Personi që e ka obligim therjen e kurbanit, këtë veprim duhet ta bëjë personalisht. Mirëpo, nëse për shkaqe objektive, ai nuk ka mundësi vet, atëherë mund ta autorizojë tjetër kënd, gjë që është e lejuar. Gjithashtu, është e lejuar që nëse dëshiron të hollat e përgatitura për kurban, mund t’ia dorëzojë institucionit, i cili do ta realizojë këtë me besnikërinë më të madhe. Shembulli më i mirë për këtë është organizimi që bëjnë organet e Bashkësisë Islame në vendin tonë, duke e bërë nijet për atë që e ka bërë porosinë për kurban.

Bashkësia Islame e Kosovës, për sa i takon therjes së kurbaneve, tashmë ka një përvojë dhe eksperiencë mbi 50 vjeçare dhe këtë punë e bënë me shumë përgjegjësi. Numri i porosive për kurbane që bëhet në adresë të Kryesisë, si nga brenda ashtu edhe nga jashtë Kosovës, më së miri e vërteton këtë. Nga i tërë ai kontingjent i mishit të kurbanit që iu shpërndahet familjeve në nevojë dhe shumë institucioneve tjera meritore, është një ndihmesë që nuk bënë të nënçmohet.

Nga ana tjetër, kjo është një ndihmesë e madhe për të gjithë ata që banojnë në ndërtesa shumëkatëshe nëpër qytete, sepse kushtet banesore e pamundësojnë një veprim të tillë. Mjafton vetëm sikur ta imagjinojmë se gjatë stinës së verës, kur temperaturat janë goxha të larta, të therët kurbane në disa qindra vende në një qytet.

Prandaj, porosia që mund të bëhet në Kryesi të BI-së, në Medrese, në këshillat e BI-së dhe tek imamët e xhamive, na lehtëson shumë që ta zbatojmë këtë veprim të Sheriatit dhe të fitojmë sevape të panumërta te Allahu i Gjithëmëshirshëm. Megjithëkëtë që sapo e thamë, në vazhdim do t’i shpjegojmë edhe disa detaje që kanë të bëjnë me kurbanin.

Cila kafshë mund të bëhet kurban?

Në mënyrë që kurbani i therur prej individit të ngarkuar me përgjegjësinë e therjes së kurbanit të llogaritet i vlefshëm, duhet me e ditë se cilat kafshë mund të bëhen nijet për kurban, çfarë kushte duhet të plotësojnë dhe cila është mënyra e therjes së saj.

Prandaj, është e nevojshme të dihet se jo çfarëdo kafshe mund të bëhet kurban. Sheriati edhe këtë çështje e la ligjësuar deri në detaje. E, pra, kurban mund të bëhet:

1. dashi, delja, dhia, cjapi nga gjedhet e imëta (që e ka plotësuar një vit e më shumë),

2. kau, lopa, bualli, buallica (që kanë mbushur dy vjet) nga gjedhet e trasha. E pra, kafshët të cilat lejohet të theren kurbane janë si u përmenden më sipër, për faktin se Allahu i Madhërishëm në Kuran ka thënë:

Ne i kemi caktuar çdo populli vendtherjen (e kurbanit), me qëllim që ta përmendin Emrin e Allahut për arsye se i furnizoi ata me kafshët, i adhuruari juaj është një Zot, andaj vetëm Atij duhet t’i dorëzoheni dhe përgëzoi të dëgjueshmit!” (El Haxhxh, 34).

Gjedhet e trasha duhet t’i kenë mbush dy vjet e jo më pak. Gjedhet e trasha mund të bëhen kurban p.sh. për një, dy e deri në shtatë kurbane – për shtatë persona. Me këtë rast, është kusht që të gjithë pjesëmarrësit ta kenë për qëllim kurbanin, sepse nëse gjashtë prej tyre e kanë nijetin për kurban kurse njëri për mish, atëherë që të gjithë e kanë humbur sevapin e kurbanit dhe llogaritën sikur të mos kenë therë kurban. Gjedhet e imëta mund të bëhen kurban vetëm për një dhe duhet të kenë mbushur së paku një vit. Nëse qengji gjashtëmuajsh është po aq i madh dhe i bëshëm sa një qengj njëvjeçar, është e lejuar që edhe ai të bëhet kurban.

Është e rëndësishme si për nga qëllimi dhe domethënia e ibadetit, ashtu edhe nga ana shëndetësore, që kurbani që do të theret për ibadet e për hir të Allahut të ketë mish të bollshëm, të jetë i shëndetshëm dhe t’i ketë gjymtyrët të plota. Në këtë këndvështrim, në kafshët e zgjedhura për kurban, është e rëndësishme që të mos ketë ndonjë mangësi që mund të bëhet për therjen e saj për kurban. Në Kuran urdhërohet që ajo çka besimtarët fitojnë të jetë e pastër, e mirë dhe të konsumohet në rrugë të Allahut. Kjo bukur është e përshkruar në ajetin 267 të sures “El-Bekare”. E pra, na është urdhëruar e thënë që gjërat e këqija dhe të panevojshme që s’do t’i pranonim as për vete, të mos mundohemi t’i dhurojmë për të shlyer borxhin ndaj Allahut. Prandaj, nisur nga ky parim, nuk është e pëlqyeshme që për kurban të theret një kafshë që ka shumë mangësi.

Kafsha e dedikuar për kurban nuk guxon të jetë e sëmurë ose me të meta të dukshme. Kështu që: kafsha e verbët në një ose në dy sy, asaj që i mungon më shumë se gjysma e veshit, ose e bishtit, ajo që i ka brirët e thyer, që i ka të gjithë ose më shumë se gjysmën e dhëmbëve të rënë, ajo që është dukshëm e ligë, ajo që shqepon (e çalë), ajo që nuk mund të shkon deri te vendi i therjes me këmbët e veta, ajo që shihet dukshëm se është e sëmurë, e të ngjashme nuk bënë të bëhet kurban.

Prandaj, kurbani duhet të jetë: i shëndosh, i majmë dhe i pa të meta. Pejgamberi a.s. ka thënë:

Kurbanet e juaj le të jenë të mëdhenj (të ushqyeshëm e të majmë), sepse ata do t’ju mbartin mbi Urën e Siratit”.

Nga ana tjetër, ka disa mangësi të cilat edhe në qoftë se gjenden te kafsha e dedikuar për kurban, nuk e pengojnë bërjen e saj kurban. Ja disa të meta të tilla:

– Sytë e shtrembër apo shikimi i dobët.

– Çalimi i vogël në një këmbë, ndërkohë që këmbët tjera i ka të shëndosha.

– Mungesa e brirëve që nga lindja (shyt/e).

– Veshët e shpuar ose majat e veshëve të prera ose i ka të vegjël që nga lindja.

– Rënia e disa dhëmbëve, gjithsesi ma pak se gjysma.

Prandaj, kafsha me mangësi të tilla është mekruh të theret për kurban, por sidoqoftë është e lejueshme.

Therja e kurbanit

Me këtë rast le të nënvizojmë edhe këtë: meqenëse therja e kurbanit ka karakter fetar, konsiderohet ibadet, me këtë rast duhet treguar kujdes që therja të bëhet në mënyrë sa më të lehtë. Kjo nënkupton që deri te vendi i therjes kafshën duhet dërguar pa e munduar ose pa i mëshuar, duhet përpjekur që me lehtësi ta rrëzojmë në tokë, duhet shtrirë në anën e majtë, duhet kthyer kah kibla, këmbën e mbrëmë të djathtë mundësisht me ia lënë të lirë, thikën duhet mprehur me kohë dhe mirë, dhe, mundësisht, kafshës të mos i tregohet thika. Pejgamberi a.s., lidhur me këtë, ka urdhëruar: “Allahu ka pranuar që gjithçka të kryhet me mirësi. Ndaj dhe duke therur një kafshë, thereni me ndjesi të mirësisë. Dikush mes jush që ther kurban, le ta mpreh mirë thikën dhe të mos e bëjë të vuaj kafshën që do ta therë.”

Kur të bëhen të gjitha përgatitjet e duhura e para se me filluar me therjen, duhet cituar :

Me të vërtetë namazi im, adhurimi (kurbani) im, jeta ime dhe vdekja ime i përkasin thjesht Allahut, Zotit të botëve. Ti nuk ke ortak...” (El En’am, 162-163) vazhdojmë me tekbirin dhe duke thënë “Bismil-lahi Allahu ekber” dhe pastaj fillojmë me e therë. Akoma ma mirë se kaq është nëse e lexojmë duanë e therjes së kurbanit:

Bismil-lâhi Allâhu ekber!

Allâhumme hadha minke ve leke. Inne salati ve nusuki ve mahjaje ve memati lil-lahi rabbil-alemin, la sherike leke, ve bi dhalike umirtu ve ene evvelul-muslimin. Allahumme tekabbel minni kema tekabbelte min Ibrahim haliluke ve Muhammedin aljehis-salatu ves-selam! (El-Fatiha).

Me emrin e Allahut, Allahu është i Madh!

O Zoti ynë, ky kurban është nga Ti dhe për Ty. Vërtet namazi im, kurbani im, jeta ime dhe vdekja ime i përkasin thjesht Allahut, Zotit të botëve. Allahu nuk ka ortak, me këtë jam urdhëruar dhe unë jam i pari i myslimanëve.

O Zot, pranoje këtë kurban nga unë, ashtu siç e ke pranuar nga miku Yt, Ibrahimi, dhe nga Muhamedi, paqja dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të! (El-Fatiha)

Ai që e therë kurbanin duhet të bëjë kujdes që të mos i shkaktojë vuajtje kurbanit, kurse thikën duhet mbajtur në dorën e djathtë. Enes bin Maliku tregon se ka parë se si Pejgamberi a.s. kishte marrë dy desh të majmë për kurban, dhe duke e mbështetur këmbën mbi të tha: “Bismil-lahi Allahu ekber” dhe pastaj e theri me duart e veta!”

Kafshët duhet therë nën qafë (në fyt) afër nofullës, duhet prerë gabzherrin e ushqimit, ujit dhe dy arteriet-karotidet. Kjo mënyrë quhet “dhebh” për dallim nga “nahri” që aplikohet te devetë. Është e dëshirueshme (mystehab) me pritë derisa kafshës t’i rrjedh gjaku dhe të mos mund të lëviz. Mirë është (mendub) që therjen ta bëjë pronari, e në pamundësi që ta bënë, ai mund ta autorizoj dikë tjetër, por natyrisht, dikë që është mysliman dhe vetë të qëndrojë pranë e ta shikojë procesin e therjes. Pas therjes së kurbanit, pronari është mirë që t’i falë dy reqate namaz.

Si ndahet mishi i kurbanit

Mishi i kurbanit duhet ndarë në tri pjesë: një pjesë duhet dhënë të varfërve dhe nevojtarëve, pjesën e dytë të afërmve, fqinjëve dhe farefisit, pjesën e tretë mund ta ndalë për nevojat familjare. Ndarja e mishit në këtë mënyrë është mendub, pra një sjellje e mirë dhe e pëlqyeshme.

Allahu xh.sh. në Kuran ka urdhëruar:

Dhe hani prej mishit të tyre (të kurbanit) si dhe ushqeni nevojtarin e varfër!” (El Haxhxh, 28).

Si dhe ajeti tjetër:

E devetë dhe gjedhet (për kurban) ua kemi bërë prej dispozitave të Allahut për flijim, e ju prej tyre keni dobi, andaj përmendni Emrin e Allahut duke qenë ato në këmbë (të përgatitura për therje), e kur të bien ato në tokë (dhe t’u dalë shpirti), hani prej tyre dhe ushqeni atë që lypë dhe atë që nuk lyp. Kështu, ato ua vëmë në shërbimin tuaj që ju të jeni mirënjohës!” (El Haxhxh, 36).

Mishi, lëkura, dhjami, koka, leshi i kurbanit nuk bënë të shiten. Nëse rastësisht diç nga të përmendurat janë shitur, parat e tyre duhet dhënë për sadaka. Madje, nëse kafshës për kurban, përpara se të therët i është marrë qumështi ose i është qethur leshi, edhe vlera e këtyre duhet dhënë për sadaka. Lëkura e kurbanit lejohet që të mbahet për nevoja të shtëpisë, ndonëse më e mirë është t’u jepet institucioneve humanitare.

Pejgamberi a.s. lidhur me shitjen e lëkurës së kurbanit ka deklaruar:

Kush e shet lëkurën e kurbanit të tij, ai nuk ka therë kurban”.

Nuk lejohet, gjithashtu, që personit i cili e ka kryer therjen (kasapit) t’i jepet si kompensim lëkura, kryet ose një sasi mishi. Hasreti Aliu tregonte: “Pejgamberi a.s. më dërgonte që të interesohem për devetë e destinuara për kurban, duke më urdhëruar që të dhuroja nga mishi, lëkura e leshi i tyre dhe të mos e bëja pagesën e therësit (kasapit) prej këtyre” e duke shtuar më tej “Pagesën e kasapit e bënim nga ana jonë!”

Pas therjes së kurbanit, vendi ku është bërë therja duhet të pastrohet sa më mirë. Është e nevojshme që mbetjet e kafshëve të groposën sa ma thellë në tokë dhe nëse është e mundur të mos mbetet asgjë në sipërfaqe. Një sjellje e tillë është shprehje e respektit për kafshën dhe për ibadetin e kurbanit. Edhe disa çështje lidhur me kurbanin:

A theret kurban për të vdekur?

Sipas Sheriatit lejohet therja e kurbanit me qëllim që sevapin e therjes së tij t’ia dhurojë prindërve ose të dashurve të tij të tjerë që kanë vdekur. Sikurse njeriu që mund të jep sadaka ose edhe ta kryej haxhin për të vdekurin, njëjtë mundet edhe të ther kurban. Vetë Pejgamberi a.s. kishte therur kurban në emër të njerëzve nga ymeti i tij që nuk mund të thernin kurban. Transmetohet se Aliu r.a. therte dy desh, ndër të cilët njërin për Pejgamberin a.s.. E, kur e pyetën për këtë tha: “I Dërguari i Allahut më ka lënë amanet që të ther kurban për të sa të jem gjallë. Kurrsesi nuk e lë pa e bërë këtë.”

* Nëse dikush, me të hollat që fiton vetë, ther një kurban me qëllim që sevapin t’ia dhurojë një të afërmi të vdekur, nga mishi i tij mund të hajë edhe vetë e edhe t’iu dhurojë të tjerëve. Ky lloj kurbani, nuk e ka kohën e caktuar, mund të theret edhe para edhe gjatë Bajramit, pra, mund të theret në çdo kohë.

Në qoftë se ndokush e ka lënë amanet-porosi që pas vdekjes së tij të theret kurban në emër të tij, ai kurban duhet të therët vetëm gjatë ditëve të Bajramit, dhe i tërë mishi i tij duhet dhënë si sadaka (nuk i lejohet të ndal mish për familje).

A lejohet që gjatë Kurban-Bajramit, në vend të therjes së kurbanit të jepet sadaka, në masë të kurbanit ose edhe ma shumë?

Kjo është e lejuar, dhe ai që e ka bërë këtë ka fituar sevapin e dhënies së sadakasë, por nuk e ka fituar sevapin e kurbanit. Detyrimin e kurbanit nuk e ka çuar në vend.

Për ta përmbyllur

Nga sa u tha më sipër, lehtë mund të konkludohet se institucioni i kurbanit ka një rëndësi të veçantë. Krahas faktit se ai konsiderohet ibadet, me se njeriu falënderon Allahun e Gjithëmëshirshëm për dhuntitë e dhuruara, shprehë bindjen dhe sinqeritetin e tij ndaj Krijuesit, ai ka edhe karakter human e solidarizues. Përmes mishit të kurbanit, myslimani solidarizohet me skamnorët, nevojtarët dhe fëmijët e varfër ose jetimë. Në këtë mënyrë, iu mundësohet që edhe familjet e varfra, së paku në këtë ditë të bekuar të Bajramit, ta kenë sofrën më të begatshme se zakonisht. Edhe fëmijët e familjeve të varfra kanë të drejtë të gëzohen, e a ka ma mirë se me e gëzua dikë ditën e Bajramit?! Nuk duhet harruar se puna më e mirë që mund ta bëjë myslimani ditën e Bajramit është pikërisht therja e kurbanit, siç konfirmon hadithi i Pejgamberit a.s..

Kurbani i therur për hir të Allahut, në Urën e Siratit, që do të jetë një urë shumë e vështirë për t’u kaluar për në Ahiret, do të ndihmojë si kafshë mbartëse. Pejgamberi a.s. për këtë çështje kishte thënë: “Zgjidhni për kurban kafshën më të mirë e më të bukur, sepse ajo do t’ju mbartë juve mbi Urën e Siratit!”

Rëndësia e kurbanit konsiston edhe në shumë vlera që ne mbase edhe nuk i njohim, sepse, ibadetet në të vërtetë, më shumë se sa për çdo vlerë e dobi jetësore, duhet kryer në radhë të parë për hir të Allahut xh.sh., për ta fituar kënaqësinë e Tij. Megjithatë, gjithmonë duhet pasur në mend se, përveç sa u tha më sipër, qëllimi final i kurbanit është bamirësia, sinqeriteti, besimi, afrimi te Allahu i Lartmadhërishëm, është devotshmëria:

Tek Allahu nuk arrin as mishi as gjaku i tyre, por te Ai arrin devotshmëria juaj.” (El Haxhxh, 37).

Ibadetet në përgjithësi, në këtë rast ibadeti i kurbanit në veçanti, kërkon nga besimtari sinqeritet, dëlirësi dhe devotshmëri. Duhet ndjekur kënaqësia e Allahut, pasi shpërblimin e tyre e cakton dhe e dhuron vetëm vullneti i Allahut. Për këtë arsye, duhet synuar vetëm që të arrihet kënaqësia e Zotit. Këtë e vërteton ky hadith i Pejgamberit a.s.: “Vlera e veprave është vetëm sipas qëllimeve. Gjithkush ç’ka pasur për synim e për qëllim, veç atë do të arrijë të shtijë në dorë.” Në këtë këndvështrim, qëllimi i parë dhe i fundit në therjen e kurbanit duhet të jenë dëlirësia e besimit, përkushtimi (ihlasi), devotshmëria (takva) dhe afrimi ndaj Allahut (kurbijet). Në të kundërtën, në mos qofshin të tilla qëllimet e synimet, mishi dhe gjaku i kurbaneve nuk ka asnjë vlerë në praninë e Allahut xh.sh..

(Resul ef. Rexhepi ”Dituria Islame” nr. 367, qershor 2021)

Literatura e konsultuar:
Kurani i Madhërishëm, përktheu prof. Hasan I. Nahi, botim i përkthyesit, Prishtinë, 1988.
Kurani Fisnik, përktheu H. Sherif Ahmeti, botoi: “Kompleksi i Mbretit Fehd për shtypjen e Kur’anit të ndershëm, Medinë, pa v. b.
Muhammad Fu’ad ‘Abdul-Bâkî, el-Mu’xham el-mufahras li elfâdh el-Kurân el-Kerîm”, 1987, Kajro.
El-Imâm Alauddîn Ebî Bekr b. Mesud El-Kasânî El-Hanefî, “Bedâiu’ s-Sanâi’ fî tertîbi sh-Sherâi’”, botoi “Dâru-l-ihjâi al-turâth al-arabî”, bot. i tretë, 2000 (1421), Bejrut.
Prof. Muhammed Mustafâ Esh-Shelebî, “El-Medhal fit-tarîf bil-fikhi-l-islâmij”, botoi “Dâr an-Nahda al-Arabijje”, 1969, Bejrut.
Abdurrahmân El-Xhezirî, Kitâbu ‘l fikh ‘alel medhâhebil erbeati, “Dâr u rrejân lit-turâth, bo.t i parë, Kajro, 1987.
Afif Abdyl-Fettâh Tabbâre, “Rûhud-dîn el-Islâmij” bot. i 10, 1973, botoi “Dâru-l-ilm lil melâjîn”, Bejrut.
Muhamed Ferid Vexhdi, “El-Islâmu fî ‘asri-l-‘ilm’”, botoi “Dâru-l-kitâb el-arabij”, 1967, Bejrut.
Dr. Subhi Es-Sâlih, “En-Nudhûmu-i-Islâmijje”, botoi “Dâru-l-ilm’ lil melâjîn”, 1968, Bejrut.
Ekipi i Studimeve Akademike, Stamboll-Turqi, Udhërrëfyesi i një myslimani (adhurimet), botoi “Prizmi”, Tiranë, 2010.
Ali Zaimi, Resul Rexhepi dhe Jusuf Zimeri, Ilmihal i zgjeruar, Tiranë, Prishtinë, Shkup, 2018.
Muhamed Ali. el-Bureni, Çështjet të fikhut sipas Kuduriut, bot. Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës, 2002, Prishtinë.
Es-Sejjid Sâbik, Fikhu s-Sunneh, bot. i pestë, 1983, Bejrut.

Shfaq më shumë në Shkrime

Shfleto

Argumentet për vlerën e natës së 15 të muajit shaban

Një ndër muajt e preferuar, të cilët i ka veçuar Allahu i Madhëruar dhe që i ka dhënë një …