Ku mund të na çojnë konvertimet?!
Gabon çdo kush, nëse mendon, se me pavarësimin e Kosovës, ka ardhur koha e mbizotërimit të një feje ndaj fesë tjetër, cila do qoftë ajo. Kjo jep të kuptohet se sikur çështja e fesë të jetë prioritet i yni në këtë fazë nëpër të cilën po kalon Kosova e jo stabiliteti i shtetit të posa lindur, për të cilin breza të tërë derdhen gjakun e tyre, që ne dhe brezat që do të vijnë pas nesh të jetojnë të lirë.
Kështu, pra këto ditë, ishim dëshmitarë të konvertimeve të disa familjeve shqiptare nga besimi islam në atë katolik. Edhe pse, askush nuk mund ta mohoj të vërtetën, se besimi është çështje e brendshme dhe krejtësisht private e çdo individi, mirëpo mënyra e paraqitjes së këtyre veprimeve në media dhe orkestrimi i tyre, është për çdo gjykim dhe denoncim nga të gjithë ata, që ia donë të mirën Kosovës. Të merremi me konvertime nga një besim në tjetrin, në këtë fazë delikate nëpër të cilën po kalon Kosova, jam më se i bindur se një veprim i këtillë nuk i bënë nder askujt, e më së paku mund të konsiderohet akt patriotik, qoftë në aspektin kombëtar apo fetar.
Të gjithë ne, që i përkasim këtij nënqielli, qofshim më pak apo më shumë fetar, jemi të vetëdijshëm për rolin që ka feja në jetën e popullit tanë. Ndjenjat fetare, nuk mundi t’i shuaj komunizmi, me gjithë përpjekjet e tij të pareshtura për më shumë se gjysmë shekulli. Andaj, të merremi me konvertime dhe të luhet me ndjenjat fetare të shqiptarëve në këtë kohë është një lojë e rrezikshme dhe e dëmshme, nga e cila mund të pësojmë të gjithë, duke përfshirë edhe ata që i orkestrojnë ato për interesa meskine të ngushta fetare. Shqiptarët, shekuj më parë kanë sendërtuar përkatësitë e tyre fetare dhe janë pajtuar me të, duke bashkëjetuar në paqe dhe harmoni. Andaj, çdo përpjekje për prishjen e kësaj baraspeshe, nga kushdo qoftë ai, do të na kthehet si bumerang të gjithë neve, dhe me pasoja të paparashikueshme.
Ne të gjithë pa dallim, myslimanë e të krishterë, kemi pranuar Gjergj Kastriot Skënderbeun – për hero kombëtar, ashtu siç ishte ai. Por, askujt nuk i shkoi ndërmend që atij t’i jep atributin “atlet i Krishtit”, ashtu siç përpiqen qarqe të caktuara ta përshkruajnë sot.
Pranuam Gonxhe Bojaxhiun alias Nëna Terezë, si bamirëse dhe humanitare, që e respektoi kombin tanë dhe gjithë njerëzimin me veprimet e saja prej një humanitare dhe bamirëse. Për këtë, emri dhe përmendorja e saj gjendet në çdo vend, ku jetojnë shqiptarët, por jo si simbol të misionarizmit të krishterë katolikë.
U pajtuam me sinqeritetin tonë më të madh për ndërtimin e kishave katolike edhe nëpër ato vende ku nuk kishte popullatë katolike, vetëm e vetëm të tregojmë respektin dhe shpirtgjerësinë tonë ndaj vëllezërve tanë katolikë dhe Kishës katolike.
U pajtuam, që në qendër të Prishtinës të ngritët katedralja, që Ipeshkvia e Kosovës të ketë selinë e saj në kryeqendrën tonë.
Shkollat tona, anë e kënd Kosovës, kanë më shumë emra të personaliteteve të krishtera se sa ato myslimane, sepse ne kurrë nuk kemi menduar në ndarje në aspektin fetar.
Ne respektojmë të drejtën e çdo individi të zgjedhë besimin e vet, të cilin ai e dëshiron. Kjo është e drejtë e pakontestueshme e çdo kujt. Por, në të njëjtën kohë u bëjmë me dije se është i papranueshëm ofendimi i çdo besimi tjetër, siç u veprua me rastin e pagëzimit të familjeve Kabashi, Mehaj e Maksutaj. Deklaratat dhe prononcimet e të konvertuarve me atë rast, për “islamizimin e dhunshëm të Kosovës””, apo “ Islmizimi i tashëm po e mbyt jetën kombëtare”, (Koha ditore,28 korrik 2008), janë më shumë se insinuata dhe fyerje në hakun e vëllezërve të tyret të deri djeshëm të besimit të njëjtë dhe hyrje në hakun e atyre që derdhen gjakun e tyre për lirinë e Kosovës. Kjo retorikë është e rrezikshme dhe deshëm apo jo, domosdo ajo nxit reagimin e palës tjetër, e cila konsideron me plotë të drejtë se është e atakuar, për të cilin nuk kemi nevojë.
Me keqardhje më duhet të pohoj se nuk janë më pak skandaloze edhe deklaratat e famullitarit të kishës së Zllakuqanit, dom Prenë Kola , që nga paralajmërimi i tij, në mënyrë triumfale se “në javën tjetër do të bëhet pagëzimi edhe i 16 anëtarëve të familjes Mehaj nga Prigoda e Istogut”, (Koha ditore, 28 korrik 2008), por edhe të fjalës së tij me rastin e ceremonisë së pagëzimit të familjeve Mehaj dhe Maksutaj (Zëri, 4 gusht 2008), me ç’rast kishte thënë: “Sot është një ditë historike, sepse këto familje po kthehen në fenë e të parëve të vet. Heroizmi që po bëni sot do t’ju dalë në ndihmë në të gjitha momentet e jetës suaj”. Për të përfunduar me porosinë: “Mendoj se populli shqiptar po vetëdijesohet dhe që nga sot këta janë anëtarë të Kishës Katolike”.
Këto prononcime, nuk kanë hije të dalin nga goja e një prijësi fetar, i çfarëdo rangu qoftë ai. Sepse ato janë indinjuese për shumicën dërrmuese të shqiptarëve, jo vetëm në Kosovë, por kudo që ata jetojnë, për arsye ata po i qëndruakan besnik fesë Islame dhe nuk po kthehen “në fenë e vjetër”. Sipas, logjikës së Dom Prenë Kolës, të gjithë ne jemi “tradhtarë” dhe të “pavetëdijsuar”, ndërsa ata që janë konvertuar qenkan “patriotë” dhe të “vetëdijesuar”?!
Kjo logjikë është e paqëndrueshme dhe gabuar edhe në aspektin fetar. Ishte vullneti dhe dëshira e Zotit të ketë fe, popuj dhe raca të ndryshme. Njeriu duhet të jetë plotësisht i lirë të zgjedh besimin që ai dëshiron, pa imponim nga askush. “Po të donte Zoti yt do t’i krijonte njerëzit një popull”, thuhet në Kur’an. Andaj diverziteti në aspektin fetar, kombëtar, racor e gjuhësor është në natyrën e kësaj bote.
Me të drejtë Ipeshkvi i ndjerë i Kosovës z. Mark Sopi pohonte se “Ne të gjithë e besojmë një Zot të vetëm, por secili e beson dhe adhuron atë në mënyrën e vet”.
Edhepse prononcimet dhe deklaratat nga kisha “Shën Gjon – Pagëzuesit” në Zllakuqan të Klinës, shumë besimtarë të besimit islam i kanë përjetuar rëndë, për çka edhe ka pasur reagime të njëpasnjëshme në adresë të Bashkësisë islame të Kosovës. Ne besojmë se paraqitjet e këtilla, do të konsiderohen individuale dhe se ato nuk do të jenë shkak që marrëdhëniet tona tradicionalisht shumë të mira ndrëfetare, midis Bashkësisë Islame të Kosovës dhe Kishës Katolike të lëkunden. Ato do të vazhdojnë të jenë si gjithnjë në nivelin që i ka hije kombit tanë dhe detyrimeve që na imponon koha në të cilën po jetojmë.