FETË URDHËROJNË DHE MËSOJNË PËR PAQEN UNIVERSALE

Myftiu, Naim Tërnava
FETË URDHËROJNË DHE MËSOJNË PËR PAQEN UNIVERSALE*

E nderuar presidente, znj. Jahjaga;
I nderuar ministër Hoxhaj;
Të nderuar ambasadorë;
Të nderuar përfaqësues të komuniteteve fetare;
I nderuar peshkop, Teodosije;
I nderuar ipeshkv Dodë Gjegji;
I nderuar reis i Bashkësisë Fetare Islame të Maqedonisë, z. Sulejman Rexhepi;
Të nderuar organizator;
I nderuar kryetar i Pejë Ali Berisha;
Të nderuar përfaqësues të institucioneve vendore e ndërkombëtare;
Të nderuar mysafirë e të pranishëm!

Kam nderin dhe respektin e veçantë që sonte në këtë qytet të bukur rrëzë alpeve shqiptare  të gjendem në mesin tuaj, t’ju përshëndes dhe t’ju dëshiroi mirëseardhje në emër të Bashkësisë Islame të Republikës së Kosovës duke iu dëshiruar qëndrim të këndshëm. Qytet i cili edhe praktikisht përmes Xhamive, Kishave katolike, atyre ortodokse, flet për bashkëjetesën e besimeve dhe tolerancën  mes besimeve dhe besimtarëve shekuj me radhë.
Për Kosovën por edhe për vetë Bashkësinë Islame është një nder i madh që njerëz të këtij kalibri, njerëz të cilët po i japin shumë bashkëpunimit, respektit, paqes pajtimit e tolerancës fetare nëpër botë, të jenë mysafir të Kosovës. 
Bashkësia Islame e Kosovës konsideron të domosdoshme dhe të vetmen alternativë vazhdimin e dialogut reciprok mes feve edhe në nivel botëror me qëllim që të rritet mirëkuptimi i ndërsjellë. Popujt, pavarësisht nga dallimet etnike ose kufijtë politik, kanë më shumë gjëra të përbashkëta në krahasim me ç’pandehin se kanë të tilla që i ndajnë. Ne si Bashkësi Islame e Kosovës tash e 15 vjet bashkë me Ipeshkvin e Kosovës, kemi vizituar shumë qendra të botës, por edhe në Kosovë për të promovuar vlerat e tolerancës fetare dhe mirëkuptimin mes njerëzve.
Vetëm 6 ditë para granatimit të NATO-së më 1999, ne u takuam në Vjenë me përfaqësuesit e Kishës Ortodokse nga Serbia dhe Kosova, organizuar nga “FONDACIONI APELI I NDËRGJEGJES“ me seli në Nju Jork, të cilën e drejtonte senatori Shnajer. Bashkësia Islame dhe Ipeshkvia Katolike e Kosovës përkundër rrethanave tepër të vështira, kur vendi ynë digjej, ne gjetëm forcë për të dhënë shembullin për paqe dhe tolerancë.
Zoti na mëson:   “Sikur të kishte dashur Zoti yt, do t’i besonin çka janë në tokë që të gjithë. A ti do t’i detyrosh njerëzit të bëhen besimtarë” (Junus-99).
Zoti u shpalli të gjithë pejgamberëve se Ai është Një dhe i Vetëm dhe se nuk ekziston askush tjetër që meriton të adhurohet nga njerëzit. Mesazhi hyjnor i përcjell tek njerëzit nga Zoti përmes të dërguarve u është komunikuar njerëzve qysh nga krijimi i njeriut të parë Ademit babës së njerëzimit.
Përmes dialogut dhe tolerancës pranojmë tërësinë dhe unitetin thelbësor të fesë që është një urdhër i mëshirës së Zotit dhe universalitetin e besimit në Zot. Prandaj feja ngërthen në vete bindjet, nëpërmjet të cilave njeriu arrin qëllimin final të ardhjes së tij në këtë botë, një rrugë që sjell të gjithë bashkërisht në vëllazëri.
Urrejtja, ekstremizmi, jo toleranca e të gjitha besimeve, në vazhdimësi e inkurajojnë të keqen dhe e kthejnë tokën në një vend ferri, nëse të tillë njerëz do të kenë rastin të sundojnë botën. Prandaj, dhurata më e madhe që gjeneratat e sotme mund t’ju dhurojnë fëmijëve, nipërve e mbesave të tyre është toleranca dhe pajtimi, e cila do të shëroj shumë shoqëri anë e kënd botës, sepse ky është edhe virtyti më i lartë hyjnorë i feve. Duke e ditur se nuk janë fetë ato që përçajnë,por janë politikat jo të drejta që armiqësojnë njerëzit mes vete.

Të nderuar të pranishëm!
Tragjedia dhe peripecitë nëpër të cilat kaloi Kosova dhe populli i saj gjatë  shekullit që lamë pas, janë të njohura për të gjithë ne. Mohimi i të drejtave elementare fetare, kombëtare e gjuhësore, pastrime me karakter etnik dhe fetar e deri në gjenocid, vrasje, masakra e shpërngulje me dhunë. Veprime këto që nuk i do Zoti, nuk i preferuan pejgamberet, nuk na i mësuan librat e shenjta. Mirëpo të shtyrë nga egoja, e ndjenja e të fortit e dominimit, të shtyrë nga urrejtja e mos durimi në vend që të promovojmë paqe, e të jetojmë në fqinjësi të mirë u përballëm me lufta e katrahura të shumta. Veprime këto që sollën shumë viktima të pafajshme, shumë shkatërrime e shumë dhimbje.
Duke pasur parasysh se këtu në këtë sallë ka dijetarë e hulumtues të fushave të ndryshme nga shtete të shumta, që njohin problemet globale nëpër botë, që me njohurit dhe kontributet e tyre ndikuan në jetësimin e tolerancës, paqes e pajtimit në mes popujve të shumtë të globit. Për bashkësitë fetare, a në veçanti për tri bashkësitë tradicionale do të jetë edhe një shtytje më e madhe për të dhënë kontribut edhe më të madh në afrimin e popujve mes vete.
Populli shqiptar është një ndër popujt e rrallë në botë i cili është dalluar për tolerancën, pajtimin dhe respektin e ndërsjellë fetar. Fetë urdhërojnë dhe mësojnë për paqen universale, mësojnë për sjellje të barabartë mes njerëzve pa dallim mes tyre, duke respektuar divergjencat në të gjitha fushat. Shqiptarët i karakterizon toleranca e gjerë fetare dhe respektimi i mendimit dhe besimit ndryshe. Kombi shqiptarë sa i përket tolerancës dhe respektit ndërfetar është shembull që duhet ndjekur edhe shtetet e mëdha dhe ato me një traditë të madhe në fusha të ndryshme të jetës. Historia nuk shënon asnjëherë incident e le më luftë ndërfetare te shqiptarë.
Prania dhe bashkekzistenca e tre besimeve të popullit shqiptarë, mysliman, ortodoks e katolik ka bërë që toleranca ndërfetare të jetë një domosdoshmëri historike, edhe në raport me të tjerët. Po ashtu duhet thënë se BIK në vazhdimësi ka qenë pjesë e dialogut me bashkësitë tjera fetare në kërkim të paqes, në kërkim të urave të mirëkuptimit e mirëbesimit.
Një numër i madh problemesh akute të botës së sotme zanafillën e tyre e kanë edhe në mosmarrëveshjet fetare ose edhe në keqinterpretimin dhe instrumentalizimin e fesë për qëllime politike, ekonomike e të ngjashme. Andaj, studimi i këtyre problemeve edhe në aspektin fetar, mund të na ndihmojnë në eliminimin e disa keqkuptimeve, të cilat kohë pas kohe shfaqen jo vetëm në rajonin e Ballkanit e në opinionin Kosovar, por edhe më gjerë, për shkak të mosnjohjes së rolit dhe misionit që duhet të luajnë fetë në shoqërinë njerëzore.

Të nderuar të pranishëm!
Burimi i Islamit është Kurani i cili mbështet konceptet e moralit, dashurisë mëshirës, përkushtimit, sakrificës, tolerancës dhe paqes. Një mysliman që i zbaton siç duhet në jetën e tij këto parime, është një njeri i sjellshëm, i drejt, i devotshëm dhe shumë tolerant e bashkëpunues. Ai përhap dashuri respekt e harmoni dhe kënaqësi te të gjithë ata që jetojnë pran tij.
Allahu thotë: 
“Thuaju (o i dërguar): “O pasuesit të librit (Tevrat e Inxhil), ejani (të bashkohemi) te një fjalë që është e përbashkët (e drejtë) mes nesh dhe mes jush: Të mos adhurojmë, pos All-llahut, të mos ia bëjmë Atij asnjë send shok, të mos e konsiderojmë njëri – tjetrin zotë pos All-llahut”…(Ali-Imran: 64).
Fatkeqësisht se autorët e mos tolerancës dhe mosrespektimit mes besimeve i gjejmë në mesin e identiteteve të krishtera, Islame apo çifute. Dhe bëhen shkak që disa prej tyre të hedhin mendime e pretendime të cilat nuk kanë të bëjnë fare me mësimet e feve.
Jemi dëshmitar të akteve të shumta të dhunës e terrorit nëpër botë. E vërteta është se edhe nëse terroristët i përkasin identitetit Mysliman, terrori e dhuna e ushtruar prej tyre nuk mund të quhet si “terror islamik”, ashtu si nuk mund të quhet “terror hebrej”, nëse ushtruesit e tyre janë çifut, apo “terror krishterë” nëse autorët janë krishterë.
 Allahu thotë:
“O ju njerëz, vërtet Ne ju krijuam juve prej një mashkulli dhe një femre, ju bëmë popuj e fise që të njiheni ndërmjet vete, e s’ka dyshim se te All-llahu më i ndershmi ndër ju është ai që më tepër është ruajtur (këqijat), e All-llahu është shumë i dijshëm dhe hollësisht i njohur për çdo gjë”. (El-Huxhurat:13).
Zoti na bënë të ditur në Kuran se qëllimi i krijimit të fiseve e popujve të ndryshëm është që ata të njihen mes vete. Kombet dhe popujt e ndryshëm duhet të njohin njëri tjetrin, kjo do të thotë të mësojmë për kulturat e ndryshme, për gjuhët, besimet, traditat dhe veçorit e njëri tjetrit. Shkurt thënë, njëri nga qëllimet e krijimit të racave e kombeve të ndryshëm nuk është konflikt dhe lufta por pasuria kulturore. Një llojllojshmëri e tillë është shprehje e Zotit. Unë kam bindjen e thellë se përkundër gjendjes nëpër të cilën po kalon shoqëria njerëzore, se njerëzit do të arrijnë të jetojnë në paqe pavarësisht nga raca apo feja që i përkasin. Ngase Islami nuk lejon që njerëzit të gjykohen vetëm për shkak të përkatësisë së tyre në një racë, komb a fe të caktuar.
Islami është feja e cila i garanton dhe siguron liri ideve dhe besimeve, dhe të mendimit të jetës dhe organizimit të saj.
Nuk mjafton të flasim vetëm për bashkëjetesën fetare, pajtimin dhe dialogun ndërfetar. Mendoj se duhet kaluar nga toleranca në bashkëpunim, nga marrëveshjet në jetësimin apo implementimin e tyre.
Mendoj se shekulli 21 do të jetë shekulli i një dinamike të re gjithë evropiane i cili do të ringjallë vlera morale të natyrshme, e thellë të ngulitura në ndërgjegjen e njeriut, të harruara prej kohësh nga padrejtësi të shumta në raport me natyrshmërinë e krijimit të njeriut nga i Madhi Zot. Shekulli në të cilin do të sundojnë toleranca, mirëkuptimi ndër njerëzor, duke u mbështetur në dialogun ndërkulturorë e ndërfetar dhe qasjen e vlerave të përbashkëta e shohim si  rrugë që duhet ndjekur.
Me këtë rast dëshiroj që në emër të Bashkësisë Islame të Republikës së Kosovës të falënderoj ata që ndihmuan në mbajtjen e kësaj konference, të cilën e vlerësoj si shumë të rëndësishme për krijimin e klimës së mirëbesimit e mirëkuptimit në vendin ton. 
Jam këtu që të shpreh gatishmërinë e Bashkësisë Islame të Republikës së Kosovës dhe të të gjitha institucioneve të saj që të mbështes pa alternativë, të angazhohemi pa ndërprerë në kultivimin e paqes, mirëkuptimit, mirëbesimit, faljes dhe respektit të vlerave hyjnore-universale, humane e qytetëruese.
Ju faleminderit!

(Fjala e Myftiu të Kosovës, Naim Tërnava në Konferencën ndërkombëtare “Feja dhe pajtimi: Cila është e ardhmja e dialogut ndërfetar?” të mbajtur në Pejë më 24 maj 2013)

Shfaq më shumë në Fjalime

Shfleto

Fjala e Myftiut të Kosovës Naim ef. Tërnava në Akademinë përkujtimore kushtuar Haxhi Mustafë ef. Dervishollit

E nderuara familja Dervisholli Të nderuar drejtues të institucioneve të BI të Kosovës Të n…