Botimet e Bashkësisë Islame të Kosovës iu dhuruan Bibliotekës së qytetit të Mitrovicës Zyrtarë komunalë nga Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport, më 20 nëntor, kanë pritur në një takim përfaqësues nga Kryesia e Bashkësisë Islame e Kosovës, drejtorin e Kulturës, Ramadan ef. Shkodra dhe përgjegjësin për botime, Agim Gashi, me këtë rast ata i kanë dhuruar mbi 100 tituj të librave në tre ekzemplarë bibliotekës së qytetit të Mitrovicës “Latif Berisha”. Në këtë takim ishin të pranishëm edhe përfaqësues nga Këshilli i Bashkësisë Islame të Mitrovicës, Irfan Krasniqi dhe Rexhep Lushta. Me këtë rast, zyrtarët nga DKRS-ja kanë falënderuar përfaqësuesit e Bashkësisë Islame të Kosovës për gatishmërinë e tyre që të mbështetin bibliotekën e qytetit me tituj të rinj letrarë, duke thënë se Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport, si dhe lexuesit e qytetit janë shumë mirënjohës për librat e dhuruar. Ndërsa përfaqësuesit e Bashkësisë Islame të Kosovës kanë prezantuar ekzemplarët e librit, duke theksuar se librat i kanë dhuruar për qytetarët mitrovicas me shumë dëshirë dhe që kjo të ndikojë edhe në shtimin e numrit të lexuesve.