Nata e Madhe
سُبْحَانَ الَّذِي أَسْرَى بِعَبْدِهِ لَيْلاً مِنَ الْمَسْجِدِ الْحَرَامِ إِلىَ الْمَسْجِدِ الْأَقْصَا الَّذِى بَارَكْنَا حَوْلَهُ لِنُرِيَهُ مِنْ أيَاتِنَا إِنَّهُ هُوَ السَّمِيعُ الْبَصِيرُ.
“I dëlirë dhe i pa të meta është Lartmadhëria e Atij që robin e Tij e barti natën nga Mesxhidi-Harami (Qabeja në Mekë) deri në Mesxhidi-Aksa (në Jerusalem), rrethinën e së cilës Ne e kemi bekuar, për t’ia treguar disa nga argumentet (mrekullitë) tona. Ai, me të vërtetë, dëgjon dhe sheh çdo gjë!” (Isra, 1)
Nata e Madhe e Israsë dhe Miraxhit konsiston në ecjen e shpejtë të Pejgamberit (a.s.), – madje brenda një intervali kohorë jo të gjatë të një nate, – nga Meka deri në Kudsi-Sherif (Jerusalem) dhe kjo është ajo që quhet Israja, kurse bartja nga aty, përmes horizonteve qiellore deri sa është takuar më Allahun e Gjithëfuqishëm, është ajo që njihet si Miraxhi i Pejgamberit (a.s.).
Kur ka ndodhur kjo mrekulli?
Në qoftë se iu referohemi të dhënave historike, në veçanti “Sîres” (Jetëshkrimti) së Pejgamberit (a.s.), mund të konstatojmë se kjo i ka ndodhur Muhamedit (a.s.) përafërsisht 16 muaj para se të emigronte në Medinë, saktësisht në natën e 27 të muajit Rexheb të vitit 621 miladi, ose në vitin e 12-të pejgamberisë së tij, ose kur ai ishte 52 vjeç.
Çka i ka paraprirë kësaj mrekullie?
Para se të ndodhte kjo ngjarje e papërsëritshme në historinë e njerëzimit, Pejgamberi (a.s.) u ballafaqua me disa vështirësi e sfida shumë të mëdha.
Në këtë kohë, Pejgamberit i kishte vdekur bashkëshortja, Hadixheja (r.a.), e cila jo se ishte vetëm bashkëshorte shembullore, tek e cila ai gjente prehje dhe qetësi shpirtërore, po ajo e përkrahu, e ndihmoi dhe e inkurajoi në momentet më të vështira të jetës së tij. Pejgamberit (a.s.), po në këtë kohë, i kishte vdekur, gjithashtu, edhe xhaxhai i tij Ebu Talibi, i cili qe një përkrahës shumë i denjë. Këto ishin edhe arsyet pse ai vit është quajtur “Viti i pikëllimit” – سنة الحزن” .
Pastaj, në këtë kohë edhe idhujtarët mekas i kishin bërë disa veprime kundër Muhamedit (a.s.) sa kishin shkuar aq larg sa e kishin lëçitur nga mjedisi i tij shoqëror, nuk bënin tregti me myslimanët, nuk ju jepnin as nuk merrnin vajza për martesë prej tyre, e të ngjashme. Për më tepër, me qëllim që të gjente ndihmesë e përkrahje për misionin e tij të shenjtë, Pejgamberi (a.s.) kishte provuar të gjente strehim edhe në Taif, i cili gjendej jo larg Mekës, dhe atë tek fisi Benu Thekif, por kjo rezultoi pa sukses. Banorët e Taifit, jo vetëm se nuk e pranuan, por, për më keq, e dëbuan dhe e sulmuan aq sa ia përgjakën këmbët e tij të bekuara. Gjerë sa ishte në kthim e sipër nga Taifi, i demoralizuar dhe i munduar, qe ndalur për pak çaste në pronën e bijve të Rebiut, me ç’rast kishte ngrit duart dhe fytyrën e tij të bekuar kah qielli dhe iu kishte lutur Allahut që ta ndihmonte nga mundimet që i bënin njerëzit në Tokë. E, Allahu i Lartëmadhërishëm, të Dashurit të Tij i tha:
وَ لاَ تَكُ فيِ ضَيْقٍ مِمَّا يَمْكُرُونَ. إِنَّ اللهَ مَعَ الَّذيِنَ اتَّقَوْا وَ الَّذيِنَ هُمْ مُحْسِنُونَ.
“…dhe mos u ngushto për ta për shkak të dredhive të tyre. Me të vërtetë Allahu është me ata që kanë frikërespekt për Allahun dhe që janë bamirës” (en-Nahl,127-128).
Të gjitha këto tortura e vështirësi, jo se e thyen atë shpirtërisht, sepse ai qëndronte i pathyeshëm për faktin se ishte plotësisht i bindur se pozitën e tij në të cilën gjendej, e dinte i Madhi Zot, megjithatë ishte fort i mërzitur. Dhe pikërisht në këto çaste të vështira, Pejgamberit i erdhi përkrahja më e madhe, nderimi më i madh, dhurata më e çmuar, përkrahja dhe ndihma e Allahut të Gjithëpushtetshëm, me ç’rast i tregoi atij atë që nuk i kishte treguar kujt, as para e as pas tij nga gjinia njerëzore, ajo engjëllore apo dhe ndonjë tjetër.
Si ndodhi Israja dhe Mi’raxhi i Pejgamberit (a.s.) ?
Kjo mrekulli është përshkruar në Kuran dhe në Synetin e Pejgamberit a.s., është e mirëditur në kohë dhe në hapësirë.
Kohën e ndodhjes së saj e theksuam më sipër, duke shtuar se ajo ka qenë natë që i ka paraprirë ditës së hënë. Ndërkaq, në hapësirë ajo e ka lidhur Mesxhidi-Haramin në Mekë dhe Mesxhidi-Aksanë në Jerusalem, dhe këto të dyja me Sidretu-l–Muntehanë ose Kabe Kausejnin në sferat më të larta qiellore. Edhe vajtja, edhe ardhja, e Pejgamberit a.s. i kanë ndodhur për një pjesë të natës. Natyrisht, sa herë që flitet për këtë mrekulli që i ka ndodhur Alejhi Selamit, asnjë herë nuk pretendojmë të themi se atë e ka bërë ai. Jo, jo! Atë e ka bërë Allahu, e ka bërë Ai, fuqia e të cilit nuk është e kufizuar, mundësitë e të Cilit nuk janë të kufizuara. E ka bërë Allahu i Gjithëfuqishëm! Prandaj, kur mundësinë e veprimit ia atribuon Atij që e posedon atë mundësi, atëherë gjithçka është e mundur. Për më tepër, vet Pejgamberi (a.s.) ka thënëسْرِىَ بِى أ që do me thënë: “Është bërë Isra me mua”, e nuk ka tnë سَرَيْتُ “kam bërë Isra”. Prandaj, kjo ngjarje duhet të kuptohet duke e vështruar përtej fuqisë dhe mundësisë së mendjes së njeriut, duhet vështruar vetëm si mrekulli.
Në Mesxhidu-l-Aksa i pati zbritur Shpallja Musait dhe Isait (a.s.), kurse në Mesxhidu-l-Haram i kishte zbritur Shpallja Ibrahimit dhe Ismailit, ndërkaq Muhamedi me misionin e tij profetik dhe pranimin e Shpalljes i ka lidhur shumë fuqishëm këto dy vende të shenjta islame, këto dy kible të myslimanëve.
Israja filloi kur Pejgamberi (a.s.) ishte duke fjetur në Mekë, në shtëpinë e tij ose të Ummi Hanit, ose edhe sa ishte në Qabe. Me qenë se mrekullive të pejgamberëve iu paraprijnë ëndrrat, edhe me këtë rast mund të konstatojmë se Pejgamberi a.s. Isranë e vërtetë e ka bërë nga Mesxhidi-Harami (Qabeja) e cila ka ndodhur me shpirt dhe me trup, megjithëse e ka përjetuar edhe në gjumë, d.m.th. një herë e ka përjetuar vetëm me shpirt (në gjumë) dhe herën tjetër e ka përjetuar në të vërtetë (sa ishte zgjuar). Hadithi i Pejgamberit këtë ndodhi-mrekulli e përshkruan kështu:
Një natë, teksa Pejgamberi (a.s.) po flinte në Qabe, i paraqitet Xhibrili, i cili ia hapi gjoksin, ia mori zemrën e tij dhe e lau me ujë të Zemzemit dhe përsëri ia ktheu në vendin e vet. Pastaj, Pejgamberi i hipi një kafshe me ngjyrë të bardhë të quajtur “Burak”, i cili ecte me shpejtësi më të madhe se të vetëtimës, sa që distanca e hapit të tij ishte tej largësisë së shikimit. Muhamedi (a.s.) në shoqërimin e Xhibrilit arritën në Mesxhidu’l Aksa, ku iu priu imam në namaz të gjithë pejgamberëve të Zotit.
Më pas, filloi ngjitjen në qiell, duke iu zbuluar të gjitha sekretet dhe misteret hyjnore të gjithësisë lëndore dhe shpirtërore. Pejgamberit (a.s.) i prezantohen tri gota; një me ujë, një me sherbet dhe një me qumësht. I dërguari i Allahut zgjodhi dhe piu atë me qumësht. Xhibrili i tha: “Qumështi përfaqëson natyrshmërinë tënde dhe të Ymetit tënd”. Pejgamberi tregon duke thënë se: “Xhibrili u ngjit me mua në qiellin e parë dhe kërkoi që ata të hapen. Një zë e pyeti “Kush je ti?” dhe ai iu përgjigj: “Jam unë, Xhibrili”. Zëri e pyeti përsëri: “Kush është me ty?” dhe ai iu përgjigj: “Muhamedi”. Pastaj ai e pyeti përsëri. “A është koha e shpalljes?” Dhe ai iu përgjigj që ishte. Qielli u hap për ne dhe ja ku pashë Ademin, i cili më uroi mirëseardhjen dhe u lut për të mirën time…” Në vazhdim, hadithi vazhdon duke përshkruar Pejgamberin e dashur dhe Xhibrilin duke u ngjitur lartë. Në qiellin e dytë ata takuan Jahjanë dhe Isanë. Në qiellin e tretë ata takuan Jusufin. Profeti Idriz i përshëndeti ata në qiellin e katërt. Në të pestin ishte Haruni, në të gjashtin Musai dhe në të shtatin Ibrahimi. Secili prej tyre e përshëndeti si vëlla Muhamedin e bekuar duke u lutur për të. Kur arritën në sferën më të lartë të Sidretu’l-Muntehasë, Xhibrili u ndal duke i thënë Muhamedit se deri aty ishte kufiri i tij, dhe se më tej nuk mund ta hedh as edhe një hap qoftë sa ai i milingonës. I Dashtuni i Allahut vazhdoi më tej i vetëm, jo më i shoqëruar nga meleku Xhibril, deri sa mbërrini në një pikë ku edhe e takoi Allahun (xh.sh.) dhe e përshëndeti me përshëndetjen e njohur si “Et-Tehijjatu”, të cilën e këndojmë kur jemi ulur në namaz:
“Përshëndetjet, respekti, lavdia dhe zotërimi i takon Allahut (xh.sh.)” tha Muhamedi a.s.. Allahu i plotfuqishëm i tha:“Shpëtimi, mëshira dhe bekimi i Zotit janë për ty, o Profeti Im!”
I dërguari i Allahut shtoi: “Shpëtimi qoftë për ne dhe për njerëzit e sinqertë e mirëbërës të Zotit!” Atëherë, të gjithë engjëjt e Xhenetit dhe të Xhehenemit, njëzëri shqiptuan maksimën e Dëshmisë (Shehadetit), duke dëshmuar njësimin e Allahut të lavdëruar si dhe Muhamedin si robin dhe të dërguarin e Tij.
Kur melaqet e shtatë qiejve dhe të Tokës e dëgjuan këtë Dëshmi, të gjithë njëzëri thanë: “O Zoti ynë, qoj salate dhe selame Muhamedit dhe familjes së tij, ashtu siç i qove selame Ibrahimit dhe familjes së tij. O Zoti ynë, begatoje Muhamedin dhe familjen e tij, ashtu siç e kishe begatuar Ibrahimin dhe familjen e tij. Ti,vërtetë, je i falënderuar dhe i Lavdishëm në të dy botët”.
Në këtë moment nga qielli kumboi zëri i të Madhit Zot duke thënë: “Pasha madhërinë time, asnjë njeri nuk vjen tek Unë (nuk vdes), e të ketë mëkate të mëdha sa pesha e Tokës (në një rivajet tjetër: sa shkuma e detit) e që bjerë salavat mbi Pejgamberin, përveç se do ia falë mëkatet për hir që ka ra salavat mbi të”.
Pejgamberi (a.s), pas kësaj pritje dhe takimi madhështor me Allahun (xh.sh.) do të shprehej: “Unë kurrë në jetën time skam parë dhe skam përjetuar diç më të bukur se Miraxhi”!
Ç’kishte parë Pejgamberi në Miraxh?
Pejgamberi (a.s.) kishte parë shumë gjëra sa ishte në Miraxh. Ne, me këtë rast nuk mund t’i numërojmë të gjitha, por do të mjaftohemi vetëm me disa prej tyre.
Pejgamberi kishte kaluar pranë një grupi njerëzish që mbillnin dhe në të njëjtën ditë korrnin. Sa po e korrnin, mbjellja kthehej siç ishte. -“Ç’është kjo kështu?”- e kishte pyetur Pejgamberi Xhibrilin.
–“Këta janë luftëtarët në rrugën e Allahut – vepra e mirë shpërblehet shtatëqind herë. Çdo gjë që kanë dhënë ose kanë sakrifikua, i shoqëron dhe u shtohet“, – i qe përgjigjur Xhibrili.
Pejgamberi a.s. po ashtu kishte parë një grua plakë që kishte gjithfarëlloj stolish.
– “Kjo është dynjaja” i pati thënë Xhibrili (a.s.). Ky shembull ka për qëllim të na ofrojë kuptimin e jetës në këtë botë. Jeta në këtë botë i sprovon njerëzit me bukurinë e saj, megjithëse nga ajo asgjë nuk merret përgjithmonë… A thua pse Pejgamberi a.s. e kishte parë këtë botë në formën e një plake? Sepse nga jeta në këtë botë nuk ka mbetur shumë. Kjo do me thënë se Kiameti është afër dhe nga kjo botë nuk ka mbetur edhe shumë. Për këtë arsye, kjo botë është paraqitur në formën e një plake.
Pejgamberi a.s. po ashtu kishte parë një grup njerëzish, të cilët me tërë forcën e tyre i thyenin kokat nëpër shkëmbinj: sa herë që i thyenin kokat, ato u ktheheshin në gjendjen e mëparshme, por kjo nuk ua zvogëlonte dënimin. -“Ç’është kjo, Xhibril?” – kishte pyetur Pejgamberi.
-“Këta janë ata që u ka ardhur rëndë t’i kryejnë namazet e parapara“- i qe përgjigjur Xhibrili. Ky shembull simbolizon dënimin e vërtetë që do ta kenë ata që nuk iu përmbahen urdhrave të Allahut (xh.sh.).
Gjatë Miraxhit, Pejgamberi a.s. kishte parë, po ashtu, edhe një grup njerëzish, të cilëve ua prisnin buzët e gjuhën me gërshërë të çelikta dhe, sa herë ua prisnin, u ktheheshin në gjendjen e mëparshme.- “Kush janë këta, Xhibril?” – kishte pyetur Pejgamberi.
– “Këta janë predikuesit e ymetit tënd, të cilët u flasin të tjerëve atë që nuk e punojnë vetë”, – i qe përgjigjur Xhibrili. Prandaj, dijetari i fesë (alimi) patjetër duhet të jetë shembull (edhe me fjalë edhe me vepra), nëse dëshiron që të tjerët ta dëgjojnë e ta pasojnë. E, kur njerëzit të kuptojnë se ata e flasin atë që nuk e punojnë vetë, do të refuzojnë të marrin çfarëdo diturie prej tyre, dhe, si rrjedhojë, do të mbetën të painformuar për fenë e tyre. Për këtë arsye, atyre ua prisnin buzët dhe gjuhët, sepse qenë bërë shkaktarë që njerëzit të largoheshin nga feja, të largoheshin nga programi i Allahut. Përkitazi me këtë, Allahu na e tërheq vërejtjen në Kuran: “O Besimtarë, pse e thoni atë që nuk e punoni? Tek Allahu është shumë e urryer ta thoni atë që nuk e punoni!” (Es-Saff, 2-3).
Më tutje, Pejgamberi (a.s.) kishte parë një shkëmb nga i cili kishte dalë një dem i madh. Ai donte të kthehej atje nga kishte dalë, por nuk kishte mundësi. E kur Pejgamberi (a.s.) e pyeti Xhibrilin për këtë, ai i kishte thënë:
“Ky është shembulli i njeriut që premton për një gjë, madje edhe betohet për të, por që nuk mund ta realizojë e as të shlyejë premtimin e dhënë”. Për këtë arsye, Allahu xh.sh. kërkon nga ne që të mos betohemi shumë, të mos premtojmë shumë, përveç se kur jemi të sigurt se mundemi t’i realizojmë. Shih për këtë ajetin 91 dhe 94 të sures “En-Nahl” se si Kurani e përshkruhen këtë dukuri!
Pastaj, Pejgamberi i kishte parë një grup njerëzish, të cilët notonin në një det me gjak dhe gëlltitnin gurë!!!
– “Kush janë këta?” – kishte pyetur Xhibrilin a.s.
– “Këta janë që kanë ngrënë kamatën“, i tha ai. Kjo është një materializim i asaj që kishin bërë përdoruesit e kamatës në këtë botë. Në të vërtetë, gjaku sa është në trupin e njeriut, është aq i domosdoshëm sa s’bën pa të, por kur ai del nga trupi, ai bëhet fare i padobishëm, i dëmshëm dhe i neveritshëm. Kamatëmarrësit, në botën tjetër, në barkun e tyre do të kenë zjarr, lëndë djegëse e të cilit janë gurët. Ata do të hanë gurë për ta mbajtur të ndezur zjarrin në barkun e tyre; ata do të hanë gurë për të siguruar lëndën e parë të djegies, në mënyrë që zjarri të mos u shuhet fare…
Pejgamberi (a.s.), gjithashtu, kishte parë një grup njerëzish me thonj të gjatë të bakrit me të cilët çirrnin fytyrat dhe gjokset e tyre, sepse kishin shpifur e përlyer me fjalë e me vepra nderin e njerëzve të tjerë. Është më se e ditur se fytyra është gjëja më e shenjtë e njeriut, kështu që ata që kanë shpifur dhe kanë përlyer e nëpërkëmbur nderin e të tjerëve, Allahu do t’i poshtërojë Ditën e Kiametit, duke ua përlyer atë më të ndjeshmen-fytyrën, si dënim për atë që u kanë bërë të tjerëve.
Më tutje, Pejgamberi (a.s.) kishte parë një grup njerëzish, të cilët e linin mishin e lezetshëm e të zier mirë, që gjendej para tyre, dhe turreshin me vrap të hanin një mish tjetër të pazier e të prishur. E, kur e pyeti Xhibrilin për këta, ai i tha: “Këta janë që kanë bërë imoralitet. Ky është njeriu nga ymeti yt, i cili e ka pasur gruan e vet të ligjshme e hallall, por ka shkuar pas një gruaje tjetër të huaj e haram, e po ashtu edhe gruaja”.
Pejgamberi (a.s.), po ashtu, kishte parë një njeri që ngarkohej aq sa nuk mund të bartte, por, megjithatë, e zgjaste dorën për të marrë edhe diç tjetër dhe për ta shtuar barrën edhe më. Xhibrili i tha: “Ky është njeriu, që ka marrë përsipër çështje të besueshme të njerëzve, të cilat nuk ka mundur t’i kryejë, po megjithatë do të ketë marrë për sipër edhe të tjera”!
Këto janë disa momente të cilat ne i shënuam, por nuk duhet harruar se në Miraxh, Pejgamberi (a.s.) kishte parë edhe shumë gjëra të tjera, që ia kishte treguar Allahu (xh.sh.).
Kthimi i Pejgamberit (a.s.) nga Miraxhi
Me t’u kthyer nga Miraxhi, i Dërguari i Zotit do të tregonte se atij dhe Ymetit të tij u ëhstë bërë farz-detyrim të falurit e namazit, të cilin kur besimtari e falë në mënyrë të kompletuar ai shpërblehet me dhjetëfishin e sevapeve, kështu që ai që i falë pesë kohet e namazit do të shpërbehet me pesëdhjetë sevape. Prandaj, Pejgamberi këtë e ka shpjeguar aq bukur kur ka deklaruar se “Namazi është Miraxhi i besimtarit”.
Më tej, kur Pejgamberi i njoftoi njerëzit për atë që i kishte ndodhur, shumë nga idhujtarët mekasë talleshin me të, kurse Ebu Bekri, akoma pa e takuar Pejgamberin, mohuesve të Israsë dhe Miraxhit iu kishte thënë se ai personalisht beson bindhsëm në atë që ka thënë Pejgamberi. E, kur e kuptoi Pejgamberi këtë, për Ebu Bekrin kishte deklaruar: “Vërtetë, ai është i drejti, i sinqerti”- إنه لصديق !
Gjithashtu, Pejgamberit iu premtua me këtë rast se ata nga Ymeti i tij, të cilët nuk i kanë bërë ortak Zotit (xh. sh.), pas shpagimit të gjynaheve, do të hyjnë në Xhenet (d.m.th. nuk do të ngelin në Xhehenem përgjithmonë).
Nga ky takim me Krijuesin, Pejgamberit i kishin zbritur dy ajetet e fundit të sures “El-Bekare”, të cilët për arsye të përmbajtjes së tyre shumë sublime, kanë një rëndësi të veçantë. Në ajetin e parë, përshkruhen, të thuash, kushtet e besimit dhe si nuk duhet bërë dallim mes pejgamberëve, ndërkaq në të dytin, tregohet se askujt nuk i ngarkohet një barrë përtej mundësive të tij dhe se çdo kush e jeton Islamin në bazë të mundësive, fuqisë dhe kapacitetit që posedon. Është me vlerë të madhe, prandaj, që besimtari këto dy ajete t’i lexojë sa ma shpesh, në namaz dhe jashtë tij!
Me rastin e vizitës qiellore, të parës dhe të papërsëritshmes në histori të njerëzimit, me të cilën qe nderuar më i lavdëruari i njerëzisë, Allahu iu shpalli besimdrejtëve edhe dymbëdhjetë porositë-postulatet, të cilat duhet t’i jetësojnë, e të cilat janë të përmbledhura në ajetet 22-39 të sures “Isra”. Ato janë:
1. Adhuroje vetëm Allahun Një dhe mos i bën ortak Atij.
2. Respekti dhe bindja ndaj nënës dhe babait.
3. Plotësoje borxhin tënd karshi të afërmve, të varfërve dhe udhëtarëve.
4. Keni kujdes me pasurinë: mos ji koprrac dhe as shkapërderdhës i saj.
5. Mos i mbytni fëmijët nga frika e varfërisë se Allahu na furnizon neve dhe ata.
6. Mos iu afroni zinasë-imoralitetit.
7. Mos mbytni njeri me pa të drejtë.
8. Mos abuzoni me pasurinë e jetimit.
9. Mos i thyeni premtimet.
10. Në matje e peshim të bëheni të drejtë.
11. Mos ndiqni atë për të cilën nuk keni dijeni dhe përmbahuni nga pohimet e pabaza dhe hamendësimet.
12. Largojuni vetëbegenisë dhe mendjemadhësisë.
Si përfundim, porosisim se Natën e Madhe të Israsë dhe Miraxhit ta zbukurojmë me ibadet, ta begatojmë me sadaka, të bëjmë sa më shumë vepra të mira…, sepse me to i afrohemi Krijuesit. Nëse këtë natë e kalojmë në iradet, e kemi bërë zgjedhjen më të mirë, po nëse agjërojmë, kjo për ne është ku e ku më mirë. Mos të harrojmë t’i vizitojmë të afërmit tanë, ta gëzojmë ndonjë jetimë ose nevojtarë, se njerëzit kanë shumë nevojë për ndihëm. E, nëse kemi vendosur që t’i vizitojmë varrezat e të dashurve tanë, kemi bërë mirë, t’i përshëndetim ata me selam dhe të lexojmë diçka nga Kurani.
Në këtë Natë të Madhe, duhet t’i lutemi Zotit sa ma shumë, sepse kështu e shohim sa të vegjël dhe modest jemi ne dhe sa i Mëshirshëm dhe i Lartësuar është Allahu. Po, edhe salavate e selame gjithsesi me i que, madje shumë dhe pa ia nda, Pejgamberit (a.s.)!