Prishtinë, 17 qershor 2016
Në kuadër të aktiviteteve të muajit Ramazan Myftiu i Republikës së Kosovës, Naim ef. Tërnava të premten qëndroi në Ferizaj, ku në Xhaminë e Madhe mbajti ligjëratë dhe hytbe.
Ligjëratën e tij myftiu Tërnava ia kushtoi pendimit, e ndër të tjera tha se historiku i lutjes së faljes së mëkatit lidhet me vetë Ademin a.s. “Pendimi është parim i jetës, obligim i jetës, dhe duhet të jetë diçka që e shoqëron në vazhdimësi brendësinë dhe natyrën e njeriut.
Përkundër asaj se çfarë vepron gjatë ditës apo jetës, ai në vazhdimësi duhet të kërkojë falje te Zoti xh.sh. Zoti në Kuran thotë: “Allahu i do njerëzit që bëjnë pendim, dhe ata që janë të pastër.” Zoti nuk e ka mbyllur derën e tevbes-pendimit, dhe ne nuk guxojmë assesi që askënd ta gjykojmë me pabesim, apo nuk t’i themi se nuk ka të drejtë në fenë islame. Prandaj, edhe nga këtu unë i thërras të gjithë ata që nga përtesa, mungesa e guximit, nga kuraja që nuk e kanë, dhe që nuk kanë ardhur në xhami, pra i ftoj të vijnë, se dera e xhamisë është e hapur gjithmonë. Islami është një fe që, përkundë mëkatit që e bën njeriu, Allahu është ai I Cili e falë, prandaj edhe njeriu në vazhdimësi duhet të kërkojë falje nga Ai. Allahu nuk e fal vetëm shirkun –rivalitetin ndaj Tij, kurse mëkatet tjera, çfarëdo qofshin, me anë të pendimit i falë”, tha myftiu Tërnava.
Kurse në hytbe myfti foli për kujdesin e prindërve ndaj fëmijëve, duke theksuar se në Kuran Allahu porosit që ta ruajmë veten tonë dhe familjen tonë nga zjarri. Çdo fëmijë e ka për detyrë që t’i mësojë parimet e Islamit, dhe çdo prind duhet të jetë model për fëmijën. “T’i kushtojmë rëndësi të madhe fëmijëve tanë, sepse ata nesër do të bartin barrën e fesë dhe të atdheut, dhe do të jenë udhëheqës të këtij populli në çdo fushë të jetës. Ne duhet t’i përgatisim, që ta kemi një gjeneratë që vjen dhe që e ka frikë Zotit edhe më shumë”, ka thënë Tërnava.
Ai në fund porositi që rininë tonë ta largojmë nga çdo vepër e keqe, që rinia jonë të kthehet te e vërteta dhe ardhmëria, dhe të punojmë për ardhmërinë e këtij populli, fesë dhe vatanit, sepse kështu na ka mësuar Pejgamberi a.s. {gallery}ferizajxhuma16{/gallery}