Muaji i Ramazanit, sikurse dihet dhe sikurse është theksuar gjithmonë, është muaj i ibadeteve të shumta dhe i ngjarjeve të mëdha, të cilat kanë bërë kthesa në historinë e myslimanëve dhe të njerëzimit mbarë. Ai është muaj i agjërimit, që është një nga pesë shtyllat e fesë islame; është muaji i zbritjes së Kuranit fisnik, shpalljes së fundit nga Allahu për krijesat e tij; është muaji i taravive, që ndonëse janë namaz synet, kanë vlerën e farzit, është muaj i duave, që nuk kthehen prapë, i tekbireve që madhërojnë Allahun, jehona e të cilëve dëgjohet edhe në shtatë qiej, i selameve dhe salavateve për Pejgamberin, llogaritja e të cilëve është dhjetë fish më shumë; është muaj i Natës së Kadrit, vlera e së cilës është sa e një mijë muajve, në të cilët nuk ka një natë të tillë; është muaj i Betejës së madhe të Bedrit, që ndau besimin nga mos besimi, i Çlirimit të Mekës, që përhapjes së Islamit i dha tjetër dimension; është muaj i I’tikafit… dhe i shumë e shumë ibadeteve që s’kanë të sosur, sikurse që s’mund t’i numërojmë dot, edhe sikur të duam, mirësitë, begatitë, të mirat dhe sevapet e këtij muaji të bekuar.
Ndër ato ibadete që bëhen vetëm në këtë muaj dhe që lidhen ekskluzivisht me të, dhe sidomos me pjesën e fundit të tij, është edhe sadakatul-fitri – dhënia e obligueshme materiale e myslimanëve gjatë muajit të Ramazanit.
Ç’është sadakatul-fitri
“Sadakatul-fitri” ose “zekatul-fitri” është një ibadet-adhurim material, të cilin e kanë detyrim ta zbatojnë myslimanët që zotërojnë pasuri në nivel të nisabit (sasi kjo që mjafton sa për nevojat ditore e më shumë), e po ashtu e kanë detyrim ta zbatojnë edhe ata persona të cilët e kanë dikë nën kujdestari të tyre dhe që e arrijnë Bajramin e Ramazanit.
Sipas të drejtës së Sheriatit, “sadakatul-fitri” është i kategorisë vaxhib-obligim . Kjo argumentohet me transmetimin e Abdullah Ibn Ymerit, i cili thotë:
فَـرَضَ رَسُولُ اللهِ صَلَّى اللهُ عَلَيْهِ وَ سَلَّمَ زَكَاةَ الْفِطْرِ مِنْ رَمَضَانَ عَلَى النَّاسِ صَاعًا مِن تَمـْـرٍ أَوْ صَاعًا مِن شَـعِيرٍ عَلَى كُلِّ حُرٍّ أَوْ عَبْدٍ ذَكَرٍ أَوْ أُنْـثـَــــى مِنْ الْمُسْلِمِينَ
“Pejgamberi (a. s.) e ka caktuar detyrë obliguese sadakatul-fitrin për ramazan një sa’a hurma, ose një sa’a elb për çdo person të lirë ose skllav, mashkull ose femër nga myslimanët!”
Ngjashëm me këtë, Ibn Abasi transmeton hadithin e Pejgamberi (a. s.), në të cilin ka thënë:
فَـرَضَ رَسُولُ اللهِ صَلَّى اللهُ عَلَيْهِ وَ سَلَّمَ زَكَاةَ الْفِطْرِ طُهْرَةً لِلْصَّائِمِ مِنْ اللَّغْوِ وَ الرَّفَثِ وَ طُعْمَةً لِلْمَسَاكِينِ مَنْ أدَّاها قَـبْلَ الصَّلاَةِ فَهِيَ زَكَاةٌ مَقْبُولَةٌ وَ مَنْ أدَّاهَا بَعْدَ الصَّلاَةِ فَهِيَ صَدَقَةٌ مِنَ الصَّدَقَاتِ.
“Pejgamberi (a. s.) e ka bërë obligim zekatu’l (sadakatu’l) fitrin pastrim për agjëruesin për fjalët e kota e të ndyta, dhe ushqim për të varfrit, andaj kush e jep para namazit të Bajramit ajo është sadaka e pranuar, e kush e jep pas namazit (të Bajramit), konsiderohet sadaka e rëndomtë!”
Në një hadith tjetër ndërkaq, thuhet: “Jepeni sadakanë e fitrit për njerëzit për të cilët kujdeseni.”
Mbi bazën e këtyre haditheve, dijetarët islamë kanë konstatuar se: “Sadakatul-fitri për agjërimin e ramazanit është sikurse sehvi-sexhdeja për namazin.”
Sadakatul-fitri është bërë obligim në vitin e dytë të Hixhretit, në të njëjtën kohë kur është bërë farz agjërimi i muajit të Ramazanit, pak kohë para se të ligjësohet Zekati.
Kush e ka për obligim dhënien e sadakatul-fitrit ?
Sadakatul-fitrin është i obliguar (e ka vaxhib) që ta japë myslimani, pavarësisht nëse është i rritur ose i vogël, mashkull ose femër, i shëndoshë ose jo, përkatësisht nëse e plotëson nisabin e kërkuar. Nisabi i nevojshëm për sadakatul-fitr është po ajo masë sikurse te zekati, ndonëse me këtë rast nuk kërkohet kalimi i një viti, gjegjësisht nuk kërkohet që personi ta ketë pas në posedim një vit të plotë. Mjafton që në fund të Ramazanit të zotërojë nisabin e më shumë dhe të detyrohet me sadakatul-fitr. Shprehur edhe më saktësisht, sasia e nisabit është sasi e barabartë me 91.6 gram ar ose 700 gram argjend.
Nga sa u përmend më sipër, mund të konstatojmë se çdo besimtar duhet që sadakatul-fitrin ta japë për veten e tij si dhe për ata që i ka nën kujdestari të tij. Burri duhet ta japë sadakatul-fitrin për gruan dhe fëmijët e tij dhe të tjerët që i ka në mbikëqyrje (për familjen e tij). Prindi është i detyruar ta japë sadakatul-fitrin për fëmijët e tij, por edhe gjyshi është i detyruar ta japë sadakatul-fitrin për fëmijët e djalit të tij (nipërit), por jo edhe për fëmijët e vajzës (nipërit), veçse nëse janë të varfër dhe nuk e kanë babanë. Gjithashtu, detyrohet ta japë sadakatul-fitrin edhe për nënën e fëmijëve të tij. Në kushtet tona, këtë detyrim e kryen kryefamiljari (i zoti i shtëpisë).
Sasia e sadekatul fitrit
Sasinë e sadakatul-fitrit, sikurse e përmendëm, e ka përcaktuar Pejgamberi (a. s.) kur ka thënë:
صَاعًا مِنْ تَـمْرٍ أَوْ شَعِيرٍ أَوْ نِصْفُ صَاعٍ مِنْ قَمْحٍ
“Një sa’a me hurma ose me elb ose gjysmë sa’a me grurë.” Një sa’a është e barabartë me 3.800 gr.
Prandaj, sadakatul-fitri, duhet të jepet nga këto katër lëndë ushqimore: grurë, elb, hurma dhe rrush i thatë . Nga gruri ose mielli i grurit dhe nënproduktet e tij, jepet ½ sa’a (gjysmë sa’a), kurse nga të tjerat jepet një sa’a. Nga llojet e përmendura të ushqimeve, sasia e sadakatul-fitrit është përafërsisht sa ushqimi njëditor i një të varfri. Është me interes të kujtojmë se transmetimet lidhur me këtë çështje tregojnë se lëndët ushqimore të dhëna në atë periudhë në emër të sadakatul-fitrit, kanë qenë lëndë themelore konsumi të shoqërisë dhe se ndërmjet masave ka ekuivalencë. Prandaj, me sadakatul-fitr është synuar të plotësohet ushqimi njëditor i një të varfri, sipas standardeve të shoqërisë ku ai ka jetuar. Së këndejmi, me rastin e përcaktimit të sasisë, ose thënë më saktë, të minimumit të sasisë së sadakatul-fitrit, duhet mbështetur në sigurimin e ushqimit njëditor normal të një personi dhe ky mbase do të ishte kriteri më i saktë, sepse, fundja, këtë e kanë për synim të gjitha transmetimet e haditheve të Profetit (a. s.) Kjo që thamë më sipër, është sa i takon minimumit të fitrit, por kush jep më shumë se kaq, natyrisht që është më mirë dhe më e lavdëruar, sipas ajetit të Kur’anit në suren Bekare: 184:
فَمَن تَطَوَّعَ خَيْرًا فَهُوَ خَيْرٌ لَّهُ…
“E ai që nga vullneti jep më tepër, ajo është aq më mirë për të…”
Kjo do të ndikonte në masë të konsideruar për shpëtimin e të varfërve nga lypja! Edhe sofrat e tyre duhet të begatohen së paku ditën e Bajramit.
Për dhënien e sadakatul-fitrit me artikujt e lartpërmendur, në ditët tona kjo gati se është e pa aplikuar, prandaj ajo mund të jepet edhe me kundërvlerën e tyre. Madje, disa dijetarë bashkëkohorë, dhënien e kundërvlerës së tyre në të holla, në kohën e sotme, e konsiderojnë si më të dobishme dhe rrjedhimisht me më shumë sevape. Kjo edhe për faktin se janë institucionet kompetente të cilat sipas standardit jetësorë të mjedisit ku jetojnë, e përcaktojnë edhe sasinë e nevojshme. Kështu që, ajo kompetencë është në domenin e tyre. Në kushtet tona jetësore, është Bashkësia Islame e vetmja kompetente për ta caktuar vlerën e sadakatu’l-fitrit, gjë të cilën ajo e bënë me shumë autoritet në kontinuitet dhe në kohë të duhur.
Koha e dhënies së sadekatul fitrit
Sadakatul-fitri ka një lidhshmëri me festën e Bajramit. Prandaj, vaxhib bëhet ditën e parë të Bajramit të Ramazanit (Fitër-Bajramit) në kohën e syfyrit – zbardhjes së agimit të vërtetë. Prandaj, sipas kësaj dispozite, personi që vdes dhe ai që bëhet i varfër ditën e parë të Bajramit të Ramazanit para zbardhjes së mëngjesit, nuk ngarkohen me përgjegjësinë e dhënies së sadakatul-fitrit. Nga ana tjetër, fëmija që lind dhe personi që bëhet mysliman para zbardhjes së agimit ditën e Bajramit, përgjegjësi i tij, respektivisht vetë personi e ka për detyrim ta japë sadakatul-fitrin.
Ndërkaq, fëmija i cili lind dhe personi që bëhet mysliman pas zbardhjes së agimit, nuk bëhen përgjegjës për dhënien e sadakatul-fitrit.
Sadakatul-fitri mund të jepet që me hyrjen e muajit të Ramazanit, ndërkaq më mirë do ishte sikur kjo të bëhej në pjesën e tretë të Ramazanit, madje akoma më mirë do ishte sikur të bëhej në natën e 27-të (Natën e Kadrit), ndonëse pranohet edhe para e edhe më pas, deri para faljes së namazit të Bajramit. Mirëpo, nëse dhënien e sadakatul-fitrit e vonon pas faljes së namazit të Bajramit, kjo nuk e rrëzon obligueshmerinë, përkundrazi ai detyrohet me dhënien e saj edhe më pas, duke shfaqur pendim për shkak të vonimit. Dhurimi në kohë të tillë nuk e ka vlerën e sevapit të sadakatul-fitrit, por si të një sadakaje të rëndomtë.
Kujt i jepet sadakatul fitri
Personat ose institucionet që kanë të drejtë ta pranojnë zekatin, mund ta marrin edhe sadakatul-fitrin, sepse përkatësisht atyre që iu takon zekati, iu takon edhe sadakatul-fitri. Nisur nga kjo domethënie, vetëkuptohet se personave që nuk mund t’u jepet zekat, nuk mund t’u jepet as sadakatul-fitr. Allahu i Madhërishëm ka thënë:
إِنَّمَا ٱلصَّدَقَٰتُ لِلۡفُقَرَآءِ وَٱلۡمَسَٰكِينِ وَٱلۡعَٰمِلِينَ عَلَيۡهَا وَٱلۡمُؤَلَّفَةِ قُلُوبُهُمۡ وَفِي ٱلرِّقَابِ وَٱلۡغَٰرِمِينَ وَفِي سَبِيلِ ٱللَّهِ وَٱبۡنِ ٱلسَّبِيلِۖ فَرِيضَةٗ مِّنَ ٱللَّهِۗ وَٱللَّهُ عَلِيمٌ حَكِيمٞ
“Vërtet, sadakaja (zekati dhe sadakatu-l-fitri) është për: të varfrit, të ngratët (që rëndom lypin), punonjësit (që janë të angazhuar në tubimin e tij), ata të cilëve duhet përfituar zemrat, për lirimin e robërve, për ata që kanë shumë borxhe, të angazhuarit në rrugën e Allahut dhe atë që ka mbetur në rrugë (pa mjete të nevojshme). Këto janë dispozita të Allahut, e Allahu është i Gjithëdijshmi, i Urti.”
Sadakatul-fitri nuk mund t’u jepet personave që konsiderohen fetarisht të pasur (që zotërojnë sasinë e nisabit, pavarësisht nëse është efektiv ose jo), me fjalë të tjera, nuk u jepet atyre që i kanë kushtet minimale për jetë. Gjithashtu, sadakatu-l-fitri nuk mund t’i jepet gruas-bashkëshortes; paraardhësve: babait, nënës, gjyshit dhe gjyshes; pasardhësve: djalit, vajzës, nipit, mbesës dhe të tjerëve, që i ka nën kujdestarinë e tij.
Me rastin e dhënies së sadakatul-fitrit, duhet t’u jepet përparësi të varfërve të vendit pranë, gjegjësisht mjedisit ku jetojmë, farefisit që mund të banojnë edhe larg, të varfërve me sjellje morale të mira si dhe nxënësve të varfër.
Në realitetin e sotëm, është bërë praktikë që sadakatul-fitri dhe zekati të jepen për fondet e bashkësive (komuniteteve) islame, të formuara në bazë të vendimeve të marra nga dijetarët kompetentë të çështjes. Mjetet e tubuara nga sadakatul-fitri dhe zekati kryesisht janë të destinuara për mirëmbajtjen e institucioneve edukativo-arsimore: medreseve e fakulteteve islame me qëllim të nxjerrjes së kuadrove të përgatitura për të punuar në kuadër të Bashkësive Islame të vendeve të rajonit. Fetvanë që asokohe e kanë nxjerrë ulemaja jonë, e cila më pas është vlerësuar lartë si hap i qëlluar dhe të cilën e kanë aplikuar edhe shtetet tjera, ka qenë shumë dobiprurëse. Një fetva e tillë neve besimtarëve na obligon që të njëjtën ta respektojmë dhe të veprojmë sipas saj.
Së këndejmi, jemi të bindur se besimtarët tanë në Kosovë dhe jo vetëm, traditën e tubimit të sadakatu’l-fitrit, sipas kësaj fetvaje, do të vazhdojnë ta bëjnë si edhe herëve të tjera, edhe këtë vit, në fondet e Bashkësisë Islame. Këtë ibadet të tyre ata do të mund ta kryejnë tek institucionet e Bashkësisë Islame të Kosovës, si: tek imami i lagjes a i fshatit, në Këshillin e Bashkësisë Islame, në institucionet arsimore (në Medrese ose në Fakultet), si edhe në Kryesinë e Bashkësisë Islame të Kosovës. Këtë, tashmë, mund ta bëjnë edhe përmes llogarisë bankare në numrat që janë vënë në dispozicion dhe që janë publikuar në faqen zyrtare të Kryesisë së Bashkësisë Islame.
Sadakatë vullnetare
Përveç, sadakave të cilat janë të përcaktuara në Kuran dhe në Synetin e Pejgamberit a.s. dhe që kanë kategorinë e farzit (siç ëshët zekati) ose të vaxhibit (siç është sadakatul-fitri dhe kurbani), myslimanët mund të solidarizohen me nevojtarët edhe duke dhënë sadaka vullnetare, të cilat nuk hyjnë në kategoritë e sipërpërmendura dhe as nuk janë të lidhura ngushtë me ndonjë kohë a periudhë të caktuar.
Kështu, shpërndarja e sadakave nga besimtarët islamë në të gjitha kohët, është vepër e preferuar sipas Islamit. Allahu (xh. sh.) në Kuranin famëlartë, thotë:
مَّن ذَا ٱلَّذِي يُقۡرِضُ ٱللهَ قَرۡضًا حَسَنا فَيُضَٰعِفَهُۥ لَهُۥٓ أَضۡعَافا كَثِيرَة
“A ka dikush që Allahut i jep një hua, që (më pastaj) Allahu t’ia shumëfishoj atë atij?”
Nga ajeti në fjalë nënkuptohet se ai që për hir të Allahut (xh. sh.), jep ndonjë sadaka (bamirësi, lëmoshë fetare), për shpenzimin e tillë Allahu (xh. sh.) do ta shpërblejë me shumëfishimin e saj, do t’ia kompensoj shumë më shumë nga sa ka dhënë ai dhe se Allahu gjithmonë e mbanë premtimin e Tij.
Si përfundim
Në përmbyllje të këtij vështrimi, themi edhe një herë se sadakatul-fitri, – kjo dhënie e obligueshme materiale e myslimanëve gjatë muajit të Ramazanit, – është një adhurim përmes të cilit myslimani i afrohet edhe më shumë Allahut (xh.sh.). Me të e falënderon Krijuesin e Lartësuar për dhuntitë e jetës dhe të trupit, jo vetëm për të, por edhe për familjarët e tjerë ose ata që i ka nën kujdesin e tij.
Dhënia e sadakatul-fitrit është, gjithashtu, edhe falënderim ndaj Allahut të Gjithëmëshirshëm që na mundësoi plotësimin e agjërimit gjatë muajit të Ramazanit.
Për myslimanët që kanë agjëruar ndërkaq, sadakatul-fitri është një plotësim i mangësive të këtij adhurimi dhe pastrim i gjërave të pahijshme që rastësisht mund t’i kenë ndodhur agjëruesit.
Në anën tjetër, tashmë të gjithë e dimë, sepse shumë herë e kemi përsëritur, se Pejgamberi (a. s.) ka thënë: “Dora që jep është më e vlefshme dhe më e mirë se dora që merr”.
Prandaj, a ka ma mirë se sa t’i ndihmojmë institucionet tona edukativo-arsimore!
Allahu kënaqët dhe është razi me ata të cilët i kënaqin robët e Tij në tokë.
Zoti gjithmonë ju dhentë atyre që në emër të Tij japin! Bamirësve dhe dorëdhënësve, Allahu ua shtoftë veprat e mira dhe ua shumëfishoftë bereqetin dhe neve na bëftë që të ndjekim rrugën e tyre! Amin!
(Resul ef. Rexhepi)

Shfaq më shumë në Shkrime

Shfleto

HIXHRETI I PEJGAMBERIT A.S.– NJË FAQE E RE NË HISTORINË E NJERËZIMIT

(Shkruan: Resul ef. Rexhepi) إِلَّا تَنصُرُوهُ فَقَدْ نَصَرَهُ اللَّهُ إِذْ أَخْرَجَهُ الّ…