Driton Arifi
(Trajtesë krahasuese në mes tatimeve-taksave shtetërore dhe zekatit)
Në konceptin islam tatimet e karaktereve të ndryshme ekonomike s’mund të konsiderohen asnjëherë burim kryesor i të ardhurave shtetërore, veçanërisht kur dihet fakti se ato janë diskutuar gjerë e gjatë në esencën e ligjshmërisë së tyre nga juristët islamë.
Duke u nisur nga fakti se korniza legjislative islame, e cila përfshin çdo sferë të jetës dallohet për shumë veçori e specifika që i përkasin natyrës së saj, ajo pa dyshim ofron një platformë të veçantë edhe në fushën ekonomike dhe financiare të shtetit. Në kuadër të këtyre specifikave është edhe qëndrimi i Islamit ndaj tatimeve dhe taksave të ndryshme, me të cilat i detyron shteti qytetarët e vet.

Përkufizimi i taksës dhe tatimeve në terminologjinë ekonomike dhe atë islame
Para se të japim gjykimin sheriatik dhe të ofrojmë pikëpamjen e plotë të Islamit rreth këtyre termave, është e udhës të ndalemi në përkufizimet e tyre në aspektin e përgjithshëm ekonomiko-financiar.
Taksë: është detyrimi që i paguhet si kundërshpërblim një zyre ose institucioni publik për shërbimet e tyre, kurse Tatim: është shumë të hollash që merr shteti nga të ardhurat e individëve, fitimet e kompanive ose shitjet e mall-rave për t’u përdorur për shërbime publike.(1) Me gjithë faktin që shpesh gjejmë që këta dy terma të përdoren si sinonime të njëri-tjetrit, sidomos nga ata që s’janë ekspertë të lëmit të ekonomisë, doemos, nëse dëshirojmë trajtimin e kësaj tematike në aspektin profesional, duhet ditur se ato të dyja kanë dallim në koncept, edhe nëse detyruesi i të dyjave mund të jetë aparati shtetëror ose ndonjë organizatë a kompani tjetër private. Prandaj taksa, në këtë kontekst, më shumë u përket tarifave të përcaktuara nga shteti ose ndonjë organizatë që ofron shërbime të caktuara, si uji, energjia, higjiena e të ngjashme. Kurse tatimet kanë të bëjnë më shumë me ato obligime me të cilat tregtarët ose shtresa të caktuara i detyrohen shtetit, kundërvlerë e të cilave nuk është konsumi i qytetarit, por ofrimi i ndonjë shërbimi tjetër publik. Thënë ndryshe, tatimet paguhen më tepër në bazë të të ardhurave ose fitimeve që realizohen dhe mallrave që konsumohen, kurse taksat paguhen për shërbimet e ndryshme që autoritetet shtetërore u bëjnë qytetarëve të tyre.
Tatimet shtetërore në këndvështrimin islam
Përballë termit “tatim dhe taksë”, në literaturën ekonomiko-juridike islame janë përdorur kryesisht disa terma, siç janë ”Ed-daribe, El Meks, dhe Et-teudhiif” dhe me këta terma janë synuar obligimet financiare me të cilat shteti islam i detyron individët për pasuri të caktuara, por pa përfshirë këtu zekatin dhe sadakanë(2). Ose, siç përkufizohet nga Dr. Rif’at El-ivedijj, me tatim “Teudhif” është qëllimi “procedura përmes së cilës udhëheqësi i shtetit i obligon njerëzit që kanë pasuri, të paguajnë shuma të caktuara për qëllime të veçanta legjitime”(3). Në konceptin islam tatimet e karaktereve të ndryshme ekonomike s’mund të konsiderohen asnjëherë burim kryesor i të ardhurave shtetërore, veçanërisht kur dihet fakti se ato janë diskutuar gjerë e gjatë në esencën e ligjshmërisë së tyre nga juristët islamë. Madje diskutimi është bërë për lejueshmërinë dhe legjitimitetin e vënies së tatimeve vetëm pasi shteti t’i ketë kryer të gjitha obligimet e veta ndaj gjërave/detyrimeve, siç janë mbledhja e zekatit, pastaj pjesëmarrja a institucioneve shtetërore në prodhimtari, xehetari, bujqësi e sfera të tjera të ndryshme të zhvillimit ekonomik. Ndërkaq, po t’i hedhim një shikim realitetit të disa prej buxheteve financiare të disa shteteve evropiane, do të vëmë re se ato gati më shumë se gjysmën e buxhetit shtetëror e sigurojnë nga taksat dhe tatimet. Sipas një raporti të vitit 2011, taksat përbënin 58.2% të të ardhurave totale në Bashkimin Evropian.
Ekzistojnë ndryshime të mëdha midis Shteteve Anë-tare: qeveria daneze, për shembull, siguron 84% të të ardhurave të saj nga taksat, kurse në Hungari, në Republikën Çeke, në Sllovaki dhe Slloveni taksat përbëjnë më pak se 50% të të ardhurave të qeverive.(4) Megjithëse mendimi i atyre juristëve islamë që vënien e tatimeve e konsiderojnë të paligjshme, në mënyrë absolute është anashkaluar nga shumica e juristëve të hershëm e nga ata bashkëkohorë dhe nuk përket me realitetin e zhvillimeve të sotme, – atëherë të ndalemi vetëm në disa prej kritereve, kushteve dhe argumenteve sheriatike të atyre që theksojnë ligjshmërinë e vënies së tatimeve e taksave nga shteti islam.
Dijetarët që arsyetojnë vënien e tatimeve, e bëjnë këtë duke u nisur nga interesi i përgjithshëm. Ata thonë se, meqë dikasteret dhe shpenzimet buxhetore të shtetit janë mjaft të zgjeruara (duke filluar nga siguria e brendshme dhe ajo e jashtme, për ta shtrirë tek mbajtja e rendit, shëndetësia, arsimi, gjykatat, transporti publik, mirëqenia sociale e të tjera), tërë këto shpenzime nuk ka mundësi të mbulohen ndryshe, vetëm me prodhimtari ose sektorë të tjerë të ngjashëm, po vetëm nëse caktohen tatime nga shteti, me anë të të cilave do të lehtësohej mbarëvajtja e punëve të aparatit shtetëror. Këtë duhet ta theksojmë sidomos kur dihet fakti se fondacionet e zekatit në Sheriatin islam janë të caktuara se kujt i dedikohen dhe në asnjë mënyrë nuk i lejohet udhëheqësit të ndryshojë destinimet e tyre. Prandaj, edhe nëse në vënien e tatimeve ekziston një frikë reale që udhëheqësi mund të dëmtojë qytetarët e vet përmes taksave dhe tatimeve të mëdha, dëmi nga mosvënia e tyre gjithsesi do të ishte më i madh, ngase do të pamundësohej funksionimi i një pjese të madhe të aparatit shtetëror, ndërsa rregulli juridik islam e thekson qartë: “Ajo pa të cilën nuk mund të kryhet një obligim, edhe ajo në vetvete është obligim dhe domosdoshmëri”(5). Një praktikë të marrjes së tatimeve shtesë nga shteti, përveç përqindjes së zekatit, e gjejmë se zbatohej edhe në konceptin e udhëheqësve të drejtë tek gjeneratat e para. Transmetohet se Umer ibn Hatabi r.a. në fund të jetës tij kishte thënë: ”Sikur të ishte kthyer edhe një herë e kaluara, do të veproja ndryshe, do të merrja pasurinë tepricë nga të pasurit dhe do t’ua ndaja të varfërve muhaxhirë- emigrantë”. Në këtë kontekst transmetohet edhe nga Aliu r.a. se ka thënë: “Allahu u ka bërë obligim të pasurve që një pjesë e pasurisë së tyre t’u takojë të varfërve, aq sa u mjafton për të shmangur varfërinë e tyre, e nëse ata (të varfrit) uriten ose mbesin të zhveshur dhe të pasurit nuk u ndihmojnë atyre, atëherë me të drejtë Allahu prej tyre (të pasurve) do të kërkojë llogari në Ditën e Kiametit”.(6) Këto dy fjalë dhe të tjera të ngjashme, janë marrë si bazë argumentuese nga dijetarët për lejimin e vënies së taksave dhe tati-meve shtesë për të pasurit përveç përqindjes së zekatit. Megjithatë, për ligjshmërinë e vënies së tatimeve dhe taksave shtesë, duhen plotësuar edhe disa kritere, në mënyrë që të pamundësohet keqpërdorimi i kësaj ligjshmërie nga udhëheqësit që ka mundësi të kenë prirje të shthurur materialiste dhe egoiste. Së pari: kushtëzohet ekzistimi i nevojës reale për vënien e taksave dhe nuk ka ndonjë burim tjetër plotësues për këtë. Pastaj, shpërndarja e atyre shumave të mbledhura të bëhet në mënyrë të drejtë e jo sipas interesave të ngushta. Të shpenzohen ato shuma në të mirë të shoqërisë e të shtetit dhe jo në gjëra të ndaluara e mëkate. Dhe, së fundi, të merret pëlqimi nga ekspertët e lëmit përkatës dhe të konsultohen këshilltarët adekuatë përkitazi me këtë çështje.(7)
A mund të zëvendësojnë tatimet shtetërore zekatin?
Në përshtypjen e parë, kur dikush analizon çështjen e zekatit dhe tatimeve shtetërore, mund të mendojë se tatimet dhe taksat që vendosen nga udhëheqësit shtetërorë, janë si zëvendësim i “zekatit “ në konceptin islam. Ose, thënë më mirë, një numër i të pasurve, disa nga naiviteteti e nga injoranca e disa nga dëshira për t’iu shmangur obligimit fetar islam “ zekatit”, mundohen t’i ndërlidhin tatimet me zakatin dhe të pretendojnë se, përderisa ata i paguajnë tatime shtetit për bizneset, të ardhurat dhe pronat (pasuritë) e tyre, atëherë nuk kanë fare obligim ta nxjerrin zekatin. Këtë e bëjnë me arsyetimin se përqindja e tatimeve tejkalon rëndom për shumë herë përqindjen e zekatit dhe, rrjedhimisht, pretendojnë se brenda përqindjes së tatimit në atë kuadër duhet të hyjë edhe zekati. Prandaj, me qëllim që të kristalizojmë këtë çështje, do të sqarojmë dallimet kryesore në mes tatimeve shtetërore dhe, si rrjedhim, do të kuptojmë arsyen pse ato nuk mund të zëvendësojnë zekatin. Tatimet nuk zëvendësojnë në asnjë mënyrë zekatin, ngase këto të dyja kanë dallim në: *Emërtim dhe terminologji.Termi “zekat” gjuhësisht ka domethënien e pastrimit (të zekatdhënësit, por edhe të vetë pasurisë), e pastaj përmban domethënien e zhvillimit dhe begatimit të asaj pasurie, kurse tatimi nënkupton imponimin e një shume të caktuar dhe detyrimin për diçka që është vështirë e përballueshme për individin ose shoqërinë. Zekati krijon bindjen se pasuria e tillë do të rritet, kurse tatimi bën të kundërtën.
*Në esencë dhe koncept. Zekati është ibadet adhurim-ibadet, me të cilin obligohet muslimani si falënderim ndaj Allahut dhe afrim tek Ai. Ndërkaq, tatimi ose taksa është një detyrim i pastër qytetar-shoqëror, dhe asnjëherë nuk mund të konsiderohet si adhurim. Të parin e ka urdhëruar Allahu, kurse të dytin e detyron faktori njeri.
*Në shumat limituese dhe në përqindje. Shuma mbi të cilën obligohet zekati, po edhe përqindja e pasurisë që nxirret si zekat, dallon thelbësisht nga ajo e tatimeve. Pasuritë për të cilat obligohet zekati si dhe përqindjet e zekatit të tyre, janë statike, dhe ato nuk ndryshojnë, pavarësisht nga rrethana të kohës a vendit, kurse ato të tatimeve janë të luajtshme, dhe gjithnjë me tendencë ndryshimi, qoftë për llojin, qoftë edhe për përqindjet e tyre.
*Në fondacione dhe synime. Fondacionet e zekatit janë të përcaktuara nga Allahu i Lartmadhëruar në librin e Tij fisnik. Ato janë të qarta, të njohura dhe nuk ndryshojnë, prandaj nuk lejohet kurrsesi të ketë devijime në orientimin e pasurive të zekatit, ose fondacioneve të tij. Synimi i tyre është shpirtëror, moral dhe shoqëror në të njëjtën kohë. Ndërkaq, shpenzimi i buxheteve tatimore bëhet zakonisht për mbulimin e harxhimeve të sektorëve të shërbimeve publike, por gjithnjë me mundësi ndryshimi dhe orientimi për fonde dhe caqe të reja. Prandaj edhe objektivat e tatimeve janë rrjedhimisht të zhveshura nga ana shpirtërore e morale(8). Prandaj, për fund, duhet të konstatojmë se zekati në asnjë kohë e rrethanë nuk bën të imagjinohet se bie dhe asnjëherë nuk mund të zëvendësohet me tatime, të çfarëdo lloji qofshin ato, madje edhe nëse i pasuri i paguan tatime shtetit islam, në kuptimin e plotë të fjalës. Mirëpo, duhet ditur se zekati duhet të nxirret vetëm nga shuma e pasurisë së mbetur, pasi që të jenë paguar prej saj tatimet –taksat dhe të gjitha detyrimet e tjera financiare, e jo nga fitimi bruto i asaj pasurie.

———————–
(1)Fjalor ekonomik, Maksim Konini dhe Ilia Peqi (f. 294-295) .Bot, 2-të. Botuar nga “Llar”. Tiranë. 1998.

(2) Mu’xhemu lugatul- fukaha. Dr. Ka’lahxhij (f. 255). Bot. 1. Darun-nefais. Bejrut. 1996.

(3) En-nidham el-malij fil-islam, Dr. Rif’at El’ivedij (f. 175). Kairo. El-xhamiatul-emirikijjetul- meftuha.

(4) Politikat tatimore sipas këndvështrimit evropian, Martin Hutsebaut (Dokument i botuar në sajtin www.bspk.org)

(5) El-mevaridul-malijjeh fil-islam, Dr. Ahmed El-Muzejni (f. 52). Bot, 1. Dar Dhatu Selasil. Kuvajt. 1994.

(6) El-muhal-la, Ibn Hazm Edh-dhahirij (6\158), Darul-Afak el-xhedideh. Bejrut.

(7) En-nidhamul malij fil-islam, Dr. Rif’at El-ivedijj. Bot.i Xhamiatul-emirikijje El-meftuha.

(8). Fikhu Zekat, Dr. Jusuf El-Karadavi (2\502-507). Bot. 7. Shtëpia e bot. Err-rrisaleh. Bejrut. 2002.

Shfaq më shumë në Shkrime

Shfleto

HIXHRETI I PEJGAMBERIT A.S.– NJË FAQE E RE NË HISTORINË E NJERËZIMIT

(Shkruan: Resul ef. Rexhepi) إِلَّا تَنصُرُوهُ فَقَدْ نَصَرَهُ اللَّهُ إِذْ أَخْرَجَهُ الّ…