (vetëm) për Zotin tënd dhe ther kurban!” (El Kevther, 3).
Besimtari sakrifikon si shprehje e mirënjohjes ndaj Zotit të Plotfuqishëm që e krijoi atë në këtë jetë. Kurbani është përkujtim i pejgamberit tonë, Ibrahimit a.s., dhe ringjallje e synetit të tij.
Ai në sprovën e tij me të birin, Ismailin a.s., u tregua i durueshëm dhe iu nënshtrua urdhrit të Zotit të Madhëruar, urdhër, të cilin nga mirësitë e pakufishme të Zotit, Ai e zëvendësoi me prerjen e kurbanit.
Kurbani është një falënderim për Zotin e Madhëruar, për bekimet e pasurisë dhe jetës. Ai është një nga ritualet e Islamit. Kurbani është përshkruar si mjet për t’iu afruar Zotit të Madhëruar dhe si një përgjigje ndaj urdhrit të Tij. Kurbani është zgjerim për shpirtin, mirësi për familjen, nder për mysafirin, dashuri për fqinjin, bamirësi për të varfrin. Është dëshmitar i sinqeritetit të besimit të robit në Zot.
Zoti xh.sh., thotë:
قُلۡ إِنَّ صَلَاتِي وَنُسُكِي وَمَحۡيَايَ وَمَمَاتِي لِلَّهِ رَبِّ ٱلۡعَٰلَمِينَ
Thuaj: “Në të vërtetë, namazi im, kurbani im, jeta ime dhe vdekja ime, i përkasin vetëm Allahut, Zotit të botëve.” (El – Enam”, 162).
Kurbani është ritual përmes së cilit besimtari mëson durimin dhe sprovën, mëson preferencën e pejgamberëve për bindje ndaj Zotit të Madhërishëm, dhe gjithashtu mëson se dashuria e tyre për Zotin ishte edhe më e madhe se dashuria për familjen dhe fëmijët. E gjithë kjo është një nxitje për besimtarin dhe se durimi dhe gatishmëria e kryerjes së urdhrit është arsyeja e shpërblimit dhe e gradimit prej Zotit xh.sh..

Myftiu Naim ef. Tërnava
Prishtinë, më 16 qershor 2024

Shfaq më shumë në Aktuale

Shfleto

Myftiu Tërnava vizitoi punishten e Xhamisë Qendrore në Prishtinë

Prishtinë, më 8 tetor 2024 Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim ef. Tërnav…