(Nga pena e Husein Gjozo)

Njeriu është shumë i lidhur me nevojat e ekzistencës së tij fiziko-trupore, në mënyrë që të mund të lirohet nga materiet dhe presionet e tij. Përpjekjet për një lirim të tillë nuk do të ishin në përputhje me natyrën e qenies njerëzore, dhe sipas kësaj as në përputhje me mësimet islame. Është fakt i pakundërshtueshëm se njeriu është një qenie fizike, që jeton në kushtet e botës materiale dhe se jeta e tij është më shpesh e lidhur me materien. Karakteristika themelore e ekzistencës së tij në këtë botë është materia pa të cilën nuk mund të ekzistojë.
Islami në tërësi e pranon këtë karakter të jetës së kësaj bote. Nuk ka asnjë germë në Kuran, e jo vetëm ajet dhe rregull që do të mohonte varësinë materiale të njeriut.
Por njeriu, megjithatë, nuk është vetëm materie e as qenie fizike. Ai është padyshim shumë ma shumë se kaq. Nuk është një kafshë e zakonshme që vetëkënaqet me nevojat materiale. S’është edhe më shumë, qenie e pastër shpirtërore që nuk varet nga materia. Është diku në mes kafshës (hajvanit) dhe të melaqes. Aty e ka vendin për nga natyra e qenies së tij. Aty dhe duhet të mbetet. Nuk mund të shpërthejë pengesat e larta, nuk mundet, në formën dhe de-materializimin e tij, të dalë nga kornizat e natyrës njerëzore dhe varësisë nga materia. Ngritja njerëzore është e kufizuar. Nuk mund të dalë nga materia.
Por, në linjën e rrënjës nuk ka kufij. Njeriu mund t’i kthehet kafshës dhe madje të jetë më keq se ajo. Nuk është thënë pa arsye: “Nëse i thua njeriut që është kafshë, e keni ofenduar kafshën, e jo njeriun.” (Tolstoi). Vetëm mundësia e kësaj lëkundjeje morale-shpirtërore, ngritjes dhe rënies paraqet karakteristikën thelbësore të njeriut. Do të ishte gabim të mendohet se mu në këtë qëndron tragjedia e tij. Zoti nuk e ka demantuar kundërshtimin e melaqeve në dialogun e mirënjohur me ta, që njeriu do të shkaktojë huti dhe do derdhte gjak, por, megjithatë, i është dhënë përparësi dhe i është besuar udhëheqja mbi tërë botën e shfaqur.
Në njeriun, që nga lashtësia zhvillohet beteja midis elementeve shtazore dhe atyre më të larta shpirtërore. Njeriu, ashtu siç thotë Kurani dhe si e vërteton realiteti, është krijuar nga materia dhe shpirti. Në fazën e tanishme të zhvillimit të tij, elementi shtazor ende është shumë i theksuar dhe mbizotërues.
Qëllimi themelor i Islamit është forcimi i elementit shpirtëror, frenimi i instinkteve shtazore dhe krijimi i ekuilibrit midis nevojave materiale dhe shpirtërore, përkatësisht nevojave të trupit dhe shpirtit, ekzistencës fizike dhe shpirtërore. Ky është, në të vërtetë, kuptimi thelbësor i gjithë zhvillimit njerëzor. Në esencë, ai shpie në të gjitha përpjekjet dhe sferat në një qëllim të vetëm: njerëzishmen e njeriut, krijimi i kushteve për zhvillimin e shpejtë dhe afirmimin e elementeve njerëzore, për shpejtimin e procesit të largimit të tjetërsimit të tij.
Është më se e qartë se Islami i ka drejtuar të gjitha mësimet e tij drejt procesit të humanizmit dhe njerëzishmen e njeriut. Të gjitha rregullat e tij e çojnë në atë qëllim themelor.
Çfarë nënkupton Islami me njerëzishmen e njeriut, si manifestohet në praktikë dhe si realizohet më së miri, mendojmë se do të na përgjigjet kuptimi i rregullave të agjërimit.
Le të themi së pari se thelbi i njerëzishmes te njeriu qëndron në ndërgjegjen ndaj tjetrit dhe në raport me të.
Sa është kjo vetëdije e zhvilluar, sa shumë ajo manifestohet në raport me tjetrin, aq njeriu vërtetohet si një njeri, aq është i njerëzishëm. Marrëdhëniet ndër njerëzore paraqesin fushë të vetme të shprehjes dhe afirmimit të tij njerëzor dhe të vërtetësisë. Aty ai e gjen veten dhe çlirimin e tij të plotë nga tjetërsimi. Roli i Ramazanit dhe i agjërimit në procesin e gjetjes së vetvetes, në vërtetimin e tij si njeri në raport ndaj të tjerëve, që, siç e kemi theksuar tashmë, paraqet kuptimin thelbësor të ekzistencës njerëzore, me të vërtetë është vlerë e paçmueshme.
Ramazani është një muaj i freskimit shpirtëror, rilindjes dhe ngritjes së tij. Ky është një moment kaq i domosdoshëm dhe i këndshëm kur i kthehemi vetes, përjetojmë dhe hyjmë në një botë më të lartë të çliruar nga gjithçka e ulët, egoiste dhe shtazore. Agjërimi na çon në atë botën më të mirë dhe më të lartë, në të cilën vjen në shprehje ajo njerëzorja në ne, në të cilin ne hapemi ndaj të tjerëve, mendojmë për ta dhe për detyrimet tona ndaj tyre. Agjërimi është, para së gjithash, një masë shumë e efektshme në fushën e zbehjes dhe frenimit të instinkteve shtazore te njeriu, duke i zvogëluar ato në masën e tyre të vërtetë dhe duke arritur ekuilibrin e nevojshëm midis elementeve njerëzore dhe shtazore. Agjërimi pastaj na hap karshi të tjerëve, duke zhvilluar te ne ndenjën e solidaritetit shoqëror.
Ramazani paraqet një mundësi unike për qetësi shpirtërore. Duhet të kuptohet vetëm ashtu dhe vërtet ashtu të përjetohet. Rëndësinë e tij në këtë drejtim më së miri na e vërteton fakti që në të është shpallur Kurani si burim i transformimit shpirtëror, i cili me të vërtetë ka hapur një proces të fuqishëm në njerëzishmen e njeriut dhe rilindjes shpirtërore të tij. Ishte momenti vendimtar në zhvillimin e mendjes njerëzore. Ishte një “natë fati” (Lejlei-kadr), për të cilën Kurani thotë se është më e vlefshme dhe më e mira nga njëmijë muaj (hajrun min elfi shahrin). Në këtë natë të bekuar, çdo vjet në tokë derdhet mëshira e Zotit, zbresin melaqet e fuqizuara me Frymën e Zotit, duke u dhënë njerëzve një mundësi të veçantë që të paktën në një çast të transferohen në botën më të lartë, që të lehtësohen nga presionet e epsheve dhe të pasioneve që shpesh i tërheqin në mëkatet të mëdha, duke mohuar në këtë mënyrë dhe duke e tjetërsuar veten si njeri.
Ajo është një natë e kthimit dhe gjetjes së njeriut
Kjo natë, si gjithë muaji Ramazan, është gjithmonë e mirëpritur si vërejtje dhe paralajmërim. Ne shpesh harrojmë detyrimet tona njerëzore, misionin tonë, i nënshtrohemi pasioneve dhe mbyllemi në interesat tona të ngushta materiale. Bëhemi robër të materies. Ramazani na inkurajon, na zgjon dhe i thërret vetes që ti kthehemi vetvetes (le’al-lekum tet-tekune).
Shprehja e devotshmërisë, e me çka Kurani e motivoi përshkrimin e detyrimeve të agjërimit (Kutibe ‘alejkumu-s-sijam … le’al-lekum tet-tekune), nuk bëhet vetëm me fjalë, siç mendojnë gabimisht shumë njerëz, dhe për shkak të këtij, në Ramazan forcohet ibadati verbal në formën e dhikrit, leximit të Kuranit, adhurimi, dëgjimi i mukabelës, etj.. Ky konceptim i gabuar i përkushtimit dhe i devotshmërisë në përgjithësi ka mbetur një trashëgimi e ndryshkur nga periudha e dekadencës, kur ibadeti është ulur në formalizëm të thjeshtë dhe kur u morën të gjithë elementët e veprimtarisë. Ajo ishte një frikë-respekt i rrejshëm dhe boshe. Nuk ka devotshmëri pa vepra. Devotshmëria e vërtetë manifestohet, konfirmohet dhe vërtetohet në vepër.
Devotshmëria që e ka përmbajtjen dhe domethënien e agjërimit më së paku vërtetohet me përmbajtje nga ngrënia, pirja dhe kënaqësitë e tjera trupore. Agjërimi në kuptimin kuranor (le’al-lekum tet-tekune) nuk do të thotë uri. Kush në agjërim sheh dhe përjeton vetëm uri dhe etje, ai badihava ka agjëruar. Një agjërim i tillë nuk do të pranohet dhe nuk do të shpërblehet. Përkundrazi, ai largon nga mëshira e Zotit (hadith).
Duke shprehur të gjitha këto me gjuhën e nevojave aktuale të jetës fetare, duhet thënë që përkushtimi dhe devotshmëria e Ramazanit duhet të pasqyrohet, vërtetohet dhe të dëshmohet me pjesëmarrje aktive në aksionet që i organizon Bashkësia Islame dhe nga të cilat në masë të madhe varet zhvillimi i jetës sonë fetare. Agjërimi, për të cilin thamë, që na hap karshi të tjerëve, liron nga mbyllja egoiste në interesa të ngushta vetjake dhe na paralajmëron për detyrimet ndaj të tjerëve dhe të shoqërisë, dhe duhet si i tillë të dëshmohet në aktivitetet tona dhe në veprimet e përditshme.
Është e qartë se anëtarët e Bashkësisë Islame e kuptojnë mirë këtë si dhe nuk do ta humbasin këtë shans. Ata tashmë janë dëshmuar se kanë përmbushur detyrat të vëna nga historia.
Ramazani në ardhje ka një rëndësi të veçantë në këtë drejtim. Mund të thuhet, deri diku, paraqet një sprovë. Padyshim, që në të aksioni i mbledhjes së zekatit, sadekatu-l-fitrit dhe dhënieve të tjetër vullnetare, hyn në një fazë vendimtare.

Përkthehu: Shaban Basha

Shfaq më shumë në Shkrime

Shfleto

Argumentet për vlerën e natës së 15 të muajit shaban

Një ndër muajt e preferuar, të cilët i ka veçuar Allahu i Madhëruar dhe që i ka dhënë një …