Fjala e Myftiu Naim ef. Tërnava në manifestim e përurimit të hfz. Ethem Ethemi në Shtëpinë e
Kulturës në Preshevë, më 29 korrik 2021

Të nderuar pari e Këshillit të BI në Preshevë, kryetar Ademi,
Të nderuar përfaqësues të subjekteve politike,
E nderuara familje Etemi,
I nderuari hafëz Etem që sot po përurohet,
I nderuari muhafiz, hfz. Orahn Ademi
Të dashur e të respektuar qytetarë të Preshevës me rrethinë
Vëllezër dhe motra!


Kam nderin e veçantë që sot gjendem në mesin tuaj, me një sebep të rëndësisë së veçantë për
besimtarët myslimanë – mësimi i Kuranit përmendsh apo bërja (kryerja) e hifzit, që është një
dhunti nga Krijuesi i gjithësisë, andaj më lejoni që në emër të Bashkësisë Islame të Kosovës, në
emër të institucioneve të saja dhe në emrin tim personal t’ju përshëndes e të shpreh kënaqësinë
time që sot jemi këtu bashkërisht për të përjetuar këto momente të veçanta për ne dhe jo vetëm.

E ritheksoj, urim të veçantë për hafëzin e ri Etem Etemi, i cili me vullnet e përkushtim ka arritur
që ta mësojë Kuranin përmendsh e t’u bashkohet radhëve të hafëzëve përgjatë shekujve.

Vëllezër dhe motra,


Siç ua kanë shpjeguar edhe ulematë para meje, Kurani famëlartë është “Vula e Librave” të
zbritur qiellorë, muxhizet (mrekullitë) e të cilit nuk kanë fund. Kjo u dëshmua gjatë gjithë
historisë së tij, dhe do të vazhdojë deri në kijamet, sepse që nga koha kur filloi të zbriste e deri
më sot, ata që e lexuan dhe e mësuan përmendsh Kuranin, gjithmonë e mbajtën të gjallë dritën e
tij. Sado që e përsëritën, as e shteruan dhe as që e vjetruan, por përkundrazi e rinuan, e duke e
rinuar atë, më shumë e rinuan dhe e freskuan veten e tyre.
Kjo sepse leximi dhe mësimi i Kuranit është një dritë (nur) dhe mëshirë (rahmet) që s’ka të sosur
dhe që shndrit gjithandej rruzullit, e edhe në trojet tona. Drita e Kuranit i përfshiu shqiptarët që
kur ata e njohën atë, që nga kur filluan leximin dhe mësimin përmendsh të tij, traditë kjo që sa
erdhi e u intensifikua dhe u praktikua ku më shumë e ku më pak, po gjithsesi në shtëpitë,
mejtepet, medresetë tona, e ku jo. Me një fjalë, Kurani u bë pjesë e pandashme e jetës së
shqiptarëve myslimanë.
Dhe jo rastësisht Allahu xh.sh. e fillon edhe ajetin e parë të shpalljes së fundit me fjalën: “Ikre –
Lexo”, për të vazhduar e bërë me dije njeriut se është Ai i Cili njeriut i fali mundësi e veçori të
cilat e veçojnë nga krijesat e tjera, se Ai i mësoi atë që nuk diti, se Ai i mësoi përdorimin e lapsit.
Allahu xh.sh. thotë: “Lexo me emrin e Zotit tënd, i Cili krijoi (çdo gjë). Krijoi njeriun prej një
gjaku të ngjizur (në mitrën e nënës). Lexo! Se Zoti yt është më bujari!. Ai që e mësoi (njeriun) të
shkruajë me penë”. (El-Alek: 1-4).
Siç e dini nga historia, tradita e hifzit të Kuranit daton që nga koha e Resulullahit, apo thënë edhe
më qartë që kur filloi t’i zbriste vahji Pejgamberit Muhamed a.s., ku vet Allahu xh.sh i mësoi
Muhamedit a.s. Kuranin dhe ia memorizoi atë në mendjen e tij, duke na e bërë me dije këtë
përmes këtij ajeti kuranor:

لَا تُحَرِّكْ بِهِ لِسَانَكَ لِتَعْجَلَ بِهِ إِنَّ عَلَيْنَا جَمْعَهُ وَقُرْآنَه

“Ti (Muhammed) mos e shqipto atë (Kuranin) me gjuhën tënde për ta nxënë atë me të shpejtë.
Sepse Ne e kemi për detyrë tubimin dhe leximin e tij!” (el kijameh, 16):
Kishte nga sahabët që mësonin përmendësh Kuranin ngase Muhamedi a.s. kishte kërkuar nga
shokët e tij, madje jo vetëm ta mësonin Kuranin, por t’ua mësonin edhe të tjerëve.
Pejgamberi a.s. thotë: “Më i miri prej jush është ai që mëson Kuranin dhe ua mëson atë të
tjerëve” خيركم من تعلم القرآن وعلمه
Që në të gjallë të Muhamedit a.s. ka pasur nga sahabët që kanë qenë hafëzë të Kuranit, i pari
hafëz i Kuranit – i pakrahasueshëm në asnjë aspekt me të tjerët – ka qenë vetë Muhamedi a.s., i
cili ka ditur përmendësh tërë Kuranin dhe për çdo Ramazan e ka përsëritur para Xhibrilit a.s.,
d.m.th. para melekut, që nga Allahu i pati sjellë të gjitha shpalljet, e edhe Kuranin.
Lirisht mund të thuhet se sot nuk ka vend në botë ku jetojnë myslimanë e të mos ketë hafëzë të
Kuranit. Edhe në trojet tona, krahas përhapjes së Islamit, pati filluar të mësohej Kurani.
Me kohë numri i hafëzëve edhe te ne është rritur. Sa më i madh që ishte një vend dhe sa më
shumë institucione fetare arsimore që kishte (mejtepe, medrese, etj.), aq më i madh ishte edhe
numri i atyre që e mësonin Kuranin.
Gjatë historisë sonë, në institucionet tona edukative-arsimore duke nisur nga xhamitë, mejtepet,
medresetë, në vazhdimësi i është kushtuar kujdes i veçantë mësimit të drejtë, të saktë dhe të
bukur të leximit të Kuranit. Në këtë drejtim ulemaja jonë përveç që kanë përgatitur talebet që
kanë lexuar mirë Kuranin, kanë nxjerrë edhe hafëzë.
Tradita e mësimit dhe leximit të drejtë e të saktë të Kuranit ka ekzistuar te ne në mënyrë të
organizuar e institucionale dhe ajo ka vazhduar dhe vazhdon deri më sot dhe do të vazhdojë edhe
në të ardhmen. Këtë e garanton, përveç të tjerash, edhe respekti që lexuesve të mirë të Kuranit u
ka dhënë shoqëria jonë, ata kanë një vend të merituar në shoqëri.


Vëllezër dhe motra,

Një ndër vatrat shqiptare që u shqua dhe vazhdon të shquhet për kontributin e dhënë nëpër breza
në leximin dhe mësimin përmendsh të Kurani Kerimit, është Presheva me muhafizët dhe
myderrizët e njohur të saj.
Këtu, për shekuj me radhë është kultivuar mësimi përmendsh i Kuranit, përkatësisht hafëzllëkut,
jo vetëm brenda Preshevës , por kontributi i tyre tejkalon kufijtë e qytetit dhe rrethinës së tij.
Rrethi juaj përgjatë historisë është njohur për ulema, myderriz e muhafizë të njohur, këtë traditë
e kanë kultivuar me shekuj në këto troje, pavarësisht furtunave me të cilat janë përballur.
Presheva ka qenë një ndër qendrat tona ku i është kushtuar rëndësi meritore mësimit të Kuranit,
mësimit të fjalës së Allahut xh.sh. Të kthehemi pak mbrapa, ulemaja e Preshevës gjatë shekullit
të shkuar megjithëqë qe përballuar me sistemin monist-ateist, kishte arritur që me sukses të
kultivojë traditën e hifzit. Muhafizët e luginës së Preshevës ishin shembulli më i mirë në këtë
fushë.
Traditën e mirë të mësimit të Kuranit përmendsh hafizllëkut, tani po e ndjek edhe kursi i Kuranit
“El- Hidaje” me në krye hfz. Orhan ef. Ademi, të cilin duhet mbështetur në misionin e tij të
shenjtë.
Mbështetja më e mirë për të është dërgimi i fëmijëve te muhafizi që të mësojnë Kuranin, të
vazhdohet tradita që ka nisur që nga Pejgamberi a.s., të vazhdohet tradita e të parëve tanë, pra të
vazhdohet me edukim e arsimim fetarë.
Ne si Bashkësi Islame, e edhe Këshilli vendor këtu në Preshevë, do të bëjmë më të mirën që
shkolla e Kuranit të funksionojë pa pengesa dhe do të përpiqemi që të sigurojmë kushtet e
mbështetjen e duhur.
Në këtë manifestim të sotëm me respekt kujtojmë të gjithë ata muhafizë që kontribuan ndër vite
në mësimin e Kuranit përmendësh-hafizllëkut. Po ashtu kujtojmë me respekt e pietet të gjithë ata
myderriz që nxorën kuadër të përgatitur mirë, imamë ixhazetli që bartën mbi vete me shumë
sakrifica – por me sukses të plotë mision e respektuar të imamit e prijësit fetarë në kohë e ditë të
vështira. Tek ulemaja e Luginës së Preshevës kanë marrë mësime jo vetëm nxënësit e kësaj ane,
por edhe të rretheve, e para së gjitha nga rrethi i Kamenicës dhe Gjilanit.

Është detyrë e jona që kontributin e ulemasë së kësaj ane ta nxjerrim në dritë, e ulematë e kësaj
ane kanë dhënë kontribut të çmuar në shumë fusha, si në atë fetare, po edhe në ruajtjen e etnisë,
gjuhës e mbi të gjitha kontribut të çmuar kanë dhënë në ruajtjen e pranisë së popullatës sonë në
këto anë, andaj këtu kujtojmë kontributin e hfz. Nexhatisë, hfz. Zihnisë, myderriz Hysenit, hfz.
Rizahit, Mullah Fejzës, mulla Fehmiut e shumë të tjerë, më falni nëse nuk i përmendi të gjithë.
Të nderuar vëllezër dhe motra
Sot, kam ardhur te ju me kënaqësinë më të madhe, sebep patëm hafëzin e ri, këtij Zoti i dhëntë
shëndet e mbarësi e inshalla presim e përurojmë këtu e gjetiu edhe shumë hafëzë të rinj.
Gjatë qëndrimit tonë sot këtu, pata rastin të takoj edhe udhëheqësit tuaj politikë e fetarë, nga të
cilët jam informuar për sfidat, problemet, projektet e sukseset që keni.
Të gjithë i falënderoj për punën e angazhimin që bëjnë në të mirë të qytetarëve të kësaj ane, çdo
sfidë e juaja është sfidë edhe për ne, çdo problem i juaj është problem edhe për ne, çdo të arriture
tuaj i gëzohemi dhe e përkrahim edhe ne.
E dimë mirë pozitën dhe gjendjen tuaj, nga ne kërkohet që të angazhohemi maksimalisht që të
bëjmë më të mirën për popullin tonë, për njerëzit tanë. Kjo trevë merr peshën e vetë, merr
rëndësinë e vet vetëm nëse ne arrijmë që të jemi këtu, ta zhvillojmë këtë trevë, ta bëjmë vend ku
mund të jetohet e punohet me dinjitet.
Për të pasur sukses, duhet që të jemi bashkë, të jemi unik e të kemi unitet. Jemi angazhuar gjatë
që të kemi sistem plural, shyqyr Zotit sot e kemi, mirëpo mendimi ndryshe nuk guxon të na çojë
në armiqësi ndër ne, në barikadime kundër njëri-tjetrit, mendimi ndryshe është pasuri, mirëpo ne
na duhet unitet veprues në të mirë të popullit tonë.
Përshëndes unitetin që ka treguar spektri politik i Luginës gjatë zgjedhjeve që keni pasur për
parlamentin republikan, kërkoj që të forcohet ky unitet në të mirë të popullit, gjithsesi duke e
ruajtur subjektivitetin dhe filozofinë e vet çdo subjekt.
Kërkoj një unitet të tillë edhe në nivel lokal, në tri komunat Preshevë, Bujanoc e Medvegjë, jemi
pak të jemi të përçarë, jemi pak të jemi njëri-kundër tjetrit e të mbajmë inat e mëri.

Vëllezër e motra,


Organizimi i Bashkësisë Islame në këto troje është shekullor, me kontribut të njohur gjatë
historisë. Jemi përballur me sfida të ndryshme, por gjithherë kemi ditë të orientohemi drejt e t’i
ruajmë institucionet e organizimin e jetës fetare islame.
Mirëpo, për shkak të rrethanave që i dini të gjithë, këshillat e BI në Luginë, pas Luftës së
Kosovës janë gjendur në një situatë të vështirë.
Këtë gjendje e ka krijuar shteti serb duke manovruar me masa administrative. Si rezultat i kësaj
gjendje, tani e sa kohë në Luginë funksionojnë dy apo tri organizime të jetës fetare islame gjë që
ka dëmtuar organizimin tradicional të BI, ka sjellë huti te besimtarët, ka hapur debat ta panevojë
dhe ka krijuar tabore. Pa dashur që të gjej fajtorin, ne si BIK jemi angazhuar në vazhdimësi që
ulemaja e tanishme e Luginës të jenë të bashkuar, të jenë unik dhe të jenë në krye të misionit të
tyre.
Me gjithë angazhimin tonë nuk kemi arritur që të kemi rezultate të dëshiruara, por me shpesë se
në një të ardhme të afërt të kemi unitet të plotë ndërmjet prijësve fetar të Luginës.
Bashkësia Islame e Kosovës mbështet me çdo kusht unitetin e subjektivitetin e qartë të prijësve
fetarë të Luginës. Kërkojmë unitet, mbështesim unitetin, na duhet uniteti, në të mirë e në të keq
do të jemi bashkë.
Ne kemi një platformë për daljen nga kjo situatë. Bashkësia Islame e Kosovës është e
përkushtuar që të jetë pranë popullit të Luginës, me popullin e Luginës, ne jemi një, na kanë
ndarë pa vullnetin tonë administrativisht, por shpirtërisht jemi e duhet e do të jemi bashkë.
Pres kontributin e të gjithëve dhe pres reflektimin e të gjithëve,
Ne gjithmonë do të jemi pranë jush e me ju.
Duke ju falënderuar, ju uroj e përgëzoj edhe njëherë.
Ves selamu alejkum ve rahmetullah.

Preshevë, 29 korrik 2021

Myftiu i Kosovës
Naim ef. Tërnava

Shfaq më shumë në Fjalime

Shfleto

Fjala e Myftiut Naim ef. Tërnava në promovimin e tri veprave të tij

I nderuari reis i Bashkësisë Fetare Islame të Maqedonisë së Veriut, Shaqir ef. Fetahu, I n…