09.01.2015

Nga Besim Abazi

Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim Tërnava dënoi ashpër sulmin dhe vrasjet e së mërkruës në Paris. Në një bisedë për Zërin e Amerikës, ai tha se ngjarjet e tilla nuk kanë të bëjnë me besimin, ndërsa vlerësoi lartë rolin e Francës në luftën për çlirimin e Kosovës. Myftiu Tërnava mbështet cdo përpjekje për të parandaluar përfshirjen e qytetarëve të Kosovës në luftërat në Lindjen e mesme,  përfshirë edhe ligjin për parandalimin e pjesëmarrjes së qytetarëve të Kosovës në luftëra të huaja.

Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, myftiu Naim Tërnava e dënoi sot ashpër sulmin e së mërkurës në Paris që la pas vetes 12 të vrarë. Në një bisedë për Zërin e Amerikës ai tha se aktet e tilla që po bëhen në emër të islamit, nuk kanë të bëjnë asgjë me porositë që dalin nga mësimet e Kuranit.

Them dhe e ngris zërin lartë duke dënuar atë akt barbar, qyqar, naiv dhe të pamoralshëm, i cili ndodhi në Paris nga njerëz kriminel të cilët asgjë nuk kanë të bëjnë me parimet fisnike islame, por janë kundër tërë asaj që urdhëron i madhi Zot në Kuran dhe vet shëmbëlltyra e ndritur e Muhamedit a.s. Pejgamberit tonë të fundit”.

Ai tha se njerëzit për motive të ulta, për interesa të grupeve e klaneve, po e keqpërdorin besimin duke bërë përpjekje të arsyetojnë krimet. Feja, tha ai, urdhëron në paqe, tolerancë e harmoni në mes të gjithë njerëzve, pa dallim vendi, gjuhe e ngjyre. 

Ndaj unë si myfti, shfrytëzoj këtë rast që të shprehë keqardhjen time dhe ngushëllimet e mia për tërë atë që ka ndodhë në Paris. Dhe këtë dhimbje i përcjell edhe kombit francez, por edhe familjarëve të cilët humbën më të dashurit të tyre, qeverisë franceze, që ditën të qëndrojnë krah për krah me Kosovën në kohën kur Kosova kishte nevojën më të madhe të ndihmës nga aleatët tanë evropian dhe ata amerikan, por edhe nga bota mbarë”.

Myftiu Tërnava thotë se institucionet islame kudo qofshin, duhet të jenë më të zëshëm dhe më të guximshëm për të thënë atë që duhet.

Kurani nuk i jep të drejtë askujt të vrasë në emër të tij. Të bëj krim e të dhunojë në emër të tij. Mirëpo, duhet pasur shumë kujdes të gjithë ne në respektimin e vlerave, të qytetërimeve fetare, të kulturave fetare të popujve të ndryshëm. Duhet që këto kultura, këto qytetërime të mos kenë përplasje, por të kenë harmoni mes vete dhe të bashkëjetojnë njëra me tjetrën”.

Luftërat në Lindjen e Mesme kanë shtuar shqetësimet edhe për përfshirjen e qytetarëve të rajonit në zhvillimet e atjeshme. Askush nuk e di numrin e saktë, por shërbimet e zbulimit pohojnë se mund të ketë disa qindra shqiptarë nga Kosova, Maqedonia e Shqipëria që mund të jenë duke luftuar në radhët e militantëve në lindjen e Mesme. Deri tash besohet se mbi 20 qytetarë të Kosovës kanë humbur jetën në ato luftëra.

Myftiu Trënava shprehu bindjen se thirrjet e Bashkësisë Islame kanë ndikuar në zvogëlimin e përfshirjes së qytetarëve nga Kosova. Ai tha sot sërish së askush nuk duhet të niset në atë rrugë duke u arsyetuar në emër të besimit.

Sepse ajo rrugë për në Irak dhe për në Siri sot, nuk ka asgjë të bëjë me fenë dhe me konditat, parimet, fondamentet e fesë sonë të shenjtë islame. Ndaj edhe nuk duhet marrë atë rrugë dhe se ajo rrugë nëse merret, duhet të dijë çdonjëri që shkon në atë rrugë se po punon kundër asaj që urdhëron Zoti, urdhëron Pejgamberi, ngase të marrësh pjesë në një vend ku bëhen krime edhe nëse vet nuk bën krim, je i dyshuar që vërtetë ke marrë pjesë o pasive o aktive në krimet që i kanë bërë ndoshta të tjerët, nëse dikush edhe i shpëton vet aktit të krimit duke qenë atje. Atje po vrasin, po dhunojnë, po kriminalizojnë, po maltretojnë njerëz të pafajshëm, që i Madhi Zot xh.sh. para 14 shekujve na ka thënë se ‘të vrasësh një njeri është sikur të vrasësh tërë njerëzimin dhe të bëhesh shkaktar të shpëtosh një njeri është sikur ta shpëtosh mbarë njerëzimin”.

Së shpejti parlamenti i Kosovës pritet të hedhë për miratim një ligj për parandalimin e pjesëmarrjes së qytetarëve të Kosovës në luftërat jashtë vendit. Myftiu Tërnava thotë se kjo do të jetë një ndihmesë e madhe në përpjekje për të parandaluar shkuarjen e qytetarëve të Kosovës në Siri dhe Irak.

Besoj që kjo është një punë e mirë në raport me ruajtjen e shëndetit të të riut tonë, flas për shëndetin e gjithëmbarshëm dhe mirëqenien e gjithëmbarshme të të rinjve tanë, këtu në këtë nënqiell ku i Madhi Zot xh.sh. na ka krijuar dhe na ka bërë neve që të qëndrojmë, të rrimë, ta ruajmë dhe ta përparojmë këtë vend, sepse për neve, ky është vendit ku duhet të jetojmë dhe të vdesim”.

Myftu Tërnava tha se kombi shqiptar është i vetëdijshëm në atë masë sa të mos i lejojë askujt destabilizimin e tij në emër të fesë.

E ndjej veten jashtëzakonisht mirë se ende në Kosovën tonë nuk ka ndodhur edhe ekscesi më i vogël ndërfetar. Pra, është një respekt ndërfetar i madh, është një harmoni dhe është një besim i ndërsjellë me të gjitha besimet që frymojnë dhe jetojnë në Kosovë. Ndaj, Kosova, Shqipëria, vendet tona ku jetojnë shqiptarët, kombi shqiptar, është model që duhet ndjekur për bashkëjetesë fetare edhe shtetet tjera në zhvillim”.

Ai thotë se institucionet dhe bashkësitë fetare duhet të bashkërendojnë veprimet për të penguar dhe parandaluar çdo përpjekje për të nxitur veprime të skajshme në këto hapësira dhe për ruajtur e kultivuar tolerancën si një nga vlerat më të mëdha të kombit shqiptar.
/zeriamerikes.com/

Shfaq më shumë në Intervista

Shfleto

“Misioni ynë është që sa më mirë dhe sa më drejt ta shpjegojmë fjalën e të Madhit Zot”

Intervistë ekskluzive për revistën “Dituria Islame”me Myftiun e Bashkësisë Isl…