Të nderuar besimtarë!

Vëllezër e motra!

Të nderuar qytetarë të Kosovës!

Kam nderin dhe kënaqësinë, që sot, në këtë ditë të madhe për besimtarët myslimanë, në Ditën e Arafatit, kur prej festës së Kurban Bajramit na ndajnë edhe pak orë, në emrin e Bashkësisë Islame të Kosovës, institucioneve të saja dhe në emrin tim, t’ju drejtohem me këtë mesazh urimi të gjithë besimtarëve myslimanë, me urimet dhe përgëzimet më të ngrohta e më të sinqerta, duke e lutur Zotin e Madhërishëm që ta përjetojmë Mëshirën e Ditës së Arafatit, dhe kënaqësinë e festës së Kurban-Bajramit.

Vëllezër të nderuar,

Festat e Bajramit si për nga karakteri ashtu edhe për nga ndikimi, janë festat më popullore te besimtarët myslimanë, ngase në këto festa besimtarët si në asnjë rast tjetër, përjetojnë shpirtërisht e emocionalisht afërsinë me Krijuesin, ngrohtësinë e familjes e farefisit, respektin e mirëkuptimin për tjetrin, ndihmën dhe përkrahjen për vëllain, e për atë që ka nevojë.

Festat fetare te populli ynë, në vazhdimësi kanë kultivuar begatitë shpirtërore para atyre materiale, urtësinë para euforisë, drejtësinë para zullumit, paqen para konfliktit e dhunës, dhe solidaritetin e bamirësinë para koprracisë.

Kjo qëndron edhe te festa e Kurban-Bajramit, ngase në themelet e saj ka sakrificën, barazinë, solidaritetin dhe mirësinë, vlera këto që si askush tjetër, kjo festë i sjellë për besimtarët dhe për njerëzimin.

Festa e Kurban Bajramit është një ndër momentet më të rëndësishme të vitit për besimtarët myslimanë, të cilën e karakterizon therja e kurbanit që është ibadet i rëndësishëm për besimtarët, si dhe kryerja e haxhit si kusht i Islamit.

Zoti xh.sh. në Kuran thotë:

“Andaj, ti falu për hir të Zotit tënd dhe prej kurban”

Përmes therjes së kurbanit, besimtarët myslimanë vazhdojnë traditën e pejgamberit Ibrahim a.s., derisa Haxhi reflekton bazat e drejtësisë, si në tavaf, në Arafat, në Muzdelife, në namaz në Qabe, në veshje e në lutje, ngase të gjithë janë të barabartë. Këtu nuk ka dallim ndërmjet të pasurit e të varfërit, në moshë a gjini, dallim në etni a gjuhë, por të gjithë janë në një mision të përbashkët për të fituar mirësitë e Krijuesit Fuqiplotë përmes lutjeve, ibadeteve e pendimit të sinqertë.

Fatkeqësisht, edhe këtë vit, besimtarëve tanë për shkak të gjendjes pandemike nuk u është mundësuar që të udhëtojnë drejt vendeve të bekuara të Mekës e Medinës, mirëpo shpirtërisht e ndiejmë aromën e atyre vendeve dhe mbetemi me shpresë që vitin tjetër të jemi atje për t’ju lutur Krijuesit të gjithësisë.

Vëllezër të nderuar,

Nimet i rëndësishëm i kësaj feste është edhe Sofra e bajramit e cila na bashkon me më të dashurit tanë, na bën të reflektojmë për familjen e të afërmit tonë, dhe na ndërgjegjëson për ata që kanë nevojë për kujdesin e përkrahjen tonë.

T’i shijojmë nimetet e sofrës së bajramit me dashuri e respekt, pranë familjeve tona, pranë farefisit tonë, sepse s’ka gjë më të rëndësishme në këtë dynja sesa ruajtja e familjes dhe edukimi i drejtë i saj. E kemi për obligim fetar po edhe traditë kombëtare që ta ruajmë familjen, ta kultivojmë, kujdesemi, ta mbrojmë e të sakrifikojmë për të.

Në këtë ditë të madhe kujtojmë sakrificën e nënave dhe baballarëve tanë që kanë bërë për ruajtjen e familjes së shëndoshë. Çdo pretendim për të cenuar familjen është në kundërshtim me natyrën e njeriut, në kundërshtim me mësimet hyjnore dhe traditën pozitive të popullit tonë. Familja është e shenjtë dhe duhet ta ruajmë atë.

Edhe më madhështore festën e Kurban Bajramit të sivjemë e bën lirimi i masave anti-covid, e në veçanti prania e mërgatës sonë që e begaton festën dhe e forcon institucionin e familjes.

Vëllezër të nderuar,

Më lejoni që në prag të festës së Kurban-Bajramit, në Ditën e Arafatit, të shpreh dhembshurinë time të thellë për viktimat që humbën jetën nga përmbytjet në shtetet mike: Gjermani, Belgjikë, Austri e Turqi, si dhe solidaritetin tonë me familjarët e tyre, duke lutur Zotin e Madhërishëm që sa më parë të stabilizohet gjendja e krijuar.

Ju ftoj të gjithëve që ta festojmë Bajramin, të shijomë nimetet e kësaj feste, por njëkohësisht të kemi kujdes që të respektojmë masat anti-covid, sepse virusi është ende në mesin tonë.

Në këtë ditë feste, edhe njëherë e lusim Zotin që t’i mëshirojë të gjithë ata që pësuan nga Covidi, të prekurve t’u japë shërim të shpejtë me shpresë te Zoti se jemi në prag të kalimit të kësaj sfide globale.

Vëllezër e motra

Duke ju uruar për festën e madhe të Bajramit, lus Zotin për shëndet, mbarësi, begati, dashuri e harmoni në familjet tuaja.

Me hajr e mbarësi festa e Kurban-Bajramit!

Myftiu i Kosovës

Naim ef. Tërnava

                                                                

Shfaq më shumë në Fjalime

Shfleto

U inaugurua selia qendrore e Shoqatës Humanitare Bamirëse “Bereqeti”

Prishtinë, më 20 nëntor 2024 Shoqata Humanitare Bamirëse “Bereqeti” ka inauguruar sot seli…