Fjala përshëndetëse e Myftiut të Kosovës në promovimin e librit “Kontributi i prijësve myslimanë në formësimin e vetëdijes dhe identitetit kombëtar“
I nderuari Bujar ef. Spahiu- nënkryetar i KMSH-së
I nderuari Faredin Ebibi-dekan i Fakultetit Teologjik në Shkup
I nderuari Prof. dr. Qazim Qazimi, dekan i Fakulteti të Studimeve Islame në Prishtinë
Të nderuar anëtarë të Kryesisë së Bashkësisë Islame të Kosovës
Të nderuar kryetar të Këshillave të Bashkësisë Islame të Kosovës
Të nderuar studiues, referues, zonja dhe zotërinj!
Kam nderin dhe kënaqësinë e veçantë që në emrin e Kryesisë së Bashkësisë Islame të Kosovës dhe në emrin tim personal t’ju përshëndes dhe t’ju dëshiroj mirëseardhje në këtë tubim me rastin e promovimit të përmbledhjes së kumtesave nga konferenca shkencore “Kontributi i prijësve myslimanë në formësimin e vetëdijes dhe identitetit kombëtar”.
Të nderuar të pranishëm,
Pas organizimit dhe përmbylljes me sukses të Konferencës shkencore “Kontributi i prijësve myslimanë në formësimin e vetëdijes dhe identitetit kombëtar”, të mbajtur në Tiranë këtu e një vit më parë dhe pas botimit e promovimit të kësaj përmbledhjeje të mbajtur nën patronatin e Haxhi Selim Muçës, kryetar i Komunitetit Mysliman Shqiptar, e ndiem për obligim që edhe ne si bashkëorganizatorë dhe bashkëpjesëmarrës në gjithë këtë projekt, që të organizonim promovimin e kësaj përmbledhjeje edhe në Prishtinë.
Dy janë arsyet kryesore që na shtynë që të organizojmë këtë promovim në Prishtinë.
E para, me këtë kemi dashur që edhe para audiencës dhe opinionit në Kosovë ta promovojmë në mënyrë solemne kontributin e realizuar bashkërisht nga të tri komunitetet tona islame shqiptare. Kontribut ky që vë në pah rolin dhe angazhimin e ulemasë shqiptare për mëvetësinë e vendit të tyre dhe ruajtjen e identitetit kombëtar e fetar.
Arsyeja e dytë qëndron në faktin se, si Myfti i Kosovës e ndiej për obligim që t’i falënderoj dhe t’ju shprehi mirënjohje të gjithë atyre studiuesve që me kontributet e tyre morën pjesë në ndriçimin e rolit të ulemasë, zbardhen fakte e dëshmi për këtë profil të veçantë të atdhetarëve tanë, dhe kështu begatuan dhe bënë më madhështor në radhë të parë vetë përvjetorin e 100 të shtetësisë së shqiptarëve, e më pastaj edhe nderuan tri komunitetet tona islame shqiptare, dhe, në fund, më e rëndësishmja, në këtë mënyrë këta studiues shlyen deri në një farë mase një pjesë të borxhit që kemi ndaj figurave tona nga radhët e ulemasë shqiptare që u shquan në procese të rëndësishme e jetike për kombin shqiptarë, siç ishin Haxhi Ymer Prizreni, Haxhi Zeka, Daut Boriçi, Vehbi Dibra, Ahmet Korenica, Rrystem Shportës, Hfz. Ibrahim Dalliut, Hfz. Ali Korçën, Hfz. Ali Krajës, Shejh Salihut, Agan Koja, Idriz Gjilanit, Musa Shehzades, Shejh Eminit, mulla Rasim Zapodit, Shejh Mehmet Sezait, Hfz. Abdylfetah Raufit nga Shkupi, Hfz. Abdullah Abdullahut nga Tetova, e shumë të tjerë, që në një kohë e periudhë të caktuar ishin të anatemuar e të harruar.
E veçanta e këtij projekti të përbashkët të të tri komuniteteve islame shqiptare qëndron edhe në faktin se në këtë konferencë është ndriçuar kontributi i ulemasë gjithandej trojeve shqiptare në periudha të ndryshme nëpër të cilat kaloi populli dhe vendi ynë. Në këtë konferencë morën pjesë studiues nga të gjitha trojet shqiptare, edhe promovimi i botimit të këtyre kumtesave po bëhet në tri qendrat kryesore të shqiptarisë, pas Tiranës dje, në Prishtinë sot, kurse në qendrën e Vilajetit të dikurshëm të Kosovës – në Shkup do të mbahet nesër.
Prandaj, botimi i kësaj monografie, jemi të bindur se vjen në duart tona në një kohë të përshtatshme dhe, na thotë mendja, paraqitet shumë e nevojshme, sidomos sot kur ndihet nevoja për të njohur të kaluarën tonë, e cila rrezikon të harrohet dhe të zbehet dhe të interpretohet ashtu siç nuk ka qenë në të vërtetë.
Të nderuar pjesëmarrës!
Në përmbyllje të kësaj fjale time më lejoni që edhe një herë të shpreh kënaqësinë time për mbajtjen e kësaj konference, botimin e kumtesave të saj dhe për promovimin e këtij libri dhe gjithashtu më lejoni të falënderoj edhe një herë të gjithë ata që në një mënyrë apo në një tjetër ndihmuan në realizimin me sukses të kësaj ndërmarrje tonë të përbashkët.
Në fund fare, edhe një herë zotohem para jush se edhe në të ardhmen do të mbështes dhe do të përkrah pa asnjë rezervë çdo nismë të kësaj natyre dhe të këtyre përmasave.
Ju faleminderit!
Prishtinë, 13 nëntor 2013
Myftiu i Kosovës
Mr. Naim Tërnava