Urimi i Myftiut të Kosovës për besimtarët dhe qytetarët e Kosovës me rastin e Fitër-Bajramit

Prishtinë, 29 gusht 2011

Të nderuar besimtarë!

Vëllezër e motra!

Nesër është dita e parë e Fitër – Bajramit, ndaj kam kënaqësinë dhe privilegjin që në emër të KBIRK, dhe në emrin tim t’ju uroi festen e Fitër – Bajramit me urimet dhe përgëzimet më të mira, duke e lutur Krijuesin fuqiplotë të ketë pranuar agjërimin, ibadetet dhe adhurimet tona që i kemi kryer vetëm për Zotin edhe gjatë këtij muaji të agjërimit. Ndaj me të drejt festojmë dhe shohim fytyra të buzëqeshura përplot dashuri e sinqeritet ndaj Krijuesit, ngase kemi përmbushur edhe një prej shtyllave të Islamit, dhe me të drejt shpresojmë në shpërblimet e Allahut.

 

Agjërimi i muajit të Ramazanit, ishte elementi më thelbësor i dashurisë ndaj Zotit, ishte ndriçimi më rrezatues, forcë e madhe e cila arriti ti rezistoi çdo force negative dhe të kapërcej çdo forcë tjetër. Duke lartësuar shpirtin dhe përgatitur atë për udhëtim drejt amshimit. E kjo ndjenjë në vazhdimësi gjeneron dashuri, dhe çrrënjosë çdo ndjenjë personale të urrejtjes dhe smirës, dhe i bënë zemrat e tyre burim dashurie dhe altruizmi.

Synimi i agjërimit të muajit të Ramazanit ishte edhe pastrimi i shpirtrave, nga urrejtja, xhelozia, egoizmi, pangopësia, dhe të gjitha veprat e liga. Agjërimi besimtarët i ngriti në shkallë të lartë të devotshmërisë duke i udhëzuar në vepra të mira, solidaritet mes njerëzve, respekt ndaj njëri tjetrit.

Muhamedi a.s. thotë: “Kush agjëron Ramazanin me besim dhe vetë llogaritje të sinqertë do ti falë tërë çka ka gabuar më parë.”

Të nderuar besimtarë!

Zoti e krijoi universin si një manifestim të dashurisë së Tij për krijesat e Tij në veçanti për njerëzimin, dhe islami u bë struktura mbi të cilën u thur kjo dashuri. Ndaj unë si Myfti i Republikës kërkoi nga ju që të shprehni dashurin e respektin ndaj vëllezërve dhe motrave tanë, të cilët kanë nevojë për dorën e ndihmës, kërkoi nga ju që të begatoni sofrat e skamnorëve të jetimëve të gjithë atyre që janë në nevojë, të solidarizohemi me ta, të forcojmë vlerat e kësaj feste, që edhe fëmijët e tyre të gëzohen e ti bëjmë të lumtur në këtë festë madhështore, ngase këtë ditë festojnë njerëzit në tokë e engjëjt në qiej, ngase çdo gjë sot shpreh dhe premton mëshirë e solidaritet. Sa më shumë besimtarët të tregojnë mëshirë e solidaritet ndaj të varfërve aq më shumë do të lartësohen, ngase mëshira e ndihma nuk mund të ndahen nga virtyti e as virtyti nga mëshira. Islami përhap dashuri, respekt, harmoni dhe kënaqësi te të gjithë ata që jetojnë pran tij. Të nderuar qytetarë të Kosovës!

Le të jetë edhe kjo festë e Fitër – Bajramit stimulim për zemrat e shpirtrat tanë, për përkushtimin dhe forcimin e besimit drejt shkallëve të larta të devotshmërisë, të tillët janë ata që i qëndrojnë me përkushtim Islamit, që i druhen Allahut, që tregojnë respekt të madh për vlerat shpirtërore, dhe që janë të mbushur me zell e dashuri. Edhe njëherë si Myfti Republikës së Kosovës, më lejoni t’ju shpreh urimet dhe përgëzimet më të sinqerta për festën e Fitër – Bajramit, të gjithë vëllezërve e motrave tanë si në Kosovë e brenda trojeve tona etnike dhe atyre në mërgatë, duke lutur Allahun që mëshira, begatia e Tij të jetë mbi familjet tona në vazhdimësi.

Amin!

Myftiu i Kosovës Mr. Naim Tërnava

Shfaq më shumë në Fjalime

Shfleto

Fjala e Myftiut të Kosovës Naim ef. Tërnava në Akademinë përkujtimore kushtuar Haxhi Mustafë ef. Dervishollit

E nderuara familja Dervisholli Të nderuar drejtues të institucioneve të BI të Kosovës Të n…