(Shkruan: Ragmi ef. Destani – autori është kryetari i KBI të Bujanocit)
Nëntë ditët para Kurban – Bajramit dhe e dhjeta dita e Kurban Bajramit, janë ditët më të vlefshme të të gjithë vitit tek Allahu i lartëmadhëruar. Këto dita fillojnë nga dita e hënë më 19 qershor dhe deri në ditën e Kurban – Bajramit më 28 qershor ditë e mërkurë. Allahu i lartëmadhëruar është betuar në këto dita, që nënkupton vlerën e tyre të madhe, e që besimtarët mysliman ti shfrytëzojnë dhe të mos dalin të humbur nga kjo vlerë e madhe.
Allahu në Kuran thotë: “Betohem për muzgun e agimit, dhe për dhjetë netët (e para të muajit Dhul Hixhxheh )”. Kuran 89 / 1 – 2 Ndërsa Pejgamberi Muhamedi a.s. nga shumë hadithe që flet për këto ditë, në këtë hadith thotë: “” Nuk ka ditë, që vlera e punëve tek Allahu është më e dashur se në këto dhjetë ditë. I thanë Sahabet: As lufta e shenjtë në rrugën e Allahut o i Dërguar i Allahut? Tha: As lufta e shenjtë për hirë të Allahut, përveç se një person që ka dal në luftën e shenjtë duke sakrifikuar veten dhe pasurinë e tij, dhe i ka humbur të dyjat“”.
Transmeton Buhariu: Këto pra, janë ditët më të vlefshme të vitit, ku Muhamedi a.s. thotë: “”Ditët më të vlefshme të dynjasë janë këto dhjetë ditë “” . Sahih el-Xhamiu Sagir. Allahu i madhëruar i nderoi robërit e Tij me këtë dhuratë të madhe, që ata ta shfrytëzojnë dhe të përfitojnë prej kësaj dhurate me adhurime, bamirësi, lutje etj.
Shkaku i vlerësimit të këtyre ditëve është se, në këto dita është: Dita e Arafatit, kryerja e haxhit me të gjitha veprimet që përmban, dita e Kurban Bajramit, therja e Kurbanit etj. Vlera e adhurimeve dhe veprave të tjera të mira, shumëfishohet me shpërblime të mëdha nga Zoti. Andaj të jemi të vëmendshëm që këtë dhuratë të madhe të Allahut tonë të madhëruar, ta e marrim me shumë seriozitet dhe shumë sinqeritet, që përmes adhurimeve dhe angazhimeve tona, të përfitojmë nga të mirat e Zotit, si në këtë botë, por në veçanti për botën pas vdekjes.
Çfarë duhet të bëjmë në këto ditë?
Thotë Pejgamberi Muhamedi s.a.v.s.: “Nuk ka dita më të mëdha te Zoti dhe punë më e dashur te Zoti se sa në këto dhjetë dita. Thuani sa më shumë gjatë tyre: La Ilahe il-Lallah,, Allahu ekber,, dhe Elhamdulilah “. (Ahmedi).
Nga veprimet që është mirë t’i bëjmë në këto dita:
- Pendimi nga të gjitha mëkatet, duke kërkuar nga Zoti që të na falë mëkatet, duke i theksuar ato. Dhe gjithashtu përmes KËRKIMFALJES ( ESTAGFIRULLAH ), e që duhet ta themi sa më shumë dhe sa më shpesh.
- Tu kërkojmë falje njerëzve që i kemi bërë zullum (padrejtësi), qoftë përmes fjalës, apo ndonjë veprimi, apo kthimin e borxhit, apo pagesave të veresive etj.
- Ti kryejmë namazet farze me rregull, sepse lënia e namazit farz konsiderohet ndër mëkatet më të mëdha në raport mes njeriut dhe Zotit.
- Bamirësia ndaj prindërve. Gjithashtu edhe ndaj farefisit tënd të familjes së afërt.
- Të largohemi nga të gjitha mëkatet. Qofshin ato edhe të voglat sipas mundësive, sepse mëkatet në këto dita janë shumë më të mëdha se në ditët tjera.
- Agjërimi vullnetar i nëntë ditëve, apo edhe ndonjë dite të veçantë nga këto dita. Muhamedi a.s. thotë: ”Kush agjëron një ditë për hirë të Allahut, atij Allahu do t’ia largon fytyrën nga zjarri për 70 vite “ Transmeton Buhariu dhe Muslimi.
- Sadakë për çdo ditë nga këto dita. Sadaka ka një vlerë të madhe tek Allahu, andaj regjistrojeni veten tuaj në regjistrin e Allahun, se ishin nga sadakadhënësit për çdo ditë të këtyre ditëve.
- Namazet nafile, qofshin synetet e pesë farzeve, namazi i natës, namazi i paraditës etj.
- Leximi i Kuranit, sepse përmes leximit të Kuranit përfiton ndriçim në varr dhe shpëtim nga zjarri në ditën e gjykimit.
- Përmendja e shumtë e Zotit. Është ndër adhurimet më të lehta dhe me vlerë shumë të madhe. Muhamedi a.s. thotë: “.. Thuani sa më shumë në këto dita: La Ilahe il-Lallah, Elhamdulilah, dhe Allahu Ekber“. Transmeton Ahmedi.
- Preferohet agjërimi i ditës së Arafatit për ata që nuk janë në Haxh (( Bedaiu Sanaië 2 / 76 )). Ku për këtë Muhamedi a.s thotë: “Agjërimi i ditës së arafatit duke e llogaritur për Allahun, i shlyen mëkatet (e vogla) e vitit që po kalon dhe vitit të ardhshëm “”. Transmeton Muslimi, Termidhiu etj.
- Mundohu që të hulumtosh një familje që ka nevojë, dhe ta gëzosh atë familje, duke i përgatitur (financuar) sofrën e Bajramit dhe duke ia gëzuar fëmijët me veshje për Bajram.
- Mos rri neglizhent në këto dita duke të ikur koha, por aktivizohu në maksimum me të gjitha format e adhurimit dhe bamirësisë.
- Të mundohet gjithkush që ta aktivizon familjen tij në këto dita, përmes adhurimeve të përbashkëta dhe lutjeve për mirësi, dashuri dhe harmoni familjare.
- Bëhu shkaktar që ta tërheqësh dikë në këto të mira, dhe mos lejo që dikush të të tërheq ty nga këto të mira të mëdha të Zotit.