Problemi i identitetit fetar të muslimanëve të Kosovës, definimi i ekstremizimit fetar dhe kompleksi i fajësisë

Të nderuar të pranishëm, pjesëmarrës të kësaj tryeze,

Tema të cilën jemi mbledhur ta trajtojmë sot është komplekse dhe shumëdimensionale. Duke marrë parasysh prezencën tuaj dhe spektrin e panelistëve që do të ligjërojnë në këtë tryezë, unë e shoh të rëndësishme që të përqendrohem në disa pika që ma merr mendja se duhet të trajtohen nga këndvështrimi im si njohës i Islamit dhe njëkohësisht si pjesëtar i komunitetit musliman e më tepër si imam, detyrë të cilën e kryej me krenari në vendin ku jetoj.

Në të vërtetë, koha e dedikuar për të folur në këtë takim në mënyrë shumë të natyrshme është e kufizuar dhe e shkurtër, andaj kjo, krahas komleksivitetit dhe rrethanave që dominojnë në botë, e bën trajtimin e këtij problemi të rëndësisë globale akoma më të vështirë.
Shenjtëria e citateve kur’anore dhe thënieve profetike ma imponon që trajtimin tim ta filloj duke vënë në pah se Islami,  edhe përkundër prezentimit shpeshherë jokorrekt që i bëhet edhe prej pjesëtarëve të tij e edhe prej të tjerëve, është aq madhështor dhe i pastërt sa që të gjitha akuzat dhe etiketimet që i bëhen janë të pavërteta. Allahu i Madhëruar në Librin e Tij fisnik thotë: “…dhe ai (i Dërguari i Allahut) i urdhëron ata në punë të mira, i dekurajon nga të këqijat, ua lejon të bukurat dhe ua ndalon të shëmtuarat.” (A’raf, 157) Ndërsa i Dërguari i Allahut, Muhammedi, paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të, sipas asaj që në mënyrë autentike shënon Buhariu nga transmetimi i Ebu Hurejres, ka thënë: “Feja Islame është lehtësi. Askush nuk tenton ta vështirësojë atë, e të mos dështojë.” Në të vërtetë, citatet që mund të shërbejnë si dëshmi në këtë kontekst janë të panumërta, por dy të lartëpërmendurat le të shërbejnë vetëm për ilustrim. Ndërsa ajo që duhet gjithësesi të kuptohet është se Islami është i lehtë, i natyrshëm, tolerant dhe doemos i përgjigjet natyrës dhe nevojave të njeriut, individ apo shoqëri. Këto fjalë ndoshta do të ishin të tepërta sikur të mos jetonim në një kohë ku për cdo të keqe që ndodhë në botë, qarqe të caktuara janë të gatshme që në një apo mënyrë tjetër të fajësojnë Islamin apo muslimanët. Mu për këtë, nevoja për trajtimin e mirëfilltë të temave të këtilla është shumë e theksuar.

Identiteti fetar i muslimanëve të Kosovës

Kjo problematikë gjithësesi është shumë komplekse dhe ka nevojë që të trajtohet shikuar nga këndvështrimi historik, kulturor, social, gjeopolitik, etj.. Ajo që kam për të thënë unë me këtë rast nuk ka të bëjë me aspektet e sipërpërmendura. Unë do të fokusohem te pyetja, athua a është dhe a mund të jetë përkatësia islame e shumicës së kosovarëve pengesë për pavarësinë e Kosovës? Ky fakt a mund të jetë barrierë edhe për integrimet e mëtejshme europiane të kosovarëve?
Unë personalisht mendoj se një dilemë e tillë më shumë është pjellë e fantazive jo sa duhet të shëndosha të disa individëve (e që fatkeqësisht përbëjnë numër jo të vogël) se sa që është pyetje e shtruar mbi baza të ndonjë realiteti. Realiteti dëshmon se para se të ndodhë ajo që ka ndodhë (lufta e Kosovës, gjenocidi serb mbi popullatën kosovare, intervenimi i NATO-s dhe instalimi i administratës ndërkombëtare në Kosovë) ka qenë e gjithënjohur se populli i Kosovës me shumicë i takon fesë Islame. Me këtë rast, asnjëherë nuk është vënë në dilemë se legjitimiteti i përkrahjes që SHBA-të dhe Evropa u kanë ofruan kosovarëve mund të vihet në pyetje për shkak se shumica e kosovarëve janë të fesë Islame. Madje, prej argumenteve më të forta me të cilat perëndimi argumenton se fushatat e udhëhequra nga SHBA-të në Irak dhe Afganistan nuk janë luftë kundër Islamit (kryqëzatë, si quhet nga disa) është mu ndërhyrja e forcave perëndimore për mbrojtjen e një pupulli musliman (kosovarët) nga dhuna që kundër tyre ushtrohej prej një shteti të krishterë (Serbia). Në bazë të kësaj, nuk është e pavend të konkludoj se përkatësia islame e shumicës së kosovarëve nuk ka qenë problem në momentet shumë më vendimtare dhe të ndieshme, në mënyrë që të jetë sot, kur, mendoj se procesi i pavarësimit të Kosovës nga Serbia ka marrë rrjedhën e vet dhe ka hyrë në fazën përfundimtare.
Jemi dëshmitarë të një propagande të paskrupullt dhe perfide, nëpërmjet të cilës qarqe armiqësisht të disponuara dhe pozicionuara ndaj kosovarëve dhe Kosovës mundohen ti tregojnë botës dhe ta alarmojnë atë se në mes të Evropës qenka duke u bërë një shtet islam. Makineria propagandistike serbe kur mbetet pa argumente, merr rolin e alarmuesit dhe mbrojtësit të Evropës së krishterë nga Islami. Ironinë e bën më të madhe fakti se kjo “brengosje” në realitet vie prej atyre që me politikën dhe aktivitetin e tyre posaqërisht në pesëmbëdhjetë vitet e fundit kanë qenë turpi i Evropës së krishterë. Në të vërtetë, nëse kihet parasysh fakti se një propagandë e tillë është aq e pavlerë saqë nuk meriton të mirremi me të, do të ishte e tepërt të thuhet se akoma askush nuk e ka vënë në dilemë laicizmin e shtetit të ardhshëm të Kosovës dhe ekziston koncenzus lidhur me këtë në të gjitha qendrat e  vendosjes. Mirëpo këtë fatkeqësi e bën më qesharake fakti se në të këtilla raste disa mendjelehtë (nga tanët) me nxitim të madh marrin pozicion defanziv dhe, për ti treguar botës se ajo është vetëm një rrenë e rëndomtë e fabrikuar ne Serbi, fillojnë të distancohen nga cdo gjë që është islame, e që për mendimin tim është e tepërt, e pavend dhe larg cdo logjike.
S’do mend se për Evropën dhe perëndimin cështja e identitetit fetar të kosovarëve është një gjë kaherë e përfunduar dhe të gjitha problemet e imagjinuara dhe të fantazuara në mendjet e disave janë humbje kohe, devijim nga synimi madhor dhe marrje me gjëra tanimë të përfunduara. Pra, të flasësh tash për identitetin fetar të kosovarëve është sikur ta zbulosh Amerikën për së dyti.

Komleksi i pozitës së ulët dhe ndjenja e fajësisë

Ngjarjet që shënuan përfundimin e shekullit të kaluar dhe fillimit të këtij të tanishmit ndikuan thelbësisht në ridefinimin e raporteve mes shteteve, shoqërive, civilizimeve dhe feve. Duke pasë parasysh se protangonistë kryesorë të ngjarjeve që tronditën botën (11 shtatori, Londra, Madridi, tash edhe incidenti i fundit në SHBA) ishin disa muslimanë, në mendjet e njerëzve (jo spontanisht por falë propagandave të ndryshme) u vizatua dhe ngulit profili i muslimanit të këtij shekulli të cilit i përgjigjen etiketat më kompromituese dhe më nëncmuese, si: terrorizmi, ekstremizmi, e izmat tjerë. Nuk kam për qëllim shfajësimin e keqbërësve, ngase komuniteti musliman gjithandej botës asnjëherë nuk ka ngurruar që ti dënojë dhe të distancohet prej akteve të dhunës dhe formave tjera të pamatura dhe joislame të veprimit, por duhet krahas gjykimit dhe dënimit të fajtorëve të veprojmë në shfajësimin e të pafajshmëve, gjë kjo që bota në këto vitet e fundit shumë pak e ka bërë. Pra, pasojë e euforisë në dënimin  e krimeve dhe distancimin prej terroristëve, ekstremistëve dhe keqbërësve të të gjitha llojeve ishte edhe lindja e qëndrimit me rezervë dhe dyshimeve se cdo musliman është terrorist dhe kriminel potencial. Në këtë rast në mënyrë shumë flagrante është shkelur vlera dhe parimi demokratik shumë gjatë i promovuar se njeriu është i pafajshëm derisa të mos vërtetohet fajësia e tij.
As muslimanët e Kosovës nuk mbetën jashtë kësaj loje me përmasa globale. Me apo pa qëllim, qarqe të ndryshme këtu te ne, u vunë në shërbim të elektrizimit të situatës, gjë që sikur të mos ishe maturia e skajshme e komunitetit musliman e përfaqësuar nga BI e Kosovës, OJQ-të islame dhe kolektivet tjera të jetës civile e fetare të muslimanëve, sigurisht se do të ishte e lehtë të inskenoheshin incidente me pasoja të padëshirueshme. Mirëpo, kjo nuk do të thotë se te muslimanët nuk është krijuar, kultivuar dhe fuqishëm ushqyer kompleksi i vlerës së ultë, inferioritetit dhe ndjenjës së fajësisë. Pra, në kohën e sotme mjafton të jesh musliman, e rrethanat të ta imponojnë të ndihesh fajtor për mëkatin e dikujt me të cilin nuk të lidhë linja e përgjegjësisë. Është shumë e padrejtë dhe diskriminuese të akuzohesh për fajin e  tjetrit, të ndëshkohesh për veprën që nuk e ke bërë dhe të mirresh në përgjegjësi për krimin, të cilit në asnjë mënyrë nuk i ke kontribuuar.
Pasojat e një gjendje të tillë gati që nuk ka musliman që nuk i ka përjetuar, e edhe ne në Kosovë nuk kemi qenë të kursyer nga ajo eufori që kaploi botën e pas 11 shtatorit (të vitit 2001). Mirëpo, obligim i yni mbetet që këtë ndjenjë të vlerës së ultë të luftojmë dhe flakim nga jeta jonë. Së paku duhet ti shpallim luftë në mënyrë urgjente asaj pjese të kompleksit të cilin vet e kemi krijuar në veten tonë. Nuk bën në asnjë mënyrë të lejojmë që komuniteti musliman këtu te ne të bëhet peng i veprimeve të pamatura, të dëmshme dhe kriminale të të tjerëve, individë qofshin ata apo grupe të organizuara. Përgjegjësia jonë përfundon aty ku përfundojnë kompetencat. Konkretisht, derisa nuk kemi pasur mundësi ti parandalojmë ngjarjet që i kushtuan shumë njerëzimit në përgjithësi, e edhe muslimanëve në vecanti, atëherë përgjëgjësia jonë përfundon te dënimi i akteve të dhunës dhe terrorit dhe angazhimi serioz që ato të mos reflektohen në asnjë mënyrë te ne.
Është shumë i dhembshëm për ne rasti i incidentit të fundit që ndodhi në SHBA, posacërisht për faktin se në atë veprim ishin përfshin edhe katër bashkëkombas tonë dhe një gjë të tillë e gjykojmë dhe dënojmë fuqimisht. Në të njejtën kohë nuk ia japim e as pranojmë askujt të drejtën që me veprime të tilla të njollosë identitetin, qëndrimet, besnikërinë dhe dashamirësinë tonë ndaj cdokujt që na ka bërë mirë. Veprimet e tilla, përvec tjerash i bëjnë dëm edhe Islamit ngase pa kurrfarë të drejte e njollosin atë.
Nuk është e lehtë të lirohemi prej gjithë kësaj që është shkaktuar si pasojë e një propagande shumë të fuqishme disavjecare, por ne muslimanët e Kosovës kemi vullnet, arsye dhe bagazh për të bërë një gjë të tillë.

Kush duhet ti kualifikojë tejkalimet?!

Është e domosdoshme që kur kemi të bëjmë me tejkalime dhe devijime të cfarëdo natyre qofshin ato, kualifikimin dhe vlerësimin e atyre rasteve apo dukurive ta bëjnë ekspertët, ata që janë më të thirrurit të bëjnë një gjë të tillë. Nëse një dukuri ka të bëjë me fenë, atëherë teologët janë ata që duhet të flasin dhe ta trajtojnë problemin në mënyrë adekuate. Te ne, fatkeqësisht, kur është folur për probleme të natyrave të këtilla, shumë pak ka pasur vend dhe hapësirë që njohësit e Islamit të japin mendimin dhe vlerësimin e tyre për problemet që janë të lidhura me Islamin, qofshin ato edhe të nivelit global. Sa për ilustrim, është shumë qesharake që njerëzit që as që dijnë se si shqiptohet emri i një problemi, ta trajtojnë atë sikur të ishin njohësit më të mirë të asaj lëmie. Mua me vie të qesh kur dëgjoj njerëzit (në një fushatë donkishotiane kundër mullinjëve të erës) që akoma nuk dijnë mirë të shqiptojnë fjalën vehabi, flasin për “dukurinë e rrezikshme të vehabizmit” në Kosovë. Është shumë e tejdukshme se të këtillët nuk bëjnë më shumë se të përkthejnë dhe në mënyrë naive të përsërisin refrene të fabrikuara nga makineria historikisht e dëshmuar si dashakeqe. Shembulli arab thotë se fatkeqësia më e keqe është ajo që të bën të qeshësh.
Nga këto situata sa të dhembshme aq edhe qesharake do të dilnim sikur të i ipej mundësia që secili të flasë dhe kontribuojë në lëminë të cilën e zotëron dhe për të cilën është i kualifikuar. Kemi nevojë për më shumë debate si ky, për më shumë diskutime, për më shumë hapësirë që problemet të trajtohen nga këndvështrime të ndryshme. Gjithashtu kemi nevojë edhe për më tepër liri fetare, për më tepër hapësirë në institucionet edukative dhe arsimore, media, madje edhe në qarqet vendimmarrëse ngase kjo është garancë që të mos ndodhin devijime, e nëse ndodhin, të mos marrin përmasa të gjera. Nëse të mirëve nuk u ipet hapësirë, të këqinjtë nuk e kërkojnë, ata e rrëmbejnë dhe sa keq e me sa pasoja e bëjnë.

Ju falemnderit.

Ekrem B. Avdiu

Letër pune referuar në debatin në temën “Pavaresia e Kosoves dhe lirite fetare” mbajtur ne Gjilan me 13.05.2007

Shfaq më shumë në Shkrime

Shfleto

Argumentet për vlerën e natës së 15 të muajit shaban

Një ndër muajt e preferuar, të cilët i ka veçuar Allahu i Madhëruar dhe që i ka dhënë një …