Intervistë ekskluzive për revistën “Dituria Islame”me Myftiun e Bashkësisë Islame të Kosovës, Naim ef. Tërnavën

  • I nderuari Myfti, shprehim mirënjohjen dhe falënderimin tonë në emër të redaksisë së “Diturisë Islame”, për gatishmërinë tuaj për intervistë, njëherësh e lusim Allahun Fuqiplotë që të të falë shëndet e mirëqenie në jetë, por edhe ta lehtësojë barrën fisnike në punën tuaj në krye të institucionit të Bashkësisë Islame të Republikës së Kosovës!

Me emrin e Allahut, Mëshiruesit, Mëshirbërësit! Së pari ju uroj juve si kryeredaktor i “Diturisë Islame” që përmes kësaj reviste po arrini të depërtoni nëpër të gjitha shtëpitë e besimtarëve të besimit islam, dhe që po kontribuoni që kjo revistë të jetë edhe më afër lexuesve tanë fisnikë e bujarë, e që përmes saj, të edukohen me mësimet e drejta burimore, fisnike islame, që dalin nga Kurani, thëniet e Muhamedit a.s., nga thëniet e dijetarëve të ndryshëm nga bota mbarë, mirëpo edhe prej teologëve të vyeshëm e të arsimuar, që i ka përgatitur tashmë kombi ynë këtu brenda në Kosovë, por edhe brenda trojeve tona etnike shqiptare. Është më se e vërtetë që unë para dy muajsh, edhe një herë jam rizgjedh si Myfti i Republikës së Kosovës, si kryetar i Bashkësisë Islame, andaj edhe në këtë rast, dëshiroj t’i falënderoj të gjithë ata kolegë, vëllezër të mi, xhematin e mrekullueshëm që kemi, të cilët më dhanë besimin e plotë, e kjo për mua do të thotë shumë. Do të thotë që, përkundër asaj që kemi arritur dhe kemi korrë suksese të shumta në rrafshe të ndryshme, si në infrastrukturë, arsim, edukim, dhe në fusha të tjera, gjithashtu kjo më shtyn dhe më motivon mua dhe të gjithë kolegët e mi në Kryesinë e BI-së dhe anekënd Republikës sonë, që ta ndiejmë edhe më shumë përgjegjësinë tonë në shpirt, në zemër e në mendje, ngaqë është një përgjegjësi hyjnore, të cilën e kemi marrë mbi supet tona, që ta bartim, ta kumtojmë, ta shpjegojmë e ta transmetojmë drejt e mirë te masa e gjerë e popullit tonë këtu në Kosovë. Andaj besoj që edhe kësaj radhe na duhet bashkërisht një unitet i madh, siç jemi mësuar ta kemi në mesin e teologëve, imamëve e nëpunësve të Bashkësisë Islame, e me këtë unitet do t’ia dalim të korrim sukses të reja dhe do të punojmë për një të ardhme sa më të mirë të vendit tonë në edukimin dhe fisnikërimin e mirëfilltë të mësimeve fisnike islame.

  • I nderuari Myfti, meqë ju i prini një institucioni, shumica dërmuese e punëtorëve të të cilit janë imamë-prijës fetarë islamë dhe të tjerë, a mund të na thoni se cili duhet të jetë roli i një imami brenda shoqërisë tonë, tani, por edhe në të ardhmen?

Dëshiroj që me këtë rast, t’i falënderoj të gjithë imamët tanë, anekënd Republikës sonë, për kontributin e dhënë edhe para, por edhe tash pas luftës në Kosovë. Të gjithë ata kanë bërë një punë jashtëzakonisht të madhe, të mrekullueshme në vetëdijesimin e gjithmbarshëm të besimtarëve të besimit islam në Kosovë. Mirëpo, gjatë punës, sigurisht se kemi pasur raste ku kemi pasur dobësi, lëshime, edhe të qëllimta por edhe të paqëllimta, por që falë Zotit janë të pakta. Në disa raste, disa nga imamët tanë kanë kapërcyer apo kanë kaluar kompetencat, të cilat duhet t’i ketë një imam,  duke dashur që të japin më shumë nga vetja e tyre, apo në disa raste edhe për të fituar simpati nga të tjerët, apo edhe për t’iu përmendur emri i tij. Kemi raste kur imamët kanë tejkaluar edhe doktrinën e pastër burimore islame dhe profesionin fisnik që ka imami, dhe me këtë, paksa kanë devijuar nga realiteti që buron nga Kurani dhe thëniet e Muhamedit a.s.. Roli kyç i imamit, si në të kaluarën, por edhe tash, duhet të jetë edukimi i xhematit. Imami duhet të jetë brenda xhematit në raste të ndryshme, qofshin ato raste gëzimi, fatkeqësie apo edhe hidhërimi. Ai duhet të jetë në vazhdimësi në kontakt me xhematin e vet, në mënyrë që të mos lejojë që dikush nga jashtë të hyjë në xhematin e tij, për ta devijuar nga e drejta, që është rrugë e vetë Islamit, por edhe për ta larguar atë nga konditat dhe rregulloret që i ka Bashkësia Islame e Kosovës, e në këtë mënyrë t’ju hapet mundësia të tjerëve që të luajnë me fatin e xhematit tonë.

  • Cilat janë ato linjat e gjera dhe standardet e etabluara që duhet t’i respektojë një imam apo cilido nëpunës tjetër i Bashkësisë Islame, pos përgatitjeve shkencore që duhet t’i ketë plotësuar për të qenë puna dha angazhimi i tij më konstruktiv në shtetin tonë? A iu duhet atyre ndonjë riedukim i brendshëm edhe nga BIRK-u  ?

Imami, e që në këtë rast edhe unë jam imam, dhe flas për të gjithë imamët pa përjashtim, e kemi një mision të përbashkët. Misioni është që sa më mirë dhe sa më drejt ta shpjegojmë fjalën e të Madhit Zot dhe porositë e Muhamedit a.s.. Vlen të theksohet se para dy dekadave, kemi pasur vetëm 12% të imamëve me përgatitje superiore, derisa tashmë kemi mbi 80% të imamëve brenda Republikës sonë që kanë përgatitje superiore. Nëse para 20 vjetësh kemi pasur një doktor të teologjisë, sot kemi mbi 55 të tillë, e të mos flasim për magjistratura e të tjera. Kjo vetvetiu dëshmon se pa liri, në asnjë mënyrë nuk do të mund t’i arrinim kapacitetet që i kemi arritur. Liria na e solli këtë mundësi dhe studentët tanë shkuan sikur “bletët” që dalin për ta kërkuar nektarin për ta sjellë në fole, e të kthehen në Kosovë që t’i kontribuojnë vendin të tyre. Sigurisht që gjatë këtyre studimeve kemi pasur raste, e që falë Zotit nuk janë numër i madh, që studentët tanë janë kthyer nga disa shtete me adete, zakone e tradita, të cilat bien ndesh me traditat e zakonet e kombit shqiptar. Edhe këtu Bashkësia Islame e Kosovës ka bërë një punë jashtëzakonisht të madhe në rivetëdijësimin e tyre për ta bërë dallimin mes traditës e zakonit që kanë kombe të ndryshme dhe atyre që ka vetë kombi shqiptar, që ato të mos përzihen, ngase sjellin vetëm të liga brenda kombit tonë. Sigurisht se në këtë drejtim është punuar shumë dhe mund të them se janë arritur rezultate të kënaqshme. Kemi punuar vazhdimisht që atyre t’ua bëjmë me dije se indoktrimimi i mundshëm, me mësime të cilat nuk i përkasin mësimeve burimore islame apo tentativat e individëve, grupeve të ndryshme që në një farë mënyre të devijojnë nga kursi i deritanishëm i jurisprudencës islame këtu brenda kombit shqiptar, qofshin ata në Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi, kudo që jetojnë, kanë qenë, janë dhe në të ardhmen do të jetë të pavend.

Hoxhallarët tanë, edhe në të kaluarën kanë qenë shumë të përgatitur dhe e kanë shpjeguar dhe e kanë shtjelluar Islamin burimor ashtu siç duhet te masa e gjerë e popullit. Asnjë imamë, në asnjë mënyrë, nuk guxon që të jetë në shërbim të dikujt tjetër, të punojë për interesa të dikujt tjetër, të punojë për interesa klanore, grupore, e të cilat mund të vijnë me sugjerime edhe nga jashtë Kosovës, në mënyrë që këtu brenda shoqërisë sonë të krijohet një turbulencë, e cila do t’i bënte dëm vetë Kosovës sonë, vetë identitetit tonë kombëtar dhe fetar. Ne këtu duhet të jemi edhe më të fortë dhe më unikë, duke ua bërë me dije të gjithë atyre se Kosova është vendi ynë, është shteti ynë, për të cilin është derdhur gjak dhe kanë rënë me qindra e mijëra dëshmorë për ta fituar këtë liri të cilën ne sot e gëzojmë. Andaj, nisur nga ky parim, po ndërlidhem me pjesën e dytë të pyetjes: BIK-u ka mbajtur trajnime me imamë, por edhe në mbledhjen e fundit të Kryesisë së BIK-ut, që është mbajtur para pak ditësh, është marrë një vendim, e i cili për mua është vendimi më me vend. Aty është vendosur që të gjithë studentët, të cilët kryejnë studimet jashtë Kosovës, t’i nënshtrohen dy semestra Akademisë së Bashkësisë Islame, në mënyrë që, krahas mësimeve që kanë marrë nëpër botë, ata të njihen edhe me realitetin që mbretëron në Kosovë. Pse? Sepse, ne duhet që vetes sonë mos t’ia lejojmë t’i kënaqim të tjerët me lëshimet, me pësimet tona.

Bashkësia Islame e Kosovës, tashmë disa çështje primare që ka pasur, siç ka qenë forcimi i kuadrit, shkollimi i tij, ngritja e infrastrukturës, mund të them që në një përqindje të madhe veçse i ka përfunduar, andaj besoj që ky mandat, do të jetë mandat ku ne do t’i kushtojmë rëndësi të madhe vetëdijesimit të imamëve, të nëpunësve tanë, mirëpo edhe të xhematit, ashtu që xhemati të mos bie pre e disa organizatave të huaja, të cilat janë në Kosovë, e të cilat kanë tentativa të vazhdueshme, dhe po them, janë të drejtuara direkt edhe kundër vetë shqiptarëve.

  • A mund të kemi një rifunksionalizim të rolit të imamëve për ta rikthyer institucionin e mejtepit, dhe të përgatitjes së një kurrikuleje unifikuese, e cila do të realizohej në tërë territorin e Kosovës, meqë kërkesa për futjen e lëndës fetare nëpër shkollat tona ende nuk po has në mirëkuptimin e qeveritarëve? Cili është edhe roli i mualimeve tashmë së fundi në këtë fushë?

Çdo imam, kur krijon marrëdhënie pune me Bashkësinë Islame të Kosovës, nënshkruan kontratë, ku obligohet edhe për mësim-besimin në xhami. Besoj që edhe kjo, aplikimi në shkolla, do të ndodh në të ardhmen e afërt, sepse tashmë është standard evropian. Por, kemi disa nga imamët, të cilët i ikin kësaj përgjegjësie. Kjo është për të ardhur keq, se përse imami nuk e ndien këtë përgjegjësi aq sa duhet në shpirtin e tij. Nesër kur do të dalim para Zotit, do të dalim me këtë vakum, do të dalim me këtë mungesë para Zotit, me atë që nuk e kemi mbajtur fjalën për diçka që jemi zotuar. Sigurisht se ka imamë të shumtë, të cilët në mënyrën më të mirë të mundshme i kryejnë këto detyra, dhe dëshiroj t’i përgëzoj për punën madhore që kanë bërë dhe që po bëjnë.

Siç potencuat edhe ju, mualimet janë ato, të cilat kohëve të fundit po japin një kontribut të jashtëzakonshëm në këtë drejtim. Unë kisha dashur që lënda fetare të futet nëpër shkolla, por në mungesë të saj, jemi detyruar që ta zhvillojmë mësimin në xhami, ashtu që fëmijët tanë të kenë mundësi, sikur bashkëmoshatarët e tjerë në Evropë, ta njohin fenë e tyre, ta dinë se cilës fe i përkasin, kush janë ata, cilat janë obligimet e tyre dhe cila është përgjegjësia e tyre. Kjo ne na imponohet si kërkesë, edhe për shkak të përhapjes së dukurive negative, siç është përdorimi i substancave narkotike, pastaj vetëvrasja si një dukuri e pasluftës, që ka një përqindje aq të madhe, sepse para luftës kemi pasur shumë rrallë ngjarje të tilla. Pastaj, dhuna në familje, në veçanti tash kohëve të fundit ndaj grave, ku fatkeqësisht kemi shumë gra që janë vrarë, mirëpo kemi edhe një dhunë sistematike ndaj tyre. E roli i imamit këtu është më se i domosdoshëm. Pastaj kemi fatkeqësi të shumta që po ndodhin në komunikacion, dhe kjo si rrjedhojë e mospërfilljes së direktivave, të cilat dalin nga Kurani dhe nga thëniet e Muhamedit a.s. për ruajtjen e jetës sonë dhe të të tjerëve. Një dukuri tjetër, shumë rrëqethëse është vëllavrasja që e kemi brenda shoqërisë sonë. Këto edhe shumë të tjera, na tregojnë se ne imamët, por jo vetëm, mirëpo të gjitha institucionet e vendit, të gjitha strukturat, duhen bashkuar forcat në një, për t’i zbutur sadopak, edhe nëse nuk arrijmë t’i shërojmë tërësisht. Këto ndodhi sikur trokasin në zemrën, në shpirtin e në mendjen e çdonjërit prej nesh, në veçanti të imamit, i cili ka obligim, urdhër nga i Madhi Zot, që të japë kontribut në luftimin e gjërave të liga, të cilat kanë marrë hov, janë prezentë dhe po shtohen brenda shoqërisë sonë.

  • I nderuari Myfti, ne shqiptarët e Kosovës, duke qenë një komunitet me shumicë myslimane, që jetojmë në kontinentin evropian, si duhet që të ekuilibrojmë në njërën anë lidhjet shpirtërore që na lidhin me vendet e shenjta të cilat gjeografikisht janë në lindje (Mekë, Medinë), dhe në anën tjetër të mbajmë lidhjet gjeopolitike me perëndimin e instancat veri-atlantike ku e synojmë integrimin tonë në të ardhmen?

Jo vetëm Islami si fe, por edhe kombet e tjera që janë këtu, fetë, po them pasuesit e librave të shenjta në Evropë, që të gjithë, të krishterët, hebrenjtë, janë të lidhura me Lindjen, atje kanë vendzbritjen e shpalljeve dhe dërgimit të të dërguarve, andaj kjo është një e përbashkët e të gjithëve. Sikur ne që e kemi burimin atje, edhe të krishterët, edhe hebrenjtë, edhe protestantët, e kanë burimin atje. Pra të gjitha burimet janë të lidhura atje.

Diversiteti është prezent në shoqëritë evropiane. Shumica e evropianëve brenda Bashkimit Evropian i përkasin besimit të krishterë, dhe ne si myslimanë autoktonë, marrim pjesë vetëm me 5% brenda BE-së, ngase myslimanë autoktonë janë vetëm shqiptarët dhe boshnjakët. Ne jemi qytetarë, që Zoti na ka krijuar këtu në këtë vend, ky është vatani-atdheu ynë. Ky është vendi ynë dhe ne jemi pjesë e pandarë e Evropës. Besimet duhet të na afrojnë e jo të na ndajnë, të krijojmë ura miqësie edhe më të forta mes vete. Ne vazhdimisht duhet të trokasim në dyert e familjes së madhe evropiane, ngase aty e kemi vendin. A duhet ne të ndihemi të kompleksuar kur trokasim në këto dyer? Absolutisht jo! Unë jam evropian, i përkas këtij kontinenti dhe dëshiroj të ulem rreth sofrës evropiane, sepse Zoti këtu më ka krijuar. Meqë më ka krijuar këtu, unë kam obligim ndaj kombit shqiptar.

Përgjithësisht, ne, Shqipëria, Maqedonia e të tjerë, kudo që jetojnë shqiptarët, duhet t’ua bëjnë me dije evropianëve se besimi nuk guxon të jetë pengesë për integrimin sa më të shpejtë brenda familjes së madhe evropiane dhe unë asnjë pengesë sado të vogël nuk e shoh në këtë aspekt. Në këtë drejtim, edhe imamët, edhe ne si Bashkësi Islame duhet dhënë kontribut, se këtë e kemi obligim ta bëjmë.

  • I nderuar myftiu, a mendoni që vonesa e rregullimit të infrastrukturës ligjore brenda shtetit të Kosovës rreth bashkësive fetare ka qenë hendikep për zhvillimin me ritëm normal të Bashkësisë Islame të Kosovës (miratimi i Ligjit për Liritë Fetare që së fundi u miratua nga Qeveria e Rep. të Kosovës dhe Komisioni për të Drejtat e Njeriut në parlament në maj të vitit 2023)? A i përmbushë ky ligj, tashmë i publikuar, standardet e avancuara të vendeve të zhvilluara dhe aspiratat e komunitetit mysliman në Kosovë?

Jo vetëm për Bashkësinë Islame të Kosovës, por për të gjitha bashkësitë fetare të Kosovës, ka qenë, është dhe do të mbetet një hendikep i madh mungesa e ligjit dhe qartësimit të pozitës juridike të bashkësive fetare në Kosovë. Ne kemi pengesa ndonjëherë të pakapërcyeshme gjatë punës sonë të përditshme që kemi si bashkësi, andaj shumë herë kemi folur në lidhje me këtë problematikë. Besoj që Qeveria e Kosovës ka vullnet për ta bërë këtë, ka pasur edhe në të kaluarën, ka edhe tash. Ne kemi një bashkëpunim, çka është shumë e vërtetë, por kemi edhe pengesa, të cilat duhen shikuar edhe një herë, ngase vërejtjet të cilat shkojnë nga një komunitet, në këtë rast në veçanti në komuniteti më i madh shumicë në Kosovë, nga Bashkësia Islame, besoj që komisioni i Qeverisë duhet t’i marrë në konsideratë, t’i shqyrtojë dhe ato të futen brendapërbrenda atyre neneve të atij ligji. E sa shoh unë, në këtë drejtim, kam përshtypjen se ky ligj do t’u imponohet bashkësive fetare, në këtë rast, me të madhe Bashkësisë Islame të Kosovës. Do të imponohet diçka që për ne do të jetë e papranueshme, mirëpo e respektueshme, sepse nëse aprovohet ligji kështu siç është, nuk dua të bëjë ndonjë krahasim apo analogji, mirëpo, i përngjanë ligjit në Rusi, fjala është për dy-tri nene, të cilat do të mundësonin formimin e më shumë bashkësive si në Moskë, ku janë lejuar të formohen njëmbëdhjetë bashkësi islame. Të lejosh që sot në Kosovë, me pesëdhjetë nënshkrime të bëhet bashkësi fetare, do të thotë ta shkatërrosh shoqërinë kosovare, kjo do të thotë që ndoshta pa e menduar mirë, të ndahen edhe myslimanët në entitete të veçanta. Kosova ka një Myfti, dhe brenda kësaj ombrelle janë të gjithë myslimanët, qofshin ata turq, boshnjakë, goranë apo egjiptian, çfarëdo qofshin ata që i përkasin besimit islam. Me këtë do të krijohet mundësia e krijimit të shumë bashkësive fetare, që më pas, do të detyrohet prapë Qeveria e Kosovës që të rikthehet në këtë që po e them unë. Pse? Sepse ne duhet ta ruajmë Kosovën si sytë e ballit. Ne duhet të mos lejojmë që asnjëherë feja të jetë pengesë e proceseve. Ne nuk guxojmë që tash me këtë ligj t’ju mundësojnë të kemi bashkësi islame një etnike dhe të fraksioneve të ndryshme, si të vehabistëve, selefistëve, egjiptianëve, goranëve, boshnjakëve, turqve etj.. Ne këtu i kemi dhënë vërejtjet tona, ju kemi thënë që të merrni modele vendet e rajonit që i kemi përreth nesh, si shembull Kroacinë, dhe ta aprovoni, mirëpo siç po shihet nuk është një gatishmëri e tillë. Unë do të mundohem me tërë fuqinë që të ndikoj që ky ligj, kështu si është, të mos aprovohet, të mos kalojë.

  • Kur jemi te kohezioni ndërfetar në Kosovë, si një vlerë e dëshmuar e popullit tonë me shekuj, a keni bindjen se ndonjëherë roli i Bashkësisë Islame në këtë rrafsh disi edhe është marngjinalizuar?

Po, madje edhe shumë është margjinalizuar. Nëse ne e shikojmë paksa të kaluarën dhe punën që tash bëjmë, se sa i kushtohet kujdes kësaj nga institucionet që duhet ta kenë hatër punën që është bërë, sikur shihet se asnjëherë, po shprehem kështu, nuk ju ka dhënë haku që e meriton Bashkësia Islame. Nuk është e tepërt dhe të ripërsëritem. E kam përmendur sa herë, është e papranueshme dhe jonjerëzore të dëgjosh shumë herë, po them çdo ditë fjalë fyese në raport me besimin. Në anën tjetër, atë që e ka bërë Bashkësia Islame e Kosovës, pak kush e ka bërë në Kosovë, në veçanti nga viti 89’ e këndej. Faktet flasin. Kur arritëm që ta largojmë pluhurin e sistemit komunist në petkun e Bashkësisë Islame që për një kohë të gjatë i kishte pluhurosur xhamitë, vendet ku ne adhurojmë Zotin tonë, atëherë, sikur neokomunistët u rizgjuan nga një pushim i tyre i përkohshëm dhe i dhanë vetes detyrë që të bëjnë edhe më shumë se prindërit e tyre, duke sulmuar çdo gjë që është islame në Kosovë. Si institucion kemi bërë shumë edhe për ta ruajtur kohezionin, mirëpo shumë pak është dalë në pah puna jonë. Në vitin 1989, unë atëherë kam qenë përgjegjës për ndihmat që vinin nga Bosnja dhe Hercegovina. 220 maune me ndihma, me ushqim e veshmbathje patën ardhur nga Bosnja, dhe kurrë këtë askush nuk e përmend. Medreseja edhe në atë kohë ishte shndërruar në magje për popullin, prej ku ushqehej populli anekënd Kosovës. Pastaj, kështu vazhduam deri në luftën e fundit dhe e dimë ne të gjithë se sa është bërë dhe çfarë ka bërë Bashkësia Islame e Kosovës, në atë kohë me në krye dr. Rexhep ef. Bojën. E dimë se çfarë ka bërë Medreseja në atë kohë kur unë vetë isha drejtor, dhe sa është kontribuuar në këtë drejtim. Mbi 1230 tubime të karaktereve të ndryshme janë mbajtur në Medrese, pastaj 37 imamë kanë ra shehidë. Serbia ka pasur qëllim edhe spastrimin etnik edhe fetar këtu. Kur ndalemi dhe e analizojmë, p.sh. nëse e marrim vetëm Prishtinën, vetëm institucioni i Bashkësisë Islame është djegur, është djegur arkiva gjashtëqind e sa vjeçare. Janë djegë shtëpitë e krerëve të BIK-ut, shtëpia e Rexhep Bojës e shumë të tjerëve.

Kosova është unike, do të jetë shumë e fortë, ne duhet të punojmë për ruajtjen dhe respektimin e besimeve në vend, duke respektuar besimin e njëri-tjetrit dhe duke e ditur se ne jemi shqiptar dhe se kemi një gjak, një flamur, një vatan dhe ju përkasim kryesisht tri besimeve, islam, krishterë, pra katolik e ortodoks. Ne do të punojmë që bashkërisht ta ruajmë këtë unitet, duke ruajtur kështu këtë thesar që e kemi trashëguar me shekuj nga të parët tanë. Këtë begati nuk guxojmë në asnjë moment, me asnjë çmim ta lëkundim, sepse nëse lëkundim këtë kemi bërë mëkat, ngase Zoti na ka mësuar në Kuran që ne duhet t’i respektojmë besimet e njëri-tjetrit, siç ka thënë Ai: “Ju keni fenë tuaj, ata kanë fenë e tyre.” 

  • I nderuari Myfti, ditëve të fundit janë shfaqur grupe të kompleksuara me identitetin e tyre fetar. A ju shqetëson diskursi i tyre që për burim duket se ka inferioritetin identitar? A e keni përshtypjen se ata mund ta lajthisin ndonjë shtresë shoqërore, përderisa thërrasin publikisht për braktisje të Islamit?

Për mua është vërtet e çuditshme dhe nuk po mundem ta konceptoj atë që po dëgjoj nganjëherë në televizionet tona apo që po lexoj në portalet tona, kësaj nuk mund t’i them asgjë më tepër vetëm se çmenduri e kohës dhe ligësi e madhe në raport me besimin islam që e kanë përqafuar shumica dërmuese e këtij populli. Çështja e përcaktimit të besimit është kryer me shekuj në Kosovë, dhe unë kam bindjen e thellë se kështu do të vazhdojë. Le të na sulmojnë, kurse ne do të punojmë, ne do ta ruajmë njëri-tjetrin, do ta respektojmë besimin e tjetrit, do ta ruajmë tolerancën, do ta ruajmë vëllazërinë mes vete, por qe besa edhe këtyre duhet t’u themi “mjaft!”, ngase nuk është as edukative, e as njerëzore që dikush ta fyejë besimin e dikujt.

Unë mendoj se këto thirrjet e fundit janë prodhim i këtyre fyerjeve të vazhdueshme, në veçanti tash e 20 vjet, që, përmes ekranit, shtypit, librave, gazetave që kanë qenë apo edhe portaleve, i bëhen ndjenjës islame në Kosovë. Në këtë drejtim është punuar dhe është investuar shumë nga qarqe të ndryshme. Në këtë drejtim po them që ka argat të ndryshëm, dhe kjo argati e tyre dihet se shkon direkt në dëm të të qenit shqiptar, në dëm të kombit, atdheut e vatanit tonë. Unë edhe këta i kam parë, me disa bile gjatë luftës kemi punuar shumë dhe ata i pashë se pas tubimeve të tyre, ata ishin nëpër xhamia për ta falë xhumanë, por ata thirren në shqiptari. Sigurisht se brenda një shoqërie mund të ketë individë që kanë keqkuptuar dhe kanë keqinterpretuar, mirëpo, ky flamur nuk duhet të merret dhe më pas të krijohet urrejtje ndaj një besimi, në këtë rast të besimit islam, e më pas të mbahen e të krijohen forume me lëvizje çfarë po themi se trumbetojnë në shqiptarizëm.

Unë dua të them publikisht se i përkas një familje endeshiste (Lëvizja Nacionale Demokratike Shqiptare) dhe jam i edukuar në këtë frymë. Mua më kujtohet sikur sot, babai im (rahmet pastë!), i cili ka vdekur në moshën 51-vjeçare, në vitin 1968, kur ka ardhur në shtëpi i gjakosur, ka ardhur me flamur nën sqetull. Vazhdimisht e kemi pasur të varur flamurin në odën tonë, e ylli i vogël asnjëherë nuk është dukur, gjithnjë ka qenë i mbuluar. Unë e di që nga klasa e parë që asnjëherë nuk kam shkuar në shkollë me fotografinë e Titos në libër, ngase babai im e ka shqyer menjëherë atë, në praninë time. Kështu jam edukuar unë. Flamuri është një armatosje e brendshme shpirtërore që të shtyn ta japësh edhe jetën për atdheun, për flamurin, për të gjitha. Unë jam i vetëdijshëm se këto që po i them, edhe mund të keqinterpretohen dhe keqkomentohen, mirëpo kështu është, dhe vazhdimisht do të mbetet kështu.

E kemi qartësuar edhe në 89’ përcaktimin tonë çfarë kemi pasur, e keni të incizuar më 10.06.1989 dhe do të bindeni se çfarë ka qenë vizioni i Bashkësisë Islame atëherë edhe tash.

E kam thënë dhe po e përsërisë, të jesh besimtar i mirë i besimit islam, do të thotë të jesh atdhetar i mirë. Ai i cili është kundër atdheut, kundër flamurit, ai nuk është mysliman i mirë, ngase është kundër asaj që porosit Zoti. Veprimet e tyre sanksionohen edhe me ligj, mirëpo askujt nuk i bie ndërmend që të bëjë një gjë të tillë nga institucionet e vendit. Të fyesh ndjenjat e besimit, çfarëdo besimi qoftë, ajo penalizohet me ligjet në Kosovë dhe këta duhet të penalizohen. Çdonjëri është i lirë në besim, por nuk është i lirë ta fyej besimin e tjetrit. Askush nuk është i lirë të dalë e ta shaj Islamin dhe të thërras për largim prej Islamit.

  • Krejt në fund, çfarë i ofron Islami një shoqërie bashkëkohore kosovare, nëse kuptohet dhe praktikohet mirëfilli pa lajthitje e devijime tendencioze? A mund ai të ofrojë zgjidhje për brengat dhe fenomenet shqetësues që ndonjëherë na duken se për to nuk ka kurrfarë zgjidhjeje?

Islami fe e Zotit, si i tillë është shërues, që shëron sëmundje që janë brenda shpirtit, mendjes e logjikës së njeriut. Nëse njeriu ka kapacitete ta marrë atë ilaç, atë bari shërues, ashtu siç duhet, pa kapërcyer kufijtë, ai do t’i ofrojë individit një model jetese për të mirë. Islami është shprehje hyjnore, nuk është prodhim i mendjes. Nuk është produkt i angazhimit të individit apo shoqërisë, por është shprehje hyjnore e të Madhit Zot, i dërguar te Pejgamberi a.s., në këtë rast, Kurani te Muhamedi a.s., përmes melekut Xhibril. Kur themi shprehje hyjnore, do të thotë, janë njohuri që i ka zbritur i Madhi Zot, dituria e të Cilit është absolute, e pakufizuar. Me këtë rast shohim se ato mësime plotësojnë në vazhdimësi nevojat që ka individi, familja dhe shoqëria.

Mua njëherë më është bë një pyetje: “A lejon Islami reforma?” I kam thënë: “Jo, Islami urdhëron reforma”. Reforma në mënyrën e thirrjes në Islam e të tjera, mirëpo nëse e quajmë reformë ndryshimin e asaj që e ka urdhëruar Zoti dhe asaj që e ka ndaluar, atëherë ajo nuk mund të jetë reformë e as fe, ngase një fe që ndryshon sipas stinëve apo sipas politikave ditore, ajo nuk është fe.

Ta marrim një shembull konkret: Zoti xh.sh. na ka thënë që është haram vrasja. A të reformohemi e të themi që është hallall? Jo, jo! Ajo është e prerë deri në Kiamet. Përdorimi i alkoolit është haram, këtu nuk ka reformim, ngase është urdhër i Zotit. Zoti ka urdhëruar namazin, a të bëjmë reforma që të mos falemi?! Jo! Në çdo pore tjetër të jetës së kësaj bote, në çdo fushë tjetër të Islamit, duhen praktikuar reformat nëse ato shpijnë kah e mira, apo ka një përparim për individin, familjen apo shoqërinë mbarë. E tentativat e disave që ta ngushtojnë, që ta ngufatin Islamin, duke ngrit zëra të pakuptueshëm e duke ngrit teza të pakuptueshme, janë kundër dhe që edhe unë i urrej.

Ne themi që Islami është sikur një dritë, për të gjithë njerëzit që dëshirojnë të marrin dhe të pajisen me këtë dritë, të pajisen me këto mësime, të cilat kishin me ua ndriçuar rrugën dhe kishin me i udhëzuar kah e mbara dhe e mira. Po flasim për një Islam të mirëfilltë, ngase e keni dëgjuar duke thënë “Islami politik”, “Islami ekstrem”, jo, jo, nuk ka Islam politik e as Islam ekstrem, ka myslimanë që merren me politikë. Nuk ka as Islam ekstrem e as Islam radikal nuk ka. Mund të ketë myslimanë radikalë e ekstremë, ashtu qysh ka edhe te fetë e tjera. Të dalësh e të bësh keq në emër të fesë, të dalësh e të vrasësh në emër të fesë, kjo është kundër logjikës, kundër Kuranit, kundër mësimeve të Zotit, e kundër mësimeve të Muhamedit a.s.. Prandaj, ne si shoqëri islame, si shoqëri shqiptare me shumicë, duhet të bëjmë edhe më shumë në ruajtjen e unitetit, duhet në vazhdimësi të ndihmojmë proceset nëpër të cilat po kalon Kosova, për të arritur aty ku dëshirojmë të gjithë.

Lusim Zotin xh.sh. që të na bëjë prej atyre që i përjetojnë ato dëshira që i kemi bashkërisht dhe që Kosova të jetë një shtet shembull, jo vetëm në rajon, por edhe më gjerë! Ju faleminderit!

Shfaq më shumë në Aktuale

Shfleto

U mbajt mbledhja e Këshillit organizativ për Konferencën “Myftiu dr. Rexhep Bojës – prijës vizionar dhe burrështetas i shquar”

Prishtinë, më 7 tetor 2024 Këshilli organizativ i Konferencës shkencore “Myftiu dr. Rexhep…