(Përgjigje në reagimin “Bindjet fetare janë shumë personale” të Bajram Kabashit, botuar në gazetën Express të datës 23 gusht 2008)
Me interesim lexova reagimin e Bajram Kabashit. Ajo që më la përshtypje, ishte se reagimi në fjalë përshkruhej me një mllef, mos tolerancë, urrejtje, islamofobi, deri edhe në kërcënime, jo vetëm ndaj meje, por edhe Bashkësisë Islame dhe Fakultetit të Studimeve Islame, si bartëse të jetës islame në Kosovë.
Çështja e besimit, është mbase çështje më komplekse, më e ndjeshme në jetën e njeriut. Besimi është mapa orientuese në jetën e njerëzve. Secili mendon se mapa e tij është më e saktë. Mirëpo, këto bindje nuk duhet të politizohen, por të trajtohen si vlerë e intimes së tyre. Besimi buron nga shpirti i njeriut, atë nuk mund ta gjesh në objekte. Tradita shqiptare e ka kultivuar këtë qasje dhe në këtë mënyrë ka evituar fërkimet fetare.
Askush nuk ia konteston z. Bajram Kabashit alias Gjergjit ta ndërroj fenë dhe emrin e vet. Sepse kjo është e drejtë e tij personale si dhe e çdo individi tjetër. Mirëpo, në të njëjtën kohë, ai nuk ka të drejtë ta ofendoj askënd, as mua, e aq më tepër institucionin e Bashkësisë Islame. Nëse jo për diçka tjetër, së paku për shkak të një kolegjialiteti që kemi pasur gjatë viteve të nëntëdhjetë, kur ai punonte si gazetar i “Bujkut”. Mua më kujtohet se ka qenë iniciativë e z. Bajram Kabashit, që të ndriçohet figura e Mulla Ramushit të Tomocit, imam i fshatit të tij, për të cilin Bajrami ka pasur një respekt të madh. Vlen të theksohet se Mulla Ramushi edhe pse i shtyrë në moshën 90 vjeçare, forcat serbe e masakruan atë gjatë agresionit serb në Kosovë në vitin 1999.
Z. Bajrami në fillim të reagimi të tij mohon se ai, dhe bashkë mendimtarët e tij ta kenë “ndërruar fenë, apo të jenë konvertuar nga Islami në katolicizëm”. Për të shtuar, ashtu siç “dëshiron të na paraqesë Qemajl Morina me kokëfortësi të çuditshme, në një reagim të çuditshëm, aty-këtu jologjik dhe pa ndonjë pedagogji, kulturë kombëtare e respekt njerëzor”. Mua sa më kujtohet, në shkrimin tim në të cilin thirret i nderuari z. Bajram Kabashi e të cilit ia jep të gjitha këto epitete negative, kam thënë tekstualisht: “besimi është çështje e brendshme dhe krejtësisht private e çdo individi”.Mu ashtu siç pohon z. Bajrami në reagimin e tij të titulluar: “Bindjet fetare janë shumë personale”. Andaj, nuk di prej nga i tërë ky mllef, nervozizëm, mos durim dhe urrejtje e Bajram Kabashit, ndaj një shkrimi objektiv e që ka për qëllim të vetëm ruajtjen e traditës së tolerancës sonë ndërfeatare.
Arsyetimi i yt i nderuari z. Bajram se ti nuk je konvertuar, nga islami në katolicizëm, por vetëm “je pagëzuar duke përfunduar një dilemë e ngarkesë të panevojshme shpirtërore”. I nderuari z. Bajram, ky është vendimi yt personal. Kjo është zgjedhja e jote. Kjo është bindja e jote dhe besimi yt. Këtë më së miri e vërteton, vet fakti se grigjës tënde nuk iu janë përgjigjur as dy fëmijët tu të rritur, Dardani dhe Dardana.
Mirëpo, pohim yt, që ka të bëjë me dukurinë e laramanizmit, e demanton reagimi i familjes Kabashi, i nënshkruar me emrin e vëllait tënd, Salih Kabashi, që mbanë titullin: “Bekimi i priftit e mallkimi i Nënës”. Sepse, aty thuhet se familja e juaj i kanë takuar besimit islam së paku 10 breza nga filli gjenealogjik familjar, si nga babai, Hysen Ahmeti dhe nga nëna, Fatime Osman Morina.
Ti dhe bashkëmendimtarët tu keni ” bërë mirë që keni shkuar te bjeshka e jo bjeshka te ju”. Por, unë po e theksoj edhe një herë se konvertimet spektakulare janë të dëmshme dhe gjithmonë kanë shkaktuar efekt të kundërt Sipas njohurive të mia modeste, edhe Vatikani është kundër konvertimeve pompoze, që për bazë kanë interesin vetjak, apo politik. Për Vatikanin besimi është gjëja më serioze në jetën e njeriut dhe çdo keqpërdorim, instrumentalizim i tij për qëllime jo fetare është i palejueshëm.
Në kohën e globalizmit, ku paralelisht globalizohet e mira dhe e keqja, çdo spektakël konvertues do të krijonte probleme të pazgjidhshme për popullin tonë dhe do të ishte prelud për shthurje mbi baza religjioze.
Toleranca fetare nuk është produkt aktual politik, por një vlerë substanciale e traditës sonë, një vlerë që përcakton identitetin tonë kombëtar.
Ne, edhepse nuk pajtohemi me ju, por ne nuk mund të jemi kundër zgjidhjes dhe vendimit tuaj. Mirëpo, ti dhe bashkëmendimtarët tu nuk keni të drejtë të na ofendoni neve që nuk mendojmë si ju. Ashtu siç ke vepruar ti, i nderuari Bajram me shokët tu me rastin e konvertimit apo pagëzimit tuaj. Mjafton të lexosh prononcimin tënd të publikuar në “Koha ditore” të 28 korrikut, ku thua se këtë hap e ke ndërmarr si reagim ndaj “islamizimit të dhunshëm”. Nuk mund të kuptoj i nderuari Bajram se si arriti ky “islamizimi i dhunshëm” të shqetësojë ty në Norvegjinë e gjerë dhe të gjatë, ku jeton, që nga viti 1999?! A nuk është kjo një shpifje ndaj bashkëbesimtarëve tu të deri djeshëm dhe vëllezërve tu të sotëm në gjak, gjuhë dhe komb?!
Ne nuk na habisin shpifjet e këtilla të dalin nga goja e peshkopit Artemije, po të dëgjojmë shpifje të këtilla nga goja jote këtë nuk mund ta besoj. Ne nuk kemi nevojë që ti nga Norvegjia e largët të na mbash leksione se si duhet ta rregullojmë jetën tonë në Kosovë dhe me çka duhet të merret politika e Kosovës. Këtë do ta rregullojmë ne vet. Nuk bëjmë përçarje, ne që respektojmë së pari besimin tonë dhe besimin e të tjerëve, por përçarës janë ata që përbuzin dhe fyejnë ndjenjat fetare të tjerëve. Por, edhe të këtillët, kushdo qofshin ata, do të përgjigjen para ligjit për veprimet e tyre.
Me deklarimet tua , z. Bajram, ti ke fyer rëndë ndjenjat fetare të shumicës së shqiptarëve, por edhe të familjes tënde. Konvertimi yt mund të shërbejë si arsyetim për rregullimin e “letrave” duke u ankuar para autoriteteve azildhënëse se je nën presion nga “islamistët e dhunshëm”. Por, nuk ke të drejtë të shkaktosh përçarje në mes popullit tënd. Sepse ti nuk mund ti dish marrëdhëniet ndërfetare më mirë se ne që jetojmë në Kosovë.
Do të kisha dashur që reagimin tim ta përmbyll me citimin e pjesës së fundit të letrës së familjes Kabashi, në të cilën janë distancuar nga veprimet tua destruktive, ku thuhet: “Krejt në fund, pasi që prifti në mënyrë fort hileqare na ka përmendur si familje, respektivisht të “afërm” që gjoja e paskemi mbështetur aktin e kthimit të Bajramit na katolicizëm, kam autorizimin e të deklaroj në emër të farefisit e të familjes së ngushtë e të gjerë se ne as kemi ditur se çfarë fabrikonte me kokën e tij Bajram Kabashi. Dhe për të qenë të ndershëm deri në fund, ne të gjithë mbesim me shumë bindje dhe shumë krenari në fenë tonë, në besimin e baballarëve e të nënave, të gjyshërve e të gjysheve, të stërgjyshave e stërgjysheve…., duke e konsideruar atë të mrekullueshme e të hyjnueshme. Por, me një ndryshim nga desh e dele të reja (në trajta Bajramash-Gjergjash), bashkuar grigjës së Don Pren Kolës, ne nuk urrejmë e nuk fyejmë fetë e tjera, as besimtarë të konfesioneve të tjera minoritare, jomuhamedane në trojet shqiptare… dhe më gjerë në botë. Ky është edukacioni ynë ardhur nga familja dhe predikuesit e fesë së Muhamedit a.s. Bajramit neve nuk kemi çka i themi, feja e tij e re, ishte zgjidhja e tij e lirë, ndërsa trishtimi që ai i ka shkaktuar nënës sonë, po pati fuqi njerëzore, le ta injorojë… Pastë kohë e paftë nëse për të ishte më i rëndësishëm e njerëzor sakramenti i priftit apo dhimbjet që ai i ka shkaktuar Nënës Fatime, ta dashur për të gjithë Guarrakocin dhe rrethinën.
Krejt në fund: ai, sado i lajthitur, nevrik…., sado tepër i paqartë dhe paragjykues në konceptet e tij mbi fetë, kombin, kulturën e historinë, megjithatë është edhe do të mbetet vëllai ynë nga nëna e baba, nga gjaku e gjuha, trolli që na ka rritë, nga gjinjtë e vetëm të nënës sonë (shqiptare e myslimane e devotshme)që na kanë ushqyer “vëllezërit tanë myslimanë”, apo “vëllezërit tanë shqiptarë ortodoksë”, si dhe “vëllezërit tanë katolikë”, janë shprehje tepër e fuqishme dhe nuk rrënohen dot nga dom Pren Kola dhe aleancat e tij kundërkombëtare e anticivilizuese!”
Salih Kabashi [email protected]
(Edhe në emër të familjes së Hysen, Selim e Smajl Kabashit nga Gurrakoci, Tomoci i Epërm e Lubjana)