Prishtinë, 26 tetor 2012
Të nderuar besimtarë vëllezër e motra!
Të nderuar qytetar !

Falënderimi i takon Allahut të Gjithëmëshirshëm, Krijuesit të tokës dhe qiejve, Gjykatësit të Ditës së Gjykimit. I lartësuar qoftë Ai, i Cili krijoi njeriun në formën më të përsosur dhe e dalloi nga të gjitha krijesat e tjera. Salavatet dhe përshëndetjet tona ia dërgojmë Muhamed Mustafasë, familjes së tij, dhe atyre që ndoqën dhe vazhdojnë të ndjekin rrugën e tij.

 

Festën e Kurban – Bajramit e karakterizojnë dy obligime themelore në Islam: Haxhi dhe prerja e Kurbanit, të cilat janë obligim për të gjithë ata që i Madhi Zot u ka dhënë mundësi.
Haxhi është ndër kushtet themelore në Islam, i cili kryhet me vizitën që i bëhet Qabes – Kibles së myslimanëve, në  kohë të caktuar, në vende të caktuara dhe me rregulla të caktuara.
Besimtarët nga e tërë bota gjatë kryerjes së haxhit, luten që Allahu t’ua falë mëkatet, duke kërkuar mëshirën e Allahut për veten, familjen, të afërmit, besimtarët dhe njerëzimin mbarë.
 Të gjithë së bashku me një zë e madhërojnë Allahun duke thënë:

”Të përgjigjem ty, o Zot, të përgjigjem! Ti nuk ke rival, o Zot! Vetëm ty të takon falënderimi, mirësia e pushteti. Ti nuk ke shok.”
 Kjo është edhe motoja e Haxhit, e cila i bashkon besimtarët nga të katër anët e botës për të madhëruar Allahun Një. Me këtë rast rikujtojnë edhe numrin e shumtë të pejgambereve që kanë jetuar dhe thirr në fenë e Allahut në ato vende. Rikujtojnë Muhamedin a.s., zbritjen e Kuranit, thirrjen e Muhamedit a.s. për të besuar në një Zot, dhe largimin nga idhuj adhurimet e shumta.
Allahu në Kuran thotë:
Vizita e Qabës për hir të Allahut është detyrim për atë që ka mundësi …”(Ali-Imran. 97)
Simbolika e dytë e kësaj feste manifestohet përmes prerjes së kurbanit, që është obligim-vaxhib për të gjithë ata që kan mundësi, në shenjë afrie dhe devotshmërie për Krijuesin, dhe për të rikujtuar Ibrahimin a.s i cili ishte në gjendje të sakrifikoi edhe birin Ismailin për hir të Zotit.
Prerja e kurbanit nuk është thjesht derdhja e gjakut, por mbi të gjitha është përkushtimi, bindja, sakrifica morali dhe devotshmëria e besimtarit.

Të nderuar besimtarë!
Duhet ta dinë të gjithë besimtarët kudo që gjenden se pasurinë që iu  ka dhënë Allahu është edhe një sprovë e madhe për ta, se ku dhe në çfarë mënyre e shpenzojmë.
Kosova jonë ka nevojë për ndihmën e të pasurve ngase kemi nga vëllezërit dhe motrat tanë ende të pa strehë dhe  shumë të tjerë që përballën me skamje, kemi shumë jetim të cilët presin ndihmën tonë. Ne nuk mund të jemi të gëzuar e fqinji jonë të mos ketë çfarë të shtroi në sofrën e tij. Unë edhe në këtë ditë të madhe festive iu bëjë apel të gjithëve që ta ndihmojmë njëri tjetrin.
Të gjithë njerëzit e vetmuar dhe të varfër, bëhen në momente të lumtur me ndihmën e të pasurve bujarë. Ashtu siç iu shpërndan qielli mëshirë dhe prodhimtari tokave që i përshkon, ashtu dhe njerëzit bujarë dhe të mëshirshëm bëhen pretekst që mëshira e Allahut të shkojë tek nevojtarët,  jetimët  dhe të vetmuarit!
Me sa dëshirë dhe kënaqësi i pasuri i ofron ndihmë të varfrit, me aq kënaqësi do të pranoi i varfëri ndihmën e ofruar, dhe aq shumë do të gëzohet.
 Një dhënie-marrje e tillë është burim kënaqësie edhe për dhënësin,  edhe për marrësin, sepse thellësia shpirtërore e dhënësit reflektohet te marrësi, e del në shesh “ fitimi që kurrë nuk do të pësojë dëmtim”.
Në Kuran Allahu na thotë:
O njerëz! Të gjithë ju jeni, para Allahut, të varfër dhe nevojtarë! Vetëm Allahu është i pasur dhe i denjë për lavdërim!” Kuran-(Fatir-15)
Nga kjo porosi Kuranore mësojmë se të pasur e të varfër, të jenë të vetëdijshëm për varfërinë e tyre para Zotit dhe të jetojnë me këtë vetëdije. Njerëzit e mençur  të islamit, për ta shprehur vlerën e kësaj vetëdije, kanë thënë:
“Varfëria ime karshi Zotit është krenaria ime!”
Shëmbëlltyra dhe modeli më i mirë, për ndihmë të varfërve dhe atyre në nevojë, e jetimëve për ne  është Muhamedi a.s. Është modeli i pakrahasueshëm në dhënien e  sadakasë – ndihmës  atyre që kishin nevojë. Muhamedi a.s. nuk i grumbullonte gjërat që ia jepte Allahu, nuk i mbante në një qoshe, depo apo bankë siç po ndodhë sot, por kur dikush i kërkonte diçka, ai e harronte veten,ose ia jepte ushqimin e vet, ose rrobën e trupit.
Pastaj ajeti tjetër.
(O i Dërguar!) Paralajmëroi për një ndëshkim të dhimbshëm ata që grumbullojnë ar e argjend e s’e shpenzojnë në rrugën e Allahut!
(Et-Tevbe:34)
  Meqë zeqati, sadakaja, ndihma vullnetare,  janë një adhurim për Allahun,  duhet ditur se gjërat që jepen, i jepen drejtpërdrejt Allahut.
 Muhamedi a.s.thotë:
Pa dyshim, sadakaja kalon në dorën e Allahut para se ta marrë nevojtari!
Të nderuar besimtarë!
Kjo botë në të cilën po jetojmë nuk është vendi ku mund ta gjejmë qetësinë e plotë në zemrat dhe ndërgjegjen tonë. Nëpërmjet mundësisë që na e ka dhënë Allahu punojmë edhe për botën tjetër. Duhet të përpiqemi të fitojmë lumturinë, përjetësinë dhe perspektivën e amshuar brenda mundësive që na ka favorizuar i Madhi Zot në kuadrin e kësaj bote. E kjo arrihet duke e kuptuar njeriu qëllimin e krijimit të tij  në këtë botë, dhe duke e kryer detyrën tonë si robër të Zotit,para se të na pamundësohet kjo.
Allahu thotë:
Dhe me atë që të ka dhënë Allahu, kërko (fitosh) botën tjetër, e mos le mangu atë që të takon nga kjo botë, dhe bënë mirë ashtu siç të ka bërë Allahu ty, e mos bënë të këqija në tokë, se Allahu nuk i donë çrregulluesit”(Kasas-77).
Sot në këtë ditë feste e gëzimi, thërras të gjithë besimtarët që në zemrën dhe shpirtin e tij të shndrit besimi i sinqertë. Besim i cili motivon dhe fuqizon zemrat tona që të jemi edhe më solidarë, më human, më mëshirues e tolerant.
Të lëmë urrejtjen dhe armiqësinë, të motivohemi për buzëqeshje e përqafime vëllazërore. Çdo festë e jona ka urtinë dhe porosinë e vetë, por porosia e Kurban Bajramit qëndron fuqishëm mbi parimet e bujarisë, solidaritetit, barazisë, flijimit dhe sakrificës.
Të dashur vëllezër e motra!
Nga ky vend, në këtë ditë të madhe që simbolizon unitetin, barazinë, solidaritetin e sakrificën, e gjej me vend që  të gjithëve kudo që jeni brenda trojeve tona dhe mërgatës sonë, t’u uroj e përgëzoj në emër të Bashkësisë Islame të Republikës së Kosovës, institucioneve të saja  festen e Kurban – Bajramit.
Sot në këto momente festive më lejoni t’ua uroi edhe  100 vjetorin e pavarësisë dhe shtetësisë së Shqipërisë, duke e lutur Allahun që ta ruaj atdheun ton, ta bashkoj kombin tonë, ta udhëzoj e ta edukoj rinin tonë. I bindur që e ardhmja do jetë më e mirë, më e begatshme e më ndritshme për ne.

Me fat ju qoftë festa e Kurban – Bajramit!
Me fat përvjetori i pavarësisë!


Naim Tërnava
Myfti i Kosovës

Shfaq më shumë në Hytbe

Shfleto

“Në këtë kohë sfiduese, prej nesh kërkohet të jemi vigjilentë dhe të kujdesshëm”

Me rekomandim të kryetarit të Kryesisë së Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiut Naim ef. T…