Njohja e djeshme e pavarësisë së Kosovës nga ana e Mbretërisë së Arabisë Saudite erdhi në momentin tejet të rëndësishëm për të ardhmen e Kosovës, për disa arsye. Kjo njohje erdhi vetëm pak ditë pasi që Kosova dhe Serbia deponuan argumentet e tyre, më 17 prill në Gjyqin Ndërkombëtar për Drejtësi në Hagë, të cilën e kishin bërë edhe disa vende tjera. Mbretëria e Arabisë Saudite është një shtet, i cili gëzon një reputacion të lartë, si në aspektin politik edhe atë ekonomik në të gjitha vendet e botës. 

 

Në vendin e saj gjendet dy xhamitë e shenjta të myslimanëve, për çka Mbreti i Arabisë Saudite, njihet edhe si kujdestar i dy xhamive të shenjta. Ajo është anëtare e disa organizatave ndërkombëtare dhe rajonale. Është anëtare dhe themeluese e Organizatë së Konferencës Islamike, me seli në Xhedë. Është themeluese e Ligës Arabe, si dhe ë anëtare e vendeve të Gjirit, ku marrin pjesë edhe shtate vende tjera të rajonit prodhuese të naftës.
Në krye të Ministrisë së Punëve të Jashtme, për më shumë se dy dekada, është princi Saud al-Fajsal, i biri i të ndjerit mbretit Fejsal, një diplomat prej karriere. Diplomacia e këtij shteti vepron me hapa të matur dhe të sigurt me të gjitha vendet. Andaj, njohja e pavarësisë së Kosovës, që nga shpallja e saj ka qenë në agjendën e këtij shteti, por normalisht është pritur momenti i duhur, i cili përputhet me interesat e tij nacionale.
Vlen të theksohet se, Mbretëria e Arabisë Saudite, asnjë herë nuk ka pasur marrëdhënie diplomatike me ish-Federatën Jugosllave. Nëpërmes Ligës Botërore Islame, me seli në Meke, ku marrin pjesë organizata jo qeveritare islame, vazhdimisht ka përcjell gjendjen e myslimanëve në ish-Jugosllavi dhe është përpjekur nëpërmes kanaleve të ndryshme diplomatike të ndikojë në përmirësimin e statutit të tyre. 

Mbretëria e Arabisë Saudite ka një politikë të jashtme liberale. Ka lidhje të ngushta me Botën Perëndimore, në veçanti me SHBA-të. Por, ajo i kushtin rëndësi të madhe lidhjeve fetare. Kjo shihet edhe në deklaratën e Ministrisë së Punëve të Jashtme të botuar në të përditshmen gjysmë zyrtare “Asharkul-Avsat” në Londër, ku lidhur me arsyetimin e njohjes së pavarësisë së Kosovës, thuhet: “Në përputhje me lidhjet fetare dhe kulturore me popullin e Kosovës, dhe në shenjë respekti për vullnetin e Kosovës për ta fituar pavarësinë, Mbretëria e Arabisë Saudite njofton për njohjen e Republikës së Kosovës dhe shpreson që ky zhvillim do të kontribuojë pozitivisht në përmirësimin e sigurisë dhe stabilitetit në Kosovë dhe vendeve të saj fqinje”.
Vlen të theksohet më këtë rast, se Mbretëria e Arabisë Saudite, që nga përfundimi i luftës ka qenë prezente në Kosovë me një numër të konsideruar shoqatash humanitare, të cilat kanë qenë aktive në rindërtimin e Kosovës, si të infrastrukturës fetare, por edhe në ndërtimin e shkollave, spitaleve dhe me ndihma të ndryshme për të cilat ka pasur nevojë popullata e Kosovës në ato kohë të vështira. 
Duhet theksuar se njohja e pavarësisë së Kosovës nga Arabia Saudite, është një fitore e madhe për Kosovën, por edhe një satisfaksion i madh për vendet tjera arabe dhe islame, që ta ndjekin rrugën e saj. Andaj, paraqitja histerike e ministrit serb, Vuk Jeremiq, në Bruksel në fakt kishte këtë domethënie. 
Qeveria e Kosovës dhe diplomacia e saj, duhet pa humbur kohë, ta hartojnë një strategji, e cila do të përfshinte vendet arabe dhe islame, ku njohja e Arabisë Saudite do të shërbente si precedent. Kjo do të ndikonte që edhe ato vende që ende hezitojnë apo tash për tash janë radhitur në anën e Serbisë për shkak të presionit të masës ta ndryshojnë qëndrimin e tyre.
Këtë e kuptova javën që shkoi me rastin e qëndrimit tim në Damask, ku merrja pjesë në një simpozium shkencor.

 

 

 

Shfaq më shumë në Shkrime

Shfleto

HIXHRETI I PEJGAMBERIT A.S.– NJË FAQE E RE NË HISTORINË E NJERËZIMIT

(Shkruan: Resul ef. Rexhepi) إِلَّا تَنصُرُوهُ فَقَدْ نَصَرَهُ اللَّهُ إِذْ أَخْرَجَهُ الّ…