Shkruan: Resul ef. Rexhepi
Çdo popull i ka festat e veta, e kjo është festa jonë!”
Hadithi sherif
Falënderimet i takojnë Allahut, Krijuesit të botëve. Vetëm Atë e adhurojmë dhe vetëm nga Ai ndihmë dhe falje kërkojmë. Paqja dhe bekimi i Zotit qofshim mbi Muhamed Mustafanë, vulën e pejgamberisë, mbi familjen dhe shokët e tij dhe të gjithë ata që ndjekin rrugën islame deri në Ditën e Kiametit!
Sikurse e kemi thënë edhe më parë, kur kemi bërë fjalë për Fitër-Bajramin, festat kryesore të myslimanëve janë Fitër-Bajrami dhe Kurban-Bajrami (në popull më shumë të njohur si Bajrami i Madh dhe Bajrami i Vogël). Në parim, këto festa vijnë pasi që besimtarët të kenë mbaruar me sukses një ibadet madhor. Festa e Kurban-Bajramit vjen pasi që besimtarët ta kenë mbaruar ibadetin e Haxhit, që është shtyllë e fesë islame. Prandaj, dijetarët me të drejtë kanë konstatuar se myslimanët meritojnë që pasi të kenë zbatuar në praktikë urdhrin e Krijuesit për ta kryer Haxhin, tash të gëzohen e të festojnë ashtu siç meriton një festë kulmore islame.
Koha e Kurban-Bajramit është në ditën e dhjetë të muajit dhul-hixhe, gjegjësisht dy muaj e dhjetë ditë pas Fitër-Bajramit dhe zgjat katër ditë.
Nocioni “ed’ha” origj.عيِدُ الْأَضْحَى e ka kuptimin “kurban, sakrificë, me sakrifikuar për Zotin e Gjithëmëshirshëm” , pra, me therë kurban, me sakrifikua në emër të Allahut. E, meqë kjo ditë është ditë feste, atëherë është e udhës që gajlet, telashet, pikëllimet e të ngjashme duhet lënë anash, kurse gëzimi e hareja duhet të dominojnë në ambientet myslimane. Prandaj, Pejgamberi (a. s.) me një rast kishte thënë:

“Çdo popull i ka festat e veta, e kjo është festa jonë!”
Kjo, në fakt, ka qenë traditë e Pejgamberit, në veçanti gjatë periudhës së Medinës, kur ai festat i kalonte në një atmosferë gëzimi e lumturie, madje aq sa argëtimin për këtë festë e kanë konsideruar synet të Pejgamberit (a. s.).
Në të vërtetë, kur Pejgamberi (a. s.) qe vendosur në Medinë, kishte vërejtur se njerëzit aty i festonin dy ditë, e pasi i treguan se ç’ishte ky manifestim, ai, sikurse tregon Enes bin Maliku, kishte thënë:

Enes bin Maliku ka thënë: “Në kohën që Pejgamberi erdhi në Medinë, njerëzit argëtoheshin dy ditë. Ai pyeti: Ç’farë janë këto ditë që po festoni? Ata iu përgjigjën se në kohën e injorancës argëtoheshin gjatë atyre dy ditëve. Pas kësaj Pejgamberi deklaroi: “Pa dyshim se Allahu ato festa i ka zëvendsuar me dy festa më të mira dhe më të vlefshme, e ato janë: Kurban-Bajrami dhe Fitër-Bajrami!”
Cilat janë karakteristikat e Kurban-Bajramit?
Karakteristikat e këtij Bajrami janë:

  1. Kryerja e Haxhit nga ana e atyre besimtarëve që kanë mundësi ekonomike ashtu siç kërkon Sheriati një herë gjatë jetës. Natën e Kurban-Bajramit, me nëntë Dhul-hixhe, që ndryshe quhet nata e Arifes, të gjithë haxhilerët, të veshur me një petk të veçantë (Ihram) dhe në mënyrë të njëjtë pa as edhe një dallim të vetëm, të tubuar në Arafat, i lutën të gjithë tok Allahut (xh. sh.), për të vazhduar më pas me detyrat e tjera që i ka paraparë Sheriati për këtë ibadet.
  2. Therja e kurbanit, veprim ky i cili sipas shkollës tonë juridike është i kategorisë vaxhib- i obligueshëm, natyrisht për atë që i plotëson kushtet e parapara sipas Sheriatit. Sakrifica që e shpreh besimtari me këtë rast, është e pa shembull, nuk mund të krahasohet me asgjë, e që zanafillën e ka, siç njihet historikisht, që nga hazreti Ibrahimi (a. s.), ndërkaq historikisht njihet akoma më herët që nga koha e bijve të Ademit (a.s.).
  3. Tekbiret (e teshrikut) – janë një margaritarë tjetër që e karakterizojnë Kurban-Bajramin. Tekbiret thuhen pas secilit farz të namazit, duke filluar nga namazi i sabahut i natës së Bajramit dhe zgjasin deri me ikindi të ditës së katërt të tij, pavarësisht nëse falësh me xhemat ose individualisht, mashkull apo femër, vendas ose udhëtar.
    Sikurse në çdo ibadet, edhe namazi i Bajrameve, nëse i kuptojmë si përfitim individual dhe shoqëror, atëherë kjo do të na mundësojë dashuri të madhe dhe ndjekje të këtyre vlerave. Feja islame ka parapëlqyer që festa e Bajramit të festohet me tërë kuptimin e mirë të fjalës, të festojnë besimtarët duke u argëtuar njerëzishëm. E, argëtimet duhet të jenë të tilla që lartësojnë vlerat njerëzore dhe kanë respekt të madh ndaj virtyteve, duke na rikujtuar se edhe argëtimi ka edukatë. Prandaj, festimi i myslimanëve për Bajram është festimi që bëhet edhe bashkërisht edhe me ndërgjegje.
    Sigurisht që veçoria më e madhe e mëngjesit të kësaj dite të Kurban-Bajramit është se duaja e atij që i lutet Allahut është e pranuar nga Ai të Cilit i drejtohet me dua.
    Duhet të përmendim me këtë rast se besimtarët në ditën e Bajramit duhet të zgjohen me kohë e të shkojnë në xhami. Fillimisht duhet falë namazin e sabahut e pastaj, kur të vjen koha edhe atë të Bajramit. Gjithsesi, nuk duhet lejuar që të shkojmë deri te xhamia dhe të mos hyjmë brenda, e të rrimë jashtë si spektatorë. Kjo është e papranueshme dhe besimtarit nuk duhet t’i ndodhë! Këtë nuk duhet që t’ia lejojë vetës askush!
    Këtë ditë duhet që të pastrohemi dhe t’i veshim rrobat më të mira , të parfumohemi dhe të shkojmë në xhami, duke marrë tekbire (jo me zë të lartë) dhe duke e madhëruar Atë që meriton të madhërohet – Allahun e Gjithëmëshirshëm.
    Para faljes së namazit të Kurban – Bajramit ata që kanë vendos të therin kurban, mirë është që të mos hamë asgjë deri pas faljes së namazit të Bajramit.
    Namazi i Kurban-Bajramit
    Një prej karakteristikave kryesore të festës së Bajramit është edhe falja e namazit të Bajramit, i cili falët në xhami (më mirë është sikur të falej në namazgjah ose musal-la) :
    Namazi i Kurban-Bajramit sipas mendimit të Ebu Hanifës (r.a.) është vaxhib-i obligueshëm. Përbëhet prej dy rekateve. Falet ekskluzivisht me xhematë e jo individualisht në shtëpi, e vaxhib e kanë të gjithë ata që e falin namazin e xhumasë. Ky namaz nuk ka as ezan as ikamet.
    Në qoftë se rastësisht nuk kemi arritur që ta falim namazin e Bajramit me imam dhe xhemat, atë nuk mundemi që ta falim vetëm, qoftë eda apo kaza.
    Koha e faljes së namazit të Kurban-Bajramit
    Koha e faljes së këtij namazi fillon kur dielli të ngitet në gjatësi të një ose dy shtizave e zgjat deri kur ai është në zeval (në zenit të qiellit), ndonëse në kohën aktuale llogaritet më thjesht: 45 minuta pas lindjes së diellit dhe zgjat deri pak para dreke.
    Në qoftë se imami ka pasur një arsye të justifikueshme dhe nuk ka mundur që t’i prij xhematit në namaz, këtë mund ta bëjë deri në ditën e tretë të Bajramit, e pas kësaj dite nuk lejohet falja e namazit të Bajramit.
    Mënyra e faljes së namazit të Bajramit
    Në fillim bëhet nijeti, i cili mund të bëhet kështu: “E vendosa me e falë namazin e Kurban-Bajramit për Zotin e Lartësuar, u ktheva kah kibla, iu mbështeta këtij imami”, dhe kur imami merr tekbir, edhe xhematlinjtë marrin tekbir, duke i ngritur duart te laprat e veshëve dhe duke thënë “Allahu ekber”.
    Në rekatin e parë imami e këndon “Subhaneken”, pastaj tri herë radhazi merr tekbire , duke i ngritur duart deri te laprat e veshëve, e pas herës së tretë i lidh duart mbi bark (nën kërthizë), pastaj me zë e lexon “Fatihanë” dhe një sure (synet është nëse e lexon suren “el- A’la”), për të vazhduar më pas në ruku dhe në sexhde.
    Në rekatin e dytë, e lexon “Fatihanë” dhe një sure (synet është nëse e lexon suren “el-Gashije”), pastaj i merr tri tekbire, duke thënë “Allahu ekber” dhe duke i ngritur duar te laprat e veshëve, kurse herën e katërt merr tekbir për të shkuar në ruku, në sexhde dhe në “tehijjat”, dhe në fund jep selam!
    Pas faljes së namazit të Bajramit, pason hytbeja (dy pjesë), e cila është sikurse ato të xhumasë, mbase duhet të jetë e shkurtë, përmbajtjesore, me këshilla konkrete dhe gjithsesi aktuale. Hytbeja e Bajramit është synet.
    Pas mbarimit të hytbes, e udhës është që kjo ceremoni kaq domethënëse, të përmbyllet me një dua-lutje përmbajtjesore. Krejt kjo, sepse besimtari i sinqertë dëshiron që gjithmonë të jetë falënderues ndaj Allahut, mirënjohës për të mirat dhe begatitë e dhuruara nga Ai. Besimtari gjithmonë, e në veçanti në këtë ditë feste, dëshiron që të jetë شَاكِرًا لِأَنْعُمِهِ “…falënderues për begatitë e dhuruara…”, sepse ai më së shumti kënaqet dhe lumturohet atëherë kur e kryen një obligim karshi Allahut të Gjithëpushtetshëm. Në përmbyllje të këtij shkrimi, kam sjellë një dua-lutje, të cilën mund ta bëni me këtë rast.
    Disa tradita që meritojnë të vazhdohen
    Pas kthimit nga xhamia, fillimisht urojmë të afërmit tanë, akrabanë-farefisin, dhe do të afrohemi në sofrën e Bajramit, të cilën për festë e kemi zakonisht më të begatshme, siç thonë nga supa deri në bakllava.
    Nëse i vizitoni edhe varrezat, asgjë nuk keni gabuar, përkundrazi keni bërë shumë mirë. Po nëse me atë rast keni lexuar një “Fatiha” ose “Jasin”, keni bërë ku e ku ma mirë.
    Bajrami është festë e cila meriton t’i kushtohet një kujdes dhe vëmendje e veçantë edhe familjes edhe të afërmve, të sëmurëve e të moshuarve, të varfërve dhe skamnorëve, shtresave në nevojë dhe gjithkujt që ka nevojë për ndihmën tonë, sepse edhe ata e meritojnë që së paku gjatë kësaj feste ta ndjejnë dhe ta përjetojnë gëzimin i cili jo rrallë herë iu mungon. Prandaj dhe Bajrami është konsideruar festë e unitetit, e bashkimit.
    Bajrami duhet të trokas në ndërgjegjen tonë sa të na shtyjë të reflektojmë mbi vlerat e vërteta njerëzore, në veçanti ato familjare, duke e mbrojtur atë nga antivlerat, të cilat gjithnjë e më tepër i kanosën asaj, sepse familja është celula themeltare e shoqërisë, sa ma e shëndosh të jetë familja aq më e sigurt do të jetë shoqëria dhe, rrjedhimisht edhe kombi ynë.
    Adhurimet dhe lutjet që i bëjmë për Bajram dhe jo vetëm, na dhurojnë kënaqësi dhe na shtojnë shpresën për të merituar falje nga i Gjithëmëshirshmi. Le të shërbej kjo festë për të larguar telashet, brengat, mëritë e hatërmbetjet e në vend të tyre të pajisemi me virtyte të dashurisë, mirësisë, vëllazërisë e miqësisë. Sidomos gjatë ditëve të Bajramit t’i lutemi Allahut të na ruaj nga çdo sëmundje dhe fatkeqësi!
    Keni kujdes edhe këtë: gjatë ditëve të bajramit është i ndaluar agjërimi, sepse këto janë ditë të ushqimit dhe pijeve!
    Para se ta përfundojmë këtë shkrim, dëshiroj që të nënvizojë se qëllimi shoqërorë i kësaj feste është të mbjellë harenë në zemra, gëzimin në shpirtra, qetësinë e trupave, përforcimin e dashurisë shoqërore, mëshirën në mes të afërmve dhe bashkëpunimin e ndërsjellë njerëzorë. Prandaj, me të drejtë dijetarët kanë konstatuar se në këtë festë afrohen zemrat, forcohen lidhjet miqësore, harrohen urrejtjet e hatërmbetjet, shtrihen duart e pajtimit, ripërtërihen lidhjet njerëzore me sinqeritet e dashuri. Mbi të gjitha, vëmendje meritore duhet kushtuar fqinjit dhe atij që e ke ma larg, duke ju ofruar dorën e ndihmës në mënyrë që gëzimi e hareja festive të depërton edhe në familjet e tyre. Fundja, qëllimi i therjes së kurbanit dhe ndarja e mishit të tij e ka pikërisht këtë qëllim. As një fe dhe as një popull nuk i ka kushtuar kujdes dhe vend të merituar shoqërorë institucionit të sadakasë sa i ka kushtuar feja islame dhe myslimanët, por kamë përshtypjen dhe këtë e tregon realiteti në terren se në kohën tonë kjo fatkeqësisht sikur është zbehur. Prandaj, ju ftojë që kësaj t’i ktheheni me gjithë mendje e jo vetëm sa për sy e faqe. Po ju përkujtojë rastin e El-Vakidiut-dijetarë i mirënjohur i shekullit të dytë hixhri, i cili e rrëfen një ngjarje kështu:
    Kisha dy shokë shumë të ngushtë, njëri ishte hashimij. Një herë, në prag të Bajramit, pata vështirësi të mëdha, e gruaja më propozoi: Kemi mjerim e vështirësi, e kur i shoh edhe fëmijët se s’kanë ç’të veshin, zemra më tronditet, prandaj mendo si mund t’ia bëjmë?! I shkrova një copë letre shokut tim hashimij dhe i kërkova ndihmë Ai më dërgoi një qese me 1000 dërhemë. Për çudi, sapo i mora ato në dorë, kur qe një letër nga shoku tjetër, në të cilën ankohej njëjtë sikur se unë që kisha bërë me shokun hashimij. Qesen që e kisha marrë ia dërgova atij. I tregova gruas se ç’kisha bërë, e ajo më lavdëroi. Nuk vonoi shumë dhe papritmas shoku hashimij erdhi te unë dhe më solli një qese si e para dhe më pyeti se ç’kisha bërë me qesen e parë, e kur unë i tregova ngjarjen, ai më tha: Kur mi kërkoje ti, vetëm aq kisha dhe t’i dërgova, kështu që unë mbeta fare pa to përse i shkrova shokut tjetër, e ai ma dërgoi qesen qe ia ke dërguar ti. Vakidiu thotë: ato dërhemë i ndamë secili nga 300, kurse 100 e shoqja. Këtë ngjarje e kishte dëgjuar edhe halifi Me’mun, e kishte ftuar Vakidiun për ta pyetur nëse ngjarja ishte e vërtetë? E kur ai ia kishte vërtetuar, halifi kishte urdhëruar që secili të merr nga 2000 dërhemë, kurse gruaja 1000.
    Kjo ngjarje e vërtetë tregon për një realitet të myslimanëve në një kohë. Ne duhet të pyesim vetën tonë, sot sa jemi në gjendje t’iu ndihmojmë atyre që kanë nevojë ?!
    Si përfundim
    Në përmbyllje të këtij shpjegimi për rregullat e festës së Kurban-Bajramit , e shoh të nevojshme, që lexuesve të nderuar t’ua rikujtojë edhe një njoftim që na e ka bërë më i dashuri ynë-Pejgamberi (a. s.), i cili është besniku i besueshëm, të cilit kurdoherë i kemi besuar ashtu siç na ka rrëfyer: Kjo ditë e bekuar festohet edhe ndërmjet qiellit dhe tokës, me ç’rast marrin pjesë edhe melaqet që zbresin nga lartësia si dhe njerëzit e devotshëm që janë në tokë. Agjëruesit ofrojnë agjërimin e tyre, ndërkaq nga Krijuesi i Gjithëmëshirshëm pranojnë shpërblimet.
    Pejgamberi (a. s.) ka thënë:
    عن سعد بن أوس الأنصارى عن أبيه قال: قال رسول الله صلى الله عليه وسلم: “إذا كان يوم عيد الفطر وقفت الملائكة على أبواب الطرق، فنادوا: اُغْدُوا يَا مَعْشَرَ الْمُسْلِميِنَ إِلىَ رَبٍّ كَرِيمٍ، يَمُنُّ بِالْخَيْرِ، ثُمَّ يُثيِبُ عَلَيْهِ الْجَزِيلَ، لَقَدْ أُمِرْتُمْ بِقِيَامِ اللَّيْلِ فَقُمْتُمْ، وَأُمِرْتُمْ بِصِيَامِ النَّهَارِ فَصُمْتُمْ، وَأَطَعْتُمْ رَبَّكُمْ فَاقْبِضُوا جَوَائِزَكُمْ، فَإِذَا صَلُّوا نَادَى مُنَادٍ: أَلَا إِنَّ رَبَّكُمْ قَدْ غَفَرَ لَكُمْ فَارْجِعُوا رَاشِديِنَ إِلَى رِحاَلِكُمْ، فَهُوَ يَوْمُ الْجَائِزَةِ، وَيُسَمَّى ذَلِكَ الْيَوْمَ فِي السَّمَاءِ يَوْمُ الْجَائِزَةِ”
    “Ditën e Fitër-Bajramit melaqet qëndrojnë në hyrje të rrugëve dhe thërrasin: Nxitoni, o besimtarë, tek Zoti Fisnik, sepse Ai ju ofron mirësi dhe më pastaj edhe ju shpërblen me dhurata. Ju ishit urdhëruar që ta falni namazin e natës (teravitë), dhe ju atë e bëtë; ju ishit të urdhëruar që ditën të agjëroni, dhe ju agjëruat dhe kështu ju e respektuat Zotin tuaj, prandaj merrni shpërblimet tuaja. E, pasi ta falin namazin e Bajramit, një thirrës i fton: Sot, Zoti ju ka falur, prandaj kthehuni në shtëpitë tuaja të kënaqur! Kjo është dita e shpërblimeve. Edhe në qiell emërtohet si Dita e shpërblimeve!”

Pas mbarimit të namazit dhe hytbes, e udhës është të bëhet një dua-lutje me dedikim për këtë rast. Ja një propozim për një dua të tillë:
DUA
(Besmele-hamdele-salvele arab.)
Falënderimi dhe lavdia të takojnë Ty, o Zot i Gjithëmëshirshëm, që në formën më të mirë na ke krijuar dhe në rrugë të drejtë na ke udhëzuar!
O Zot i Gjithëmëshirshëm, na bën prej atyre që vetëm Ty të adhurojnë dhe vetëm nga Ti ndihmë kërkojnë!
O Allahu ynë, nga madhështia Jote dërgove Muhamed-Mustafanë, me të shndrite Tokën, qiejt dhe e dërgove mëshirë e rahmet për botën mbarë!
O Zot i gjithësisë, me shpirt të pastër e me kokë të përulur, të lutemi që ibadetin tonë të na e pranosh, punët tona të mira të na i shpërblesh dhe mëkatet tona të na i falësh!
Sevapet e fituara me këtë rast, me kënaqësinë më të madhe ia dërgojmë Muhamed-Mustafasë, familjes dhe shokëve të tij të devotshëm! I përkujtojmë edhe prindërit dhe gjyshërit tanë, ulematë dhe mësuesit tanë, vëllezërit dhe motrat tona, e në veçanti shehidët tanë.
O Zot i Lartësuar, në këtë agim të bekuar, të kësaj dite të bekuar, nga ky vend i bekuar, të lutemi që mendjet tona të na i kthjellosh, zemrat tona me dashuri vëllazërore të na i mbulosh dhe Madhërinë Tënde me respekt ta kujtojmë!
Të lutemi, o Zot, që të vërtetën të vërtetë të na tregosh e ta pasojmë atë, të keqën të keqe e të largohemi nga ajo dhe fjalën Tënde hyjnore ta lartësojmë!
O Zot i gjithësisë, për hir të Muhamed-Mustafasë, Kuranit, Qabesë dhe Arshi-Alasë, na ndihmo që këtë botë me faqe të bardhë ta kalojmë, në Ahiret të na dhurosh kënaqësi dhe të lumtur ta presim takimin me Ty, o Allah!
O Zot i Gjithëmëshirshëm, të lutemi që të sëmurët tanë t’i shërosh, të vdekurit tanë t’i mëshirosh, nevojtarët t’i ndihmosh dhe na e mundëso që fjala jonë e fundit në këtë botë të jetë dëshmia se nuk ka zot tjetër përveç Allahut dhe se Muhamedi është rob dhe i dërguar i Tij! (Ridaen lil-lahi El-Fatiha)
Për hair dhe urime Kurban-Bajrami! E gëzofshim përgjithmonë!
Literatura e konsultuar:

  • Kur’ani i Madhërishëm, përktheu Prof. Hasan I. Nahi, botim i përkthyesit, Prishtinë, 1988.
  • Kur’ani Fisnik, përktheu H. Sherif Ahmeti, botoi: “Kompleksi i Mbretit Fehd për shtypjen e Kur’anit të ndershëm, Medinë, pa v. b.
  • Muhammad Fu’ad ‘Abdul-Bâkî, al-Mu’ğam al-mufahras li alfâz al-Kurân al-Kerîm”, 1987, Kajro.
  • El-Kasani El-Hanefi, El-Imam Alauddin Ebi Bekr b. Mes’ud, “Bedaiu’ s-Sanai’ fi tertibi sh-Sherai’”, botoi “Daru-l-ihjai al-tourath al-arabi”, bot i tretë, 2000 (1421), Bejrut.
  • Esh-Shelebi, Prof. Muhammed Mustafa, “El-Med’hal fit-tarif bil-fik’hi-l-islamij”, botoi “Dar an-Nahda al-Arabijje”, 1969, Bejrut.
  • Tabbare, Afif Abdyl-Fettah, “Ruhud-din el-Islamij” bot. i 10, botoi “Daru-l-ilm lil melajin”, 1973, Bejrut.
  • Vexhdi, Muhamed Ferid, “El-Islamu fi asri-l-ilm’”, botoi “Daru-l-kitab el-arabij”, 1967, Bejrut.
  • Es-Salih, Dr. Subhi, “En-Nudhumu-i-Islamijje”, botoi “Daru-l-ilm’ lil melajin”, 1968, Bejrut.
  • Sabik, Es-Sejid, Fikhu s-Sunneh, bot. i pestë, 1983, Bejrut.
    -Ekipi i Studimeve Akademike, Stamboll-Turqi, Udhërrëfyesi i një myslimani (adhurimet), botoi Prizmi- Tiranë, 2010.
    Ali Zaimi, Resul Rexhepi dhe Jusuf Zimeri, Ilmihal i zgjeruar, Tiranë, Prishtinë, Shkup, 1918.
  • El-Bureni, Muhamed A.I., Çështjet të fik’hut sipas Kuduriut, bot. Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës, 2002, Prishtinë.
    -Grup autorësh të përzgjedhur të “Ez’herit”, Hutabu ‘l Xhum’ati vel idejni, Dar el mearif në Egjipt, bot. i dytë, Kajro.
    . Sibai, Mustafa, Dispozitat e agjërimit dhe filozofia e tij në dritën e Kuranit dhe synnetit, Bejrut, 1397. Këtë libër, më vonë e kam has të përkthyer në gjuhën shqipe nga Muhamed Mustafa e të botuar nga Logos-A në Shkup, 1999. Unë kamë qenë i detyruar ta shfrytëzoj origjinalin në gj. arabe.
Shfaq më shumë në Shkrime

Shfleto

Argumentet për vlerën e natës së 15 të muajit shaban

Një ndër muajt e preferuar, të cilët i ka veçuar Allahu i Madhëruar dhe që i ka dhënë një …