Mr. Naim Tërnava
(Myfti i Kosovës)
Ata që nuk janë të interesuar për ngjarjet që ndodhin rreth tij përderisa ato nuk ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e tyre, janë të zhveshur nga largpamësia për të mbështetur bujarinë, vëllazërimin, miqësinë, ndershmërinë dhe shërbimin që feja u kërkon njerëzve të ofrojnë.

 

Gjatë jetës së tyre, këta njerëz përpiqen të kënaqin egot e veta duke shpërdorur në mënyrë të rëndomtë mjetet e tyre, pa pasur aspak kujdes për kërcënimet që i kanosen njerëzimit. Sidoqoftë, në Kuran, Zoti lëvdon moralin e atyre që përpiqen me mish e me shpirt për të sjellë mirësi në vendin ku jetojnë dhe janë të interesuar për ngjarjet që ndodhin rreth tyre.

Myslimani duhet të jetë një njeri që pajtohet me urdhëresat e Zotit dhe përpiqet me shumë kujdes për të jetuar sipas moralit kuranor, paqes dhe harmonisë. Kurani shprehet: “…Punoni punë të mira…mos kërkoni të shkaktoni mizori në tokë! Zoti nuk i do mizorët.”( 16: 76)
Një mysliman nuk mund të qëndrojë indiferent për atë çka ndodh rreth tij dhe nuk mund të pranojë kurrë mentalitetin se asgjë nuk ka rëndësi përderisa nuk i shkakton dëm atij, sepse ai i është nënshtruar Zotit, është mëkëmbës i Tij dhe ambasador i së mirës. 
Ardhja në Mitrovicë për të debatuar për fenomenin e vetëvrasjes para kësaj mase të nderuar, kur në pjesën tjetër të Mitrovicës gjendja është e tendosur, vetvetiu na bënë të mësojmë se diçka e rëndësishme po ndodhë në shoqërinë tonë në raport edhe me vetëvrasjen. Në fenë Islame vetëvrasja  konsiderohet një prej mëkateve  më të mëdha.  
I Madhi Zot krijoi vdekjen dhe jetën, ndaj edhe mbetet kompetencë e Zotit xh. sh kohëzgjatja e jetës mbi sipërfaqen e tokës:Allahu xh. sh. thotë:
Vërtet Allahu është Ai i Cili krijoi vdekjen dhe jetën për t’ju sprovuar se kush prej juve është më vepër mirë”. Pra Kurani urdhëron në vepra të mira dhe largimin nga veprat e liga, e vepër e ligë dhe e ndaluar në Islam është vetëvrasja .
Burimi hyjnorë i islamit është Kurani që mbështet konceptet e moralit, dashurisë, mëshirës, përkushtimit, sakrificës, tolerancës dhe paqes. Një mysliman që i zbaton siç duhet këto parime në jetën e tij, është një njeri i sjellshëm, i drejtë,  i besueshëm dhe me të cilin është e lehtë të krijojmë marrëdhënie të mira. Ai përhapë dashuri, respekt, harmoni dhe kënaqësi te të gjithë ata që jetojnë pranë tij, ai nuk vret dhe as nuk vetëvritet, dhe largohet nga të këqijat ngase është i pajisur me bindje të thellë në përgjegjësin para Zotit. Kurani kërkon paqe nga njeriu edhe me veten e tij, duke i bërë me dije se begatit e dhuruara nga ana e Allahut janë begati e veçori që duhet vlerësuar e respektuar nga njeriu.
Ndaj problem kyç i njeriut sipas mendimit tim është paqja me vetveten, gatishmëria për të jetuar në paqe me veten dhe të tjerët,vetëvrasja konsiderohet akt mizor ku njeriu humb arsyen dhe nuk e ka më në mbikëqyrje vetën e vet, por atë e udhëheq fuqia negative deri në atë masë sa ti bëjë keq edhe vetës së vet. E në raport me përgjegjësinë që do ta kemi  para Zotit. Allahu xh. sh. thotë: ”Veç kemi krijuar njeriun në formën më të mirë”.
Megjithatë dukurinë e vetëvrasjes e gjejmë pothuajse te të gjithë popujt e botës, mirëpo jo edhe njësojë të kuptuar e komentuar. Vetëvrasja tek shqiptarët në krahasim me popujt e tjerë apo shtetet e tjera mund të themi se nuk ka qenë dukuri, raste të rralla kemi pasur te shqiptarët kur është në pyetje vetëvrasja. Pas luftës së fundit në Kosove kemi raste të shumta të vetëvrasjes, por edhe të vëllavrasjes, dukuri të cilat në princip janë  kundër natyrshmërisë së krijimit të njeriut.
Ndaj njeriu nuk ka asnjë të drejte ti bëjë keq vetës e lë më të tjerëve.
Vërtetë është një dukuri që kërkon një ndalesë të gjatë dhe meditim rreth shkaqeve, motiveve dhe mënyrave të trajtimit.
Allahu xh. sh. në Kuran ka thënë : “ O ju që besuat, mos e përvesoni pasurin e njëri-tjetrit në mënyrë të palejuar, përpos tregtisë në të cilën keni pajtueshmëri mes vete, dhe mos mbytni veten tuaj ( duke mbytur njëri-tjetrin). Vërtetë Allahu është i mëshirshëm për ju.
Këtu para jush do të përmendi edhe disa shkaqe të cilat ndikojnë dhe shtyn individin të marrë një vendim për vetëvrasje,dhe mënyrën e zvogëlimit të rasteve apo gjetjen e ilaçit efektiv për vetëvrasjen. Edhe pse harxhohen fonde të shumta për ta luftuar këtë dukuri, fatkeqësisht ajo është në rritje.
Nga hulumtues të shumtë të këtij fenomeni thuhet se 90 % e rasteve i kanë shkaqet te çrregullimet psikologjike, të cilat shoqërohen me situata të ndryshme,dhe njeriu humb arsyen, kriterin, etikën, shpresën e cila ekzistonte tek ata më parë.
Përdorimi i substancave narkotike, alkoolit, traumat, streset, jo gatishmëria për tu ballafaquar me sfidat e jetës, janë disa nga shkaqet të cilat e qojnë njeriun në marrjen e një hapi për ti shuar jetën vetës.
Vetëvrasja është një nga mëkatet e mëdha në Islam. Vetëvrasja është një mëkat më i madh se vrasja e dikujt tjetër, pra nëse dikush vret një person tjetër vepron një mëkat më të vogël se të vrasë veten. Për këtë arsye dijetarët Islam kanë rënë në kundërshtime në lidhje me faljen e xhenazes së atij që vetëvritet. Ky kundërshtim ekziston vetëm për vetëvrasësin  ndërsa për vrasësin nuk ekziston një kundërshtim i tillë, pra vrasësit i falët xhenazja.
Pejgamberi a.s. e ka theksuar në shumë hadithe se vetëvrasja është mëkat i  madh.
Pejgamberi a. s. u thotë shokëve të tij: “ Qëndroni larg shtatë mëkateve shkatërruese për njeriun. Shokët i thanë, O I Dërguar, kush janë ato shtatë mëkate? Pejgamberi a. s. tha: “Shirku ndaj Allahut xh. sh., vrasja dhe vetëvrasja, ngrënia e pasurisë së jetimit, arratisja nga lufta, shpifja për zina për gruan e ndershme.
Dënimi i personit i cili ka vrarë veten i jepet në mënyrën e vetëvrasjes, nëse ai e ka vrarë veten duke e prerë me thikë, atëherë në xhehenem do të dënohet në atë mënyrë. E kush e mbyt veten e tij në këtë botë me ujë ose me litarë, në atë botë do të dënohet në atë mënyrë. 
Në momentin kur ndodh problemi, njeriu kujton se kjo botë bëhet ë padurueshme por kur kalon një kohë pas kësaj ngjarje njeriu arrin të kuptoj se ai problem që i ka ndodhur më parë nuk ka qenë dhe aq i padurueshëm sa të vetëvritet. Çdo lloj problemi me kohën kalon dhe lehtësohet dhimbja e tij. Urtësia e durimit në momentin e fatkeqësisë është që njeriu pas një kohe e kupton se nuk ka qenë fundi I botës me ndodhjen e atij problemi.
Besimtari nuk e lë veten të shtypet nën ndjenjën e pashpresë ndaj zgjidhjes së problemit ose të zgjedhë vetëvrasjen si zgjidhje të vetme të problemit.
Shumica e dijetarëve në lidhje me vetëvrasjen kanë rënë në një mendim se personi që vetëvritet nuk del nga feja, gjithashtu i falet edhe namazi i xhenazes. Imam Ebu Hanife dhe Imamët tjerë janë të mendimit se vetëvrasësit i falet xhenazja por atë nuk e fal i pari i vendit, atë mund ta falë dikush tjetër nga besimtarët.
Pra në mesin e myslimanëve vetëvrasja është mëkat I madh dhe rreptësisht e ndaluar, dhe konsiderohet një akt i shëmtuar dhe i urryer, megjithatë ka vende ku vetëvrasja konsiderohet një akt i nderuar, i lavdëruar, një vepër për t’u krenuar siç është rasti me Japoninë etj.
Japonezët besojnë që vetëvrasja është “ një zgjidhje krenare e problemeve të pazgjidhura”. Edhe pse disa vende, kultura, e pranojnë vetëvrasjen, në të shumtën e rasteve ajo konsiderohet si një akt i mjerë për dalje nga situate e nder…
Mbi një milion njerëz bëjnë vetëvrasje për çdo vit, kjo do të thotë se vetëvrasja në përmasa botërore zënë vendin e dhjetë si shkaktar i vdekjes .
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, 40 % e vetëvrasjeve ndodhin në Japoni, Indi dhe Kinë. Ndërsa, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës shkalla e vetëvrasjes është rritur dekadën e fundit, në veçanti ndërmjet viteve 1999-2005, në mesin e të bardhëve, të moshave 40-64 vjeçare.
Përveç problemeve të shumta, kjo dukuri shoqërore me përmasa shqetësuese është e pranishme edhe në Shqipëri, si një vend në tranzicion, vetëvrasja, po të kemi parasysh statistikat zyrtare të policisë, flasin për rreth 200 vetëvrasje në vit, numër që tejkalon numrin e krimeve të ndryshme.
Përndryshe statistikat e policisë flasin për rritje të numrit të rasteve të vetëvrasjeve dhe tentim vrasjeve edhe në Kosovë. Të dhënat e policisë së Kosovës thonë se gjatë vitit 2009 janë raportuar 60 raste të vetëvrasjeve dhe 255 tentativa të vetëvrasjeve.
Në mesin e shoqërisë sonë shtrohet një pyetje shumë e madhe:
Pse në të kaluarën e afërt kishim te populli ynë ka pas  shumë pak vetëvrasje?!!!, ndërsa  tash fatkeqësisht trendi i vetëvrasjeve është në rritje.
Sot kur kombi shqiptar frymon më lirshëm se para 20 vjetësh si në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni etj, kur është shumë më i arsimuar, kur gjendja ekonomike është më e mirë, numri vetëvrasjeve është në rritje shumë të shpejt. Kjo gjendje është alarmante, shqetësuese , ngase pas luftës për çdo javë e kemi nga një të vetëvrarë në Kosovë çka do të thotë se kjo shoqëri, këto institucione duhet të punojnë edhe më shumë në zvogëlimin apo parandalimin e këtij fenomeni.
Mendoi se ilaqi-bari shërues për këtë sëmundje është bindja e drejt fetare në raport me Krijuesin, bindja në përgjegjësin që duhet të japim para Zotit, pra pajisja e bollshme me edukatë e moral të lartë fetar kishte me zvogëluar këtë tashmë dukuri në mesin e kombit tonë. Bazuar në këtë dhe shumë dukuri tjera negative është më se e nevojshme edhe aplikimi i mësimeve fetare nëpër shkollat publike, ku i riu kishte pasur rastin që direkt të pajiset me njohuri fetare të cilat kishin me ndikuar që ai të largohet në mas të madhe nga dukurit negative, mirëpo edhe nga marrja e një hapi kaq mizor në shuarjen e jetës vetvetes.
Kurani i cili urdhëron që të gjithë njerëzit, madje të gjitha krijesat duhet të trajtohen me mëshirë, duke e krahasuar shuarjen e një jete me shuarjen e jetëve të njerëzve në përgjithësi. Allahu thotë: “Kush vret ndokënd që s’ka vrarë njeri ose që nuk ka bërë çrregullime në tokë është sikur të ketë vrarë të gjithë njerëzit. Dhe nëse dikush shpëton një jetë,është sikur të ketë shpëtuar jetën e tërë njerëzve.” (5:32)
Ditën e hënë më 20.09.2011 shkoja për Shqipëri, rrugës në një prej gazetave tona të përditshme lexoi edhe një artikull shumë shqetësues, i shkruar nga një gazetar italian, ku ai pasqyron gjendjen në Shqipëri me fenomenin e hakmarrjes dhe thotë; brenda 20 vjetësh në Shqipëri vetëm për gjakmarrje janë vrarë mbi 20 mijë shqiptarë.
Rrugës u ndalëm në një restorant në të hyrë të Tiranës për të drekuar, shikojmë televizionin dhe pas pak minutash jepet lajmi se: Babai vrau djalin, pas pak minutash lajmi tjetër, se i fejuari vret të fejuarën shtatzënë e më pas vret edhe veten,pas pak minutash lajmi tjetër  se vdiq një dhe u plagosën tre në një aksident komunikacioni,pas pak minutash për një pakujdesi me energjinë elektrike vdes një person,brenda një ore shtat të vdekur. Me të arritur në Tiranë lajmi tjetër ekzekutohet me breshëri plumbash një i ri në Durrës,vërtet gjendje alarmante e cila troket në ndërgjegjen e çdo shqiptari.
Pra numri vëllavrasjeve dhe i vetëvrasjeve edhe në Kosovë është alarmant, ndaj duhet bërë diçka për të ndryshuar këtë gjendje, për të parandaluar vëllavrasjet dhe vetëvrasjet, e dukuri tjera të shëmtuara në mesin e shoqërisë sonë. Nuk mund ti ikim përgjegjësisë e të qëndrojmë spektator pasiv mbi atë se ç’far po ndodhë në mesin tonë.
  Kurani nuk përmend dënim më të rëndë për asnjë lloj krimi tjetër që kryhet qëllimisht, përveç se për atë që vret dikë të pafajshëm. Allahu xh. sh. thotë:“ Kush mbyt një besimtar qëllimisht, dënimi i tij është xhehenemi, në të cilin do të jetë përgjithmonë. Allahu është i hidhëruar ndaj tij, e ka mallkuar dhe i ka përgatitur dënim të madh.” (4: 91)
 Islami është një fe që I është shpallur njerëzimit me qëllimin e dhurimit të një jete paqësore, nëpërmjet së cilës të pasqyrohet në tokë, mëshira dhe bamirësia e pafund e Zotit. Zoti I urdhëron të gjithë njerëzit në moralin islam, nëpërmjet të cilit mëshira, bamirësia, paqja dhe toleranca mund të bëhen pjesë e jetës në të gjithë botën. Në suren “ Bekare” ajeti 208, Zoti u drejtohet besimtarëve si vijon: “ O ju që besuat, hyni tërësisht ne Islam (paqe)! Mos ndiqni gjurmët e djallit! Ai është, pa dyshim, armiku juaj i hapur.

————————————-

(Kumtesë e mbajtur në Mitrovicë, më 29 shtator 2011, në tribunën e organizuar nga Këshilli i Bashkësisë Islame, “Vetëvrasja dukuri shqetësuese në vendin tonë”.)

Shfaq më shumë në Fjalime

Shfleto

Fjala e Myftiut Naim ef. Tërnava në promovimin e tri veprave të tij

I nderuari reis i Bashkësisë Fetare Islame të Maqedonisë së Veriut, Shaqir ef. Fetahu, I n…