Prishtinë, 23 shkurt 2012
Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës, me shqetësim ka marrë lajmin që me vendim të DKA – Mitrovicë Nr. 07 – 17/2011, 19.01.2012, nxënëseve që bartin shaminë u është ndaluar vazhdimi i mësimit të rregullt në shkollat e tyre, në Mitrovicë.
Kryesia e BIK, një vendim të tillë të DKA e konsideron të papranueshëm, ngase i njëjti bie ndesh me Kushtetutën e vendit e cila jo që lejon lirinë fetare por e garanton atë për të gjithë qytetarët e saj.
Është e papranueshme që në shekullin 21 , të privohet dikush nga e drejta e garantuar me Kushtetutë – e drejta e arsimit dhe edukimin në institucionet e sistemit publik të arsimimit në vendin e tyre.
Ftojmë institucionet e vendi, e para së gjithash Ministrinë e Arsimit, që të gjithë nxënësve të Kosovës, pa marrë parasysh, nacionalitetin, gjuhën, fenë, vendin a rajonin t’u krijoj kushtet ashtu siç është paraparë me kushtetutë e ligj për arsimin e edukimin normal.
Për ne janë të papranueshme, që nga motive nga më të ndryshme t’u ndalohet dikujt e drejta e arsimimit vetëm pse ai apo ajo ka bindje tjetër, apo pse nxënësit shprehin bindjen e tyre fetare.
Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës angazhohet fuqishëm për të kontribuar për edukimin dhe arsimimin e nxënësve tanë, e jo për t’i përjashtuar, stresuar e diferencuar ata në moshën kur këta duhet të edukohen e arsimohen.
Kryesia me vëmendje ka përcjellë dhe do të përcjellë edhe në të ardhmen peripecitë, sfidat e pengesat, me të cilat janë përballur e po përballen nxënëset e mbuluara në realizimin e të drejtës për arsimim në shkollat tona. Edhe njëherë shprehim përkrahjen tonë të plotë për të drejtën e tyre për arsimim, në shkollat e tyre, në vendin e tyre, në shtetin e tyre. Kryesia do të angazhohet që kjo e drejt të realizohet për nxënëset tona në të gjitha shkollat e Kosovës, sikur që kjo e drejtë aplikohet në shtetet e Bashkimit Evropian.
Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës