Ballina Lajme Vizita e drejtorit të Diasporës së BIK-ut në Norvegji

Vizita e drejtorit të Diasporës së BIK-ut në Norvegji

Kjo vizitë u realizua me ftesë të Qendrës Shqiptare Fetare dhe Kulturore në Norvegji, nga data 30 tetor deri më 2 nëntor 2019. Kjo vizitë u organizua me rastin e thellimit të bashkëpunimit ndërmjet Bashkësisë Islame të Kosovës dhe Qendrës Shqiptare Fetare dhe Kulturore, të udhëhequr nga imami Sabri ef. Jonuzi dhe kryetari i Kryesisë së xhamisë Nysret Humolli.
Drejtori për Diasporë në Kryesinë e Bashkësisë Islame të Kosovës, Ekrem ef. Simnica, u mirëprit nga imami i xhamisë së Ryenit, Sabri ef. Jonuzi, i shoqëruar nga kryetari i kësaj qendre dhe një grup i xhematit. Kjo qendër përpos xhamisë ka edhe objektet përcjellëse, siç janë këndi për shitjen e librave, mësonjëtorja, bufeja dhe hapësirat të tjera ndihmëse, të cilat e bëjnë qendrën edhe më funksionale dhe më të shfrytëzueshme për bashkatdhetarët tanë.
Drejtori Simnica mbajti një ligjëratë në ditën e xhuma, në të cilën fillimisht i uroi dhe i përshëndeti kryesinë dhe imamin e kësaj xhamie për punën dhe aktivitetin e tyre. “Më lejoni që në emrin tim personal, në emër të Myftiut Tërnava, si dhe në emër të Bashkësisë Islame të Kosovës t’u uroj dhe t’u përgëzoj për punët dhe aktivitetet madhore që po i bëni në xhaminë tuaj.”
Gjatë kësaj vizite, drejtori Simnica mbajti edhe hytben e xhumasë, si dhe i priu namazit të xhumasë.
Në shenjë respekti, në xhaminë e Ryenit u organizua edhe një tribunë, në të cilën morën pjesë edhe imamët dhe kryesitë e qendrave të tjera në Norvegji. Ndër të pranishmit në këtë tribunë ishin edhe imami i Bashkësisë Kulturore dhe Fetare Shqiptare në Ostfold, Ardian ef. Halili, i shoqëruar nga kryetari i kësaj qendre dhe anëtarët e tjerë të kryesisë, imami i Bashkësisë Kulturore dhe Fetare Shqiptare në Dramen, Jasir ef. Krasniqi, i shoqëruar nga kryetari z. Bajrush Berisha, si dhe shumë të ftuar të tjerë.
Gjatë kësaj tribune, drejtori Simnica shfrytëzoi rastin për t’i informuar të pranishmit me të arriturat e Bashkësisë Islame të Kosovës, si dhe me sfidat me të cilat përballet ajo. Ai përcolli përshëndetjet e Myftiut Tërnava dhe të mbarë popullit të Kosovës, njëherësh shprehu gatishmërinë e BIK-ut për bashkëpunim me xhamitë e diasporës.
Ai theksoi se, Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës ka themeluar Drejtorinë e Diasporës me qëllimin e vetëm që të jetë pranë jush. Gjatë tribunës, ai i njoftoi edhe për mbarëvajtjen e punëve dhe të aktiviteteve të Medresesë “Alaudin”, Fakultetit të Studimeve Islame, Institutit të Hifzit, si dhe për aktivitetet e BIK-ut në përgjithësi.
Më pas drejtori Simnica, i shoqëruar nga imami Sabri ef. Jonuzi, vizituan edhe qendra të tjera shqiptare në Norvegji, si Bashkësinë Kulturore dhe Fetare Shqiptare në Dramen, në të cilën u pritën nga kryetari i xhamisë Bajrush Berisha. Kryetari Berisha fillimisht i uroi mirëseardhje, e më pas e njohu me punën dhe me aktivitetet e Bashkësisë Kulturore dhe Fetare Shqiptare në Dramen.
Ndërkaq, drejtori Simnica e njohu kryetarin Berisha për angazhimet dhe punët e Bashkësisë Islame të Kosovës në përgjithësi, e në veçanti për angazhimet e drejtorisë së Diasporës. Të dyja palët ranë dakord që të ketë bashkëpunim të ndërsjellë, në të mirë të mërgatës sonë.
Drejtori Simnica në shoqërim të imamit Sabri ef. Jonuzi vizitoi edhe Qendrën Islamike Kulturore Shqiptare në Oslo. Ai u prit me një pritje të ngrohtë vëllazërore nga anëtarët e kryesisë, si dhe nga imami i kësaj qendre.
Në Oslo u bë falja e namazit të akshamit, e më pas u bisedua rreth koordinimit dhe bashkëpunimit në mes të kësaj qendre dhe Bashkësisë Islame të Kosovës.
Në të gjitha qendrat që u vizituan, u pa nga afër kultivimi në praktikë i traditës, gjuhës, fesë e zakoneve të popullit tanë. Në çdo qendër shprehën tendencën për themelimin e bibliotekave me libra në gjuhën shqipe, kjo pasi që drejtoria e Diasporës ka ofruar falas të gjitha botimet e BIK-ut për të gjitha qendrat në diasporë. Aty u pa edhe interesimi për pranimin e nxënësve dhe studentëve nga diaspora për të vijuar mësimet dhe studimet në institucionet e Bashkësisë Islame, siç janë Medreseja “Alaudin” dhe Fakulteti i Studimeve Islame, në mënyrë që t’u ndihmohet atyre për ruajtjen e gjuhës, kulturës dhe identitetit të tyre kombëtar dhe fetar.
Më pas u zhvillua një takim edhe me imamin Ardian ef. Halitin, i cili ishte përgjegjës edhe për qendrën kulturore në Sarpsburg. Në këtë takim u bisedua rreth koordinimit dhe bashkëpunimit të kësaj qendre me Bashkësinë Islame të Kosovës.
Drejtori Simnica shfrytëzoi rastin që t’i falënderoi të gjithë për bashkëpunimin dhe pritjen e ngrohtë për delegacionin e BIK-ut.

Shfaq më shumë në Lajme

Shfleto

Njoftim

Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës njofton opinionin e gjerë se, në aksionin e ndërmar…