Prishtinë, 17 prill 2020

Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim ef. Tërnava nëpërmjet një lidhje on line iu ka drejtuar xhematit dhe opinionit të gjerë me një mesazh në ditën e xhuma. Ai mes tjerash ka thënë se në këtë ditë të bekuar të xhumasë, bashkërisht më ju, dhe me të gjithë njerëzit e vullnetit të mirë të Lusim Zotin që të na pajis me sabër që bashkërisht të tejkalojmë sfidat me të cilat po përballemi këtë kohë. Këtë javë që po e lëmë pas, në vendin tonë është rritur numri i të prekurve nga sëmundja COVID-19. Rritja e numrit të të infektuarve kërkon nga ne  të gjithë disiplinë e përgjegjësi më të madhe për të ruajtur shëndetin tonë.  Ai më tej ka kërkuar nga xhemati dhe qytetarët që edhe më tej  duhet zbatuar udhëzimet e institucioneve shëndetësore dhe masat e marra nga institucionet tona që kanë për qëllim ruajtjen e shëndetit tonë. Duhet kuptuar se po përballemi me pandeminë që po rrezikon drejtpërdrejt shëndetin tonë, tashmë dihet që masat e marra për parandalimin e pandemisë kanë prekur ekonomitë tona familjare. Për ta zbutur krizën në të cilën gjendet një kategori e shoqërisë sonë jemi të obliguar që të jemi solidarë, të jemi bamirës, të jemi human, të jemi pranë atyre që kanë nevojë për mbështetjen tonë.

“Solidariteti në fenë tonë është vlerë  hyjnore e cila duhet kultivuar në të gjitha rrafshet dhe me të gjithë njerëzit.Kërkohet nga ne që të solidarizohemi me të gjithë  ata që kanë nevojë për ndihmën, mbështetjen  e përkrahjen tonë.Solidaritet sot është të jesh pranë fëmijëve,që ti  dëgjosh me kujdes kërkesat e tyre, solidaritet sot është  të jesh pranë të moshuarve ti dëgjosh hallet e tyre, solidaritet sot është të përshëndetesh me mirësi fqinjin tënd, ky është ahmaku ynë, kjo kërkohet nga ne”-ka shtuar myftiu Tërnava

Mirëpo solidaritet, mirësi e bamirësi është që të ndihmosh atë që sot kanë nevojë për ndihmën e mbështetjen tonë, I Dërguari i fundit i Allahut, Muhamedia.s., e ka theksuar solidaritetin si vlerë të rëndësishme për besimtarin, e po ashtu, ai vetë me veprimet e veta, ka dhënë shembullin më të mirë për këtë gjë. Ai aq tepër ka folur dhe ka vepruar në drejtim të solidaritetit,sa që me plotë të drejtë mund të konsiderohet mësuesi më i madh i njerëzimit për solidaritet dhe ka qenë  njeriu më bujar e fisnik. Bamirësi gjithmonë është fitues, sinë këtë  botë ashtu edhe në ahiret , Allahu i Madhërishëm ka garantuar se shpërblimi nuk do t’i humbët, Ai për këtë në Kuranin e madhëruar thotë: “Allahu, bamirësve nuk do t’ua humbë shpërblimin.” (et-Tevbe, 120)

Ndihma, kujdesi e mbështetja për ata që kanë nevojë përveç tjerash është edhe  shenjë e besimit të kalitur  në Zotin. Për këtë Allahu xh.sh. në Kuran thotë: Besimtarët dhe besimtaret janë të dashur për njëri-tjetrin, urdhërojnë për të mirë, e ndalojnë nga e keqa, e falin namazin dhe japin zeqatin, respektojnë Allahun dhe të dërguarin e Tij. Të tillët do t’i mëshirojë Allahu. All-llahu është ngadhënjyes, i urtë.(Et-tevbe, 71)

Ai më tej ka sqaruar se kjo pandemina ka ndryshuar e vështirësuar mënyrën dhe ritmin e punës e jetës, mirëpo tashmë, jemi edhe në prag të muajit të Ramazanit, andaj kjo na bënë që edhe më tepër ti kushtojmë rendësi kujdesit për ata që kanë nevojë.  Andaj kërkohet nga ne të kontribuojmë të gjithë me mundësitë që kemi  që Muajin e Ramazanit, ata që sot janë në vështirësi momentale ekonomike ta presin pa një sfidë më pakë, të paktën mos të kenë hallin për gjërat elementare.

 “Ne si popull, solidaritetin e bamirësinë e kemi të  njohur, e të kultivuar nderë shekuj e ndër breza saqë është kthyer në virtyt, dhe fal këtij virtyti kemi arritur që të përballemi dhe me sukses ti kalojmë  shumë  vështirësi gjatë historisë sonë. Kemi ditur që të jemi pranë njëri – tjetrit,dhe jam më se i bindur që këtë do ta bëjmë në formën më të mirë edhe tani gjatë kësaj  krize”-ka thënë myftiu Tërnava

Ai ka drejtuar falënderime për aktivitetet dhe  nismat e institucioneve tona për t’i ndihmuar të gjithë ata që u prekën nga kjo situatë, po ashtu duhet përshëndetur edhe OJQ e fondacione të ndryshme  që po kontribuojnë në tejkalimin e kësaj situate. Në këtë rrafsh, ne Bashkësia Islame e Kosovës, përmes Shoqatës bamirëse “Bereqeti” kemi ndërmarr Aksionin “Sofra e Ramazanit”, me të cilin do  ti ndihmojmë familjet që kanë nevojë për mbështetjen e kujdesin tonë.

Myftiu Tërnava edhe një herë ka apeluar dhe ka ftuar  të gjithë pa përjashtim që të kontribuojnë me mundësitë që kanë që aksioni ynë të jetë sa më masiv, sa më gjithëpërfshirës me të vetmin qëllim, që të begatojmë Sofrën e Ramazanit për ata që janë në nevojë.

“E kemi obligim të ndihmojmë kur kemi mundësi, me këtë rast  ftojë edhe njëherë besimtarët tanë që në këtë kohë të vështirë të jenë solidarë, ftoj po ashtu të gjithë ata që Zoti u ka dhënë Bereqet që të ndihmojnë aksionin tonë. Sevapet për solidaritet e bamirësi janë të shumëfishta”-ka thënë myftiu Tërnava  duke kujtuar  një rast kur u pyet  Muhamedi a.s., cili njeri është më i dashur tek Zoti?. Pejgamberi a.s., u përgjigj: Njeriu më i dashur tek Allahu është ai që është më i dobishmi për njerëzit, ndërsa veprat më të mira tek Allahu janë ta gëzosh një besimtar,ti largosh një brengë atij, tia paguash një borxh të tij, ose tia largosh etjen e urinë atij”.

Ai në fund është  është lutur me këtë dua “O Zot i Plotfuqishëm, Ruaje  popullin e  vendin tonë, O Zot na i prano veprat tona të mira, na bën ne bamirës,  e na  përmirëso gjendjen tonë, dhe Lehtësoji ata që janë në vështirësi!

Shfaq më shumë në Fjalime

Shfleto

U vu gurthemeli i xhamisë së re në fshatin Shkabaj të Obiliqit

Prishtinë, më 22 nëntor 2024 Me këndim të tekbireve, sot, pas namazit të xhumasë, u vu gur…