Prishtinë, 9 mars 2022
Shoqata Humanitare Bamirëse “Bereqeti” ka mbajtur sot takimin e rregullt me koordinatorët e saj, për të diskutuar mbi përgatitjet për muajin Ramazan.
Drejtori i shoqatës “Bereqeti”, Behxhet ef. Ajvazi, fillimisht falënderoi të gjithë koordinatorët për punën dhe angazhimin e tyre, si dhe kërkoi nga ta që edhe më tej të kontribuojnë, në mënyrë që të jemi sa më afër familjeve nevojtare.
Ai e cilësoi vitin 2021 si vit tejet të suksesshëm në funksionimin e shoqatës, e si ndër suksesin më të madh e përmendi hapjen e dyqanit humanitar në Prizren dhe në Pejë. Drejtori Ajvazi përmendi edhe bashkëpunimin e shkëlqyer që kanë pasur me donatorët vendorë dhe nga jashtë vendi, të cilët i falënderoi për kontributin e tyre.
Shoqata Humanitare Bamirëse “Bereqeti” edhe këtë vit do të fillojë organizimin e aksionit tashmë tradicional “Sofra e Ramazanit”, i cili për qëllim ka ndihmën e familjeve nevojtare gjatë muajit Ramazan.