Me ftesë të një grupi mërgimtarësh, më 14 dhe 15 prill, drejtori për Diasporë në Kryesinë e Bashkësisë Islame të Kosovës, Ekrem ef. Simnica, qëndroi për vizitë në Finlandë.
Fillimisht ai qëndroi në Qendrën Islame Shqiptare “Dituria” në Helsinki në të cilën u mirëprit nga imami i xhamisë, Enis ef. Qabrati, i shoqëruar edhe nga kryetari i kësaj qendre, si dhe nga një grup i xhematit.
Kjo qendër përpos xhamisë, ka edhe objektet përcjellëse, të cilat e bëjnë qendrën edhe më funksionale dhe më të shfrytëzueshme për bashkatdhetarët tanë.
Drejtori Simnica mori pjesë në iftarin me xhematë, të organizuar kjo qendër, e më pas mbajti edhe një ligjëratë, në të cilën ua uroi muajin Ramazan të gjithë bashkatdhetarëve tanë, duke ju dëshiruar agjërim të lehtë dhe të pranuar.
Më pas, drejtori Simnica, i njohu ata me zhvillimet e përgjithshme në Kosovë, e në veçanti me punët, angazhimet, të arriturat, por edhe sfidat me të cilat ballafaqohet institucioni i Bashkësisë Islame të Kosovës.
Pas kësaj, drejtori Simnica i priu edhe namazit të teravive në këtë qendër.
Të nesërmen, më 15 prill, në shoqërinë e anëtarit të Kuvendit Komunal, z. Xhemal Jashanicës, drejtori Simnica vizitoi xhaminë në Turku, në të cilën u mirëprit nga imami, Artan ef. Osmani, njëherësh edhe kryetar i kësaj qendre.
Drejtori Simnica në këtë qendër mbajti një ligjëratë, në të cilën foli rreth punëve dhe angazhimeve të institucionit të BIK-ut.
“Më lejoni që në emrin tim personal, në emër të Myftiut Tërnava, si dhe në emër të Bashkësisë Islame të Kosovës t’u uroj dhe t’u përgëzoj për muajin e madhërishëm Ramazan, për punët dhe aktivitetet madhore që po i bëni në xhaminë tuaj, por kam nderin që t’i uroj dhe t’i përgëzoj të gjithë besimtarët islam për këtë muaj të devotshmërisë, solidaritetit, durimit e barazisë, që të jemi aktivë dhe mirënjohës për këto mirësi që na i dha Krijuesi ynë” – the ndër tjera drejtori Simnica.
Gjatë kësaj vizite, drejtori Simnica mbajti edhe hytben e xhumasë, si dhe i priu namazit të xhumasë.
Në mbrëmje, drejtori Simnica me një grup xhemati në Helsinki u pritën në iftar nga ishnxënësi i Medresesë z. Blerim Tërnava.