Shkruan: Resul ef. Rexhepi
“Me të vërtetë Allahu dhe engjëjt e Tij e përshëndesin Pejgamberin, prandaj edhe ju, o besimtarë, përshëndetni atë me përshëndetje meritore!”
Hyrje
Sa herë që vjen 12 Rebiu’l evveli, myslimanët në të gjithë botën e edhe te ne, me programe të ndryshme festojnë dhe kujtojnë ditëlindjen e më të dashurit të Allahut Muhamedit (paqja dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të!). Në fakt, ne sa herë që festojmë mevludin -ditëlindjen e Pejgamberit, në të vërtetë kujtojmë thirrjen islame, misionin paqësorë që me aq besnikëri na e përcolli Pejgamberi (a.s.), rrugën e ndritshme islame që ai na e trasoi. E kujtomë edhe duanë e hazreti Ibrahimit, i cili tek sa i ngrinte muret e Qabesë me të birin hazreti Ismailin, në një moment iu drejtua Zotit duke e lutur:
“Zoti ynë, dërgo ndër ata (pasardhësit tanë, ymetin islam) një të dërguar nga gjiri i tyre që t’ua lexojë argumentet e Tua, t’ua mësoj Librin (Kuranin) dhe Urtësinë (rregullat e fesë) e t’i pastrojë ata (nga pafesia). Vërtetë, Ti je i Gjithëfuqishmi dhe më i Urti Gjithëgjykues!
Dhe shi për këtë, u dashtë të kalojë një kohë e konsideruar, madje disa shekuj, u dashtë që dielli shumë herë të lind e të perëndoj, derisa Allahu i Gjithëmëshirshëm ia pranoi lutjen Ibrahimit (a. s.) dhe e dërgoi atë që shndriti gjithësinë, tokën dhe qiejt, të gjitha krijesat. E dërgoi më të zgjedhurin e Tij, mëshirën e njerëzisë! Këtë, më të madhen dhuratë, me të cilën errësirën e zëvendësoi me dritë, injorancën me dituri, të keqën me mirësi, e pohoi Ai Vet në Kuran, kur tha:
“Me të vërtetë se Allahu u dha besimtarëve dhuratë të madhe kur atyre u dërgoi Pejgamber nga mesi i tyre me qëllim që atyre tua lexojë argumentet e Tij, t’i pastrojë nga idhujtaria e shirku dhe t’ua mësoj Kuranin dhe Urtësinë (rregullat e fesë), ndonëse ata para dërgimit të këtij Pejgamberi ishin krejtësisht të humbur!”
Me dërgimin e Muhamedit (a. s.) bota do të fitojë një ndriçim të ri, i cili do të angazhohet në zhdukjen e fanatizmit, injorancës dhe errësirës shumë shekullore. Tashmë rrënjësisht do të ndryshojë filozofia e jetës, njeriu do ta adhurojë Krijuesin e vërtetë, do t’i nderojë vlerat njerëzore dhe do të mbjellë farën e dashurisë mbarë njerëzore. Muhamedi (a. s.) me një rast do të deklarojë: “O njerëz, ta dini se unë jam i dërguari i Allahut për të gjithë ju për t’ua prezantuar fenë e vërtetë të Zotit, fe të cilën e kanë pasur të gjithë pejgamberët e Zotit, por që me kalimin e kohës njerëzit e ndryshuan dhe futën shumë gënjeshtra dhe shumë risi të shpikura, ndaj, unë me urdhrin e Zotit po e dëlirë dhe po e pastrojë dhe kështu po ia kthejë origjinalitetin e saj”. Pra, Islami është fe e natyrshme e çdo njeriu, me të lind, dhe konceptet e tij janë të gjera sa edhe vet njerëzimi. Fundja, a nuk ishte Islami feja e Ademit, Nuhut, Ibrahimit, Musait, Isait dhe e të gjithë vëllezërve të tyre pejgamberë?!
Është, prandaj, dashuria jonë e madhe dhe respekti i pashoq që ndjejmë për Pejgamberin tonë, ajo që na shtynë që atë ta kujtojmë në mënyra të ndryshme, edhe me mevlud e salavate, pikërisht në ditëlindjen e tij. Dashuria ndaj Resulullahut ka qenë ajo që i ka shtyrë shumë autorë, shqiptarë dhe të tjerë, që ndër shekuj kanë thur bejte e poezi, e që për nga stili dhe karakteri i tyre i lartë, janë thjeshtë të paarritshme.
Dy fjalë për lindjen e Pejgamberit tonë
Në prag të shekullit VI bota ishte në një gjendje skajshmërisht të vështirë, e në veçanti ajo e siujdhesës së Arabisë. Dominonin veset negative dhe të dëmshme për shoqërinë, kurse morali kishte rënë në një nivel tepër të ulët. Shoqëria qe katandisur sa s’bën më. Ishin kohë të vështira atëbotë, të vështira aq shumë sa që njerëzit më me ëndje e dëshironin vdekjen se sa jetën. Shumë pakë aspekte, për të mos thënë fare, të jetës kishin ngelur pa u prekur nga imoraliteti e degjenerimi.
Dhe, pikërisht në këto momente dramatike, mëshira e Allahut shndriti gjithësinë, shndriti njerëzimin dhe gjithë ç’ka jaradis i Madhi Zot!
Ditën e hënë, herët në agim, më 12 Rebiu-l-evvel ose 20 prill 571 ka lindur më i zgjedhuri i Allahut, Muhamedi. Gëzimi s’kishte kufi. Gjyshi i tij Abdylmutalibi, sapo e mori lajmin për lindjen e nipit, vajti ke dhoma e resë së tij Eminesë, e përgëzoi për këtë lindje dhe e mori nipin dhe me te vajti ke Qabeja, me ç’rast edhe i vuri emrin Muhamed, një emër jo edhe krejtësisht i panjohur, por rrallë herë i dëgjuar. Në pyetjen se përse e emëroi pikërisht kështu, gjyshi Abdylmutalibi do të përgjigjej: “Dëshiroja që ai të bëhet i falënderuar nga të gjithë”. Emineja – e ëma e Pejgamberit e ka quajtur edhe Ahmet. Të dy këta emra janë të përmendur në Kuran.
Rreth ditëlindjes së Pejgamberit (a. s.) në literaturën aq voluminoze që ekziston, ka edhe mendime tjera rreth vitit të lindjes së Pejgamberit (a. s.) por mendimi më i bazuar është ai që e shënon vitin 571 (miladi), dhe kësaj duhet t’i përmbahemi. Hipotezat tjera vetëm sa e bezdisin dhe e ç’orientojnë besimtarin, prandaj dhe nuk janë marrë në konsideratë në këtë shkrim.
Autorët shqiptarë të mevludeve, shumica e tyre, lindjen e Muhamed Mustafasë e përshkruajnë shumë bukur. Mulla Mehmed ef. Salihu, fjala vjen, në “Mevludin” e tij thotë:
N’atë Rebiul-Evel leu fahrixhihanë
E hanë prama e dymdhjeta natë u konë.
Me këtë rast, unë nuk dëshirojë të ndalëm e të shkruaj për ditëlindjen e Pejgamberit, sepse për te folën dhe shkruan dijetarët më të spikatur, njohësit më të mirë të “Sires” – Jetëshkrimit të Pejgamberit (a. s.), dijetarët më autoritativ dhe njerëzit më mendjendritur. Për Resulull-llahun shkruan e shkruan vëllime të tëra myslimanët dhe jomyslimanët. Mirëpo, sa do që të shkruhet e të flitet për Te, megjithatë gjuha jonë është e varfër, madje shumë e varfër në krahasim me atë që Allahu i Madhërishëm e tha Vet në Kuranin e Tij famëlartë për Muhamedin (a. s.)
“Dhe Ne ta ngritëm lart namin (famën) dhe emrin tënd!”
Manifestimi i ditëlindjes së Pejgamberit (a. s.) ose Mevludi
Duke qenë se Pejgamberi (a.s.) ka gëzuar vend meritor në zemrat dhe shpirtrat e besimtarëve, madje si askush tjetër nga krijesat e Allahut, poezi dhe vargje për të kanë thurur njerëzit që nga koha e Ebu Bekrit e tutje, e madje që nga e famshmja “Talea ‘l-bedru alejna”. Por literatura e krijuar për ditëlindjen e Pejgamberit (a. s.), nuk është qëllimi ynë në këtë rast, por është manifestimi i organizuar për ditëlindjen e Pejgamberit (a.s.) – Mevludin.
Që në fillim duhet konstatuar se, gjatë kohës sa ka qenë gjallë vet Pejgamberi (a. s.), madje as gjatë kohës së sahabëve, tabiinëve e tebei-tabiinëve nuk është se ka pasur organizime për të manifestuar ditëlindjen e më të dashurit të Zotit-Muhamed Mustafasë, ashtu siç është manifestuar ndër shekuj ose siç manifestohet sot, ose, në ndonjë formë tjetër më ndryshe. Kjo, ndoshta ka bërë që disa individ, e më vonë edhe ca grupe dhe sidomos ata të drejtimit ideologjik vehabitë, këtë lloj organizimi ta konsiderojnë si “risi – bidat”, ndonëse për një pandehje të tillë jo se kanë as më të voglin argument.
Shumica dërrmuese e dijetarëve islamë, organizimet e ndryshme për ditëlindjen e Pejgamberit i përkrahin fuqishëm. Vet praktika e myslimanëve tash e sa kohë, gjithandej në fshatra e qytete, si të botës islame, ashtu edhe të vendeve të tjera, është argumenti më i madh për këtë lloj organizimi. Kjo traditë e krijuar shekuj me radhë nuk bënë të nënçmohet, sepse nënçmimi i saj është nënçmim i vet Pejgamberit (a. s.). Sa kohë që, vetë hadithet e Pejgamberit (a. s.), dëshmojnë se: “Ymeti im nuk do të bien në ujdi për një çështje që është e gabueshme!” Ose “Atë që myslimanët e vlerësojnë të mirë, edhe te Allahu do jetë e mirë”. Rreth (mos)lejimit të organizimit të Mevludit si organizim fetarë nuk dua të ndalem, sepse aq shumë është shkruar sa që kushdo që dëshiron mund të gjejë materiale të bollshme dhe bindëse. Do ta përmendi vetëm mendimin e Imam Sujutiut, i cili manifestimin që e bëjnë njerëzit duke lexuar Kuran, duke lexuar bejte-vargje kushtuar Pejgamberit, duke rikujtuar momente para dhe gjatë lindjes, mrekullive të tij e deri lidhur me kalimin e tij në botën tjetër-Ahiret, duke dërguar salavate e duke bërë dua, i ka konsideruar të lejuara dhe të shpërblyera me sevape nga Allahu i Gjithëmëshirshëm. Për më tepër, kur kjo bëhet me qëllim ibadeti, atëherë shtrohet pyetja, a thua ka ibadet e që Allahu të mos na shpërblejë për të?!
Argument tjetër mund të konsiderohet edhe agjërimi i Pejgamberit që e bënte ditën e hënë. Kur ai qe pyetur se përse e agjëronte atë ditë, ai kishte thënë: “Atë ditë kam lindur, atë ditë më ka ardhur shpallja dhe atë ditë kam bëra hixhretin!” .
Mbi të gjitha, nuk mundemi me këtë rast e të mos e përmendim fjalën e Allahut në Kuran kur thotë:
“Paqja qoftë mbi të ditën kur u lind, ditën kur do të vdesë dhe ditën kur do të ringjallët”
Madje, po të njëjtat fjalë të Zotit janë thënë edhe përmes gojës së Isait (a .s.):
“Paqja e shpëtimi qoftë mbi mua ditën kur u linda, ditën kur do të vdes dhe ditën kur do të ringjallëm!”
Sikurse kuptohet, këto dy ajete të Kuranit, argumentojnë respektin meritor të ditëlindjes dhe të vdekjes, si dy momente shumë të rëndësishme ku manifestohet fuqia e Zotit Krijues!
Krahas nga sa u tha më sipër, duhet të jemi koshient e nuk duhet harruar edhe një të vërtetë të pakontestueshme se, dashuria dhe respekti ndaj Pejgamberit (a. s.) nuk është i mjaftueshëm vetëm me organizim të manifestimit të mevludit, përkundrazi, dashuria e vërtetë e respekti i sinqertë ndaj Resulullahit tregohet duke e ndjekur Synetin e tij, duke e ndjekur rrugën që ai na e trasoi e duke vepruar sipas asaj që ai na udhëzoi. E pra, organizimi i manifestimit të ditëlindjes së Pejgamberit, duhet të shfrytëzohet edhe si një shkas më tepër për të jetësuar synetin e traditën që ai na e trashëgoi.
Shikuar historikisht, mund të konstatohet se Fatimitët janë të parët që filluan ta manifestonin ditëlindjen e Pejgamberit (a. s.) në Egjipt në shek X (shek. IV h.) , për të vazhduar më vonë të shtrihet gjithandej ku jetonin myslimanët, madje deri në atë masë sa mund të thuhet se nuk ka vend në botë ku jetojnë sa do pak myslimanë e të mos e shënojnë mevludin në forma të ndryshme, gjithsesi duke e parapri atë me pjesë nga Kurani, për ta shoqëruar me salavate e deri te lutjet e ndryshme drejtuar të Madhit Zot.
Kah fundi i shek. VI dhe fillimi i shek. VII (h.), manifestimi i mevludit fillon të organizohet në Irak (Irbil e Mosul) . Sunduesi i atëhershëm Mudhaffer, pasi kishte marrë miratimin e ulemasë së kohës, kishte organizuar një manifestim përrallorë. Më vonë, ata që thurnin vargje për Pejgamberin (a. s.) i shpërblente me shuma të mëdha të hollash, aq sa diçka e tillë më nuk është përsëritur.
Në Perandorinë Osmane, sipas të dhënave historike, manifestimin e mevludit e ka futur në pallatin e tij sulltan Murati III më 1588, i cili shpejt ka gjetur përkrahje në kuadër të Perandorisë për të depërtuar më pas edhe në viset tjera të saj, përfshirë këtu edhe vendet tona.
Prandaj, manifestimi i ditëlindjes së Pejgamberit (a. s.), ku më shumë e ku më pak, organizohet gjithkund në botë. Vargjet poetike, bejtet, poezitë e ndryshme, ilahitë e kasidet, mevludet e salavatet në qindra gjuhë të botës i dërgohen Muhamed-Mustafasë. Me të tilla manifestime, myslimanët e falënderojnë Allahun që me dërgimin e Muhamedit Pejgamber, ua ndriçoi zemrat, ua shndriti rrugën islame dhe i begatoi ata duke i bërë Ymet të tij. Përmes manifestimit të mevludit, myslimanët falënderojnë Allahun (xh. sh.) për begatitë e dhuruara me lindjen e tij, sepse ai, duke i udhëzuar në rrugë të drejtë, e shpëtoi njerëzimin ka humbja e sigurt, sepse lindja e tij botës i solli drejtësinë, lirinë, paqen dhe vëllazërinë. Sa mirë që populli ynë tashmë muajin Rebiul-evvel ma shumë e quan muaji i Mevludit, aq sa gjithkush e din se fjala është për muajin në të cilin ka lindur me i dashuri i Allahut.
Mevludi te shqiptarët
Sikur në shumë gjuhë të botës, edhe në gjuhën tonë të bukur shqipe, bejte e vargje kushtuar Resulullahit shkruan shumë dijetarë e ulema, madje penat më të ndritura të kohës. Ndër ta do të veçonim: Hasan Zyko Kamberin (shek. XVIII), Muhamed Çamin, Ismail Floqin, Hfz. Ali ef. Ulqinakun, Tahir ef. Popovën, Hfz. Ali ef. Korçën, Hfz. Ibrahim ef. Dalliun, Abdullah ef. Zëmblakun, Sheh Ahmet Shkodrën, Islam Nekovcin, Mehmet ef. Salihun, Ferit Vokopolën, Vexhi Buharanë, Idriz Lamaj, Fahrudin Osmanin, e shumë të tjerë. Në aspektin përmbajtjesorë, përmes vargjeve të mevludit, e ndjejmë dhe e përjetojmë kalimin e Pejgamberit nëpër fazat e jetës së tij: si qe lindja e tij, si fëmijë bonjak, sinqeriteti i tij në Meke, pranimi i Shpalljes, emigrimi, mrekullitë e tij, rikthimi në Meke dhe kalimi i tij në botën tjetër.
Mevludet, në fillim më shumë qenë përkthime nga gjuhët orientale, me gjithë se pati edhe përshtatje po edhe lëvrime origjinale në gjuhën tonë shqipe fillimisht me shkronja osmane e gjatë shek. XX. edhe me ato të alfabetit të sotshëm.
Në aspektin kohorë, te ne këto mevlude shtrihen përgjatë disa shekujve, duke filluar nga Mevludi i Hasan Zyko Kamberit në shek. XVIII, e për të vazhduar deri në ditët tona, dhe, dhëntë Zoti që kjo traditë të vazhdojë deri në Ditë të Kiametit, gjithmonë duke i kënduar Pejgamberit mirë e më mirë.
Në aspektin hapësinorë, ndërkaq, Mevludi dhe manifestimi që është organizuar me atë rast, ka qenë i shtrirë në të gjitha viset shqipfolëse, madje jo vetëm te shqiptarët në Ballkan, po madje edhe te vëllezërit tanë në Diasporë, nga Evropa e deri në SHBA.
Shumica dërrmuese e shteteve arabe, si në nivel shtetëror-qeveritar ashtu edhe në atë popullorë e institucional, organizojnë manifestime të tilla, natyrisht, secila ndryshe nga tjetra, me qëllim që sa ma shumë të ketë organizime kushtuar Pejgamberit (a. s.). Në të tilla raste, lexohet Kuran nga lexues eminentë, mbahen fjalë rasti kushtuar Pejgamberit (a. s.), recitohen poezi, kaside e ilahi, gjithsesi salavate, dua e lutje të ndryshme për të përfunduar me shpërndarjen e ëmbëlsirave… Në të kaluarën jo të largët, po edhe tash, populli ynë mevlude ka organizuar dhe organizon edhe gjatë muajit Rebiu’l-evel, po edhe për ndonjë rast tjetër familjarë: lindjes së fëmijës (sidomos fëmijës së parë), synetisë, hyrjes në shtëpi (banesë) të re, vdekjes së ndonjë anëtari të familjes etj. Fatkeqësisht këtë traditë shekullore, të cilën as ish-sistemi komunist nuk mundi ta çrrënjoste nga zemra dhe shpirti i besimtarëve tanë, arritën ta zbehin deri në njëfarë mase disa “ulema”, në veçanti ata që kishin mbaruar ndonjë kurs në ndonjë vend të botës arabe.
Me gjithë përpjekjet e pareshtura në këtë drejtim, jam thellë i bindur se këtë traditë mbase mund edhe ta zbehin ca, por kurrsesi që ta çrrënjosin nga shpirti i popullit, i cili aq shumë e do Allahun (xh. sh.) dhe të Dërguarin e Tij.
Vlen të përmendet edhe një fakt tjetër, konsideroj me shumë interes, se në shumë vakufname, vakuflënësit e kanë precizuar që në xhamitë të cilat ata i kanë vakufuar, që në data të caktuara (rëndom për netët e mëdha, e xhuma, bajrame…), të lexohet Kuran (mukabele), e edhe të këndohet mevlud, e atyre që e bëjnë këtë t’iu epën kaq e kaq akçe. Mjafton të lexohet vakufnameja e Mahmud pashë Rrotullës nga Prizreni, e legalizuar më 1831, kishte kushtëzuar që në harem të xhamisë së tij në Prizren “gjatë netëve të Ramazanit, Bajrameve, Mevludeve …të vendoseshin kandila….”
Dhe kjo është respektuar në përpikëri, sepse ata janë mbështetur në: ShartulWakifi ke nassish-Shari’
Duhet theksuar edhe një fakt të pamohueshëm se, në kuadër të mejtepeve e më vonë edhe të medreseve, vazhdimisht nxënësit kanë lexuar Kuran po edhe kanë kënduar mevlud. Madje, gjatë netëve të mëdha ose datave të rëndësishme islame, kanë organizuar programe fetare të posaçme, ndërkaq gjatë muajit Rebiu l’ evvel më së shumti kanë kënduar mevlude. Në kuadër të medreseve, gjithmonë kanë ekzistuar seksione të ndryshme të nxënësve për aktivitete të lloj-llojshme, e në mesin e tyre ka qenë edhe grupi i mevludit.
Mevludi, qoftë si ibadet apo manifestim rasti, në asnjë mënyrë nuk mund të cilësohet si diçka i ndaluar (haram ose mekruh), sikundër që as mund të pretendohet se është ndonjë detyrim (farz, vaxhib apo synet). Ai, sipas Sheriatit, është veprim i lejuar, ai mund të jetë mendub! Shpërblehet nga i madhi Zot ai që e organizon, ai që merr pjesë aktive dhe ai që prezanton, sikundër që privohet nga shpërblimi ai që nuk merr pjesë, por jo se ka gjynah. Prandaj, ai që nuk merr pjesë në manifestime të tilla, nuk është se bënë gjynah, por edhe nuk fiton sevap.
Këtë pjesë dua ta përmbyll me fjalët e Ibn Haxher Hejtemiut i cili ka deklaruar:
“Në natën e Mevludit të gjitha krijesat, melaqet, xhindet e kafshët si dhe metalet e pashpirt iu japin myzhde njëri-tjetrit duke u gëzuar se nderi i gjithësisë e ndriçoi botën”.
Si përfundim
Pejgamberi (a.s.) nuk la trashëgimi tjetër përveç Kuranit dhe Synnetit, pra, Islamit dhe disa qindra mija myslimanë, për të arritur kjo shifër sot afër dy miliardë. Sot nuk ka vend ose mjedis në tërë rruzullin tokësor e të mos ketë besimtarë islam, pasues të Muhamedit (a. s.). Krahas faktit se ai përmendet dhe mbi të bien salavat miliarda myslimanë, mbi të gjitha, emrin e tij, Allahu e krahasoi me emrin e Vet: La ilahe il-lallah Muhammedun Resulull-llah. Vallë, a ka nderë më të madh se ky ?!!
Ditëlindjen e Pejgamberit (a. s.), prandaj, është mirë dhe sevap me e manifestuar. Por, akoma ma mirë se kaq është që krahas kësaj, me e ndjek rrugën e tij, me e ndjek synetin e tij, për më tepër kur dihet se Allahu përuljen ndaj Tij e ka ndërlidhur me përuljen ndaj Pejgamberit. Lumturinë e vërtetë në të dy jetët do ta arrijmë nëse i zbatojmë parimet dhe mësimet e Pejgamberit (a. s.) në jetën tonë dhe nëse për shëmbëlltyrë e kemi më të dashurin e Allahut, atë që me ardhjen e tij ndriçoi gjithësinë, atë që nderoi njerëzinë.
Përmbajtja e manifestimeve të Mevludit duhet të përmbajë të tilla elemente me të cilat i afrohemi Allahut (xh. sh.), ndër të cilat po i përmendim vetëm disa:
– Leximi i pjesëve të Kuranit ose, siç po veprohet në disa vende, leximi i sures “Jasin”.
– leximi dhe dërgimi i sa ma shumë salavateve për Pejgamberin (a. s.) sepse:
Nga Enesi transmetohet se Pejgamberi (a. s.) ka thënë: “Kush e thotë një salavat për mua, Allahu atë ka për ta shpërblyer me dhjetë sosh, do t’ia falë dhjetë gabime dhe do ta lartësojë dhjetë derexhe!”
– Duke mësuar ose duke rikujtuar biografinë e Pejgamberit (a. s.) ose detaje nga jetëshkrimi i tij, kjo do të ndikon në lehtësimin e pasimit të rrugës dhe mësimeve të tij për ata që donë, me se arrijmë dashurinë e Allahut:
“Thuaj: Nëse e doni Allahun, atëherë më pasoni mua, sepse Allahu do t’ju dojë dhe do t’ua falë gjynahet!”
Është konstatim tashmë i pranuar botërisht nga ana e dijetarëve të mirëfilltë se manifestimi që e kanë organizuar myslimanët tanë, përveç tjerash, ka luajtur një rol me rëndësi për ruajtjen e identitetit tonë fetarë dhe atij kombëtar. Përmes një organizimi të tillë edhe është shpërfaq dashuria, nderimi dhe respekti që njerëzit e kanë treguar karshi Muhamed Mustafasë. Është, prandaj, detyrë e intelektualëve dhe njerëzve me autoritet, në veçanti e ulemave tanë, që këto vlera të mëdha të kulturës shpirtërore e materiale islame kombëtare t’i ruajmë që të jetojnë përgjithmonë deri në Ditë të Kiametit.
Krejt në fund të këtij shkrimi, nuk gjejë diçka më të mirë për ta përmbyllur se sa këto fjalë të Allahut të Madhërishëm nga Kurani famëlartë:
“E pra, ata të cilët do ta besojnë atë (Pejgamberin), do ta përkrahin dhe do ta ndihmojnë, si dhe do të pasojnë Dritën që i zbriti atij (Kuranin), të tillët janë të shpëtuar!”
Dhe:
Vëllezër nga zjari doni të shpëtoni
Me zemër të djekme “essalatu” thoni!
LITERATURA E SHFRYTËZUAR
– Kur’ani i Madhërishëm, përktheu Prof. Hasan I. Nahi, botim i përkthyesit, Prishtinë, 1988.
– Kur’ani Fisnik, përktheu H. Sherif Ahmeti, botoi: “Kompleksi i Mbretit Fehd për shtypjen e Kur’anit të ndershëm, Medinë, pa v. b.
– Muhammad Fu’ad ‘Abdul-Bâkî, al-Mu’ğam al-mufahras li alfâz al-Kurân al-Kerîm”, 1987, Kajro.
– Shpjegimi i kuptimeve të Kur’anit të lartë në gjuhën shqipe, përkthyer nga një grup përkthyesish pranë Darusselam, Shtëpia botuese dhe shpërndarëse “Darusselam”, Rijad, 2000.
– Kurani dhe hija e tij shqip, përktheu dr. Feti Mehdiu, “Llogos-A”, Shkup, 1999.
– Hishami, Ibni. Es-sîre en-Nebevijje, përgatitur për bot. nga Mustafâ Es-Sekâ etj., Kajro, 1936.
– Grup autorësh të përzgjedhur të “Al-Az’harit”, Hutâbu ‘l Xhumu’ati ve ‘l-‘îdejni, “Dâr el-Meârif”, bot. i dytë, Kajro.
– Grup autorësh, Islami nëpërmjet haditheve, “Kryesia e Çështjeve Fetare të Turqisë- Dijaneti”, bot. i dyrë, Ankara, 2017.
– Grup autorësh, Muhammedi a.s. – vështrim bashkëkohor, botoi: “el-Muessesetu ‘l-‘arabijjetu li d-dirâsâti ven-neshr”, Bejrut, 1972.
– Hamidullah, Muhammed. Muhammed a.s. – život i djela, vëll. I-II, botoi: “Kryesia e BI e BeH, Kroacisë e Sllovenisë”, Sarajevë, 1983.
– Hârûn, Abdusselâm. Tehdhîb Sîretu Ibn Hishâm, botoi, “Dâr ef-fikr”, pa vit dhe vend botimi.
– Hiti, Filip. Istorija Arapa, bot. “Veselin Maslesa”, nga anglishta Petar Pejćinović, Sarajevo, 1967.
– “Mevludi tek shqiptarët”, Përmbledhje kumtesash nga sesioni i mbajtur më 2009, botuar nga organizatori Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës, 2010, Prishtinë.
– Spahić, Mustafa, Povijest Islama, bot. Bashkësia Islame në Gjermani, 1996, shtypur në Travnik.
– Hejkel, Muhamed Husejn, Jeta e Muhamedit, bot i 13-të, “En-Nehda el-misrije”, 1968, Kajro.
– ‘Ali, Meulânâ Muhammed, Hajâtu Muhammed ve risâletuhû, përkthyer në gj. arabe: Munîr El-Balebeki, “Dâru’l-Ilm lilmelâjîn”, bot. i II, 1967, Bejrut.
-Luli, Faik e Dizdari, Islam, Mevludet në gjuhën shqipe, 2002, Shkodër.
– Xhum’ah, Muhamed Lutfi, Theuretu ‘l Islam ve batalu ‘l enbijai, bot. Mektebetu ‘l-Nehda el-Misrije, 1959, Kajro.
– Takvimi 2020, bot. Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës, Prishtinë. – Bislimi, mr. Taxhedin, Mevludi, historiku dhe dispozita e tij, 2006, Shkup.