Prishtinë, 30 gusht 2018
Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim Tërnava mori pjesë në solemnitetin me rastin e shënimit të Ditës së Fitores dhe Pavarësisë së Turqisë, që u organizua nga Ambasada e Turqisë në Prishtinë. 30 gushti shënon fitoren e Turqisë në betejën e fundit në luftën për pavarësi, si dhe ditën e Forcave të Armatosura të Turqisë. Në këtë solemnitet morën pjesë edhe presidenti i vendit, z. Hashim Thaçi, kryeministri z. Ramush Haradinaj, politikanë, akademikë, diplomatë, përfaqësues të organizatave joqeveritare dhe të ftuar të tjerë.
Pritja u organizua nën patronatin e ambasadores Kivilcim Kiliç, e cila në fjalimin e saj mes tjerash foli edhe për rëndësinë e 30 gushtit për Republikën e Turqisë. Këtu, po ashtu u lexua edhe mesazhi i presidentit të Turqisë, Rexhep Taip Erdogan, i cili u është drejtuar miqve të Truqisë dhe popullit turk, me rastin e shënimit të 30 gushtit, Ditës së Fitores.