(Shkruan: Dr. Ejup Haziri)
Janë të njohura tetë grupet përfituese të zekatit apo sadekatu-l fitrit, ku besimtari përzgjedh njërën apo më shumë se një grup prej tyre. Këtu do të flasim vetëm për grupin e shtatë, atë të “rrugës së Allahut”, ku hyn edhe dhënia e zekatit dhe fitrave për institucionet fetare, medresetë, Fakultetit të Studimeve Islame, e kështu me radhë.
Hanefitë për dallim nga shkollat tjera juridike, grupin “fi sebîlil-lah” i kanë dhënë konotacion gjithëpërfshirës dhe i kanë dhënë kuptim të gjerë, si për kërkuesit e diturisë, rrugët e mirësisë apo nevojat e përgjithshme.
Ndonëse, qasja e hanefitëve në lidhje me këtë tematikë është shpërfillur përgjatë shekujve dhe në një formë edhe është etiketuar si qasje e gabuar, me pretekstin se është dal nga teksti që nocioni “fi sebîlil-lah” nënkupton. Mirëpo, kjo qasje gjithëpërfshirëse e hanefitëve nuk është për t’u hedhur poshtë, përkundrazi është qasje që reflekton realitetin, sidomos në kohën tonë.
Nga mendim i izoluar në atë të përzgjedhur
Autoritetet e rëndësishme myslimane në kohën bashkëkohore, gjatë shqyrtimit të nocionit “fi sebîlil-lah”, erdhën në përfundim, se kjo fjalë ka kuptim të gjerë, ndoshta edhe më gjerë se sa vet mendimi hanefit, duke konstatuar se në të futen interesat dhe nevojat e ndryshme të shoqërisë myslimane. Komentet dhe përgjigjet e tyre, që do të elaborohen në vijim, rreth kësaj fjale do ta bëjnë mendimin hanefit të përzgjedhur për kohën bashkëkohore.
Sigurisht se në kohën bashkëkohore janë të shumtë ata që i kanë dhënë konotacion gjithëpërfshirës fjalës “fi sebîlil-lah”, andaj në një punim të tillë është e pamundur të përmendën gjithë ata dhe mendimet e tyre, mirëpo, do të mjaftohemi me disa prej tyre që janë më të njohur.
Dijetari i mirënjohur Reshid Rida, në veprën e tij kapitale “Tefsiru-l Kur’ani-l Hakim, që ndryshe njihet si “Tefsiru-l Menar”, në interpretim të fjalës “fi sebîlil-lah-në rrugë të Allahut”, përveç tjerave, shprehet: “Në kohën tonë, më e nevojshme dhe më e arsyeshme është që zekati të jepet me qëllim të shkollimit e të përgatitjes së njerëzve (thirrësve në fe), të cilët do t’i interpretojnë dhe do t’i shpjegojnë të vërtetat e Islamit dhe ata të dërgohen në vendet e pa besimtarëve nga institucionet fetare që i japin pasuri të mjaftueshme, ashtu siç veprojnë pa besimtarët në përhapjen e fesë së tyre.” “Po ashtu në këtë grup, thekson Reshid Rida, hyn edhe ndihma ndaj shkollave fetare-medreseve dhe shkollave tjera në bazë të interesit të përgjithshëm. Në këtë kontekst, mësuesve të këtyre medreseve u jepet pagë përgjatë kryerjes së profesionit të tyre ligjor, përderisa ata nuk kanë ndonjë fitim tjetër dhe nuk janë të pasur.”
Juristi bashkëkohor Jusuf Kardavi, për fjalën “fi sebîlil-lah-në rrugë të Allahut” ka shpjegim të gjatë dhe të arsyeshëm, e prej atij shpjegimi do të shkëpusim pjesë të rëndësishme. Së pari, Kardavi shpjegon nocionin “fi sebîlil-lah-në rrugë të Allahut”, që sipas tij është term gjithëpërfshirës, duke u argumentuar me ardhjen e këtij termi në Kur’an dhe hadith, e më pas thotë: “Nëse juristët e shkollave juridike, në të kaluarën e kanë kufizuar termin me përgatitjen e luftëtarëve, ruajtjen e kufirit dhe mjeteve luftarake që ata kanë nevojë për to, ne në kohën tonë i shtojmë edhe luftëtarë nga lloji tjetër, e që janë ata të cilët punojnë për luftë mendore, për përmirësimin e zemrave me mësimet e Islamit dhe për da’ven-thirrjen për në Islam. Këta janë luftëtarë me aktivitetet e tyre, gjuhët dhe penat e tyre, që mbrojnë besimin dhe ligjin Islam.”
Jusuf Kardawi e sheh të nevojshme që dhëniet fetare të orientohen në drejtim të luftës për ngritje kulturore, arsimore dhe edukative të myslimanëve. Kardavi, tërheq vëmendjen kur thotë se “disa punë dhe angazhime në njërin prej vendeve brenda një kohë a periudhe dhe rreth një gjendjeje mund të jenë xhihad “fi sebîlil-lah-në rrugë të Allahut”, por, në në një vend tjetër, kohë apo gjendje tjetër mund të mos jetë xhihad i tillë.” “Krijimi i shkollave (medreseve), thekson Kardavi, në kushte normale padyshim që është një vepër e mirë dhe një angazhim i lavdëruar të cilin e do islami, mirëpo nuk llogaritet xhihad, e nëse në ndonjë vend mësimi dhe drejtuesit e arsimit është në duart e të tjerëve që propagandojnë fenë e tyre, komunistëve apo në duart e të pafeve shekularistë, atëherë krijimi i një medreseje islame konsiderohet si xhihadi më i madh.”
Nga kjo na bëhet e qartë se dhënia e zekatit për institucione fetare, sikurse që është rasti në vendin tonë, e ruan islamin dhe ndihmon myslimanët në kapërcimin e sfidave të ndryshme që myslimanët përballën. Kjo do ta forconte komunitetin mysliman dhe do ta bënte të qëndrueshëm.
Ndihma ndaj institucionit fetar
Aktet e veçanta, thirrjet dhe fetvatë e dala nga përgjegjësi kryesor për mbarëvajtjen e myslimanëve tek ne kanë qenë, janë dhe sigurisht se do të jenë nga institucioni fetar, që në këtë rast është Bashkësia Islame e Republikës së Kosovës. Kjo bashkësi, monitoron, vëzhgon dhe kujdeset për komunitetin e saj, dhe si e tillë vazhdimisht ka bërë thirrje që fondi i zekatit dhe sadekatul fitrit të jepet për Bashkësinë Islame, me qëllim që të ndihmohen Medresetë me të gjitha paralelet dhe Fakulteti i Studimeve Islame, për shkak se nuk ka ndonjë ndihmë apo ndonjë fond i përcaktuar nga shteti. Sigurisht se një veprim i tillë është plotësisht i ligjshëm dhe me bazë sheriatike-juridike të bazuar në ajetin e grupeve të zekatit, e më saktë tek fjala “fi sebîlil-lah-në rrugë të Allahut”, ku futen edhe institucionet fetare, sipas asaj që kemi përmendur sipër, ngase nuk është për qëllim vetëm ato mjete të orientohen për luftë, mirëpo dhëniet fetare të orientohen në drejtim të luftës për ngritje kulturore, arsimore dhe edukative të myslimanëve, e këtë padyshim që institucioni fetar në vend përpiqet për ngritjen e myslimanëve si në aspektin kulturor, ashtu edhe në atë arsimor dhe edukativ. Kjo nuk nënkupton që grupet tjera apo fondacionet e zekatit të shuhen apo të anashkalohen, përkundrazi ato mbesin dhe se askush nuk e ka të drejtën e shuarjes së llojeve ekzistuese, mirëpo institucioni fetar përcakton grupet prioritare, gjithnjë sipas kushteve dhe rrethanave ekzistuese, dhe në rast se përcakton një grup si prioritet ndaj një grupi tjetër, kjo nuk nënkupton shkelje, por si një veprim parësor në bazë të rrethanave kohore. Omeri, në kohën e tij ka ndaluar që grupi “për përfitimin e zemrave” të jenë pjesëmarrës nga fondi i zekatit, për shkak se në kohën e tij një gjë e tillë ishte e paarsyeshme dhe e panevojshme, ngase myslimanët ishin ata që sundonin e nuk ishin të sunduar e të përndjekur. Pra, nuk ishte situata sikur në kohën e të Dërguarit kur myslimanët kishin nevojë që t’i joshnin të tjerët në përqafimin e islamit, përmes mjeteve të ndryshme, e njëra prej tyre edhe ajo përmes ndarjes së zekatit, në mënyrë që t’ua përfitonin zemrat e tyre dhe të shpresohej për një kthim të tyre në islam. Thjesht, mund të ndodh që në një kohë të caktuar, të mos gjenden disa prej kategorive të zekatit, por kjo assesi nuk e anulon tekstin, ngase mund të gjenden në një kohë tjetër apo në një vend tjetër. Kërkesa nga Kryesia e BIRK-ut që zekati të jepet për të në mënyrë që të mbahen qendrat e dijes siç janë Medresetë dhe Fakulteti, është kërkesë shumë e nevojshme dhe plotësisht e drejtë (për çka edhe elita e dijetarëve bashkëkohorë e pranojnë), që nuk duhet anashkaluar, për shkak se roli i këtyre qendrave të dijes ka qenë jashtëzakonisht i madh dhe mund të themi se ka qenë një xhihad i llojit të vet që ka thyer barrierat e kohës, ka tejkaluar sfidat e guximshme dhe ka kontribuuar në ngritjen e vetëdijes fetare, kulturore dhe edukative, sikurse që ka ndikuar në ruajtjen e unitetit të myslimanëve dhe në ruajtjen e imazhit të islamit.
Në rrethanat tona ekzistuese, Bashkësia Islame merr përsipër organizimin e mbledhjes dhe ndarjes së zekatit (çdo herë kemi për qëllim edhe sadekatul fitrin), që është institucioni fetar që kujdeset për myslimanët, dhe në bazë të prioriteteve të saja bën edhe ndarjen e zekatit, gjithnjë duke i dhënë përparësi çështjes së ngritjes arsimore dhe edukative të myslimanëve, për të cilën elita e dijetarëve bashkëkohorë mendojnë se në grupin “fi sebililah” futet edhe çështja e arsimit dhe ngritja e kujdesi ndaj institucioneve fetare. Për dallim nga vendet fetare, ku ekzistojnë ndihma dhe fonde të ndryshme nga shteti, në vendin tonë, thuajse nga shteti nuk ekziston asnjë ndihmë materiale për komunitetin mysliman, që në një formë mbetet komuniteti më i margjinalizuar, andaj, për mbijetesën e këtij komuniteti sigurisht se nevojitet ndihma e kësaj shoqërie, qoftë përmes zekatit, sadekatul-fitrit, apo formave të tjera të ndihmojnë Institucionin e Bashkësisë Islame.

Shfaq më shumë në Shkrime

Shfleto

HIXHRETI I PEJGAMBERIT A.S.– NJË FAQE E RE NË HISTORINË E NJERËZIMIT

(Shkruan: Resul ef. Rexhepi) إِلَّا تَنصُرُوهُ فَقَدْ نَصَرَهُ اللَّهُ إِذْ أَخْرَجَهُ الّ…