Prishtinë, 8 gusht 2013
Mesazhi i Myftiut të Kosovës –Mr Naim Tërnava i mbajtur në hytben e xhamisë “Sulltan Murat”të Prishtinës me rastin e festës së Fitër- Bajramit

Të nderuar vëllezër e motra besimtarë!

Sot është ditë feste e krenarie për të gjithë besimtarët anë e kënd botës,është dita e parë e Fitër – Bajramit, ditë e cila qetëson zemrat e besimtarëve pasi ata veç kanë kryer me devotshmëri një prej obligimeve kyçe në Islam agjërimin e muajit të bekuar të Ramazanit

Ky muaj i cili edhe më shumë shtoi dashurin e respektin ndaj Zotit xh. sh. Muaj i cili edhe më shumë kaliti në zemrat tona përkushtimin dhe dashurin ndaj Allahut xh. sh., muaj i cili forcoi edhe më shumë kodin moral të besimtarit në raport me veprat e liga të cilat vijnë si rezultat i ndërhyrjes së shejtanit të mallkuar.

Me të drejt besimtari shpreson në shpërblimin e Allahut xh.sh., edhe për këtë përkushtim një mujor. Ramazani i cili ka vlerë të jashtëzakonshme në krahasim me muajt e tjerë ngase në këtë muaj Allahu xh. sh. zbriti Kuranin, librin udhërrëfyes për njerëzimin mbar.

I Madhi Zot nuk humb mundin e askujt, Ai shpërblen me të mirat e Tij robin e vet Ditën e Gjykimit, për çka thotë:

Zoti i tyre iu përgjigj lutjes së tyre (e tha): Unë nuk ia humb mundin asnjërit prej jush, mashkull qoftë apo femër”. (Ali-Imran:195).

Duhet ditur njeriu se është nën përkujdesjen e vazhdueshme të Allahut xh. sh., dhe se mundin, punën e asnjërit nga ne Allahu xh.sh. nuk do ta humb, për çdo gjë do të shpërblehemi, do të gëzojmë kënaqësinë e të Madhit Zot. Ndaj zemrat tona duhet mbushur me besim, nga të cilat reflektojnë rreze drite, në raport me njëri tjetrin, ndihmën që duhet ofruar njëri tjetrit, respektin e nderin. Te besimtari i drejt nuk ka vend urrejtja, zilia, dhuna, vrasja e vepra tjera të cilat nuk përkojnë me karakterin njeri. Kjo krijesë kaq e përsosur qoftë mashkull apo femër, duhet që shpirtin e vet ta pajis me vlera burimore që dalin nga urdhri Hyjnor, vlera të cilat ngërthejnë në vete natyrshmërinë dhe personalitetin e njeriut.

Çdo njëri prej nesh duhet të mendoi në vazhdimësi se kjo jetë e kësaj bote është kalimtare, se çdo njëri prej nesh do të ketë shtëpinë e përkohshme edhe në varrë, se nga ajo shtëpi do të rizgjohemi me urdhrin e Allahut, me vete do të bartim përgjegjësin kur të dalim para Zotit, dhe para njerëzve në dhënien e llogarisë.

Askush nuk mund t’i ikë kësaj përgjegjësie pavarësisht se çfarë pozite, pasurie, ngjyre apo gjuhe që i takon. Allahu xh.sh., thotë:

Kush bën vepër të mirë, qoftë mashkull ose femër, e duke qenë besimtar, Ne do t’i japim atij një jetë të mirë (në këtë botë), e (në botën tjetër) do t’u japim shpërblimin më të mirë për veprat e tyre”.(Enahl:97).

Këtë ditë, padrejtësitë e shumta të kësaj bote do të marrin fund, nuk do të ketë më Mbretër e Sulltan, por çdo njëri do të pres llogarinë për punën e vetë. Duhet shumë të kemi kujdes për punët dhe përgjegjësit e shumta të cilat i kemi gjatë jetës në këtë botë, qofshin ato në aspektin fetarë, por edhe në fushat e tjera. Udhëheqësit fetar, por edhe ata shtetërorë duke filluar nga ai i cili bartë përgjegjësin më të madhe deri te ai me përgjegjësi më të vogël, duhet ditur se nëse mund ti shpëtoi ndonjë përgjegjësie në këtë botë për keq bërje, atëherë botën tjetër do të jap llogari.

Allahu xh. sh. thotë:

Në Ditën e Gjykimit Ne do të vëmë peshoja të drejta, e askujt nuk i bëhet e padrejtë asgjë, edhe nëse është (vepra) sa pesha e një kokrre të melit Ne do ta sjellim atë. E mjafton që Ne jemi llogaritës.” (El-Enbija:47)

Të nderuar vëllezër e motra!

Agjërimi, ibadetet edhe gjatë këtij muaji patën vetëm këtë qëllim,si të fitojmë më shumë begati nga i Madhi Zot,si t’iu përkushtohemi edhe më shumë urdhrave që dalin nga Kurani dhe obligimeve e përgjegjësisë. Si ta fitojmë kënaqësinë e Allahut xh.sh. si të jemi nesër me të dashurit e Allahut xh.sh., me Pejgamberë e dëshmorë.

Nisur nga këto parime shumë net i kaluam pa gjumë, i përballuam me nder e fisnikëri edhe temperaturat e larta, përballuam etjen dhe urinë, duke i zëvendësuar me ushqim shpirtërorë të cilin si asnjë muaj tjetër na solli muaji i Ramazanit. Iftari dhe Syfyri dy momente shumë të rëndësishme domethënëse, ku qartë vihej në provë besimi dhe përkushtimi e devotshmëria ndaj Allahut xh.sh., edhe më i shtuan vlerat këtij agjërimi.

Kryeqendra jonë, por edhe qytet tjera duke përfshirë edhe të gjithë fshatrat në Kosovë sikur gjatë tërë kohës dëshmonin: Po mysafirin tonë të bekuar, e kemi pritur krah hapur e me zemërgjerësi të madhe, jemi tejet të lumtur që Allahu na bëri të mundur që edhe një herë ta presim këtë mysafir.

Qytetet dhe fshatrat ndryshuan rutinën e jetës, natën ndihej një gjallëri edhe më e madhe duke qen prezent nëpër xhami e vende ku adhurohej Allahu xh. sh. Shumë të rinj e të reja takoheshin pas namazit të teravive e namazit të natës,për të biseduar e falënderuar Allahun xh.sh. për këto mirësi.

Të nderuar besimtarë!

Ramazani shkoi, zemrat dhe shpirtin tonë e mbushëm edhe njëherë me besim e fuqi, për të vazhduar jetën më tutje. Na iku ky mysafir i bekuar, kaloi edhe Nata e Kadrit, edhe Xhibrili sërish u kthye ne qiej, ngase toka ishte e nderuar me prezencën e tij Natën e Kadrit, dhe shumë engjëjve të tjerë. Të cilët Allahut xh.sh. i përcollën kënaqësitë e marra nga ymeti i Muhamedi a.s.

Ramazani na mësoi se Islami është fe e cila urdhëron në bamirësi, dashuri, respekt, nder, tolerancë e zemërbutësi, duke e ditur se këto porosi janë edhe element thelbësor i një të ardhme sa më të mirë. Duke e ditur se Islami vendos drejtpeshimin mes materiales dhe shpirtërores, mes trupit dhe shpirtit, duke kalitur shpirtin njerëzor, duke u përpjekur të depërtoi në thellësinë e tij për ti mbjell mësimet e veta të cilat do të mbrojnë atë nga vështirësitë e kësaj bote.

Ramazani na mësoi që të jemi edhe më të lidhur mes vete, të mos përçahemi, forcimin e radhëve, dhe mënjanimin e kundërthënieve e divergjencave.

Allahu xh. sh. thotë:

Dhe respektojeni Allahun e të dërguarin e Tij, e mos u përçani mes vete, e të dobësoheni e ta humbni fuqinë (luftarake). Të jeni të durueshëm se All-llahu është me të durueshmit”.(El-Enfal:46).

Le të jetë pra festa e Bajramit të Ramazanit, rast që ti zgjasim duart tona për ti fshirë lotët e fëmijëve që kanë humb shpresën, të atyre që kanë humbur më të dashurit e tyre, t’ua zgjasim dorën e ndihmës, dhe të solidaritetit, aq sa kemi mundësi, të gjitha atyre familjeve që kanë nevojë.

Të ndihmojmë e gëzojmë zemrat e tyre, të begatojmë sofrat me begatit e Allahut të forcojmë vlerat dhe virtytet e muajit të agjërimit në jetën tonë të përditshme që të jemi të lumtur dhe ti bëjmë tjerët të lumtur me sjelljet dhe veprat tona. Mos hezitoni se sa të jeni ju në ndihmën e vëllait tuaj, Allahu do të jetë ndihmën tuaj, Allahu do t’iu falë shumë të mira nga begatit e Tij të pakufishme

Vëllezër të dashur!

Bajramet në vazhdimësi në trojet tona janë festuar solemnisht, të vazhdojmë këtë traditë të shkëlqyer, të festojmë bashkë me familjar, farefis, miq e shokë, duke e përkujtuar në vazhdimësi Allahun e Madhëruar.

Me këtë rast më lejoni të uroi të gjithë vëllezërit dhe motrat, besimtarë e besimtare, me dëshirën për shëndetin dhe mirëqenien e tyre.

Gjithashtu përshëndes dhe uroj për festën e madhe të Fitër – Bajramit edhe vëllezërit tanë kudo që gjenden në trojet tona etnike shqiptare, si dhe bashkatdhetarët tanë kudo në botë me dëshirën dhe shpresën se tek ne dhe kudo në botë do të mbretërojnë paqja dhe lumturia.

Me fat festa e Fitër – Bajramit!

Myftiu i Kosovës
Naim Tërnava

Shfaq më shumë në Fjalime

Shfleto

Fjala e Myftiut Naim ef. Tërnava në promovimin e tri veprave të tij

I nderuari reis i Bashkësisë Fetare Islame të Maqedonisë së Veriut, Shaqir ef. Fetahu, I n…