Të nderuar vëllezër besimtarë!
Brenda më pak se një jave u shënuan dy vrasje të grave nga bashkëshortët e tyre. Lajmet
për këto vrasje në kohën kur dhuna ndaj gjinisë femërore po shënon rritje, me të drejtë
provokuan debate të shumta rreth të drejtave të femrave, rreth mungesës së dënimeve
meritore për kryesit e krimeve, rreth qasjes institucionale karshi këtij dhe fenomeneve
të ngjashme.
Si institucion fetar, ne i dënojmë ashpër këto krime të rënda dhe kërkojmë nga
autoritetet që të marrin masat e duhura, në mënyrë që rastet e tilla mos të përsëriten
kurrë. Po kështu, kërkojmë nga shoqëria civile, që, bashkërisht, të punojmë për ngritjen
e vetëdijes shoqërore.
Kjo hutbe e sotme është hap ynë konkret dhe i vazhdueshëm në këtë rrugë.


Besimtarë të nderuar!
Dhuna, parimisht, është e refuzuar, sepse, duke qenë se Allahu xh.sh., nuk ia ka lejuar
as vetvetes, atëherë ajo askujt nuk i lejohet. Allahu i madhëruar thotë:
“…mos tejkaloni kufirin! – Se, Allahu, nuk i do ata që e kalojnë kufirin.” [Bekare: 190]
Në hadith kudsij, Allahu i madhëruar thotë: “O robërit e Mi! Unë ia kam ndaluar Vetes
Sime padrejtësinë dhe të tillë e kam caktuar në mesin tuaj, andaj mos i bëni njëri tjetrit
padrejtësi!”1
Pra, parimisht, dhuna ndalohet ndaj çdokujt, ndërsa kur të jemi tek gratë, ndalesa bëhet
edhe më e fuqishme, për shkak të natyrës së tyre të dobët dhe pamundësisë për t’u
mbrojtur. Abdul Aziz Tarifi, një hoxhë bashkëkohor, duke folur për këtë temë, thotë:
“Padrejtësia ndaj gruas tek Allahu gjykohet si mëkat më i madh se padrejtësia ndaj
mashkullit sepse ndihma e Allahut dhe mbështetja e Tij për të dobëtin është në varësi
të mundësisë që ka për ta mbrojtur veten. Për këtë shkak, Pejgamberi ﷺ ka thënë: “O
Allahu im, unë i deklaroj rreptësisht të paprekshme të drejtat e dy të dobëtëve: jetimit
dhe gruas.”
Se dhuna ndalohet, flasin edhe shumë argumente tjera, të cilat parësore e shohin
respektin, nderimin dhe vlerësimin ndaj femrës, e jo dhunën ndaj saj. Allahu i
madhëruar thotë:
“Dhe një prej shenjave të Tij është që prej jush krijoi për ju bashkëshortet tuaja, që të
qetësoheni pranë tyre, duke vënë ndërmjet jush dashuri dhe mëshirë. Me të vërtetë, në
këtë ka shenja, për njerëzit që mendojnë.” [Rrum: 21]
Pejgamberi Muhammed ﷺ ka thënë se tre gjëra janë që sjellin lumturinë: gruaja e
ndershme, mjeti komod i udhëtimit dhe shtëpia e madhe. Duke qenë e këtillë, atëherë
ajo që duhet vepruar me gruan është respekti dhe nderimi, jo dhuna dhe maltretimi. Siç
shënojnë Buhariu dhe Muslimi, Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Ju porosis për mirësjellje me
gratë andaj pranojeni porosinë time…” Dhe jo vetëm kaq, tregues të nivelit fetar e
qytetar të besimtarit e ka bërë pikërisht raportin ndaj gruas. Në hadith qëndron: “Më i
miri prej jush është ai që kujdeset më së miri për familjen e vet. Unë jam më i miri prej
jush sepse kujdesem më së miri për familjen time.”
Ky hadith nuk na ofron thjesht një mësim teorik por edhe praktik. Ai na mëson se
Pejgamberi Muhammed ﷺ, ka qenë shembull për sa i përket respektimit të gruas. Ka
qenë njeriu që më së shumti e ka respektuar gruan.


Xhematlinj të nderuar!
Duke qenë se jeta bashkëshortore ka rëndësi shumëdimensionale, atëherë si kusht
paraprak që duhet marrë në konsideratë të madhe është edhe përzgjedhja e
bashkëshortit, respektivisht bashkëshortes. Ekzistojnë shumë motive që njerëzit i
shtyjnë të përzgjedhin partnerin apo partneren, por ai që garanton jetëgjatësinë e
martesës dhe respektin e ndërsjellë është vetëm elementi fetar. Për këtë shkak,
anashkalimi i këtij elementi paraqet probleme të mëdha, të cilat mbase edhe mund të
kenë fund të këtillë të hidhur. Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Nëse vjen t’ua kërkojë dorën e
vajzës suaj dikush, fenë dhe moralin e të cilit e pëlqeni, atëherë jepjani, ndryshe do të
bëni çrregullime në tokë.”4 Pra, nëse i anashkaloni të ndershmit dhe vajzat i martoni për
njerëz që i përzgjidhni vetëm pse kanë pasuri ose kanë këtë e atë, ndërsa nuk
interesoheni për nderin, moralin, sjelljet dhe fenë e tyre, atëherë ju keni kontribuar për
të keq, keni kontribuar për këtë gjendje degraduese dhe të mjerë, në të cilën, rastet e
dhunës ndaj femrës, shkelja e nderit të saj, mund të jenë të përditshme.
Ja si do ta trajtonte një femër dikush tjetër i edukuar. Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Besimtari
nuk e urren besimtaren; nëse nuk i pëlqen një tipar i saj, mund t’i pëlqejë tjetri.”5
Imam Gazaliu citon Hasan Basriun të jetë përgjigjur kur dikush nga besimtarët e kishte
pyetur se kujt duhet t’ia jepte vajzën meqë dorën e saj e kishin kërkuar disa. Ai kishte
thënë: “jepja atij që ia ka frikën Allahut xh.sh., sepse, nëse e do, e nderon, e nëse nuk e
do, nuk i bën padrejtësi.”


Vëllezër myslimanë!
Fakti se kohëve të fundit janë shfaqur kaq shumë dukuri negative në mesin e popullatës
sonë, duhet të na alarmojë të gjithëve, dhe të na vë në lëvizje për të gjetur zgjidhjet më
të mira për këto dhe probleme të ngjashme, që për bazë kanë edukimin.
E kemi thënë sa e sa herë dhe do ta përsërisim se zgjidhja më e mirë është edukimi fetar.
Asgjë nuk mund ta zëvendësojë edukimin fetar. Çdo vonim në aprovimin e edukimit
fetar në shkolla është me pasoja. Ndaj, le të jetë kjo një thirrje për institucionet tona
qeverisëse që ta marrin në konsideratë futjen e edukatës fetare në shkolla, ashtu siç
veprojnë një numër i madh i shteteve në perëndim. Le të jetë ky një mesazh i yni kundër
këtyre dukurive negative që po prekin shoqërinë tonë!

Shfaq më shumë në Hytbe

Shfleto

Hytbeja e Myftiut të Kosovës, Naim ef. Tërnava, e mbajtur me rastin e festës së Fitër Bajramit

Familja Sot është ditë feste, ditë gëzimi, ditë mëshire e shpërblimi, ngase të gjitha adhu…