Megjithë premtimet e shumta për njohje të reja nga vende të ndryshme të botës, që nga muaji korrik, Kosova nuk ka pasur njohje të reja. Si duket numri 62 do të jetë ai që do ta pret fillimin e punës së Gjyqit Ndërkombëtar të Drejtësisë, i cili më 1 dhjetor do të shqyrtojë legjitimitetin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës të iniciuar nga qeveria serbe.
Nëse i bëhet një analizë aktivitetit të diplomacisë serbe për mos njohjen e pavarësisë së Kosovës nga vende të ndryshme të botës dhe angazhimit të diplomacisë kosovare për njohjen e kësaj pavarësie do të shohim se dallimet janë të mëdha. Në kohën kur diplomacia kosovare preferonte, që takimet e saja për lobimin e pavarësisë të shtetit më të ri në botë t’i bënte në Nju Jork, Vjenë dhe ndonjë metropol tjetër, në nivel ambasadorësh, ministri i Jashtëm serb, Vuk Jeremiq, nuk pritonte që brenda një kohe të shkurt kohore të shëtiste prej një kontinenti në tjetrin, duke vizituar edhe vendet më të largëta të botës me qëllim të lobimit për mos njohjen e pavarësisë së Kosovës. Këtë më së miri e ilustron edhe artikulli i botuar ditë më parë në revistën “Ekonomist” të Londrës, të cilin e citon e përditshmja e Beogradit “Blic” 24 tetor 2009, ku thuhet: “Ministri i Jashtëm serb, Vuk Jeremiq, vitin që shkoi kaloi në aeroplan 700 orë, që do të thotë përafërsisht dy orë në dite duke udhëtuar nëpër botë, por edhe zyrtarë të huajë të lartë vizitojnë Beogradin”. Revista londineze vlerëson diplomacinë serbe se “është shumë gjallë ”. Ajo është prezentë kudo në botë, në dy javët e fundit, Beogradin e kanë vizituar katër burrështetas botëror. “Për një shtet, relativisht të vogël ballkanik, si Serbia, ajo po tërheq vëmendjen e shumë vendeve të botës”, vazhdon “Ekonomist”. Tërë këtë ajo po e bënë për Kosovën, çështje për të cilën Serbia deri në një masë të caktuar ka realizuar qëllimet e saj, por diplomacia serbe merret edhe me çështje tjera, përveç lobimit kundër shpalljes së njëanshme të pavarësisë së Kosovës, shton revista londineze.
Tadiqi, pohon: “Politika e jashtme serbe qëndron në katër shtylla- SHBA, Rusia, Kina, dhe BE. Por, Jeremiq shtonë edhe dy – Lëvizjen e të Painkuadruarëve dhe vendet fqinje”, përfundon “Ekonomist”.
Diplomacia kosovare, si dhe institucionet tjera, nuk kanë marrë me seriozitetin e duhur lobimin për njohjen e pavarësisë së Kosovës. Nuk mjaftojnë kontaktet në nivel ambasadorësh për njohje, siç është rasti i Kosovës. Mënyra e vetme ka qenë dashur të trokasim në dyer të çdo shteti veç e veç. Kjo do të tregonte vendosmërinë dhe interesimin tonë për t’u hapur ndaj të gjitha vendeve të botës, pa e marrë parasysh se çfarë qëndrimi ka ai shtet ndaj çështjes së Kosovës. Turneu i Sami Frashrit dhe Mehmet Ali bej Vrionit i vitit 1878, nëpër vende të ndryshme të Evropës ka qenë dashur të na shërbejë si shembull.
Ministri ynë i jashtëm, Skender Hyseni, mburrej, se në sesionin e fundit të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork brenda pak ditëve ka takuar mbi tridhjetë ambasadorë e ministra të jashtëm, por takimi në koloaret e OKB-së, nuk mund ta ketë vlerën dhe seriozitetin e një vizite enkas të një vendi të caktuar për një qëllim madhor, siç është njohja e pavarësisë së shtetit të posa formuar. Njohja e një shteti të ri, në veçanti pas kundërshtimit të hapur të një anëtari të përhershëm në Këshillin e Sigurimit, siç është Rusia nuk mund të jetë pa ndikim në vendet tjera të botës, për shkak të interesave të ndërlidhura në mes shteteve. Andaj, për ta tejkaluar këtë gjendje, është dashur strategji, angazhim dhe mund i veçantë. Këtë diplomacia dhe institucionet tona ka qenë dashur ta dinë më mirë se çdo kush tjetër. Këtë më së miri po e vërteton gjendja aktuale e njohjeve të Kosovës. Krahasimi i numri të njohjeve të Kosovës, me numrin njohjeve të ish-republikave të ish Federatës jugosllave, nuk është me vend, sepse ato automatikisht janë anëtarësuar në OKB, në bazë të planit të Badinterit, kurse Kosova është e përjashtuar nga ky plan, për këtë edhe kemi nevojë për një numër më të madh të njohjeve. Me këtë rast vlen të theksohet se shumica e njohjeve që kanë ardhur ato ishin rezultat i angazhimit të miqve tanë. Ne edhe sot e kësaj dite nuk kemi strategji të qartë për lobim të përgatitur në bazë të rajoneve apo organizatave të shtrira nëpër kontinente të ndryshme të botës. Ashtu, siç nuk janë shfrytëzuar njohjet e deritanishme për vendosjen e lidhjeve dhe forcimin e tyre me ato vende si dhe me shtrirjen e ndikimit tonë në ato pjesë të botës.