Stambolli nderon Kosovën duke i vendosur një sheshi emrin e heroit kombëtar Adem Jashari.

Në Stamboll përurimi zyrtar i parkut i ri që Komuna Bajrampasha e këtij qyteti ndërtoi dhe i vendosi emrin e heroit kombëtar të Kosovës, Dëshmorit Adem Jashari. Këtej e tutje emri i Adem Jasharit, i cili ra dëshmor bashkë me 56 shokë, bashkëshorten, fëmijët dhe të afërmit e familjes në luftën për pavarësimin e Kosovës, do të përjetohet në lagjen Bajrampasha të Stambollit.

Në emër të qeverisë së Republikës së Kosovës në ceremoninë e përurimit mori pjesë Ministri i Punëve të Brendshme Zenun Pajaziti, i cili në fjalën e rastit tha: “Mes Turqisë dhe Kosovës nuk ekzistojnë vetëm marrëdhënie zyrtare, por edhe marrëdhënie të fuqishme miqësore. Turqia mbetet një partner i rëndësishëm për zhvillimin e Kosovës dhe në rrugën tonë të mëtejshme për integrimin në strukturat evroatllantike. Kjo është porosia e Republikës së Kosovës për Turqinë”.

Në ceremoni morën pjesë përfaqësues të lartë të komunës Bajrampasha dhe asaj të Metropolit të Stambollit. Për mediat këtu Ministri Pajaziti u shpreh: “Figurat e rëndësishme të sakrificës për lirinë e Kosovës po nderohen edhe jashtë shtetit, ndaj kjo ngjarje ka peshë të rëndësishme për të gjithë shqiptarët. Duke vlerësuar figurën e Adem Jasharit një komunë dhe qyteti i Stambollit respekton të gjithë qytetarët, respekton të gjithë bashkëpunimin tradicional mes nesh, po ashtu ju bën nder shumë qytetarëve që jetojnë këtu, ju bën nder shumë kosovarëve që jetojnë në Stamboll”.

Kryetari i Komunës që ndërtoi këtë park falënderoi qeverinë e Republikës së Kosovës që u përfaqësua në këtë ngjarje të rëndësishme për vendin e tij dhe shtoi: “Kushdo që do të kalojë në këtë shesh do të lutet për shpirtin e Adem Jasharit dhe për të gjithë ata që dhanë jetën për liri”.

Ministri i Punëve të Brendshme Zenun Pajaziti gjatë kësaj vizite u prit në një takim edhe nga Guvernatori i Stambollit Muammer Gyler. Tema kryesore e takimit ishte progresi që ka shënuar Kosova në periudhën e njëvjeçarit të pavarësisë. Kontributi i madh që shteti turk ka dhënë në arritjet që janë shënuar në fushën e sigurisë, veçanërisht në përgatitjen profesionale të policisë së Kosovës, ishte një temë tjetër e këtij takimi, ku Ministri Pajaziti mori mbështetje nga zyrtarët e shtetit turk. I shoqëruar nga Ambasadori i Republikës së Kosovës në Ankara Bekim Sejdiu, Ministri Pajaziti e informoi Guvernatorin Gyler për procesin e njohjes së Kosovës dhe për lobimin, që institucionet e Kosovës bashkë me miqtë ndërkombëtarë po bëjnë për njohjen e pavarësisë së vendit.

Në parkun Dëshmori Adem Jashari që Komuna Bajrampasha ka ndërtuar në lagjen Vatan, pranë rrugës Esenler dhe Forcave Speciale të polisicë ndodhet edhe një kullë sahati e ngjashme me një kullë historike sahati në Ballkan 13 metra e lartë. Parku shtrihet në një sipërfaqe 1.600m2 dhe krahas kullës së sahatit në park ka edhe rrugica për shëtitje dhe ambiente shplodhëse. Parku “Dëshmori Adem Jashari” që ndërtoi rishtas Komuna Bajrampasha, e cila i kushton një rëndësi të madhe historisë dhe kulturës së Ballkanit, për faktin që 45% e banorëve të kësaj komune janë me origjinë ballkanase, simbolizon lidhjet shpirtërore dhe vëllazërore ndërmjet Kosovës dhe komunës Bajrampasha.

 

 

 

Shfaq më shumë në Lajme

Shfleto

Myftiu Tërnava priti në takim ambasadorin e ShBA-ve, z. Jeffrey Hovenier

Prishtinë, më 10 dhjetor 2024 Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim ef. Tër…