Prishtinë, më 1 gusht 2023

Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës nëpërmjet Drejtorisë së saj për Diasporë, ka mbajtur sot takimin tashmë tradicional me bashkatdhetarët tanë që gjenden në diasporë. Në këtë takim u vlerësua lart roli dhe kontributi i bashkatdhetarët tanë dhënë për vendlindjen në përgjithësi dhe për institucionin e Bashkësisë Islame të Kosovës në veçanti.

Në emër të Myftiut Naim ef. Tërnava, të pranishmit i përshëndeti zv.kryetari i Kryesisë së BIK-ut, Ahmet ef. Rama, i cili iu dëshiroi mirëseardhje në vendin e tyre e posaçërisht në Medrese, duke e potencuar se kjo është një vatër e të gjithëve, pavarësisht vendit se ku jetojnë, dhe se një meritë për ngritjen infrastrukturore të Medresesë e ka edhe diasporë jonë.

Drejtori i Diasporës në Kryesinë e BIK-ut, Ekrem ef. Simnica, në fjalën e tij para të pranishmëve, fillimisht iu dëshiroi mirëseardhje bashkatdhetarëve, duke thënë se jeni në shtëpinë tuaj. “S’ka dyshim se ju jeni në shtëpinë tuaj. Ky vend ku ne qe sa vite po organizojmë këtë takim, është një vatër edukimi dhe është shtëpia e të gjithëve, juaja dhe jona. Nga këtu kanë dalë mesazhe paqeje dhe dashurie! Kanë dalë edhe breza të shumtë që e kanë mbajtur gjallë dhe e mbajnë edhe sot e kësaj dite aktivitetin fetar e kombëtar brenda trojeve shqiptare dhe jashtë në mërgatë. Nga këtu është lëshuar kushtrimi për mbrojtjen e atdheut dhe çlirimin e tij” – tha ai në fjalën e tij.

Në fjalën e tij, drejtori i Medresesë, Fadil ef. Hasani, shprehu një falënderim të veçantë për kontributin e vazhdueshëm të bashkatdhetarëve tanë për ngritjen infrastrukturore të Medresesë, si dhe para tyre shpalosi edhe të arriturat dhe sukseset e kësaj shkolle.

Këtë takim e përshëndetën edhe kryetari i Komunitetit Mysliman Shqiptar të Zvicrës, Mehas ef. Alija, kryetari i Unionit Mysliman Shqiptar në Austri, Vahidin ef. Behluli dhe kryetari i Unionit të Qendrave Islame Shqiptare të Gjermanisë, Mensur ef. Halili, për të cilët Drejtoria e Diasporës e BIK-ut ndau nga një mirënjohje për bashkëpunimin dhe kontributin e vazhdueshëm dhënë për institucionet e Bashkësisë Islame të Kosovës.

Në fund, para të pranishmëve u kënduan edhe disa ilahi nga kori i Medresesë, si dhe u shtrua dreke për të gjithë të pranishmit.

Shfaq më shumë në Diaspora

Shfleto

Myftiu Tërnava vizitoi punishten e Xhamisë Qendrore në Prishtinë

Prishtinë, më 8 tetor 2024 Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim ef. Tërnav…